More
    KreuLetërsiBibliotekëEnver Kushi: Një libër me përralla që na ka munguar

    Enver Kushi: Një libër me përralla që na ka munguar

    Hekuran Halili, “Përrallat e Nazusë”, Arbëria

    Kujtesa çame, nga më të çuditshmet dhe befasueset në tërësinë e kujtesës shqiptare dhe si pjesë e saj, e zhvendosur nga shtrati i Epirit, na mrekullon me larminë, ngjyrat, bukurinë e fjalës, lirizmin, dramacitetin e skajshëm. Ajo vazhdon ende të gjallojë, duke na sjellë nëpërmjet këngës, valles, rrëfimit, ritit, mitit, një botë sa të largët, aq edhe të afërt që quhet Çamëri. Atë na e kanë sjellë dhe risjellë me një larmi të habitshme brezi që la “si ëndërr”, tokën e të parëve. Gjyshet dhe gjyshërit tanë, nënat dhe baballarët, krahas imazheve të tmerrshme të krimeve të bandave zerviste apo imazheve e detit dhe qiellit, fushave pjellore, kodrave me ullinj, shtëpi në flakë, morën mbi supet e tyre, si ca baule të mëdha, me një peshë të veçantë,  siç ishin këngët, vallet, mitet përrallat…. Ato u bënë pjesë e mbijetesës dhe urë lidhëse me Çamërinë. Ato vinin dhe iknin në truallin e Çamërisë, shfaqeshin dhe rishfaqeshin në ditët dhe netët e mallit të madh, tregoheshin dhe ritregoheshin papushim, duke u bërë shtrat i një mbijetese mitike, të veçantë dhe të rrallë në llojin e vet…

    Hekuran Halili në librin “Përrallat e Nazusë”, kujtesën na e sjell nëpërmjet një prej llojeve më të vjetra të rrëfimit: përrallës.

    Një nga shkrimtarët më të mëdhenj, nobelisti latino- amerikan Markes në një nga intervistat e tij, flet për “kodin letrar”, për çelësin magjik të shkrimtarit, që lidhet me mënyrën e rrëfimit, strukturën dhe stilin e të shkruarit.

    Populli, me mençurinë, nuhatjen dhe pse jo, edhe gjenialitetin e tij, veçanërisht në përralla, ka gjetur” kodin letrar”, ose thënë ndryshe kodin e perceptimit të realitetit dhe atë të rrëfyerit.

    Është ky kod që e bën rrëfimin në përralla të veçantë apo që i lëviz personazhet në një realitet sa real, aq dhe ireal, që krijon situata të jashtëzakonshme dhe nga më befasueset. Është ky kod që e mban dëgjuesin (nëse përrallën e dëgjon), të mbërthyer sy e vesh e që ndjek situata nga më të çuditshmet, ku irealja të duket e besueshme dhe personazhet lëvizin në ca realitete sa të ngjashme, aq dhe të pangjashme me realitetin tonë dhe ku koha është tjetër kohë ose një realitet në kohë pa kohë.

    I tillë është dhe “kodi letrar” (nëse i referohemi Markesit) i përrallave të rrëfyera nga Nazuja.

    Nazuja është nëna e Hekuran Halilit. Ajo ja ka treguar ose më saktë ja ka rrëfyer përrallat të birit. Në ç’moshë ka qenë autori i këtij libri kur ka dëgjuar përrallat?

    Cilat janë motrrëfimet, stinërrëfimet apo netërrëfimet e nënë Nazusë? Në ç’mjedis janë rrëfyer këto përralla?

    Janë pyejtje që më lindën papritur, teksa mbylla faqen e fundit të këtij libri, nga më interesantët në korpusin e botimeve për historinë dhe kulturën çame. Dhe po t’i rikthehemi përgjigjes së gatshme të pyetjes së parë, se Nazuja është nëna e autorit të librit e se ajo është rrëfyesja e përrallave të përmbledhura në këtë libër, unë do të shtoja se nuk është vetëm ajo. Sepse para Nazuzë, do të gjenim një tjetër emër e para këtij emri një tjetër. E kështu do të zhyteshim në thellësi të shekujve, ndoshta në epokat e fillesave të miteve dhe kur hapësirave të Thesprotisë, do të shfaqeshin ndoshta hijet e Homerit ose ndoshta vetë Homeri i verbër, duke mbledhur rrëfime për hirin e Trojës, klithmat e Hekubës dhe fatet e trojanëve të mbetur gjallë nga llahtara që kishin parë sytë e tyre. Dhe po të shprehemi figurativisht, rrugëtim i përrallave, për të arritur te ato të Nazusë, është i gjatë, shumëi  gjatë. Ato kanë kaluar nga goja në gojë, nga brezi në brez, nga stina në stinë për të sjellë në kohërat moderne të globalizmit dhe mjedisin shqiptar të shekullit XXI, një realitet arkaik magjepës dhe herë- herë shumë më të çuditshëm, sesa shpejtësitë e kohës sonë dhe mundësitë që jep ajo për komunikimin njerëzor. Lexoni me vëmendje “Përrallat e Nazusë” dhe do të ndjeni e prekni një kohë ndryshe.

    Në këto përralla edhe dita, edhe nata, edhe stinët, edhe dielli, hëna, yjet, lumenjtë, detet, lindja dhe vdekja e njeriut apo ringjallja e tij, e mira dhe e keqja, lëvizin në ca hapësira të çuditshme. Mendoj se e veçanta e këtyre përrallave që vijnë nga Çamëria, është shtrati arkaik shumë i lashtë i tyre, që lidhet me një nga zonat më të begata në fushën e mitologjisë (dhe jo vetëm) siç është Thesprotia ose Çamëria e sotme. Thesprotia është trualli i begatë i një qytetërimi të lashtë dhe vendi i monumenteve të rralla, siç është Dodona. Në hapësirat e saj rrjedhin dy lumenj mitikë: Thiami(Kalamai i sotëm) dhe Aheroni. Atje kanë lindur disa figura rrezatuese të njerëzimit, si Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh apo Pirro i Epirit. Nuk është aspak e rastit që studiuesit, që janë marrë me kulturën çame, kanë vënë re se ajo trashëgon ca shtresëzime arkaike, që shkojnë përtej kohërave të quajtura pellazgjike. Në “Përrallat e Nazusë” ndihen dhe herë – herë janë të prekshme këto shtresëzime, si ca ndriçime të befta dhe të largëta, që sjellin jehonat e mijëvjeçarëve.

    Nga ana tjetër, veçanësia e këtyre përrallave, lidhet edhe me realitetin konkret, ku vendosen ngjarjet dhe lëvizin personazhet. Janë ca hapësira etno- kulturore dhe gjeografike të njohura, siç është treva e Konispolit dhe rrethinave të saj dhe e Çamërisë në tërësi. Kjo konkretësi, si dhe gërshetimi i saj me hapësira ireale u japin këtyre rrëfimeve jo vetëm një ngjyrim të veçantë, por edhe vlera origjinale të spikatura.

    Mendoj, se një nga vlerat e “Përrallave të Nazusë” dhe çelësi i suksesit të librit të Hekuran Halilit, është  mënyra e të rrëfyerit, ku ndihet dhe është e prekshme  eleganca në të. Mendoj që kjo lidhet pazgjidhmërisht   me elegancën  e të rrëfyerit në Çamëri, si dhe me të folurën e Çamërisë. Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri e quan “gluhë perëndie” të folurën e Çamërisë.

    Do të duhej ndoshta një studim i veçantë p.sh. për elegancën e të rrëfyerit në këtë libër, sintaksën, bukurinë apo butësinë e fjalës, aromën e dialektit çam, fjalorin e veçantë apo ngarkesën emocionale që ka fjala në këto rrëfime.

    Libri “Përrallat e Nazusë” i Hekuran Halilit plotëson edhe një boshllëk që ndihet në botimet shqiptare për Çamërinë dhe pasurinë e rrallë të saj dhe në fushën e prozës popullore.

    Sa ishte gjallë Fatos M. Rrapaj, nuk arriti të botonte mbi 1000 faqe me përralla nga Çamëria.

    Mungon një botim i veçantë me përralla nga krahina e Çamërisë, ku mund të përfshiheshin 15 përrallat e botuara në vëllimin e gjashtë të kolanës “Trashëgimia kulturore i popullit Shqiptar “ (seria I) “Proza popullore” (vëllimi VI, Tiranë 1988), të treguara nga çame me origjinë nga Arpica, Grikohori, Konispoli, Spatari, Margëlliçi, Filati.

    Gjithashtu pak të njohura janë përrallat e mbledhura nga albanologu i shquar danez Pedersen dhe të botuara në veprën “Albanesische Tekste mit glossar” 1885 (Lepzig).

    Sipas të dhënave që jep autori, materiali është mbledhur më 1883 në Korfuz dhe Shqipëri. Në librin e Pedersenit janë përfshirë 12 përralla, 18 gjëegjëza, 12 këngë dashurie, një këngë historike dhe disa besime popullore. Përrallat janë dëgjuar prej një fshatari nga katundi Mursi i Konispolit. Gjuha e tyre është e dialektit të Çamërisë. Është me interes, që materiali folklorik  i Holger Perdersenit, është botuar edhe në Gjermani në veprën “Zur Albansische Volkskunde”, Copenhague 1898 dhe disa përralla në anglisht, në veprën “Triscks of Ëomen and other Albanian Tekxts” Nju Jork 1928.

    Në një nga dorëshkrimet e Pedersenit, që gjenden në Bibliotekën  Mbretërore të Kopenhagenit  (Danimarkë) , gjendet e shkruar me dorën e tij, në një fletë më vete, edhe  kjo thënie e mbledhur në Çamëri:

    O shokë, aman, aman,

    Arritëm këtë zeman

    Si e gjem, ashtu e lam….  

    Libri i Hekuran Halilit “Përrallat e Nazusë” risjell një nga kujtesat më befasuese të Çamërisë, atë që vjen nëpërmjet prozës popullore, përrallës. Lexoni me vëmendje këto përralla dhe Nazuja do t’u çojë në kohërat dhe hapësirat mitike të Çamërisë,  në ca “zemane” që një ditë do t’i gjejmë, siç i kemi lënë po të perifrazonim albanologun e madh Pedersen. 

    Çamëri, vjeshtë e tretë 2013-pranverë 2024 

                               

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË