More
    KreuArte pamoreErmir Hoxha me studimin “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000”

    Ermir Hoxha me studimin “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000”

    Një punë 10 vjeçare e studiuesit të arteve pamore, Ermir Hoxha është finalizuar me botimin “Historia e Artit Shqiptar 1858 – 2000”, duke paraqitur epokën moderne të historisë së vendit tonë, apo atë periudhë kur produkti artistik realizohej nga shqiptarët për shqiptarët, duke u shtrirë nga viti 1858 (data e fotografisë së parë në realitetin vendas, dhe si i tillë imazhi i parë realist) deri në dekadën e fundit të shekullit XX. “Metoda e Realizmit Socialist, termi i hasur rëndom në çdo artikull të botuar në vitet ‘50, kishte përfituar një fizionomi të improvizuar, që në vitet e para të pasluftës… Të çorientuar ata improvizuan mbi shembujt e veprave që pëlqeheshin në konkurse, apo që lakoheshin në debate e shumta në shtypin e kohës, apo kopjuan deri diku shembujt klasikë të artit sovjetik.”, shkruan në këtë studim Ermir Hoxha, duke vijuar më tej se: “Edhe pse të qartë mbi direktivat shtetërore, vështirësitë që ata hasën për materializimin e kësaj metode, qenë serioze.

    Shteti shqiptar, i vetëdijshëm për këtë dhe si pasojë e mungesës së specialistëve në shumë fusha të artit (dhe të shkencës), kërkoi me ngulm edukimin e një brezi të zgjedhur nxënësish, të cilët do të dërgoheshin me studime të larta në vendet e bllokut lindor. Në një dekadë, rreth 4500 prej tyre, janë përzgjedhur sa nga cilësia, aq edhe nga shtresa shoqërore dhe biografia, u dërguan si misionarë në vendin nënë të komunizmit proletar dhe vendeve të tjera satelite.”, është shprehur Hoxha për mediat. Nëpërmjet këtij studimi, Hoxha prek mediumin e pikturës, skulpturës, fotografisë, grafikës dhe karikaturës dhe ato mediumet e tjera që u zhvilluan në periudhën e fundme si instalacionet dhe videot. Libri ka 328 faqe, rreth 500 ilustrime dhe është i ndarë në 5 periudha studimore përkatësisht: Pjesa e parë; Realizmi romantik në prag të shekullit XX (1858 – 1912). Pjesa e dytë; Institucionalizimi i artit në shtetin e ri shqiptar (1920 – 1939). Pjesa e tretë; Arti pas Luftës së Dytë Botërore (1945 – 1961); Pjesa e katërt; Realizmi socialist në Shqipëri (1961 – 1985). Pjesa e pestë; Në kërkim të kohës së humbur (1985 – 2000) Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin që në realitetin shqiptar (të pas viteve ’90) nuk ekziston ende një Histori e Artit Shqiptar i plotë apo i pjesshëm dhe si e tillë domosdoshmëria e tij është tejet evidente. Për institucionet artistike të çdo niveli, të cilat ende nuk ka asnjë botim të ngjashëm, shpjegues e analitik, si dhe për gjithë ata të rinj apo studiues, që duan të dinë më shumë për artin e vendit të tyre, si në studime krahasuese, apo përqasje fenomenologjike. Ky botim mbetet sipërmarrja më serioze për të unifikuar, periodizuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të arteve pamore të vendit tonë. Ai propozohet si mëse i përshtatshëm në volum dhe përqasje dhe brenda gjithë parametrave shkencor për të arritur objektivat dhe rezultatet e pritura. Ermir Hoxha, autori i librit “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000” është pedagog i lëndës së Historisë së Artit Shqiptar në Universitetin e Arteve dhe menaxher i galerisë FAB në të njëjtin institucion.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË