More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Kushi: Zgjimi i vikamës së heshtur

    Enver Kushi: Zgjimi i vikamës së heshtur

    Libri “Vikama e Tingullit” i Vera Ibrahimit, “shkruar në kohët më të trishta të jetës sime, 1997-1999” dhe “rishkruar në kohët e pazakonta kovidiane, 2020-2022”, vjen në këtë botim të “Onufrit”, jo vetëm më i plotësuar, por edhe me paraqitje më luksoze. Kjo falë kujdesit të botuesit të mirënjohur Bujar Hudhri(Onufri). E meriton këtë Feim Ibrahimi, një nga kompozitorët e shquar shqiptarë, dhe jo vetëm. E meriton këtë edhe Vera, autorja e këtij libri, që i ka dhënë shumë nga shpirti i saj jetës dhe veprës së Feimit. Për këtë dua ta uroj Vera Ibrahimin për tri ri-të: rikthim në tekstin e parë të ‘Vikamës së Tingullit”, rishikimin e këtij teksti dhe riplotësimin e tij. Këtyre tri ri-ve do t’i shtoja dhe një të katërt, ribotimin dhe paraqitjen dinjitoze të “Onufrit”.

    Me Verën kam patur fatin të punoj në Ministrinë e Kulturës, kur atje më riktheu në punë, në maj të vitit 1995 ministri Teodor Laço, prozator, dramaturg dhe skenarist i njohur, me vlera intelektuale, por mbi të gjitha njerëzore. Me të kam punuar edhe në Muzeun Historik Kombëtar, kur drejtor ishte shkrimtari erudit, Moikom Zeqo. Në këtë institucion kam qënë në një zyrë me Verën. Them kam patur fatin, sepse Vera e shfaq zonjëllëkun, trashëguar nga qyteti aristokrat i Shkodrës, jo vetëm në sjellje, por edhe në kulturën e gjerë. Ajo është e ditur. Shumë e ditur.

    Mbaj mend, që në shtator ose tetor të vitit 1997, ajo do të më jepte për të lexuar faqen e parë të librit. Ishte një paradite me diell dhe nga dritarja e zyrës së saj, dukeshin vilat e ish bllokut, oborret e tyre dhe gjelbërimi i pazakontë i vjeshtës. Portreti i Verës, veçanërisht vështrimi, kishin të stamposur dhimbjen për vdekjen e parakohëshme të Feim Ibrahimit, në fillimgushtin e vitit 1997. Ishte një dhimbje dinjitoze, shumë dinjitoze e një zonje të vërtetë. E lexova në këmbë atë letër A-4. Ju riktheva prapë leximit, duke hedhur vështrimin sa nga Vera, që qëndronte ulur, aq edhe nga dritarja e zyrës, nga ku drita e diellit, dukej sikur vinte si ndiçim shpirti, nga varezat e Sharrës, ku prehej prej disa muajsh Feim Ibrahimi.

    Ishte një tekst i shkruar me kulturë dhe emocion, që përcillej bukur në ato pak rreshta. Dukej një dorë e stërvitur, si të kishte shkruar disa libra. Ja thashë këtë Verës, që më falënderoi.

    Kështu nisi “Vikama e Tingullit”, në atë vjeshtë me diell të vitit 1997, kur Feim Ibrahimi, kompozitori zëmadh, bashkëshorti i Verës dhe i ati i pianistes së talentuar, Etrit, kishte ndrruar jetë.

    Kam lexuar edhe librin e Terezina Tërshanës për bashkëshortin e saj, balerinin dhe koreografin Engjëll Tërshana, me të cilin kam punuar dhe njohur nga afër. Është shkruar bukur dhe me sinqeritet prekës, siç është edhe Terezina. Kam lexuar edhe librin e Mynever Shuteriqit “Një jetë në dashuri”, për Dhimitër Shuteriqin,  shkrimtarin dhe mendimtarin e shquar, shkruar gjithashtu me shumë dashuri.

    “Vikama e Tingullit” i Vera Ibrahimit, është diçka tjetër: Brenda, por edhe përtej kuptimit dhe jehonës së tingullit muzikor. Ky libër është një kronikë simfonike, nëse do të ishte e saktë kjo fjalë edhe në kuptimin metaforik. Ai ka një strukturë të veçantë, befasuese, ku ngjarjet lëvizin lirshëm në kohë dhe hapësirë dhe mjegullat, grija, drita e kohërave, kanë një frymë gati-gati mistike bektashiane. Koha në këtë libër nuk ka rrjedhën e zakonshme, siç perceptohet ajo nga njeriu i zakonshëm. Ajo nuk është as kaotike, megjithëse lëviz ndryshe. Ashtu si muzika, që kur e dëgjon ke dëshirë të mbyllësh perdet e dritares, pastaj të ulesh në një kënd të dhomës dhe të fluturosh apo ngrihesh nga toka, drejt hapësirave qiellore dhe që andej të vështrosh mrekullitë e tokës, njeriun, dramat e tij, edhe në këtë libër jeta e Feim Ibrahimit si njeri, bashkëshort, prind dhe kompozitor, lëviz në këto hapësira.

    Libri i Verës është dallgëzim detesh, ndjenjash dhe emocionesh. Ai nuk është kuartet harqesh, as orkestër e vogël. Ai më duket si një orkestër me dhjetëra instrumentistë, ku një dirigjent i çuditshëm, fjalën, këtë magji të shpirtit njerëzor dhe që është e para, e dirigjon bukur autorja e këtij libri.

    Mendoj se “Vikama e Tingullit” i kalon caqet e një libri thjesht kujtimesh. Ai i ka të gjitha: edhe kujtimet, kronikën e jetës, të përditshmen, arritjet e muzikës shqiptare, por edhe botën e trazuar të artistëve shqiptarë para viteve ’90, egon, cmirën, keqdashjen. Në këtë libër, veçanërisht Feim Ibrahimi, por edhe të tjerë si ai, në kushtet e Realizmit Socialist “guxoi të ndërmerrte, pak nga pak, modernizimin e Muzikës Shqiptare, në kushtet e një mjedisi absurd, të fundit të shekullit të njëzetë(f.277).

    Një emër tjetër i madh i muzikës shqiptare, Aleksandër Peçi, ka të drejtë kur shkruan për Feim Ibrahimin “si fenomen sonor, por edhe si fenomem estetik, sinonimati vikamë-piskamë-klithmë e Ibrahimit, formoi gjatë jetës tek ai profilet e një krijuesi antidogmë e antikonservator…”.

    Në krye të faqes 245, të këtij libri, Vera Ibrahimi vendos ca gurë të bërë jo nga lëndë të natyrës, por nga lëndë shpirtërore. Janë tre vargje brilante të Migjenit të madh:

               Dhe do të vijë heshtja,

               se çdo vikamë fillon

               dhe mbaron me heshtje…

    Pastaj ajo risjell në libër fjalët e Feim Ibrahimit, marrë nga një intervistë për Radio Tiranën në gusht të vitit 1996: “Vikama për mua, është thirrja, britma, dridhja e ndjenjave, që del nga thellësitë e shpirtit të trazuar. Ajo vjen nga lashtësitë, po me atë forcë si dikur edhe tek ne, në jetën dhe në ditët tona dhe lëshon thirrje për të nesërmen. Tragjizmi zgjatet deri në pafundësi me heshtjen e tij.

    Duke qëndruar besnik edhe idesë së Migjenit, që thirrja, vikama, fillon me heshtje e mbaron po me heshtje”.

    Lexoni “Vikamën e Tingullit” të Vera Ibrahimit, ku ajo zgjon heshtjen e vikamës, duke sjellë përjetësinë e një emri të madh të muzikës dhe kulturës shqipe, siç është Feim Ibrahimi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË