More
    KreuIn memoriamEnver Kushi: Një pasdite me shi me prof. Nasho Jorgaqin

    Enver Kushi: Një pasdite me shi me prof. Nasho Jorgaqin

    Në vend të hyrjes

    Pasditen e vonë të 25 gusht të këtij viti, pushoi së rrahuri zemra e prof. Nasho Jorgaqit, një prej personaliteteve të kulturës dhe letrave shqipe, petagogu i disa brezave studentësh, njeriut me një buzëqeshje të përhershme në tërë portretin e tij. Unë kam patur fatin të kem qënë një nga studentët e tij. E them këtë se brezi im, që ka mbaruar studimet në degën gjuhë-letërsi të Universitetit të Tiranës, ka patur petagogë emra të mëdhenj të gjuhës dhe letërsisë, të cilët pavarësisht kufizimeve të kohës, me kulturën e gjerë dhe pasionin e tyre, na futën në rrugën e bukur të letërsisë. E mbaj mend që në rininë time studentore Prof. Nashon. i gjatë, simpatik, shumë komunikues me studentët, me vështrimin e butë e të qeshur e që dhe vinte e ikte në fakultet me biçikletë. Biçikleta u bë pjesë e tij deri në fund të jetës. Këtë shkrim, post mortum, në nderim të emrit dhe veprës së Prof. N asho Jorgaqit e kam shkruar menjëherë, sapo u ktheva në shtëpi, i mbushur me emocione nga biseda me profesorin e nderuar. Ishte një pasdite maji me shi, kur në një kafene, jo larg pallatit ku ai banonte, takova profesorin. U ulëm përballë njeri-tjetrit në një kënd të këtij lokali, që ishte shumë pranë shtëpisë së shkrimtarit dhe mikut tim, të ndjerit Vath Koreshi. Në shtëpinë e Vath Koreshit kisha shkuar disa herë bashkë me Moikom Zeqon. E pra, në bisedën me profesor Nashon, herë-herë vështroja nga dera e lokalit dhe më dukej sikur do të vinte edhe i paharruari Vath Koreshi.

    Duke botuar këtë shkrim në gazetën EXLIBRIS, faqet e së cilës kanë qënë të hapura edhe për krijimtarinë e Prof. Nasho Jorgaqit, i rikthehem bisedës me kolor të ndjerit tashmë, Nasho Jorgaqi.

    I

    Prof.Nasho Jorgaqi më mori në telefon në mesditën e 14 majit, të vitit 2014 dhe më tha, se më priste në orën pesë e gjysëm pasdite. Është një lokal në krye të rrugës “Vath Koreshi”, shtoi ai. Atje do ta pijmë kafenë dhe bisedojmë. I thashë, se në orën e caktuar do të isha atje dhe kur mbylla telefonin kujtova, që vit e vite më parë, bashkë me Moikom Zeqon kam shkuar shpesh në shtëpinë e Vathit, që e kishte në atë rrugë, që tani mbanë emrin e tij. Pasditja e të martës ishte me qiell gri e shi dhe urbani i Unazës i tejmbushur që vazhdoi me të njëjtën ngarkesë deri te Shkolla e Baletit. Vështroja portrete njerëzish, që ngjisheshin me njeri tjetrin, në atë hapësirë ndoshta më të dendurat në botë. Dy zonja në moshë, të veshura bukur, mbanin shami në hundë dhe ankoheshin me zëra të mbytur për ajrin e rëndë në urban. Një student i zhytur në botën e rrjeteve sociale të celularit, dukej se jetonte në një realitet tjetër. Më tutje një vajzë e bukur, me kufje në vesh, as që do t’ja dijë së ç›ndodh rreth saj. Jashtë vazhdon të bjerë shi i qetë dhe Lana rrjedh e turbullt, ndërsa mbi dy shpatet e saj, rrapet dhe drurët e tjerë janë në kulmin e gjelbërimit. Prof. Nasho më merr prapë në telefon. I them se jam duke ardhur, se urbani ecën shumë ngadalë dhe është i tejmbushur. Pranë meje vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë dhe me shami në hundë zonjat në moshë, që nuk e di se përse, sapo urbani ndalon, në kryqëzimin me Bulevardin e Madh, i heqin shamitë nga hunda dhe të hutuara vështrojnë përtej xhamave. Edhe pasagjerë të tjerë vështrojnë bulevardin, sikur kërkojnë të zbulojnë ndohnjë gjë në të.

    Bulevardi duket i lodhur dhe më bëhet sikur dëgjoj zëra, që vijnë nga brendësia e tij. Dhe shiu bie e bie i qetë mbi trupin e dërmuar dhe pllakat gri në të zeza. Nuk më hiqej nga mëndja pamjet e muzgut të vonë të shtunës që kaloi dhe egërsia që u derdh nga ky bulevard, mbi institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ka parë shumë ky bulevard, që nga viti kur përfundoi së ndërtuari, atëhere kur dukej një zgjatim i stërmadh e i çuditshëm, në trupin e brishtë të kryeqytetit e deri në muzgun e vonë të të shtunës dhe një natë më parë, kur ata që marshonin me çadra të zeza nën shiun e vrullshëm që binte, dukeshin si në një procesion funeral absurd me arkivol bosh. Vetëtimthi më kalojnë këto imazhe në ato 3o sekonda të ndalimit të urbanit në semafor. Dhe kur ndizet drita jeshile dhe urbani kalon ngadalë mbi trupin e lodhur të bulevardit, vështrimet e të gjithëve hidhen në krahun e djathtë nga ku dallohen Kryeministria akoma me plagë dhe më tutje godina tërë sharm e Universitetit e pas tij Parku i madh i Tiranës. E marr prapë në telefon Prof. Nashon e i them, se jam afër stacionit të urbanit te Shkolla e Baletit, ndërsa ai më kujton edhe një herë lokalin në fillimrrugën “Vath Koreshi”.

    II

    E pashë nga larg siluetën e tij të gjatë me pardesynë e të bardhë e nxitova të kaloj rrugën për ta takuar. Portreti i tij si gjithmonë i qeshur, veçanërisht sytë, rrezatojnë mirësi e fisnikëri. Kalojmë ngadalë rrugën e gjerë, duke shkëmbyer fjalët e zakonshme për shëndetin, shiun e kësaj pranvere të qullur, si dhe kënaqësinë që e takoj. Lokali është i qetë dhe kamarieri i ri e i sjellshëm, na pret me buzëqeshje, duke na shoqëruar në një tavolinë bosh. Sapo ulemi, profesori nxjerr nga një dosje “Zonjën nga Parga”, novelën time të sapopërfunduar së shkruari dhe në dorë mbanë një letër të vogël, ku dalloj shkrimin e tij të vogël, ku ka shënuar mendimet dhe sugjerimet, që do të më bëjë. Ai më tha, se novela ka shumë dritë e diell nga brigjet çame, por edhe shumë dhimbje nga tragjedia e Çamërisë. Edhe mesazhet e novelës janë të kohës. Ti Enver në këtë novelë thyen tabutë, duke sjellë një anë tjetër të marrëdhënieve njerëzore, midis popullsisë çame dhe asaj greke. Më ka bërë përshtypje, jo vetëm dialekti i çamërishtes që tingëllon bukur, por edhe greqishtja, që e vë në gojën e personazheve, shton profesori.

    Herë herë e ndërpres, duke i folur për vitet 1944-1945 dhe veçmas për Pargën, ku zhvillohen ngjarjet e novelës sime, apo për fatin tragjik të një popullsie të tërë të masakruar nga bandat zerviste. Zonja nga Parga është njera nga vajzat çame, e përdhunuar barbarisht nga këta banditë, traumën e së cilës e përshkruaj në rrëfimin tim.

    Biseda me profesor Nashon zhvendoset në kohëra dhe hapësira të tjera gjeografike, larg, shumë larg nga vendi ku pimë kafe, ku ndoshta nuk bien shira dhe dielli është harkuar drejt perëndimit të detit Jon e Parga merr një dritë tjetër dhe duket më e bukur. Ai më dëgjon me vëmëndje, teksa unë i flas për fatin e familjes time, në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1944-1945, Marrëveshjen e Varkizës të shkurtit 1945, çarmatosjen dhe dramën e partizanëve grekë, rënien e Epirit në duart e  EAM-it dhe rikthimin e shumë familjeve çame, në fillimvitin 1945, midis tyre edhe të familjes time. Mbaj mënd, që babai im, në rrëfimet e tij, tregonte se kur ishin rikthyer në Spatar, kishte parë në oborret e shtëpive dhe kopshte, kufoma të tretura e të pavarrosura, masakruar në shtator 1944 e që ishin të afërm, ose bashkëfshatarë të tij. Profesori më pyet për fshatin Spatar e unë i them, që është pranë qytetit të Filatit e se në vitet e Luftës Antifashiste ka qënë bazë e rëndësishme e partizanëve çamë e grekë, se xhaxhai, Selman Kushi, ka qënë kryetar i Këshillit Antifashist dhe korrier mes shtabeve partizane, këtej e andej kufirit, se ai ra duke luftuar me armë në dorë, në fillimmarsin e vitit 1945 dhe se xhaxhai tjetër, Beqo Izet Kushi, ka qënë kryetar i parë i shoqërisë “Çamëria” në Amerikë, themeluar në fund të vitit 1918.

    Biseda natyrshëm shkon te një emër tjetër i nderuar nga Spatari, Sami Murati, antifashist i orëve të para dhe komisar i çetës “Çamëria”. Prof. Nasho thotë se ka punuar me Samiun në Shtëpinë Botuese dhe ruan kujtimet më të mira për të. Përfundoi tragjikisht, thotë ai i akuzuar me grupin e Teme Sejkos. Edhe vëllai i tij, shton profesori ka marrë pjesë në Luftën e Spanjës. Zihniu, them unë. Shkoi në Spanjë dhe nuk u kthye që andej më. Duhet shkruar për ta, thotë profesori, që të njihet opinioni me këta personalitete të historisë. Biseda kalon pastaj te Dinastia Dino, që nga Abedin Pashë Dino, i biri i tij Rasih Dino, i dërguari i Ismail Qemalit, në Konferencën e Londrës të vitit 1913. Pasardhësit e Rasih Dinos, si Ali Dino, Arif Dino, Abedin Dino (i riu), Lejla Dino. Secili prej tyre është në vetvete personalitet në fusha të tilla, si të letërsisë, pikturës, kinematografisë etj. shtoj unë. Diçka kam lexuar, shton profesori nga një libër i Luan Ramës dhe pyet se Luani është nip i Heroit të Popullit, Ali Demi. Po, po them unë.

    Duhet të bëni më shumë ju intelektualët çamë për botimin e plotë të veprave të Qamil Buxhelit, thotë pastaj profesori. Jo thjesht se është nga krahina e Çamërisë, por Qamil Buxheli është një nga penat e mëdha të letrave shqipe. Për këtë kam folur edhe me Bashkim Kuçukun. Me Qamil Buxhelin kam patur shumë miqësi, shton profesori. Unë jua kam dhënë librin me dokumente “Kongresi Antifashist Çam”, përgatitur nga Hektor Sejko dhe me siguri e keni vënë re, se Qamil Buxheli, është një nga pjesëmarrësit aktiv në këtë kongres, them unë, duke rrufisur çajin, që është ftohur. Mbi tavolinë është novela time e pabotuar “Zonja nga Parga”, e cila na ka çuar në viset e të parëve të mi dhe profesor Nasho Jorgaqi, thotë se krahas tragjedisë, krahina e Çamësrisë ka dhe një histori të madhe dhe thesare kulturore.

    III

    Në këtë lokal të vogël, në krye të rrugës që mban emrin e nderuar të letrave shqipe, Vath Koreshi, përballë profesor Nasho Jorgaqit, koha ka dimension tjetër. Dhe nuk e di se përse më kujtohet një ese e shkëlqyer e Borhesit për kohën, ndërsa profesori më dhuron librin, “Nasho Jorgaqi. Antologji Bibliografike 1946- 2001”, botuar me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij. Ai më thotë të afrohem dhe nis të tregojë fotot e shumta, që mbyllin librin. Këta janë brezat Jorgaqi: Gavrili, Santo, Thanasi, Nasho. Me prindërit dhe vëllezërit, Kujtimin dhe Aleksandrin, foto e vitit 1938. Po Fredi, pyes unë për vëllain e vogël që e njoh. Ai ka lindur shumë vite më vonë, thotë profesori. Një grup të rinjsh e mes tyre Elena Kadare. Viti 1942. Tre vite më pas, ku ka dalë si pionier me veshje partizane. Me shokët e konviktit të Shkodrës në vitin 1951. Studentët e letërsisë bashkë me albanologun gjerman Prof. Lamberc, Prof. A. Xhuvani e Prof. M.Domi në vitin 1954. Vite të tjera dhe kohëra të tjera. Me Ismail Kadarenë dhe Minella Totonin në vitin 1962. Pastaj një foto e bukur e profesorit në vitet e rinisë. Në Jaltë para monumentit të Çehovit, më 1959. Në Sofje në vitin 1963, me shkrimtarët e Ballkanit. Me Dhimitër Shuteriqin. Me Jakov Xoxën. Një foto tjetër me Lasgush Poradecin, ku Prof. Nasho është në moshën 30 vjeçare. Luan Dibra. Midis miqve akademikë, Aleks Buda, K.Popa, Mahir Domi, Androkli Kostallari. Në një rrugëtim për te arbëreshët bashkë me Dritëro Agollin e Gjovalin Shkurtaj. Ndalem më gjatë te fotoja e vitit 1988, ku profesori është pranë bustit të Zef Serembes, në Strigarë. Kam qënë edhe unë këtu, i them. Mbaj mënd, që teksa ngjitja shkallët e shtëpisë së një prej poetëve, ku dhimbjet njerëzore janë aq të prekshme, sa dhe ato kombëtare, thoja me zë vargun: Arbëria matanë detit na kujton.

    Vazhdoj të rrugëtoj nëpërmjet fotove bashkë me profesorin, në hapësira të tjera gjeografike. Ja ku ka dalë me pasardhësit e Fan Nolit, nipin, mbesën dhe të bijën e saj. Prapë me pasardhësit e Nolit: Me stërnipin dhe stërmbesën në Greqi. Te varri i Nolit në Boston dhe një foto tjetër e bukur me shqiptarët e Amerikës. Sa kujtim i bukur, them kur shoh profesorin në shtëpinë e Dostojevskit, në San Petërburg, në vitin 1997. Romanin e tij ”Shënime nga shtëpia e vdekjes” ma ka dhënë për ta lexuar Moikom Zeqo, para viteve ‘90. Jam tronditur atëhere nga ky roman dhe e kam lexuar brenda natës. Ishte një botim i Kosovës, sepse atëhere në Shqipëri ishte i ndaluar botimi i veprave të këtij shkrimtari…

     E marr librin në duart e mia dhe nis ta shfletoj dhe është një botë e tërë botimesh, që mbajnë emrin e Nasho Jorgaqit dhe me të drejtë Prof. Dr. Ymer Çiraku shkruan: “Një libër si ky, që po i paraqitet lexuesit mbart një peshë të rëndë: peshën e një krijimtarie të gjerë e të vyer në pothuaj gjysëm shekulli, peshën e një gjykimi kritik mbi të. Pra, janë pranë e pranë puna dhe vlerësimi për të. Është vërtet bukur kur puna e kryer çmohet nga koha”.

    Këtë peshë ka ky libër. Këtë peshë kanë fjalët dhe mendimet e tij, them me vehte, teksa ndjek rrëfimet e tij, në këtë pasdite me shi të Tiranës. Është fat, që në këtë kohë me shira, por edhe kohë turbullire, zhurme mediatike e marshimesh natën me çadra të zeza, nën shiun dhe bubullimat gjëmuese të qiellit të Tiranës, të kesh përballë Nasho Jorgaqin dhe të dëgjosh fjalën e mënçur të një prej intelektualëve punëshumë. Të largohesh nga koha absurde e politikës dhe politikanëve delirantë, zëçjerrës e zjarrvënës. Të rrugëtosh në një botë tjetër, në atë të bukurën e sublimen, që përbën shtyllën kurrizore të shqiptarëve, siç është kultura, letërsia dhe kujtesa e tyre. Të kthehesh e të rikthehesh në kohëra dhe të flasësh me personalitetet e këtij populli, që kanë ndriçuar në shekuj këtë vënd. Prof. Nasho Jorgaqi atë pasdite me shi i bëri të prekshme ato, duke më rikthyer shpirtërat e bukur njerëzorë, të vdekur e të gjallë, për të cilat kemi kaq shumë nevojë, në këto kohëra gri, shumë gri, që na shqetësojnë bashkë me shirat, që kanë javë që s’pushojnë.

    Dalim jashtë dhe shoh orën. Kanë kaluar mbi dy orë e gjysëm si pa u ndier, duke biseduar dhe dëgjuar prof. Nasho Jorgaqin, në lokalin që ndodhet në krye të rrugës “Vath Koreshi”, në këtë pasdite të vonë me shi të qetë, që bie mbi kryeqytetin shqiptar. Ndahem me profesorin dhe ndjek siluetën e tij, që ecën ngadalë drejt shtëpisë ku banon, ku me siguri do të futet në studion ku punon dhe do të jetojë me shpirtërat e vdektarëve të mëdhenj të kulturës, historisë e letrave shqipe. E unë eci në këmbë buzë Lanës në këtë muzg tiranas dhe nën këtë qiell, “si tru idioti”, siç ka shkruar dikur Ismail Kadareja…

    NJË KOMENT

    1. Një shkrim i mrekullueshëm i Enver Kushit për një figurë me shumë kontribute krijuese, studime madhore, veprimtari nga më të ndryshmet në fushën e letërsisë, që bëri më të mirën në një kohë të turbullt e plot ngatërresa siç ishte Prof. Nasho Jorgaqi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË