Të rilexosh Roberto Arlt nga që e ka përmendur Borhesi është domosdoshmëri për një lexues, admirues i shkrimtarit argjentinas. Dhe në një vazhdimësi në kohëreale, të zbulosh një thjeshtësi përshkrimi të një nxënësi në shkollë për një pikturë të varur në shtëpi, është gjëja diskursive për gravurën e kryeqytetit tënd, në analogji gërshëtimi mes një shkrimtari latinoamerikan dhe njohjes me Buenos Airesin. Tri faqe tregim në katër faqe libër, një formë kohore dhe përmbajtje strukture mahnitëse nga një penë e rrallë siç është Arlt.
Vepra me tregime të shkurtëra e skica rrëfimtare “Gravura nga Buenos Airesi” 1 në shqip është një nga dy veprat e botuar në të njëjtin vit (2020) nga i njëjti autor (Roberto Arlt) nga shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe” të përkthyera nga Erion Karabolli. Janë 69 tregime, secili në jo me më shumë se nga katër faqe. Interesante dhe befasuese. Një simetri klasike e varur nga hapësira e “botimit të parë”. Janë 69 situata, portrete, zanate, veprime, dukuri të të gjitha variacioneve në kohë e hapësirë të ngrira në kornizën e gravurës së lëvizshme të një qyteti në një pikë pa sipërfaqe, imazhe që arrijnë të prekin djepin analogjik të çdo lexuesi.
Saktësisht dy javë para promovimit dhe dy javë pas përurimit të librit me intervista “Gjuha, letërsia dhe filmi” 2 kam lexuar tregimet e shkurtëra të Roberto Arlt. Periudhë e bukur për ta harruar zhanrin e intervistës, për ta harruar debatin për prozën, për ta ndjerë filozofinë e njeriut dhe qenien e tij nëpër të gjitha grimasat e valëzimit jetësor.
Veçimi i disa tregimeve pa dallim, në tërësinë kuptimplotë
Tregimi i parë “Djemtë e lindur pleq” është një skicim portreti të fëmijëve (çunakëve), djemve në gjithë aoreolen e jetës që nga lindja deri në pleqëri. Përmes krahasimit, natyra e djemve me seriozitetin dhe mërzinë e brendshme që kanë, jepet në një botë hermetike që vetëm ata e ndërtojnë në vete.
“Punishtja e ndreqjes së kukullave” një absurditet dhe realitet befasues. Autori përshkruan detajin dhe ndjenjën më intime të një qyteti në periferi. Me nuanca shumëngjyrëshe mësojmë karakterin e ndreqësve të kukullave.
“Mullinjtë me erë në lagjen Flores” më shumë sens përshkrim nostalgjik dhe ndërmjetës mes të kaluarës dhe të sotmes. Gërshëtohet shija primitive e fisnike e të kaluarës dhe “moderniteti” bashkëkohor…
Një tregim shpjegues autobiografik i nisur nga mbiemri është rrëfimi “Nuk është faji im”. Sinkronia diakronike nga mbiemri tek karakteri dhe në fund epilogu brilant, diskursi krijues: “… nuk isha i padurueshëm. Ju betohem. I paharrueshëm ishte mbiemri.”
Tregimi “Burri me fanellë të thurur” nga “heshtja” vjen e bëhet i zëshëm dhe plot hijeshi me mënyrën e rrëfimit dhe kotësinë e përcaktimit profesional për të dhënë këshilla për mospikëllimin. Ky njeri “zotëron mençurinë e jetës dhe diturinë që i fal dembelizmi i zellshëm dhe i tepruar”.
Tregimi “Donzhuani dhe dhjetë qindarkat” është një tjetër rrëfim brilant për karakterin e njeriut në bashkëngjizje me vlerën e parasë, shfrimin e çastit dhe ardhmërinë, përkatësisht donzhuanizmi dhe pasoja e pamundur.
“Dashuria në parkun “Rivadavia”. Ftesë për lexuesin të besoj të vërtetën e dashurisë së tjetrit dhe vetminë e vetvetës.
“Filozofia e njeriut që i lypsen tulla”. Shkallëzimi nga e pakta në ndërtimin e një vepre. Vjedhja si elaborat dhe diskursi i kuptimit të të kundërtave mes fqinjëve të rastësishëm.
“Shtëpi të papërfunduara”. Një nga përshkrimet më brilante për citat. Fillimi i përshkrimit të shtëpive të papërfunduara dhe bashkë me formën e tregimit dhe përshkrimi i fundit. Në Kosovë një tregim për banesat e heshtura që u ngjajnë në brendësi, fabrikave të braktisura e “të rrënuara” sepse shumica nga banorët e banesave të reja janë jashtë, janë në emigrim.
“Një pretekst: njeriu me trumbetë”. Nga zymtësia tek mirësia. Nga rregulli tek thjeshtësia. Nga urdhëri tek zemërbutësia. Monologu i një krijuesi. Vetvetiu ndërtimi i një rrëfimi dhe skice. Krijimi i një tregimi. Editoriali i skicës së shkrimtarit a skica editoriale javore a ditore. Rregulli i ushtrimit të trumbetës dhe “gazetaria e këndshme”. Studioja e një gazetari shkrimtar a shkrimtari kolumnist.
Një nga librat, botimet “në përmbajtje” pa gabime është “Gravura nga Buenos Airesi”. Simetri shkrimi në përsosmëri. Për të ruajtur simetrinë faqja 214 e botimit shqip është në tërësi e bardhë! Tregimi i mesit “të artë” është “Kënaqësia e endjes nëpër rrugë” i 34-ti nga fillimi dhe nga fundi. Tregim 0 (zëro) nuk ka. Në numrat qift simetria është në vete. Tek numri tek simetria pritet. Më mirë se në asnjë tregim rrëfehet koha, heshtja dhe femra. Me një stil elegant dhe thjeshtësi përmbajtësore.
Një nga tregimet me më shumë thënie të urta është “Sinqeriteti i tmerrshëm”. Në kërkim të personazhit kryesor të lumturisë në tregim vihet në pah sinqeriteti dhe emocioni të cilat autori i shpjegon, rrëfen në mënyrë brilante! Për citate. Edhe vet autori Arlt citon Gëten. Seç më shkon në mendja të historia e realizimit, e premierës të filmit epik rus “Ivani i tmerrshëm” dhe thëniet e regjizorit të versionit më të ri të këtij projekti kinematografik. 3
Tregimi “Nëna në jetë dhe në roman”. Personaliteti i nënës në letërsi. Adhurimi i nënës për të birin. Nëna dhe sytë e saj?! Leximi i këtij tregimi më kthen të vdekja e nënës. Të shpeshtën e herave më kujtohet sytë e nënës Shkurta, në mbrëmjen e 31 marsit në çastin e largimit nga kjo jetë! Sytë e lamtumirës. Në pamundësi për të folur sytë e saj shprehen përshëndetje mirësie në shtratin e vdekjes! 16 vite më parë shkruaja dhe botohet në “Telegraf” shkrimi “Presidenti dëshmitar dhe 5 euro bateri!” për një çast të rëndë në spitalin e Prishtinës, në ditën kur presidenti i vendit po përuronte teknologjinë e avancuar që i tejkalon vendet e rajonit në lëmin e shëndetësisë, pak metra më larg pacientët e moshuar zbraznin xhepat e tyre për të blerë baterinë e aparatit të QKUK-së që të kryejnë analizën e diabetit… 4
Një nga tregimet më të thella në përsosmërinë e harmonisë rrëfyese duke e bazuar edhe në dialogun e faktuar se “Të njëjtën gjë mendova edhe unë” është “I drojturi dhe zilja” i cili tregim rilexohet dhe vendoset domosdoshmërisht në vendin Tuaj. Mirësjellja e kundërt e nënkuptuar deri në intimitet dhe këshillat e përballjes me realitetin e vendit ku “njerëzit respektojnë vetëm arrogantët dhe të paedukatët” gjejnë vend në këtë tregim duke e arritur lartësimin citues si mesazh njohës se “asnjë njeri nuk mund të jetonte dot nëse nuk do të ishte i mbërthyer me thonj pas një gënjeshtre apo iluzioni.” 5
Tregimet “Kalldrëmimi i ardhshëm” dhe “Orëndreqësi”
Duke lexuar tregimin “Kalldrëmimi i ardhshëm”, në një mbrëmje të shndritshme nga qielli ngjyrë blu takova një shitës librash të paparë ndonjëherë. Ishte shitës dhe blerës. Tregtar librash në kohën e sotme është mjerim. Është çudi! Nuk e shënova numrin e telefonit edhe pse ma tha. Ishte mbrëmje e rrëmujshme. Nga Sheshi “Skënderbeu” ulërinte cinik zëri i bashkëpunëtorit të Babës. “Kemi një humbje! Nuk mund ta ndalim zvogëlimin e opozitës!”, dëgjova si nëpër terr, pasi dola nga libraria “Dukagjini” në të cilën bleva “Naim Frashëri dhe kultura shqiptare”, “Kosova, lufta dhe paqja” dhe “Midis serbëve dhe shqiptarëve”, kjo e fundit literaturë për librin në proces “Parulla dhe viti 1959”. “Nejse! Nejse!”, më thotë përherë një kolege. Mendjen e kisha tek blerësi dhe shitësi i librave. Si është e mundshme sot të blesh dhe të shesësh libra! Në kohën kur je i lirë të blesh e të shesësh banesa, të shesësh e të blesh armë (“… kur thonë ballkanasit se do do të ketë luftë, fatmirësisht e mbajnë.” -kryeheroi i filmit “Lord of War” të cilin e interpreton Nikolas Cage) 6, të blesh e të shesësh drogë, të shesësh e të blesh libra është diçka që të dridh, që të mahnit! “Të huton, o hut!”, i them vetes! Po, po reklama e hutimit të hutit ka hyrë në shtëpitë tona, përmes ekraneve televizive!
Gjatë leximit të tregimit të Roberto Arlt-it, seç mu kujtua asfaltimi i kalldrëmit të fshatit të lindjes, nga Bunari i Madh tek Mejtepi. Oh, mejtepi ishte rrënuar! Ai mejtepi pranë kishës e cila kurrë nuk është parë, themelet e të cilës kurrë nuk janë gërmuar e të dihet se çfarë ka në atë hapësirë e cila edhes sot e kësaj dite është “breg” që të fut frikën! Kur ishim të vegjël mjaftonte të rrëshqisnim me saja. Mernim hov nga aty për të përfunduar tek Shtëpia e Xhylës së Dërvishit, ku ishin xhiruar disa skena të filmit te regjizorit Ekrem Kryeziu “Kur pranvera vonohet” (1979).
Për pronarët progresistë dhe mjeranë lexoni tregimin “Kalldrëmimi i ardhshëm” dhe do të kuptoni se shkrimtari argjentinas sikur e ka shkruar për udhët e lagjes sonë në periferi të Prishtinës, edhe pse dilemat që shkrimtari e di se ku është Prishtina janë të zbardhura dhe të ftohta si lulëzimi i Dardhëz së Zekës në ditët e acarta të prillit 2000!
Gjatë leximit të librit me tregime ndodhi gjëma! Simetria u shthur! Enumeracioni gjithashtu! Vetvetiu si nga një labirinth i Borhesit u shfaq mungesa. Zbrazësia. Në “Tryeza e lëndës” mungon tregimi “Kalldrëmimi i ardhshëm”! Si është e mundur të cenohet hapësira! Të vidhet! Të zhduket harmonia! Oh “Pika pa sipërfaqe” ta bëj këtë! Jo, jo! Është shtypi botues! Është harresa dixhitale! Është inteligjenca artificiale! 1, 5, 9, 3, 7 përsëritet 14 herë duke i munguar shtatëshi, vetëm një herë! Faqja 127! “Faqja e zezë” në hapësirën e shndritshme të një rrëfimi brilant! 69 tregime! Asnjë tregim më shumë se 4 faqe!
Tregimi “Orëndreqësi” krijon një tablo të pakufishme në të cilin shkëlqen detaji, fakti dhe rrjedha e “civilizimit të vonuar”. Koha me sahat matet shumë vonë. Ec e gjeje se kur është krijuar sahati i parë dhe nga kush? Pse shumica e sahateve janë në formë rrethi e të paktë janë katror?! Tregimi përshkruan një zanat dhe është ndërtuar me një “mbiemrim” të kujdesshëm. Mbetemi të shtangur nga thellësia e të dhënave mahnitëse që nënkuptojnë në vetvete natyrën dhe “profesionin” e pashkollë por me dhunti e pasion.
Orëndreqësit sipas rrëfimtarit janë ata të cilët “nuk kanë bërë shkollë”, “akuzoheshin si gjysmërevolucionar”, “nuk e humbasin kontrollin kurrë”, “nuk i tërheq as vera e keqe as vera e mirë”, “e kalojnë jetën si qenie priftërore”, “e kalojnë jetën si qenie të mistershme”, “e kalojnë jetën si qenie të matura”, “e kalojnë jetën mbushur me heshtje të artë”; janë “qenie të rralla”, “gjysmëanarkistë”, “anarkistë”, “filozofë”, “fytyrëzbehtë”, të ngadaltë”, “të heshtur”; zanati i orëndreqësit është “zanat i çuditshëm”, “zanat goxha i përhapur”, “profesion i zhvlerësuar fare”, “zanat që nuk e mëson dot”, “esnaf i mistershëm”, “zotërues i kohës”, “fabrikant minash me sahat”… Një tregim i përkryer i cili gjithashtu ngërthen në vete edhe rrëfimin “në kohëra të tjera”: të Karlit V, Ivanit të Tmerrshëm, të Papa Silvestrit III, të Salomonit…
Në vend të epilogut një prolog i “padobishmërisë” së librave
Në tregimin “Padobishmëria e librave” thuhet “lypset të lexosh shumë libra për të mësuar t’i përbuzësh”. Pyes veten në fund të leximit të librit te Roberto Arlt se po të ishte tregimi “Padobishmëria e librave” në fillim i botuar si prolog çfarë do të ndodhte me lexuesin?! Apo është një fund, një epilog që shpjegon dhe analizon “pensionimin” e një shkrimtari dhe utopinë e një libri në distopinë e jetës!?
Tregimi i fundit “Padobishmëria e librave” në analogji diptiku me djeg-jien e Bibliotekës së Aleksandrisë dhe fatit të librave në luftën e fundit në Kosovë. Në ligjëratat e profesor Agim Vincës nga lënda Pasqyrë e teorive letrare (Prej antikës deri te postmodernizmi) të mbajtura me gjeneratën tonë (1998-2000) në studimet pasuniversitare në Fakultetin e Filologjisë, i botuar libër “Kurs i teorive letrare”, tek njësia “Poetika helenistike. Shkolla filologjike e Aleksandrisë” 7 shkruan edhe për fatin e bibliotekës, njerës nga dy qendrat më të mëdha të dijes dhe të arteve, për djeg-jen e librave, për djeg-jen e Bibliotekës së Aleksandrisë: “E fundit qe ajo e kohës së kalifit Omar të Egjiptit (në shek. VII, kur Aleksandria ra nën sundimin arab), i cili aktin e tij vandal e pat arsyetuar me këto fjalë: “në qoftë se ajo që shkruan në këto libra përputhet me Kuranin, atëherë ata janë të panevojshëm; në qoftë se nuk përputhet – janë të dëmshëm”. Si përfundim, doemos duhet të digjet.” Rreth trembëdhjetë shekuj më pas, paramilitarët serbë nuk pyetën fare! Në “mesin e librave shqip” edhe pse gjendeshin edhe botime në serbokroatisht i dogjen të gjitha! Kjo ndodhi edher në fshatin tim. Edhe me bibliotekën time familjare!
“Kur shfleton veprat e një mjeshtri të fuqishëm, gjithmonë i sigurtë për vullnetin e tij në të shkruar, është vështirë të zgjedhësh. Të gjitha pjesët i ofrojnë syrit dhe kujtesës një karakter të njëjtë saktësie e përfundimi.”, shkruan Sharl Bodëler për veprën e Teofil Gotie në “Arti romantik” 8. Shkrimtari nga Argjentina Roberto Arlt në të gjitha dimensionet e detajit të qytetit ka hyrë me finesën e përshkrimit në shëmtinë e bukurisë se karaktereve dhe në bukurinë e shëmtisë së boshllëqeve.
Rilexoni këtë rrëfenja dhe do e gjeni kryeqytetin Tuaj me detajet e mungesës së bukurisë në kornizat e një telajo të zhubrosur nga ngacmimet shpirtërore!
Shkrimtari Roberto Arlt vdiq i ri. 42 vjeçar! Minitregimet i ka menduar dhe shkruar rreth njëqind vjet më parë. Ndoshta, atëherë kur Migjeni ynë “përpëlitej” mes Pukës e Shkodrës për të gjetur prehjen në një spital të një shteti fqinj nga një sëmundje e pashërueshme e kohës dhe e vendit. Ftohjen e mushkërive. Ta ngrohesh Lulin e vocërr ishte shpirtërore, të ngrohësh mushkëritë e kohës ishte e pamundshme! Në një lagje në periferi të Prishtinës ende të mbyt pluhuri i verës dhe të lodh nga balta e shiut të vjeshtës. Dhe kur të bashkohen qentë endacak nga të dy anët e rrugëve frika për mbarësi dhe standard jetësor “në bisht të sorrës” 9, siç ka titullin një vepër poetike e akademikut botuar rreth 30 vite më parë…
Prishtinë, shkurt, 2025
1 Roberto Arlt “Gravura nga Buenos Airesi”, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2020
2 Enver S. Morina “Gjuha, letërsia dhe filmi”, Littera, Prishtinë, 2024
3 Abaz T. Hoxha “Historia e kinematografisë botërore (1940-2005)”, 2, SHBLSH e Re, Tiranë, 2009 (faqe 155): “… Filmi “Ivani i tmerrshëm/ Kryengritja e bujarëve” (xhiruar më 1946 dhe hedhur në qarkullim më 1958) nga S. Ejsenshtain. Frymë liberalizuese e viteve 1960 kaloi edhe kufijtë e Bashkimit Sovjetik ku regjisorë, si veteranë ashtu edhe të gjeneratës së re, morën pjesë në rigjallërimin e programit të prodhimit të filmave…”
3 Leon Qafzezi “Historiku i kinematografisë botërore”, Infbotues, Tiranë, 2008 (faqe 134): “… Regjisori Genadi Vasiljev thotë se as ai dhe as Gorbaçovi, as Perestrojka nuk ndikuan. (…) Gjatë gjithë kohës unë jam marrë me filmin historik, kështu që do të më dukej false të merresha me rikostruktimin e shpirtit tim në ato vite të vështira, kur në krye ishte Gllasnosto. Unë realizova filmin “Ivani i tmerrshëm” (Filmi i vitit 1991 i bazuar në romanin Aleksej Tolstoj “Princi Serebrenni”-vër. e.s.m.). Stalini tani nuk përbën më ndonjë subjekt filmik. Për këtë diktator ka aq shumë libra, është shkruar aq shumë nëpër gazeta, janë bërë aq filma, sa na ka ardhur, si të thuash, në majë të hundës. Duke u konsumuar aq shumë, ai tani e ka humbur kuriozitetin për rusët e thjeshtë…”
4 “Presidenti dëshmitar dhe 5 euro bateri!”, në gazetën on line “Telegrafi”, 2009
5 Roberto Arlt “Gravura nga Buenos Airesi”, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2020, faqe 257
6 Cituar nga libri me tregime “Rr’nimi i Arbërit”, Buzuku, 2021, faqe 57
7 Agim Vinca “Kurs i teorive letrare”, Libri Shkollor, Prishtinë, 2002, faqe 66
8 Sharl Bodëler “Arti romantik”, Ombra GVG, Tiranë, 2021, faqe 182
9 Ali Podrimja “Në bisht të sorrës”, Art Pena, 1994, Prishtinë