More
    KreuIn memoriamEnver Cakaj: Takimi i fundit me Petro Markon

    Enver Cakaj: Takimi i fundit me Petro Markon

    Im vëlla e ka patur mësues në shkollën pedagogjike në Tiranë dhe nëpërmjet tij u lidhëm bashkë. Erdhi në Skrapar të shkruante një roman për Riza Cerovën,por nuk arriti ta shkruante se i hoqën të drejtën e shkrimit. Vajtëm bashkë në Veleshnje, ku na priste Tomorr Cerova. Për nder të tij  bënë një drekë, ku morën pjesë nja 12 veta. Petrua piu e hëngri sa i hahej dhe u ngrit e doli përjashta. Pas tij dola dhe unë ta pyesja çfarë pati, po ai ishte krejt normal. Unë i thashë të ktheheshim sërish brenda, se ata për nder të tij kishin ardhur, po ai më tha: “Nuk e duroj mbylljen pa shkak, unë hëngra e piva, po hajde të soditim këtë natyrë të bukur.” Kur u ngjitëm pak më lart ai i hodhi sytë nga Çuka e Frëngut dhe më tha: “A do të jetë bërë ndonjë kureshtar e të ketë vajtur të shikonte çfarë ka prapa atij mali?” Po unë i tregova, se atë rrugë e kanë bërë me qindra herë, se vinin në Korçë e merrnin drithë.

    Kur u kthyem në Çorovodë takoi një nga Komiteti i Partisë, që e kishte shok dhe i kërkoi t’i shpinin një radio në dhomën e hotelit, se nuk shkruante dot pa muzikë. Dhe radion ja shpunë, por pas derës së tij i dërguan dhe një polic, që përgjonte se çfarë dëgjonte nga radiua. Ditën e dytë e gjeta të mërzitur, se ja kishin hequr radion. Ai e kishte kuptuar dhe më tha: “Nuk e kuptoj, kush është më i madh këtu, Komiteti Partisë apo Dega e Brendshme?” Atëherë mora radion time dhe ia shpura, po në fshehuri. Revista “Hosteni” në atë kohë dilte në 12 dhe 28 të çdo muaji. Ai e mbante mend dhe më tha të vinim në librari, ku kërkoi revistën. Sa çfletoi dy fletët e para e flaku revistën duke folur: “Të dhjefsha imperializmin!” Kur ishim larguar nga libraria ai më tha të ktheheshim t’i kërkonim ndjesë për fjalët që tha, po unë e qetësova se librari ishte miku im. Unë kujtova se mos nuk i kishin botuar ndonjë shkrim, po ai më tha: “Shikoje, vetëm dy fletë ka, dhe ato janë me humor pozitiv dhe e kanë mbushur me imperializëm!” I thashë të mos nervozohej dhe e ftova në atë dhomën e vogël që kisha. Gruaja e kishte përgatitur mirë drekën. Për ta nderuar mikun i vumë përpara krahoren e pulës, po ai na tha: “Francezët preferojnë më shumë krahët e pulës”. U ngrit gruaja dhe ja solli krahët e pulës. I pëlqeu ajo drekë, po më shumë rakia. Unë nuk kam pirë kurrë raki, po mbaja raki për merak.

    Që nga ajo kohë mbajta shoqëri të rregullt me Petron. Sa herë vija në Tiranë i shpija dhe ndonjë faqore raki.Unë fillova betejën me sëmundjen dhe spitalin e bëra pronën time. Petrua kishte marrë vesh dhe më erdhi në spital. Sa hyri në dhomë më tha: “do të më falësh, se mbajta radhën për potokalle, po nuk arrita të merrja se u mbaruan.” Ne ishim katër veta në dhomë. Të katër ishim bërë si të trullosur, se kishim bërë ciklin atë ditë. Petrua kishte aftësi  t’i përshtatej bisedës sipas vendit e njerëzve dhe na tha: “Jeta është në anën e majtë, vdekja në krahun tjetër dhe ecin paralel kush ta mundij, po mundeni ju!” Tre shokët sikur u zgjuan nga gjumi kur dëgjuan bisedat e tij dhe nuk ia hiqnin sytë. U ngrit e iku kur ne prisnim të na thoshte ndonjë gjë të këndshme. Shokët më thanë t’i thosha Petros të vinte sërish se na kënaqi me muhabet. Ditën e dytë në orën 11  të natës më kërkoi në telefon e më pyeti si isha e çfarë doja. Ja kisha qejf të flija,i thashë, po më zgjove. Një ditë përkujtohej përvjetori i revistës “Hosteni” ku  nga Skrapari ishim ftuar, Iljaz Kapxhiu, Xhemal Molla dhe unë. Atje gjetëm dhe Petron, po, çuditërisht, kur nisi takimi dhe doli të fliste një vajzë, Petrua u ngrit e i tha: “Të lutem, prit sa të iki unë pastaj fol ti!” Ne na bëri përshtypje kjo dhe kur mbaruam vajtëm e takuam te klubi i gazetarëve dhe e pyetëm se çfarë pati që iku. Dhe ai na tregoi: “Kur isha kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” përgatita një fletë humoristike dhe vajta ja tregova Pandi Kristos, që atëherë ishte në Komitetin Qendror dhe ndiqte problemet e kulturës. Ai e lexoi dhe më tha: “Shumë mirë, po ti do ta bësh nuk e bëj unë.” Ky ishte fillimi i revistës, që na eci shumë mirë. Tani na ngrihet një çupulinë dhe më tregon  mua se si e themelova unë revistën!”

    Të dëgjoje rrëfimet e Petro Markos, të vinte keq të ndaheshe prej tij. Një ditë më tregonte se kur shkonte me urban tok me Aleks Çaçin, ai e kishte bërë zakon e i thoshte: “Më jep dy lekë se një e kam.” “Atë ditë Aleksi kishte marrë dhe një palë këpucë për t’i riparuar, po kur vajtëm te këpucari më kërkoi borxh, se nuk kishte aq lekë, të cilat do të m’i sillte pas një ore. Kur kaloi ora dhe nuk m’i solli, vajta te këpucari e i mora lekët këpucarit. Pastaj mora në telefon Aleksin të vinte t’i shpinte lekët këpucarit.” Kur kishte filluar krijimi i kooperativave bujqësore Petron dhe Aleksin i kishin futur në ekip, se do të vinin në Pilur. Petrua më tregonte: “Në darkë u mblodhën të gjithë piloriotët e flisnin sipas humorit të tyre. U thamë se ditën e dytë do të bëhej mbledhja për t’u regjistruar në kooperativë. Aleksi kishte vënë një kasketë në kokë. Mirëpo ata kishin ikur tërë natën nëpër pyje dhe nuk erdhi asnjë. Bëmë si bëmë, i gjetëm dhe u mblodhën. Sa filloi të fliste kryetari i ekipit, u ngrit njëri prej tyre e tha: “Ju lutemi dje një nga shokët e ekipit ishte me kasketë në kokë, tani nuk e ka, pa vënë kasketën ai ne nuk hyjmë në kooperativë!” Dhe u ngritën e dolën përjashta. E ngritëm Aleksin e vajti gjeti kasketën.” Një ditë e gjeta te klubi i gazetarëve me Luan Qafzezin. I thashë se të kam sjellë një shishe rehani. “Ore a ke ndonjë shishe raki, pa rehani nuk dua unë” më tha. I thashë se do të dërgojë vëllai, po ai më tha: “I thuaj vëllait të ma sjellë te koka e varrit!” Atëherë nxora dhe shishen e rakisë dhe ia dhashë. Ky ishte takimi i fundit me të, po mua nuk më besohet ende se ai nuk jeton më. Mos u harrofsh në jetë të jetëve, o romancieri i Labërisë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË