Jashtë tekstit
Aktorët, këta magjistarë të interpretimit të fjalës, i kam parë dhe i shoh me nderim dhe adhurim të veçantë. Mbaj mend që në adoleshencën time dëgjoja emisionet, ku transmetoheshin të inçizuara pjesët teatrale ose ato me recitime të fjalës artistike. Zërat e tyre më dukeshin qiellorë, ndërsa fjalët të shenjta. Ndoshta që atëherë më ka mbetur në kujtesë edhe një fakt tjetër: kur isha vetëm lexoja me zë të lartë poezitë ose pjesë në prozë të teksteve shkollore, duke imituar zërat e aktorëve shqiptarë që dëgjoja në radio….
Kur nisa studimet në degën gjuhë- letërsi të Universitetit të Tiranës, gjëja e parë që bëra, bashkë me disa shokë të mi, ishte shkuarja në Teatrin Popullor për të parë dhe prekur forcën dhe magjinë e interpretimit skenik. Ato vite zinim radhë që në mëngjes herët në sportelin e Teatrit, për të siguruar bileta… Mrekullohesha nga talenti i shumë aktorëve, që ndoshta do t’i duhen dekada t’i vinë prap skenës shqiptare. Dhe kur disa prej tyre i shihja rrugëve apo kafeneve të Tiranës, më dukeshin ndryshe nga njerëzit e zakonshëm… Ata ishin dhe nuk ishin si njerëzit e zakonshëm. Ata kinse flisnin, qeshnin,silleshin si njerëzit e tjerë. Unë shihja te secili prej tyre shumësi portretesh ose më saktë, ringjallje të të vdekurve.
Mbaj mend, diku te lulishte ”Rinia”, kur m’u shfaq përballë aktori i madh Naim Frashëri. Ishte pranverë dhe një ditë me shumë diell…. Befas unë qëndrova dhe më pas ndoqa tërë qenien e tij, që ecte si me nxitim nëpër diell. Ku po shkonte? Nga ç’kohëra vinte? Ndoshta nga epoka Shekspiriane, me mantelin tragjik hedhur krahëve dhe me një kafkë në duar…. Më ka mbetur në kokë kjo pamje dhe silueta e Naim Frashërit tragjik. Vite më pas kam menduar për të veçantën e talenteve në fushën e aktrimit: ata ringjallin dhe ribëjnë si asnjë lloj tjetër arti shpirtin njerëzor. Forca e artit të interpretimit dhe ndikimi i tij në shoqëritë njerëzore në të gjithë kohërat, ka qenë i jashtëzakonshëm. Ata, aktorët, si askush tjetër, e kanë shndërruar fjalën në kujtesë dhe trokitje në ndërgjegjen njerëzore. Kujtesa e njerëzimit, herë- herë e përgjakur, dramatike, por edhe e gëzuar, nëpërmjet aktorëve, këtyre magjistarëve të interepretimit dhe artikulimit të fjalës, ka ardhur e gjallë dhe e prekshme. Asnjë lloj arti, përfshi këtu edhe librin, që siç thotë Borhesi ”është shtrirja e kujtesës dhe imagjinatës “ , nuk e ka ndikimin emocional (dhe jo vetëm), sesa teatri dhe forca e interpretimit aktoresk. Nuk është i rastit kulti i aktorit dhe teatrit në Greqinë dhe Romën e Lashtë, si dhe në qytetërime të tjera. Nuk është e rastit pasuria e madhe që ka trashëguar edhe vendi ynë në këtë fushë. Do t’u kujtoja amfiteatrot e zbuluara në territorin e sotëm shqiptar e jashtë tij si në Epir (Thesproti) apo gjetkë.
Rikthim në tekst: Energjia tronditëse e Margarita Xhepës
Margarita Xhepa është një nga ato aktore, ndoshta të rralla në historinë e shkollës interpretative shqiptare, që rrezaton në tërë qenien e saj shumë dritë. Mendoj se është një dritë e brendshme, që nga lindja e saj dhe që më pas është bërë pjesë e pandarë e portretit, gjestikulacionit, të folurit …. Mos ndoshta kjo dritë apo rrezatim lidhet me vendlindjen e Margarita Xhepës? Them se po. Margarita Xhepa ka shumë nga drita e tokës dhe e qiellit myzeqar. Myzeqeja ka shumë dritë. Është një dritë që vjen jo vetëm nga qielli, por edhe nga toka…. Nga ana tjetër në portretin e saj ka shumë mirësi , butësi si dhe bukuri e hijeshi prej aristokrateje. Mendoj se gjatë karierës së saj të gjatë, janë dy elementë që përbëjnë thelbin e talentit të papërsëritshëm të Xhepës: goja dhe sytë. E para lidhet me fjalën dhe mënyrën si artikulohet ajo dhe e dyta, pra sytë, fshehin dhe shfaqin botën e brendshme të njeriut.
Fjala, mënyra sesi ajo artikulohet, vibracionet e zërit deri në magji, duke shprehur butësinë dhe dallgëzimet e shpirtit njerëzor te aktorja Margarita Xhepa, duket sikur kanë shenjtërine e fillesave të botës dhe dramat e njeriut nga lindja deri në vdekje. Ajo e trajton fjalën si të shenjtë. Nga ana tjetër, ajo i bën ato të heshtin, të këndojnë, të qajnë, ulërijnë nga dhimbja….Margarita Xhepa i jep fjalës ngjyrim emocional. Kur sheh dhe dëgjon këtë aktore në skenë, harron se je në tokë. Befas, me zërin e saj të veçantë, ajo të çon në ca hapësira mes qiellit dhe tokës apo hapësira ëndrre. Zëri i saj, shkruan Angjelina Xhara në librin “Margarita Xhepa, artiste e popullit”, është si tingull harpe që pushton jo vetëm një sallë të stërmadhe, por një botë të tërë. Po risjell në kujtesmes shumë roleve të interpretuara nga ajo, atë të nënës myzeqare në filmin shqiptar “Pylli i Lirisë”, ku vaji i Margarita Xhepës është tej kuptimimit të fjalës dhimbje dhe tronditje.
Nuk është e rastit që regjisori grek i “Elektrës” së Sofokliut, ku Margarita luan në rolin e dados, flet për “gjëmimin e rënkimit të saj” . Po të perifrazoja vlerësimin e kritikës botërore për Aleksandër Moisiun, veçanërisht zërin e tij, unë do të thoja se dhe Margarita Xhepa ka një zë tipik shqiptar nga timbri, tonaliteti dhe shqiptimi. Nga ana tjetër aktorja fsheh një energji të jashtëzakonshme interpretimi në sytë dhe vështrimin e tyre. Kushdo që ka ndjekur në skenë interpretimet e saj, por veçanërisht rolet në filmat shqiptarë, me siguri ka vënë re forcën dhe energjinë e syve të aktores së madhe. Dhe jo vetëm te sytë të fshihet energjia e saj krijuese. E kam të vështirë të depërtoj në laboratorin interpretativ të Aktores së Popullit Margarita Xhepa dhe shumë nga kulmet e realizimeve të saj në skenë dhe ekran. Dhe padyshim një nga kulmet e saj është edhe roli i Hekubës, në tragjedinë e Euripidit “Trojanët”, venë në skenë nga regjisori grek Vangjelis Theodhoropulos. Kur kam parë këtë tragjedi dhe Hekubën e Margarita Xhepës, për një kohë të gjatë kam jetuar me një nga klithmat më të mëdha të njerëzimit dhe dhimbjen mijëravjeçare të botës. Hekubën e “Trojanëve” të tragjedianit të madh grek Europidi, e kanë interpretuar në këto 2500 vjet, ndoshta qindra aktore, por Hekuba e aktores sonë të madhe Margarita Xhepa, është më e vërteta. Ajo është Hekuba e Trojës së shkatërruar dhe djegur në themel, por edhe Hekuba shqiptare, veçanërisht shqiptare, po aq dhe ballkanase. Tragjediani i shquar grek Europidi, ashtu si dhe të tjerët bashkëkohës të tij, ju rikthye Trojës dhe gjëmës së saj, për t’i treguar bashkëkombasve dhe pasardhësve të tyre se ajo gjëmë nuk duhej përsëritur dhe se mallkimi i saj, do t’i ndiqte gjatë grekët. Për fat të keq nuk ndodhi kështu. Gjëma e Trojës dhe klithma ulëritëse e Hekubës është përsëritur disa herë në Ballkanin tonë e në mënyrë të veçantë me trojet dhe popullin shqiptar. Margarita Xhepa, duke njohur mirë historinë e popullit të vet, por edhe atë fqinjit tonë jugor e më gjerë, solli në skenën shqiptare dhe më pas edhe në atë greke, një Hekubë sa Trojane, aq edhe shqiptare. Këtu qëndron suksesi dhe shkëlqimi befasues i Margarita Xhepës te “Trojanët”. Nuk është i rastit vlerësimi dhe entuziazmi i regjisorit grek Theodhoropulos për interpretimin e aktores shqiptare: “Ajo përcolli me energji tronditëse rolin e Hekubës, duke i dhënë frymë dhe ritëm në rritje gjithë shfaqjes. Dua t’i puth dorën për energjinë tronditëse me të cilën përballoi rolin dhe situatën dramatike”.
Shtojcë: Zëri ëndërr i Margarita Xhepës
Tirana është gri, një gri e përgjumur ëndrre. Jemi në palcën e dimrit, mendoj duke nxituar për të shkuar në studion e mikut tim, regjisorit Kujtim Gjonaj. Tashmë filmi ynë “Ëndrra e Çamërisë” ka përfunduar.
I kam dhënë shumë shpirt këtij filmi, thotë shpesh Kujtimi. Jam bërë pjesë e komunitetit çam kudo që ndodhet. Jam bërë pjesë e dhimbjes çame, shton ai. Ka të drejtë miku im, Kujtim Gjonaj. Tashmë që filmi është montuar dhe unë e kam parë disa herë pa muzikë dhe tekst, kam ndjerë emocione të veçanta. Eci nëpër grinë e Tiranës dhe nuk mbaj mend se ç’kam shkruar për tekstin e filmit. Herë- herë më vinë nëpër mend pjesë teksti për lumin Aheron, Dodonën, Nikopojën, Sulin, Marko Boçarin, Daje Sakon, rënien e Janinës. Vetëm tekstin e prologut të filmit nuk mund ta harroj kurrë. Atë e kam shkruar natën vonë, ndoshta pasmesnate. Ishte janar, kur nëpër gjumë më erdhi zëri i nënës time… Pastaj edhe zëri i Nusë, Ilmijes. Edhe zëri i Hatixhes. Zëri i Nesos, Zelos, Hallë Fahros, babait tim e gjyshërve të mi të vdekur, gjyshes Hafize. U ngrita menjëherë, ndeza dritën e kuzhinës dhe nisa të hedh në letër zërat e nënave çame, zërat e të vdekurve dhe të gjallëve.
… Futem në oborrin e studios, ku do të regjistrojmë tekstin e prologut të filmit. Aktorja e madhe Margarita Xhepa vështron e befasuar oborrin e shtëpisë së vjetër tiranase, trëndafilat, limonat dhe portokallet… Unë i flas për Faik Konicën, ku në një nga shkrimet e tij flet për kopshtijet e Tiranës dhe trëndafilat që lulëzojnë edhe në palcën e dimrit. Aktorja e madhe, me përmasa ballkanike dhe europiane, e cila ka interpretuar mrekullisht në Athinë tek “Trojanët”, e menduar futet në studio…E teksa ulet përballë mikrofonave, në portretin e saj të bukur, përpiqem të shoh diçka nga gjëma e nënave trojane dhe gjëma tjetër ballkanike, ndodhur disa dekada më parë, në Çamëri.
Lulzim Sula, montazhieri i filmit “Ëndrra e Çamërisë”, ka bërë gati aparaturat… Kujtimi qëndron në këmbë pranë Margaritës, ndërsa unë në pjesën tjetër të studios, pranë Lulit. Ti je një nënë e vjetër çame, thotë Kujtimi. Ajo ka mall për Çamërinë dhe flet si në ëndërr. Më kupton Margaritë? Është një zë ëndrre…
Aktorja e madhe nuk flet… Ajo nuk është më në këtë studio. As para mikrofonave… Është larg, shumë larg. Unë i kam folur aktores për nënën time, e cila shpesh thotë: “Më çoni në Qafë Botë. Më mbillni sitë e atje lermëni. Me si të mbillur vete në Spatar. Se më njeh çdo gjë atje. Edhe gurët më njohin. Edhe zogjtë më njohin….”.
Gati, thotë Luli. Regjistrim.
Dhe Margarita Xhepa nis interpretimin e tekstit të prologut:
“Në si i kam ato vende. Në si i kam ullinjtë, bahçetë me limona e portokale, gurët e bardhë, detin. Dhe varret… Atje jam, në vendin tënë. Më shpie ëndrra atje me krahët e saj. Në ëndërr më hapen portat e Çamërisë. Kapërcej Qafën e Botës dhe marr dhromnë për në Çamëri. Mbill sitë dhe ashtu eci, me si të mbillur. Se më njeh çdo gjë atje. Edhe drurët më njohin. Edhe gurët, edhe zogjtë më njohin…”.
Befas Luli më vendos kufjet. Aktorja e madhe vazhdon leximin e tekstit, ndërsa mua më duket sikur nuk është një zë, por janë mijëra zëra. Vështrimi më mjegullohet, teksa zëri i aktores më shpie qindra kilometra larg kësaj studioje, pranë brigjeve të lumenjve Kalama dhe Aheron…
“Ktheuani zërin të vdekurve të mi. Kthejani zërin djelthit e mi Çamërisë. Më merr malli dhe në ëndërr llafosem me të vdekurit dhe vëndin tënë, Çamërinë …”.
Ajo ka përfunduar leximin… Heq menjëherë kufjet dhe mes vështrimit të mjegulluar nga emocionet, përqafoj aktoren e madhe Margarita Xhepa. M’u duk sikur përqafova mijëra nëna çame dhe preka ëndrrën, ëndrrën për Çamërinë.
Rikthim në tekst: Të flasësh me detin
Margarita Xhepa është një nga gurët e çmuar të kulturës shqiptare, vlerë dhe bukuri e rrallë, në gjerdanin e kësaj kulture. Që nga marsi i vitit të kaluar, për shkak të pandemisë ajo është mbyllur në shtëpi. Flas shpesh në telefon me të dhe sa herë dëgjoj zërin e saj, të kadaiftë, të butë e shumë njerëzor, mendoj se vitet nuk e kanë ndryshuar atë. As vështrimin. As dritën që buron nga portreti fisnik i aktores së madhe.
Dhe gjatë vitit të shkuar, si edhe këtij në vazhdim, herë herë në zërin e saj kam ndjerë edhe dhimbje, ose ofshama, që vetëm ajo mund t’i transmetojë si me magji. Fjalën e kam për ofshamat e aktores, kur kanë ikur nga kjo jetë Rikard Ljarja, Moikom Zeqo, Arben Bajo, Faslli Haliti, Zenepe Luka, Muharrem Fejzo, Kujtim Gjonaj etj. etj.
Këtyre shënimeve modeste për zonjën e madhe të skenës shqiptare, po i shtoj edhe një fakt të fundit. Mbaj mend, që ishte shtator i vitit të shkuar. E mora në telefon dhe ndjeva në zërin e saj një gëzim të brendshëm. Sapo ishte kthyer nga Kukësi dhe Himara, ku pas disa muajsh izolimi, më në fund kishte marrë pjesë në dy veprimtari, në qytetin verior dhe në Himarën e bukur, pranë detit. Më tha se në Himarë ishte ditë me diell dhe se kishte pak njerëz dhe se deti ishte shumë i qetë. E di ç’bëra, vazhdoi rrëfimin e saj Margarita. U ktheva nga deti dhe nisa të recitoj. Ishte hera e parë në jetën time si aktore, që interpretoja jo përballë spektatorëve, por përballë një spektatori që dukej se po më ndiqte me shumë vëmëndje. Dhe ky ishte deti. Këto emocione i kam akoma. Atje në Himarë i fola detit me gjuhën e tij të përjetshme.
Kaq tha Mrgarita Xhepa dhe kur unë mbylla telefonin, m’u duk sikur dëgjoja dialogun e aktores me spektatorin më të çuditshëm të jetës së saj: DETIN.
Tiranë, fillimprilli 2021