Nuk e kam të lehtë të shkruaj për Vllasova Mustën, në 75 vjetorin e lindjes, si poete, personalitetin e saj si grua dhe nënë, si dhe për kontributin që ka dhënë ajo në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në dhjetëra filma dokumentarë, filma vizatimorë etj. Kam patur fatin ta njoh atë nga afër gjatë 4 viteve , kur ishim bashkëstudentë, në degën e gjuhës dhe letërsisë, të Universitetit të Tiranës. Kemi punuar bashkë disa vite, në një nga institucionet më të mëdha të filmit shqiptar dhe më pas, para se të dilte në pension, në një zyrë në katin e tretë të Muzeut Historik Kombëtar, ku drejtor ishte i paharruari, Moikom Zeqo.
Përpiqem të kthej kohën pas, të rikthej vitet tona studentore në Tiranë, që kanë qenë nga më të bukurat e jetës time. Mbaj mend, se ishte shtatori i vitit 1967, një ditë vjeshte plot dritë e Tiranës, kur zbrita nga treni, që vinte nga Rrogozhina, qyteti im i vogël. Pastaj bulevardi i Tiranës, sheshi i madh dhe Rruga e Elbasanit. Akoma ndjej aromat e trëndafilave, që vinin nga kopshtijet dhe shtëpitë e kësaj rruge, që të çonte ne Fakultetin e Filologjisë dhe Qytetin Studenti. Godina hijerëndë e fakultetit, studentë që hynin dhe dilnin, profesorë, emrat e të cilëve do të bëheshin të njohur nga unë dhe brezi im, si personalitete të gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë… Regjistrimi dhe ngjitja me valixhen e vogël në dorë për në Qytetin Studenti, kati i dytë i godinës dhe dhoma, ku fati e desh që të jem me poetin lirik nga Elbasani, Shefki Karadaku, Moikom Zeqon, poetin e ri nga Durrësi, Niko Kacalidhën, që vinte nga një fshat minoritar e që quhej Leshnicë, Tomorr Domin, elbasanasin e mirë.
Nuk isha më shumë se 18 vjeç. Vija nga një qytet i vogël, siç ishte Rrogozhina dhe një familje e thjeshtë nga Çamëria. Në ato vite isha i ndrojtur, romantik dhe shumë i ndjeshëm. Ne ishim një brez ëndërrimtarësh, të pastër e të pasur shpirtërisht, përtej ideologjisë së kohës, izolimit. Brezi im e donte dhe e gëzonte jetën dhe kishim modelet tona, që na frymëzonin.
Ka të drejtë Vllasova Musta, ku në intervistë, dhënë gazetares Zenepe Luka, më 13.10,2011, mes të tjerash flet për rininë e saj të bukur e të shëndetëshme dhe se ka qënë rini me ëndrra, me libra dhe tepër aktive. Ne lexonim shumë, veçanërisht poezinë e poetëve shqiptarë të kohës, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qirjazi, Musa Vyshka etj. etj. Lexonim dhe atë të përkthyerën nga poezia e madhe ruse, apo europiane.
Brezi im adhuronte Kadarenë. Unë lexoja çdo gjë që ai botonte në shtypin letrar të kohës. Unë përpija si i etur për ujë në shkretëtirë, poezinë dhe prozën moderne të Kadaresë.
Vllasova Musta i përket këtij brezi të shkëlqyer idealist dhe romantik. Ajo vinte nga Gjirokastra. Nga ky qytet i Jugut të Shqipërisë vinte edhe Thanas Dino, që sot është personalitet i njohur në fushën e prozës shqipe. Gjithashtu vinte dhe Parime Puto, një vajzë e qeshur. Vajzat e kohës sonë kishin një sharm dhe bukuri tjetër. Vllasova Musta ishte një nga këto. Ajo kishte lindir më 8 prill të vitit 1949, në qytetin e çudtshëm mitik dhe mistik të Gjirokastrës, ku erërat, shirat, dëborat, mjegullat vinin dhe pasi uleshin mbi kalanë hijerëndë, zbrisnin poshtë kalldrëmeve dhe futeshin në shtëpitë e gurta të këtij qyteti. Atje çdo gur i kalldrëmeve apo sokakëve, çdo shtëpi e gurtë flet, ka gjuhën e vet. Kadareja ynë i madh e ka njohur nga afër këtë gjuhë, simbolet e saj dhe në kryeveprën e tij botërore, “Kronikë në Gur”, u ka dhënë shqiptarëve e të huajve zërat mitikë e mistikë të këtij qyteti. Vllasova Musta, pra vinte nga ky qytet i çuditshëm dhe befasues.
Nuk e kam njohur babain e saj, të cilin ajo e adhuronte për kulturën që kishte dhe risjell në kujtesë dashurinë e veçantë për librin.
Babait Vllasova i ka kushtuar disa poezi dhe një tekst të mrekullueshëm, që e ka titulluar “Xhaketa e Kuqe”. Kompozitori i madh gjirokastrit, Feim Ibrahimi e bëri këngë këtë tekst, që u këndua nga Justina Aliaj dhe Liljana Kondakçi, në mos gaboj në Festvalin e parë të Këngës së ushtarit, në vitin 1970 dhe që fitoi Çmimin e parë. Nëse një ditë për përkujtimin e 9 majit, Ditën e Fitores mbi Fazhizmin dhe Nazizmin në Europë do të organizohej ndonjë festival për rezistevncën Antifashiste, jam i bindur që kënga “Xhaketa e Kuqe” e kompozitorit Feim Ibrahimnit me tekst të Vllasova Mustës, do të vlerësohej nga çdo juri profesioniste. Kam njohur Teftën, nënën e saj. Edhe ajo ishte një grua me kulturë. Tefta në Gjirokastër kishte miqësi me Hatixhenë, ose Haxhekon, siç e thërrisnim ne. Hatixheja ishte e lidhur shumë me familjen time dhe unë e kisha gati-gati si në vend të hallës sime. Ajo ishte mbesa e myftiut të Filatit, ndërsa nga babai ishte mbesa e Haxhi Murat Saqes nga Spatari im. Hatixheja ishte martuar me Petrit Vehbiun, ushtarak kariere dhe njeri i mrekullueshëm.
Nuk është e rastit, që po të lexosh poezinë e Vllasova Mustës zë vend aq të gjerë qyteti i saj i lindjes, prindërit, atmosfera e kohës dhe më pas kjo poezi do të pasurohej me motive të tjera.
Në intervistën dhënë gazetares Zenepe Luka, në vitin 2011, ku në këtë shkrim një pjesë prej kësaj interviste, do t’i fus si rrëfime të Vllasovës, ajo në fund thotë: “Jeta ime është një dramë e trishtë. Njerëzit kanë nevojë për gjëra të bukura”. Nuk e mbaj mend se kush e ka thënë, por me siguri një nga njerëzit e mënçur të kësaj bote, mes të tjerash ka folur për dhimbjet njerëzore, veçanërisht ato që shoqërojnë jetën e krijuesve të fushave të ndryshme. Këto dhimbje, ka thënë ky njeri i mençur, bëjnë që krijimtaria që ata lënë pas të jetë jo vetëm e trishtë, por e bukur në dhimbjet e saj.
Poezia e Vllasova Mustës
Vllasova Musta, është një emër i njohur i Letrave Shqipe, veçanërisht i botës së madhe të poezisë. Them i botës së poezisë, sepse ajo ka një jetë të tërë, që i është kushtuar asaj. Ajo ka lindur me poezinë dhe që në rininë e hershme. Vllasova Musta mbetet e re dhe e freskët në frymëzimin e saj. Një nga gjenitë e letërsisë dhe kulturës botërore, Bohesi ka thënë: “Poezia është një ndër mundësitë, që kemi ne njerëzit për t’u ndjerë të lumtur”. Vllasova e ka patur këtë fat, që të lindë, përkundet dhe madhohet në shtratin e poezisë. Ajo ka dhe një fat tjetër, sepse ka lindur dhe kaluar rininë në qytetin e Gjirokastrës, dhe siç nënëvizuam më lart, në qytetin aristokrat të dhjetra personaliteteve, ku mes tyre do veçoja Ismail Kadarenë e madh. Po të lexoni poezinë e Vllasova Mustës do të prekni dhe ndjeni, dritën, qiellin blu, gëzimet, por edhe mjegullat, shirat e papritur, trishtimin, dhimbjen, zërat e të vdekurve, vetminë dhe prapë dritën, që vjen pas rrebesheve, siç ndodh në qytetin e saj të lindjes. Edhe në këtë cikël, që do të lexoni, duket që nëpërmjet thjeshtësisë së vargut, metaforave, apo përqasjeve dhe gjetjeve befasuese, është edhe gëzimi, edhe dhimbja, edhe drita, edhe e qeshura, edhe loti, edhe trishtimi gri. Poezija e saj është e qelqtë, e brishtë, delikate. Duket sikur po ta prekësh, befas do thërmohen gërmat, fjalët, vargjet…
Rrëfimi i parë
Babai im, pas Gjimnazit të Gjirokastrës, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Milanos. Më pas, në vitin 1949 shkoi në Akademinë Frunze, në ish Bashkimin Sovjetik e në vitin 1961 përfundoi Akademinë Voroshillov, në Moskë, që ishte niveli më i lartë i studimeve ushtarake. Pra, ishte një oficer karriere, me profesionalizëm të admirueshëm, me përkushtim dhe korrektesë absolute në çdo aspekt jetësor. Kishte një dashuri të veçantë për librin dhe mua si fëmijë, prej tij më ka mbetur në kujtesë mënyra se si lexonte: përherë i ulur në tavolinë, me librin dhe me një tregues në krah të librit, që e përdorte kur ndërpriste leximin, kurrë nuk e përthyente faqen e librit! Nëna ime kishte kryer Shkollën Tregtare në Vlorë, e donte librin, lexonte, por edhe kishte kënaqësi të fliste për të. Ishten 80 vjeç kur u nda nga kjo jetë, por iku duke pasur një libër në dorë. . .
Rinia ime ka qenë e bukur, e plotë, e shëndetshme. Ka qenë rini me ëndrra, me libra, dhe tepër aktive. Fillova të shkruaj herët dhe poezinë e parë e kam botuar kur isha gjimnaziste. E kujtoj fare mirë, më ka mbetur në kujtesë, ka qenë ditë e diel, nëntor dhe në gazetën “Drita” ishin botuar poezitë e mia! Në qytetin e Gjirokastrës, ku jetoja në ato vite, kishte një dëshirë të veçantë për librin dhe dijen në përgjithësi. Dola për të blerë gazetën, si zakonisht, dhe veç kur fillojnë e më urojnë të njohur e të panjohur. U mrekullova dhe rrugën deri në librari e kam bërë jo duke ecur, por thaujse fluturoja. Gati, gati nuk po e besoja as vetë. Kaq shpejt i botuan! I kisha dërguar para pak ditësh dhe sinqerisht nuk e prisja. Ajo ditë ka qenë e magjishme, nga më të mrekullueshmet, e veçantë dhe e paharrueshme . . . Me gazetën në dorë renda për në shtëpi dhe atë ditë gjithçka më dukej më e madhe, më e bukur, më me ngjyra. Të nesërmen, në shkollë, për shokët dhe shoqet e mia unë isha “personazhi i ditës”. Ishte vërtet bukur! Pas kësaj, vazhdova të botoja herë pas here dhe krahas botimit të poezive filluan të më vinin letra me urime nga të rinj e të reja nga gjithë Shqipëria. Ishte koha kur letra kishte tjetër dimension dhe tjetër vlerë.
Librin e parë e kam botuar kur isha në gjimnaz dhe titullohej “Pa kopertinë”.
Rrëfimi i dytë
Unë isha vetëm 19 vjeç, kur një ditë u gjenda përballë Kujtim Spahivoglit në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ai më pa dhe shtangu, unë e pashë dhe ngriva! Ai pyeti dikë se “kush është ajo vajza”?. I thanë si quhesha dhe kaq mjaftoi, më thirri sikur më njihte prej kohësh. Unë iu avita dhe s’po flisja. Ai më shihte, qeshte i gjithi dhe më përqafoi sikur më rigjeti pas kaq e kaq kohësh! Nisëm të bisedonim sikur të ishim miq të vjetër e jo të sapo njohur . . . Nga ai çast ishim përherë bashkë për një kohë të gjatë, dhe martesa erdhi krejt natyrshëm. Unë asnjëherë nuk ia kërkova martesën, asnjëherë, ne e donim njeri-tjetrin, por unë nuk doja që ai të ndihej i detyruar për ta bërë atë hap, për të cilin kish hezituar vite e vite me radhë, para se të njiheshim bashkë. Një ditë, në fillimvjeshtë, teksa më priste në vendtakimin tonë,(do të shkonim tek miqtë e tij, Skënder dhe Vitore Sallaku), unë mbërrita, dhe ai më përfshin të tërën e tek më mbante përqafuar, befas i shqetësuar më largoi, për të më parë edhe më mirë e më tha:”Ç’e ke këtë drithërimë”? “Po, ja mjafton mendimi që po vija drejt teje dhe më kap emocioni…”, munda t’i them, por më tepër se sa fjalë ishin mërmërimë dhe dorën e mbaja afër zemrës se më bëhej sikur po më dilte vendit. Ai qeshi me zërin e tij kumbues dhe më tha:”Ja, për këtë drithërimë të shpirtit kam pasur nevojë, asgjë tjetër nuk do të kërkoja!”. Pas këtij momenti u gjendëm në bulevard dhe teksa po ecnim, si në përhumbje ndjeva se krahu i tij më kish mbështjellë rreth vetes. Instiktivisht desha ta largoja se rrugës përballeshim me të njohur, që po na shihnin habitshëm, por ai më kundërshtoi dhe më tha: Jo krahun që nuk do ta heq, por do thërras me të madhe: E mora Vllasovëëëën! … Në vizitën që bëmë, tek familja Sallaku, sapo u futëm brenda, ai iu tha: Po ju jap një lajm që do gëzoheni, kjo është nusja ime! Ajo ishte darka e parë që festuam mes miqsh dhe unë u ndjeva si në qiellin e shtatë.
Kujtim Spahivogli për mua ishte dhe mbetet njeriu i vlerave dhe virtyteve të rralla. Nuk mund të veçoj vetëm një vlerë. Ai ishte një univers, brenda të cilit merrte frymë Njeriu i Madh në të gjithë dimensionin e të qenit njeri, aty ishte artisti, me përmasat e një uragani gjithëpërfshirës, aty ishte burri, miku dhe shoku që rrallë, shumë rrallë mund t’i gjesh në jetë.
Lindja e vajzës ishte një mrekulli i vërtetë, një gëzim i madh sepse, unë doja të ishte vajzë dhe kaq ngulmuese m’u bë kjo dëshirë, saqë vetvetiu m’u krijua një siguri gati absolute, që do të lindja vetëm vajzë dhe vajza erdhi! Atë ditë kemi qenë të lumtur dhe vetëm të lumtur!
Rikthim te poezia
Në poezi ajo zgjon si me magji adoleshencën dhe rininë, rininë e ëndrrave të bukura. Pastaj dëgjojmë zërin e Vllasovës nënë, një zë prekës, i ngrohtë, intim, teksa i flet nga larg Anit: “Ti mos më pyet ç’më ka ndodhur / Pse jam mërzitur, pse nuk qesh/ Ndër qindra ditë që ka viti, / Ndodh dhe mërzitje që të kesh”.
Po më i veçantë, më i ngrohtë, më drithërues, është zëri i Vllasovës gjyshe. Emri “TIM” nuk është thjeshtë emri i nipit bukurosh midis moshës 3 dhe 4 vjeçare, ose më i madh në librat e tjerë të poetes. Emri “Tim” është metaforë shumë e gjetur:
“Ende s’i kam treguar /
përrallën e parë tim nipi, /
Balonën e parë me të/
S’e kam ngritur…” metafora “Tim është shpresë, e ardhmja kur:
“T’u këndojmë zogjve /
T’u rrokasim foleve /
Nga s’bëri /
Fjongo të zgjedhim ?
T’ua hedhin reve”.
Më kujtohet, që në librin e saj me titullin kuptimplotë “Kthema diellin, Tim”, diku më qëndër të librit (dhe jo rastësisht janë vendosur këtu) janë 4 a 5 poezi, që përbëjnë nënështresën e humbjes, ndarjes, mallit, dashurisë së prerë befasisht në mes. Janë vjersha, ku zëri i poetes ka ngjyrë gri, një gri e rëndë vjeshtodimri, me qiell të ulët, ndoshta pa erë dhe shi. Dhimbja është në kufijtë e skajshëm, por pa britama. Malli është tronditës, por i brendshëm si ca gjëmime të vjeshtës së tretë.
Vinir re:
“Vrasja ishte pa krisma, /
Përgjakja pa shpatë u bë. Në vite, dy skajesh qëndruam, / Na ndanë, na vranë dhe… asgjë!”
Etj, etj.
Unë do të thoja se këto poezi përbëjnë vullkanin e fshehur të mallit gërryes ose epiqendrën e dhimbjes. Ato mund të lexohen ngadalë, vetëm me zë të ulët, ndoshta janë në kufijtë e pikëtakimit dhe ndarjes.
Vllasova Musta ka zërin e saj lirik në poezi. Ajo është vëzhguese e hollë, që e do jetën, i gëzohet të dielave, shkon në mbretërinë e zogjve përgjithnjë, i vjen hëna në shtrat dhe nuk e lë të qetë të hapë derën për të pritur miqtë ose e lë atë gjithmonë të hapur. Ajo udhëton e gëzuar në trenin e jetës, apo hipur mbi krahët e erërave, bëhet edhe vetë erë, i këndon vjeshtës me një delikatesë që vetëm poetët dhe vetëm ata mund ta bëjnë:
“Po vjen vjeshta
U thoni vajzave të marin me vete/
Një rrobë të lehtë/ krahëve ta hedhin/
Se mbrëmjet spërkaten, me vesë”.
Poezia plotëson humnerën, që shtrihet mes të sipërmes dhe të poshtmes së shirtit, mes perëndive dhe njerëzve, shkruan në një nga esetë e tij shkrimtari i madh Stefan Cvajgu. Poetja është gjithmonë në lëvizje, në rrugëtim dhe ajo këto hapësira apo mbresa rrugëtimesh të përhershme, i hedh nmrekullisht në vargje. Lexoni poeten dhe do t’u duket sikur bashkë me të ecën në hapësira qiellore pastaj ulesh në brigje detesh, lumenjsh, rrugëton në Mitrovicë, për të takuar vajzën kosovare me emrin Çamëri(Prof. Agim Vinca, që ja kam dhënë një nga librat me poezi të Vllasovës dhe e ka pëlqyer, para disa ditësh më shkroi, se vajza nga Mitrovica me emrin Çamëri, të cilën unë e njoh (është e bija e poetit Jakup Ceraja), ia nisa me celular poezinë e Vllasovës kushtuar asaj (Njoha një vajzë në Mitrovicë). Më pyeti se a e njoh autoren; unë i thashë jo, por poezine e saj po),gjendesh në Venecia, Gjermani, brigjeve të Drinit në Strugë, rikthehet në aeroportin e Rinasit dhe ndjek qiellin e Tiranës dhe avionin që zhduket në re, me dy dashuritë e mëdha të poetes, nënë dhe gjyshe: atë për Anin dhe Timin.
Rrëfimi i tretë
Filloi të dilte në pah një vorbull e frikshme, lëvizëse që nuk po kuptohej se ku do të ndalte. Goditja ra mbi Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Ky i fundit, ishte jo vetëm anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, por edhe njihej si një nga dramaturgët më të suksesshëm. Kujtimi kishte vënë në skenë disa prej dramave të tij, ndër të cilat:”Shtëpia në bulevard”, “Ngjarje në fabrikë” etj. U organizuan mbledhje të kolektivave, ku u kërkua që të dënohej ky “grup armiqësor”. Kujtimin e përfshinë në këtë grup duke e etiketuar si mbështetës të Fadil Paçramit, sepse ai nuk pranoi të ngrihej e të fliste kundër tij. Filluan të bëheshin mbledhje të gjata në Akademinë e Arteve, ku ai ishte pedagog dhe kujtoj një natë, në orët e vona, pas mesnate, kur e prisja jashtë, me vajzën e vogël në karrocë, deri sa të mbaronte mbledhja. Kur doli, ishte shumë i tronditur dhe më tha: “Ata duan, që unë t’i kundërvihem Fadilit, por unë, ç’kam pasur për t’i thënë, probleme pune, ia kam thënë ballazi, kur të tjerët nuk guxonin kurrë të flisnin. Tani, unë nuk munden t’ia rikjujtoj atij, ato që ia kam thënë njëherë, vetëm e vetëm për ta groposur. Sepse unë dua, që edhe pas njëzet vjetësh, kur ta shoh Fadil Paçramin, ta shoh drejt e në bebëz të syrit e mos të ul sytë para tij”.
Nuk kam për ta harruar kurrë me sa vendosmëri m’i tha të gjitha këto, që më tepër se sa një shpërthim i kurajos dhe karakterit të tij të fortë, më tingëlluan sikur kishte nevojë t’ia thoshte edhe njëherë vetes me zë të lartë.
Pikërisht në këtë kohë po vinte në skenën e Teatrit të të Rinjve dramën e Majakovskit ”Banja”, e cila fshikullonte “aparatçikët” apo zyrtarët e lartë, që harronin se në shërbim të kujt ishin dhe i jepnin vetes atributet e perëndive. Konceptimi i tij regjisorial, mizasenat dhe çdo detaj tjetër ishin ndërtuar në mënyrë fantastike dhe krejt shfaqja kishte një frymë moderne dhe tingëllimë të fortë fshikulluese. Shfaqja u quajt si kundërvënie ndaj regjimit socialist. Fillimisht e hoqën nga puna si pedagog, më pas dhe nga Tirana dhe e çuan në një Ndërmarrje Bujqësore të Fierit. E përjashtuan nga partia, ku kishte hyrë që në moshëm 16 vjeçare. Kjo ishte një goditje fatale që erdhi me shpejtësi rrufeje.
Pas kësaj, periudha në vazhdim ishte e pashperë për të ndryshuar situatën, ajo vetëm përkeqësohej duke u rënduar më tepër. Mua më shikonin si prenë që po i avitej dita e goditjes. Kudo më drejtohej pyetja: Po ti, si do të bësh?! E vetmja gjë, që nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte ishte ndarja. Presionet ishin nga më të ndryshmit, nga më të frikshmit për të nesërmen që më priste mua dhe familjen time. Ika nga shtëpia, pa thënë asnjë fjalë, nuk kisha kurajo të thosha asgjë. Vetëm ika me vajzën 12 muajshe në duar duke lënë zemrën mbrapa. Ajo mbeti aty, në atë shtëpi, tek Kujtimi. Ishte një gjëmë e pakrahasueshme, që mbeti e gjallë gjatë gjithë jetës sime.
U ndëshkua artisti, u vra njeriu u shkatërrua familja.
Dritarja e hapur e poezisë dhe jetës
Ajo jeton në Tiranë, por është e lidhur pazgjithmërisht me Gjermaninë. Në Gjermani prej vitesh ka krijuar strehën e saj familjare Ani,vajza e saj e shtrenjtë. Ani, thotë Vllasova, është jo vetëm bija ime, por shumë e shumë më tepër se kaq. Ajo është shoqja dhe mikja më e mirë, është krijesa më e dhimbsur dhe më e përkushtuar që do të ëndërronte të kishte një nënë. Unë e kam këtë mrekulli dhe kjo quhet Ani Spahivogli… Në shumë drejtime Ani është kopje e Kujtimit. Është artiste në shpirt e në jetë, është vajzë me karakter të fortë, i buron natyrshëm mirësia dhe përkushtimi për të tjerët. Është model i të atit.
Vllasova kinse jeton në Tiranë, por shpirtin e ka atje, në Gjermani, ku tashmë është madhuar nipi i saj, Timi. E kam parë që të vogël Timin, kur vinte te gjyshja e tij në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo përgjërohet për Timin, sepse siç shkruan në librin me poezi “Kthema diellin, Tim” (Tiranë 2006)… “ti mban emrin e atij që mbeti Perëndia ime”. Ai mban jo vetëm emrin, por i ngjan shumë-shumë gjyshit të tij të paharruar.
E qetë, me vështrim të butë, e heshtur përtej heshtjes, lirike dhe e brishtë, herë-herë me një pikëllim a trishtim, që shfaqet në portret, veçanërisht në vështrimin e saj si dallgëzime të trazuara vitesh, ose stinë ngricash. Kjo është nëna, gjyshja dhe poetja Vllasova Musta. E pandryshuar ka mbetur dashuria e saj për jetën, me gëzimet dhe hidhërimet e saj dhe ku “si degë e harlisur i vjen pranvera, që i troket xhamave”. E pandryshuar, që nga fëminia dhe rinia, ka mbetur ndjeshmëria për natyrën, qiejt e hapësirat e paana të tyre, lindjet dhe perëndimet e diellit, stinët e harlisura të pranverës dhe erërat, shirat e vjeshtës, dëbora, zogjtë që i vinë në dritare, fëmijëria që e merr në duar, Gjirokastra, shpirti i babait dhe nënës dhe ai i Kujtimit, zërat e dy vëllezërve poetë, Rolandit dhe Yllit, e qara e parë e Anit dhe zëri i Timit, monologjet gërryese në netët e vetmisë.
E pandryshuar tek Vllasova Musta ka mbetur shpirti i saj i ndjeshëm dhe dritarja gjithmonë e hapur e poezisë së saj.
Tiranë, prill 2024