More
    KreuLetërsiShënime mbi libraErmir Nika: Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe

    Ermir Nika: Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe

    Sistemi letrar shqiptar dhe zhvillimet e ndryshme brenda tij, nuk e sendërtoi profilin e tij në mënyrë spontane në një rreth vicioz, jashtë procesit të përgjithshëm evolutiv të letërsisë së gjithëmbarshme. Letërsia shqipe, pavarësisht kushteve më të cilat u përball pas Luftës së Dytë Botërore, nuk duhet të vlerësohet si një hallkë e shkëputur nga zhvillimet e letërsisë europiane dhe anasjelltas, letërsia në Europë, në historinë dhe në traditën e saj, nuk do të ishte e plotë pa lëvizjet që u vunë re në letërsinë shqipe. Prirjet që u shfaqën në letërsinë europiane dhe atë botërore, veçanërisht në gjininë e romanit, ku spikati stili lakonik i Ernest Heminguejit i shkrirë në dialogë të drejtpërdrejtë dhe pa ngarkesa autoriale, me anë të së cilave zbulohej gjendja e brendshme e personazheve si edhe me përshkrimet autentike të peizazhit, dha një ndikim të thellë në zhvillimet e mëvonshme të letërsisë që lëvrohej në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, edhe romanet e shkrimtarit të shquar gjerman Erih Maria Remark, të cilat bënë një jehonë të ndjeshme në shtypin gjerman të kohës, duke u shtrirë e duke fituar gjithmonë e më shumë terren edhe ne kontinentin amerikan, në Shqipëri nuk gjetën mishërim thjesht për faktin se në këtë rast kishim të bënim me dy shkrimtarë antifashistë, çka lë shkas të mendohet se një gjë e tillë i shkonte për shtat politikës që ndiqte shteti shqiptar pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist. Përkundrazi kjo dukuri letrare, përfshiu krijimtarinë e disa prej shkrimtarëve më në zë të asaj periudhe në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë. Padyshim që në këtë proces edhe Shqipëria, përpos kushteve dhe klimës në krijuar në letërsi dhe në art, nuk mund të bënte përjashtim. Në përpjekje për të përvijuar një panoramë të plotë të situatave që mbizotëronin pikërisht në këtë fazë që po përjetonte kultura dhe në veçanti letërsia shqipe, mendojmë se është e udhës të vendosim theksin mbi një tregues shumë sinjifikativ, i cili prek në vija të përgjithshme tiparet kryesore të ardhjes së modernitetit në romanin europian, si dhe, në mënyrë më specifike nxjerr në pah tiparet më përfaqësuese të kësaj dukurie në prozën romanore shqipe. E prirur për të sendërtuar një model letrar krejt të ndryshëm si në art ashtu edhe në letërsi, kjo frymë e re krijuese që në lindje të saj do të përballej me muret e sistemeve diktatoriale dhe do të arrinte të ruante ekzistencën e saj nën presionin shtypës të klikave sunduese të kohës, si në Europë, po ashtu edhe në Shqipëri. Autorët tek të cilët u vu re në mënyrë më të drejtpërdrejtë ky ndikim dhe që përçuan frymën moderniste në prozën romanore shqiptare qenë pikërisht Petro Marko dhe Ismail Kadare, të cilët më talentin dhe me konceptet që zotëronin për artin e shkruar, me mënyrat dhe mjetet shprehëse si në rrafshin stilistikor ashtu edhe në atë gjuhësor, përvijuar pamjen moderne të romanit shqiptar. Ndër të gjithë prozën romanore të shkruar para luftës, vetëm romani “Pse” i Sterjo Spases është parë ndonjëherë si prurje moderniste. Shkruar nga një autor shumë i ri, nën ndikimin e gjithëfarë leximesh, ajo vepër mbeti si një eksperiment i veçuar prej të cilit shkrimtari hoqi dorë në një roman tjetër pasardhës “Afërdita” të botuar para mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

    Në atmosferën e përgjithshme që mbizotëronte jo vetëm në botën e letrave por edhe në krejt jetën intelektual dhe kulturore në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, botimi i romaneve të Petro Markos “Hasta la vista” dhe në veçanti “Qyteti i fundit” patën një jehonë të ndjeshme në valën e botimeve të asaj kohe, duke u shndërruar në objekt diskutimesh në qarqe të gjera të lexuesve dhe në mënyrë të veçantë në sferat letrare. Po në këtë mënyrë, do të priteshin edhe romanet e para të Kadaresë, ku shtresat e ndryshme të shoqërisë, në mënyrë të veçantë ato intelektuale, do të tregonin një interesim gjithnjë në rritje për këtë dukuri letrare që po përvijohej haptazi në diskordancë të plotë me frymën dhe modelet e gatshme mbi të cilat sendërtohej arti dhe kryesisht letërsia e atyre viteve. Me daljen në dritë të romaneve të Petro Markos, në letërsinë shqipe po përvijohej një fizionomi të re, duke krijuar gradualisht distancë nga letërsia e klisheve dhe e shablloneve me të cilat ishte konturuar krijimtaria letrare e pas çlirimit. Ndërsa do të ishte pikërisht Ismail Kadare ai autor, falë formës së re letrare, stilit dhe  frymës së re që përçonte në prozën shqipe, që do të përmbyste krejt raportet që kishte romani shqiptar me të shkuarën. Vepra romanore e Kadaresë që në fillesat e saj, ndihej si një vepër e ndikuar nga letërsia perëndimore, dhe kryesisht nga modelet letrare të Heminguejit dhe të Remarkut, një proces ky që u zhvillua gati nën të njëjtat simptoma dhe përngjashmëri ashtu si në mjaft vende të botës, si në Gjermani, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj, ku ndikimi i veprës së këtyre dy autorëve  në procesin krijues, veçanërisht në gjininë e prozës ishte mjaft evident. Me kalimin e kohës, proza romanore shqipe e lëvruar nga Marko e Kadare, krijoi një profil dhe identitet të vetin në letërsinë europiane, çka e vuri në dukje veçanërisht kritika e huaj. Në këtë aspekt, pavarësisht rrethanave ku gjendej e ngërthyer krijimtaria letrare në vend, falë formimit dhe koncepteve të këtyre dy shkrimtarëve ndaj letërsisë, romani shqiptar, si proces letrar, me botimin e veprave romanore të Petro Markos dhe Ismail Kadaresë, po orientohej dhe filloi të ecte në koherencë të plotë me zhvillimet dhe rrymat që mbizotëronin në prozën romanore në Europë dhe në botë. Modelet e letërsisë së huaj dhe fryma që mbizotëronte në perëndim, po e jepte ndikimin e saj edhe në letërsinë shqipe, por me kalimin e kohës procedetë e letrare të perëndimit bashkëjetuan në mënyrë të njëkohshme me risitë dhe dukuritë letrare në terrenin shqiptar, duke shkrirë disa nga elementët narrativë dhe strukturorë në disa prej pikëtakimeve të përbashkëta e njëkohësisht, me prirjen për të krijuar marrëdhënie komunikimi të ndërsjella. Cilado qoftë marrëdhënia e letërsisë me sferat e tjera me vlerë për të, librat ndikohen prej librave; librat imitojnë librat e tjerë, i parodizojnë, i transformojnë  – dhe jo thjesht në mënyrë kronologjike. “Në letërsinë e sotme origjinaliteti i zhanrit është më i dukshëm në ato raste kur nisemi nga veprat dhe autorët më me ndikim, me forcë centrifugale: ndikimi letrar, për shembull, i Eliotit dhe Odenit, i Prustit dhe Kafkës në rrjedhat e ndryshme të letërsisë bashkëkohore”[1].

    Me anë krahasimit, marrë jo si teori e veçantë po thjesht si metodë dhe njëherazi si sprovë hipotezash, kemi qëmtuar për të depërtuar në mënyrë më të sigurt në shqyrtimin e teksteve. “Në pikënisje kjo metodë i përmbahet këtij parimi që e bën të dallueshëm nga disiplinave të tjera “të krahasuara”: çfarë ndodh  kur një ndërgjegje njerëzore, e përfshirë në një kulturë (në kulturën e saj) përballet me një vepër, që është shprehje dhe pjesë e një kulture tjetër? Thënë ndryshe, takimi (i rastësishëm ose jo) me të huajën, me atë që nuk flet të njëjtën gjuhë, që nuk ka të njëjtën kulturë, që është një  “barbarus”,  gjuha e të cilit mbetet e pakapshme, njësoj si fonemat që s’kanë kuptim, takimi me tjetrin pra, është pikërisht në qendrën e qasjeve krahasuese”[2]. Lidhjet e ndërsjella midis veprave të artit janë objekt krahasimi kritik të dy sistemeve tërësore, dy konfiguracioneve që vetëm në fazat paraprake të studimit mund të copëtohen në elemente përbërëse. Kur krahasimi të jetë përqendruar vërtet në dy tërësi, atëherë bëhet e mundur të arrijmë në përfundim për një problem themelor të historisë  së letërsisë – për problemin e origjinalitetit. Në kohën tonë origjinalitetin zakonisht e ngatërrojnë thjesht me shkeljen e traditës ose e kërkojnë aty ku në të vërtetë nuk ekziston, përgjithësisht në materialin e veprës së artit ose në skeletin e saj – subjekti tradicional, konstrukti tradicional. Gjatë analizës së teksteve letrare jemi munduar të dallojmë veçantinë që vihet re në një individualitet krijues nga unikaliteti i plotë. Si çdo qenie njerëzore, çdo vepër letrare ka karakteristikat e veta individuale; por, njëkohësisht, atë e bashkojnë me veprat e tjera cilësitë e përbashkëta, ashtu si çdo njeri ka tipare të përbashkëta për të gjithë racën njerëzore, për seksin, kombin, klasën, profesionin e tij etj. Përgjithësisht kritika letrare dhe historia e letërsisë synojnë të karakterizojnë atë që është individuale në një vepër, në një autor, në një periudhë, ose në një letërsi kombëtare. Në punimin tonë, metodën krahasimtare nuk e kemi vlerësuar thjesht si një bashkësi tekstesh në një përqasje letrare, aq më pak si praktikë e “paralelesh”. Në thelb është fjala për një përpjekje intelektuale, që synon të studiojë çdo objekt të quajtur (ose që mund të quhet) letrar, duke e vënë në marrëdhënie me elementët e tjerë përbërës të një kulture. Duke u bazuar kryesisht në kriterin letrar, jemi munduar të përcaktojmë caqet e një dukurie letrare, që, duke e kundruar si një hark kohor ku mbisundon një sistem i caktuar normash, modelesh dhe konvencionesh letrare, solli prurje të panjohura më parë. Historia e një periudhe qëndron pikërisht në hetimin e ndryshimeve nga një sistem normash në tjetrin. Duke qenë një hark kohor, të cilin ne e konceptojmë si një tërësi unike, është e qartë se uniteti i këtij harku kohor, pra, i periudhës, mund të jetë vetëm relativ. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe ka skema normash që nuk gjejnë realizim të plotë. Në qoftë se uniteti i periudhës do të ishte madhësi absolute, atëherë periudhat do të viheshin njëra mbi tjetrën si blloqet e gurit, pa vazhdimësi dhe traditë zhvillimi. Për këtë arsye, në çdo periudhë gjejmë medoemos edhe mbeturinat e skemave paraardhëse të normave, edhe embrionet e skemave pasardhëse.

    Një tipar dallues në rrjedhat e letërsisë shqipe, i krijuar përgjatë procesit evolutiv prej pesë shekujsh, lidhet me faktin se kjo letërsi ka mundur të krijojë identitetin e saj artistik, duke ruajtur së pari vlerat e traditës së krijuar si edhe të përballojë transformimet e ndryshme në brendinë e saj.

    Në fillim të shekullit XX, letërsia shqiptare kaloi në një fazë të re, me tematikë më të zgjeruar politike-shoqërore, me karakter më të thelluar popullor e demokratik, me theks më të dukshëm realist e me elemente të fuqishme kritike. Në këto zhvillime intensive në procesin evolutiv të saj, fizionomia e letërsisë shqipe nga fillimi i shekullit të XX e deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore e në vazhdim, shfaqet me një përbërje mjaft të ngjeshur e të larmishme, në kuptimin që brenda një periudhe të shkurtër kohe në brendinë e saj kanë bashkëjetuar shumë dukuri rrymash letrare, herë të qëndrueshme e herë kalimtare, herë të natyrshme e të pritura, herë të “ panatyrshme ” e deri diku të “ papritura ”.

    “Prej kohësh është ndier se historia e letërsisë së një kombi, e ndërtuar si renditje kohore e jetës dhe e veprimtarisë së shkrimtarëve më të shquar të saj, është megjithatë e pamjaftueshme për ta kuptuar dhe përthithur atë letërsi si një proces ndryshimesh të paprera, që përmes krijimit të vazhdueshëm lë mënjanë pjesë të tëra të vetvetes për të lindur e rritur të tjera pjesë, të cilat përsëri do t’i zëvendësojë me vepra, prirje e dukuri të tjera”[3].

    Në përpjekje për të analizuar dhe krahasuar dukuritë dhe risitë, kahet dhe sprovat që po spikatnin në letërsinë e huaj si edhe prirjeve që u shfaqën në letërsinë shqipe në përqasje me zhvillimet në procesin letrar europian pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe përfshirjes së procesit krijues të lëvrimit të modelit të realizmit socialist, është arritur  që prozën romanore të Petro Markos dhe Ismail Kadaresë ta analizojmë nëpërmjet dy metodave: historiko – kulturore dhe metodës krahasuese, nëpërmjet të cilave këtë dukuri letrare që karakterizon veprat e këtyre dy autorëve të rëndësishëm të letrave shqipe, ta trajtojmë në kompleksitetin e vet së pari si alternativë letrare. Për t’iu avitur këtij qëllimi nevojitet të hedhim një vështrim mbi historikun e romanit shqiptar që nga fillesat e tij, e duke vijuar më tej me situatën dhe rrethanat e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe konkretisht përgjatë viteve ’50 – ’60 të shekullit XX, kohë në të cilën romani nisi të lëvrohej dhe të botohej gjerësisht në Shqipëri. “Para historisë së letërsisë qëndron një problem i njëjtë: të hetojë historinë e letërsisë si art, veçuar relativisht nga historia e shoqërisë, nga biografitë e shkrimtarëve ose nga vlerësimi për këtë apo atë vepër”[4]. Për rrjedhojë në mënyrë krejt të natyrshme, nuk mundet kurrësesi të mohojmë se ka një dallim të prerë midis historisë politike dhe historisë së artit. Ka dallim midis asaj çka është historike dhe e kaluar, dhe asaj çka është historike por edhe pjesë, gjithsesi e së tashmes. Duhet pranuar se pjesa më e madhe e historive të letërsisë  janë ose histori të jetës shoqërore, ose histori të mendimit shoqëror të ilustruar më vepra letrare, ose përmbledhje përshtypjesh e gjykimesh për vepra të veçanta të renditura pak a shumë në rend kronologjik. Në gjykimin e Tomas Uërtënit, historianit të parë të poezisë angleze, është pikërisht historia mekanizmi që regjistron me përpikmëri tiparet e kohës së vet, duke bartur peizazhet më të gjalla dhe shprehëse të zakoneve, si arrin të transmetojë në brezat e ardhshëm një pasqyrë të vërtetë të jetës. Një tjetër historian i njohur i letërsisë angleze Henri Morni e mendonte letërsinë si biografi të kombit, si histori të shpirtit kombëtar. Për studiuesin Lesli Stefënin letërsia ishte një lloj funksioni i veçantë i organizimit të shoqërisë në tërësi, produkti anësor i ndryshimeve shoqërore. Ndërsa U. Xh. Kort’houp, autor i së vetmes histori të poezisë angleze të bazuar në një koncept të njësuar zhvillimi, e përcaktonte studimin e poezisë angleze si studim, në thelb, të rritjes së pandërprerë të instituteve kombëtare që gjejnë pasqyrim në letërsi, kurse unitetin e objektit ai e kërkonte pikërisht aty ku e kërkon historiani i jetës politike, domethënë, në jetën e kombit në tërësi. Por në këndvështrimin tonë letërsia nuk mbetet në vetëm në kufijtë e pasqyrimit të proceseve shoqërore, por në thelb ajo është rikrijimi dhe përmbledhja e gjithë historisë së mendimit njerëzor, pasi letërsia nuk mund të konceptohet si një radhë veprash të mbyllura në vetvete, pa asgjë të përbashkët me njëra – tjetrën, as një radhë veprash që lidhen sipas cikleve kohore; letërsia klasiciste, letërsia romantike, letërsia realiste etj. Duke e parë në këtë këndvështrim, përdorimi i metodës krahasuese mbetet një mjet i domosdoshëm për të analizuar përngjasimet stilistikore dhe përmbajtjesore të drejtimeve të ndryshme letrare, si edhe përpjekjet e sprovat e ndërmarra nga autorë të ndryshëm për të thyer konturet e skemave të gatshme, për të mbërritur së fundi në krijimin e modeleve të pavarura, të cilat shënjuan stadin e shkëputjes së romanit shqiptar nga klima e përgjithshme e solidaritetit të shkrimit unik. Në këtë mënyrë do të saktësohen disa nga faktorët më thelbësorë të ndërtimit të subjektit të veprave letrare që përfaqësojnë këtë periudhë, duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat romani shqiptar mundi të konsolidojë fizionominë e tij letrare.

    Gjatë analizës së elementëve përbërës të strukturës formale të romanit që u lëvrua në Shqipëri përgjatë viteve ’50 – 60 të shekullit XX-të, vërejmë se teksa ndryshojnë temat, personazhet, ndryshojnë edhe strukturat e brendshme të veprës, sa i përket risive stilistikore, tematikës, elementëve kohore dhe atyre vendorë në të cilin shtjellohet krejt subjekti i romanit si lloj dhe tipologji shprehëse. Një ndërlidhje e personazheve me situatat e krijuara, origjinalitetin e mënyrës narrative, strukturimin e tekstit në varësi të metamorfozës që pëson personazhi, përbën në vetvete një faktor që jep ndikimin e vet edhe në ndryshimin e rrëfimit dhe veprimit, në kohë dhe në hapësirë. Ky tip shkrimi njëkohësisht përjashtonte unitetin e rrëfimit të romanin klasik dhe pranonte prirjet moderniste që viheshin re në letërsinë e huaj. Në vijimësinë e këtij procesi riformatimi që po pësonte romani shqiptar falë koncepteve dhe formave që kultivonin shkrimtarë të tillë si Petro Marko dhe Ismail Kadare, vërehen  ndryshime të ndjeshme si në dinamikën e të rrëfyerit përgjithësisht, e veçanërisht të rrëfimtarëve, si dhe të ndërtimit të frazës ashtu edhe të përsosjes së nivelit artistik, i cili arrihej nëpërmjet shprishjes së normave standarde të shkrimit që ngërthenin artin e të rrëfyerit. Kështu vërejmë se me ndërrimin e kapitujve, romani do të pësojë jo vetëm ndërrim të psikikës dhe karakterit të përgjithshëm të personazhit, por edhe shndërrim dhe përmbysje të ngjarjeve, situatave, formës narrative, pozicionit hapësinor e kulturor kundrejt botës. Pikërisht një kahje e tillë na shfaqet herë si dukuri e përgjithësimit të fenomeneve jetësore dhe në të njëjtën mënyrë të rikonceptimit të realitetit objektiv dhe herë si  i shformësim të tipareve dalluese të përkatësisë së ambientit në të cilin u farkëtua stili dhe struktura romanore në letërsisë shqipe.


    [1]  Rene Wellek dhe Austin Warren: Teoria e Letërsisë, Sh. B. Onufri, Tiranë 2007, f.  243.

    [2]  Yves Chevrel: Letërsia e Krahasar,  Sh. B. Albin, Tiranë 2002, f. 10 – 11.

    [3]  Ali Xhiku:Letërsia Shqipe si polifoni, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Letërsisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, Sh. B. Dituria 2004, f. 7.

    [4]  Rene Wellek dhe Austin Warren: Teoria e Letërsisë,  Sh. B. Onufri, Tiranë 2007, f. 262 – 263

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË