Kreu Intervista Entela Tabaku & Shqiptar Oseku: Shkëputja nga gjuha mëmë e nga kujtesa...

Entela Tabaku & Shqiptar Oseku: Shkëputja nga gjuha mëmë e nga kujtesa shoqërore është një traumë e heshtur

Intervistë me Violeta Murati

Një herë mërgimtar, gjithmonë mërgimtar. Por njeriu nuk bëhet mërgimtar menjëherë kur lë vendlindjen e vet. Ai bëhet mërgimtar pas njëfarë kohe në mërgim…Ka një ndjenjë të fortë dhimbjeje, por edhe vetëndërgjegjësimi për jetën. Ajo çfarë ka ngjarë me ju, duke na e zbërthyer në një vëllim poetik të përbashkët. Si lindi ideja, çfarë keni ndarë së bashku pas kësaj përvoje letrare?

Ideja ishte e përbashkët, ne kish kohë që kishim vënë re se eksperiencat tona, ndonëse dallonin në shumë aspekte, kishin edhe paralele në kohë e hapësirë. Kemi mërguar në kohë e hapësira të ndryshme, për arsye të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. E kjo ka sajuar edhe përjetime të ndryshme të mërgimit si fenomen. Por disa tjera aspekte, si braktisja dhe kompensimi i gjuhës, shkëputja nga gjuha mëmë dhe konteksti social e risajimi i një surrogati të dytë, dhe gjithë ai proces gradual i kolonizimit të një bote të re, i cili vesh me një kuptim të ri jetët e migrantëve në gjithë botën. Ato ishin si të thuash tulla universale që kishim përdorur të dy për të sajuar ngrehina jetësh paralele në këtë botë tëre të çuditshme, që ngjante me botën e vjetër por edhe ndryshonte nga ajo, jo rrallë në mënyra të holla që i shmangen kapjes sikur të ishin ëndrra të mëngjesit.  Dhe meqë poezia është ndjekje e së pakapshmes – poezia është ëndërr në gjendje të zgjuar thotë nobelisti Tranströmer – natyrisht që do të përdornim poezinë për të artikuluar disi këtë ëndërr të quajtur jetë.

Poezi, prozë poetike, dialog, reflektime – nisur nga sinorë personal krejt të ndryshëm, duke u vënë përballë një fenomeni: mërgimi. Produkti letrar është: Enciklopedi e mërgimit. Ju nuk e keni quajtur poezi e mërgimit, që në një rast tjetër mund të ndodhte.  E theksoj këtë, pasi shpesh konfondohet krijimi letrar me vendndodhjen, edhe pse kjo e fundit bëhet shkak, nxitës. Pse nevoja për këtë libër, nga dy emigrantë, që ndajnë të njëjtën kulturë?

Shkëputja nga gjuha mëmë e nga kujtesa shoqërore është një traumë e heshtur. Në shqip kemi një idiomë unike, t’u harroftë emri, që ngërthen këtë traumë si namë të tmerrshme. Ne vendosëm herët se këtë vepër do ta botonim në shqip, në Shqipëri, kjo s’diskutohej. Ky vendim zbulon një nevojë të ndërdijshme për një riatdhesim simbolik, si mënyrë për ta luftuar ndofta atë namë të lashtë. Ndonëse në fakt ishim të ndërgjegjshëm se ky riatdhesim do të ishte problematik, pse kjo qenie po riatdhesohej tash nga një atdhe i dytë. Ajo ish ngjizur në shumë plane nga ky atdhe i dytë, mërgimi, e mund të ndihej si trupi i huaj për atdheun e vjetër. Por nga ana tjetër ne nuk shkruam posaçërisht për këtë libër, por mblodhëm poezi të shkruara vitet e fundit dhe u dhamë shtëpinë e tyre të vërtetë. Universalja e temave që shtjellojmë e kishte tjerrur me kohë enciklopedinë rreth tyre dhe vetëm po priste ta shihnim.

“Enciklopedia e mërgimit”, ka tërhequr vëmendjen në panairin e librit, të këtij viti, ishte një vëmendje nga lexuesit, jo e asaj natyre që mbledhin juri për të ndarë çmime? Çfarë treguesi është kjo për ju, në këto distance?

Lexuesi dhe juritë kanë objektive të ndryshme, lexuesi do gratifikim të menjëhershëm dhe është gjithmonë në kërkim të një risie. Ndërsa juritë gjykojnë mbi jetëshkrime dhe kërkojnë të identifikojnë vlera të qëndrueshme. Fituesi i çmimit të jurisë së panairit 2019 ish-diplomati dhe autori Besnik Mustafaj është ilustrim i gjallë i kësaj, ai është penë e sigurt, autor një varg librash me poezi, prozë, e memoare. Është në natyrën e gjërave kjo, kështu ka qenë gjithmonë, ndonëse njeriu do të donte që secila instancë – si publiku, ashtu edhe juritë – të kishin ca më shumë nga virtytet e tjetrës. Profesioni që sajon urat midis dyjave, kritika e specializuar letrare, neve thjesht na mungon; ata që shkruajnë janë shpesh po ata që bëjnë kritikë dhe kjo kuptohet se nuk është zgjidhje optimale. Ndërsa autorët migrantë si ne janë edhe të shkëputur nga rrjetëzime të natyrshme midis njerëzish të letrave në çdo vend të botës. Por në anën tjetër, sot kemi rrjetet sociale që kanë pasur një efekt demokratik edhe mbi shkrimet, një vistër autorësh migrantë janë zbuluar aty. Nga 65 autorët më të shitur sot në Kindle, vetëm 5 kanë qenë të botuar paraprakisht. Nëse botuesit dhe juritë i harrojnë migrantët, edhe ata do të harrojnë botuesit dhe juritë. Por autorët migrantë janë një fenomen që po vjen për të mbetur edhe në letërsinë shqiptare, siç po ndodh në letërsitë kudo në botë. Është fakt i gëzueshëm që publiku e çmon “Enciklopedinë e Mërgimit”, çmim a pa çmim. Poezia duhet të blehet, ndryshe s’botohet më. Por ky eksperiment letrar i “Enciklopedisë së Mërgimit” do të përmendet nga kritikë të së ardhmes edhe kur të jetë harruar se në cilin vit u mbajt ky panair.

Kliko për ta blerë tani

A keni pasur një model, referenca letrare për këtë vëllim?

Në vitin 2014 u botua një libër shumë i veçantë, Secession/Insecession, shkruar nga poetja galiciane Chus Pato dhe përkthyesja e saj në anglisht, poetja kanadeze Erin Moure, një libër që gërmon në shtresa e mbishtresa tekstesh të dy autoreve të ndryshme që funksionojnë si palimpseste. Ato nga ana e tyre janë frymëzuar nga Octavio Paz dhe përkthyesi i tij Charles Thomlinson. Këto bashkëpunime qenë frymëzuese, por e veçanta e teksteve tona është se ne zbuluam mbasi i kemi shkruar sesa shumë plotësohen kur pranëvendosen, se derdhen në të njëjtin det.

Është një vëllim konceptual, por në përvojën tonë letrare e para e kësaj natyre eksperimentale, një libër origjinal, edhe në formën e një fjalori ndërkombëtar për kuptimësinë e termit emigracion. Çfarë modeli keni pasur parasysh, aq më tepër kur Shqiptari shkruan në standard, dhe ju Entela në gegnisht? Mban domethënie kjo shprehje, qoftë dhe gjuhësisht?

Në një farë mënyre është një eksperiment që luhet në shumë nivele. Struktura e librit ndjek për shembull modelin e një enciklopedie me së pari terma të rreshtuara alfabetikisht, mandej përkufizimet si në fjalor dhe mbylljen e rrethit enciklik me njohuritë enciklopedike. Vetëm se në Enciklopedinë tonë termi bëhet titulli i një poezie dhe rrethi mbyllet në përjetimin e lexuesit. Edhe pranëvendosja e dy varianteve të shqipes është eksperimentale, por nuk është qëllim më vete, është pasojë e pranëvendosjes së teksteve të dy autorëve që shprehen në variante të ndryshme të shqipes. Kur varianti gjuhësor bëhet qëllim më vete, e ka zanat dhe bëhet më i rëndësishëm se vetë poezia. Dhe kësaj të fundit i pëlqen me qenë zonjë mbi gjithçka.

Po kujtoj Camajn, që në brendinë e poezisë së tij nuk ka atdhe, ka elegji, por lidhje obsesionale me “dheun”, siç mund të paramendohet një poezi emigrimi. Në këtë sens poezia e tij ngre në madhështi identitetin, edhe pse i shkroi në mërgim. Pa ndroje, edhe veçmas, jo vetëm në këtë vëllim është edhe poezia juaj, edhe pse autorësia në disa mbetet në dilema…Për çfarë jeni kujdesur me tepër, në procesin e kësaj Enciklopedie?

Camaj shkruan vazhdimisht për një atdhe të largët, në mënyra aq marramendësisht të bukura sa të ndalin frymën, ndërsa ka shumë pak për jetën e vet në atdheun e ri. Ndërsa ne nuk kemi hequr fatin e tmerrshëm të Camajt që u anatemua nga atdheu. Ne shkruajmë shlirë edhe për jetën tjetërkund, duke mos e kategorizuar atë, duke ia lënë lexuesit të etiketojë, në qoftë se ndien nevoja të tilla. Ia kemi lënë lexuesit edhe etiketimin e autorit, nëse e ndien të nevojshme ta bëjë këtë. A është e rëndësishme për përjetimin e lexuesit ta dijë nëse një poezi e caktuar është shkruar nga burri apo nga gruaja? Sa dhe si e ngjyros leximin njohja e autorit, nëse është ai që ndoqi familjen e përndjekur apo ajo që iku e vetme me dëshirë? Këto i vendos lexuesi vetë. Ne jemi kujdesur ta lëmë të lirë rrjedhjen paralele të dy migrimeve të ndryshme nga forma, si jetësisht ashtu edhe estetikisht, por të ngjashme nga përmbajtja, siç janë përvojat njerëzore.

Çfarë keni ndjerë kur keni shkelur për herë të parë në tokën tjetër, atë që konsiderohet jo dheu amë – por “tokë e huaj”?

Shqiptari:  Jam ndier ashtu si besoj do të ndihen kolonistët e parë që aterojnë në Mars pa biletë kthimi. Se do ta pushtoj këtë vend të huaj. Dhe do ta bëj timin. Duke mos kuptuar asokohe se ndërsa unë punoj për ta pushtuar këtë vend, edhe ai punon për të më pushtuar mua. Ndërsa unë e ndryshoj atë, edhe ai më ndryshon mua. Sot Suedia e shikon veten dhe nuk e njeh më. As unë nuk njoh veten time para 30 vjetësh. Nganjëherë më duket sikur fëmijëria ime ma bën me dorë nga një  stere e largët e më flet në një gjuhë të pakuptueshme.

Entela: Jam ndier e humbur. Të gjithë parametrat që më orientonin deri atëherë, të tillë si prejardhja, përkatësia shoqërore, shkollimi, punësimi, u bënë të pavlefshëm nga një ditë në tjetrën. Dhe m’u desh t’u përshtatesha disa parametrave të rinj që deri atëherë i kisha përdorur për të tjerët: e huaj, emigrante, e pashkollë, e papunë. Por rinisja nga fillimi më dha edhe një vetësiguri që bëhet një me ty, jo më siguria e shtëpisë me tulla që ta lënë trashëgim, por diçka që rritet në ty, si guackë kërmilli.

Si mundet krijimi të hyjë në subkoshiencën e një mendjeje që nuk ndodhet aty, në vendin për cilin flisni? Pse ka gjurmë aq të fortë qenit një krijuese që ka emigruar, çfarë është shtëpia në këto kontekste?

Shqiptari: Për mua, mërgimi është shtëpia tashti. Ndihem pak në siklet biles kur dikush në Suedi më quan ”suedez i vërtetë”, ashtu dashamirësisht kuptohet, si bëjnë vendasit kudo në botë për të bërë një migrant të ndihet si në shtëpi të vet. Dhe njësoj në siklet ndihem kur dikush në Gjakovë më thotë se jam ”shqiptar i vërtetë”. Identitetet janë fluide e të shumëfishta dhe çdo tentim për të fiksuar ato është nga natyra hegjemonik e tiranik. 

Entela: Unë jam shtëpia ime. Mërgimi më ka shndërruar në të tillë. Më pëlqen kaq shumë ajo skulptura e Adrian Pacit me burrin që ka të lidhur me litarë për trup çatinë e shtëpisë. Unë jam streha e vetes time. Kur jam poezi, jam strehë e shqipes. Kur jam Entelë, nuk jam strehë gjuhësh, p.sh., por strehë e fëmijëve të mi.

Çfarë është emigranti, ashtu si ju e keni përjetuar?

Emigranti është kafsha sociale e Aristotelit që është shkëputur nga tufa e vet dhe përpiqet të sajojë një tufë të re diku. Një tufë të veten, me fëmijë e familje. A një tufë vendore që e pranon, një tifozeri futbolli, a një bar lokal nate ku e thërrasin me emër. Disa nga ne jemi kafshë aq të talentuara sa të sajojmë botë tonat në letër, e të sajojmë tufa tonat aty. Në një nivel subliminal, sinapset trunore nuk bëjnë dallim midis të vërtetës dhe fiksionit. Shumë artistë kanë jetuar me personazhet e veta në kokë dhe ky ka qenë shpëtim për të gjithë, për artistët, personazhet fiktive, e rrethin e ngushtë përreth tyre. Emigranti është, siç e themi në libër, ajo dega e bimës që e shqyejmë për ta mbjellë diku tjetër dhe i duhet të shpikë rrënjë të reja, si me qenë farë.

Çfarë e bën magjepsëse kujtesën?

Tmerri nga mundësia e humbjes së saj. Njeriu që humbet kujtesën, ta zëmë nga Alzheimers, shndërrohet nga kafshë sociale në bimë. Ai fizikisht është ende njeri, por në gjende vegjetative ku nuk vetëquhet dot i tillë. Identiteti ynë,  gjithçka që ne dimë për veten dhe tjerët dinë për ne, banon në kujtesën tonë. Prandaj është kaq e tmerrshme që identiteti ynë sot mund të vidhet online, të blihet e te shitet në pazar, mund të ndërrohet, të adaptohet me zor ndaj nevojave të një entiteti a shteti. Por ne jemi të vërtetë, kurse shtetet veç fiksione: diçka që disa njerëz kanë vendosur se duhet të jetë ashtu e kështu. Është e tmerrshme që një fiksion mund të ndryshojë përdhunshëm identitetin e njeriut. Por kjo është dëshmi e forcës së fiksionit. Kujtesa është edhe e vetmja mënyrë që kemi për të mos u zhdukur në asgjënë, për të mos vdekur. Varrezat janë mishërimi i kultit të kujtesës, nëse i harrojmë të vdekurit është sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. Shkrimi po ashtu. Njeriu mësoi të shkruajë që të tregohet më i fortë se harresa e vet.

Kujtoj respektivisht, për Shqiptarin poezinë “Homo Migrantis”, dhe për Entelën “Me ikë asht andërr rinore” – të dyja simbole të fuqishme të shndërrimit, të kërkimit të njeriut, kush është. Çfarë gjendje është krijimi në këto kushte?

Shqiptari: Poezia “Homo Migrantis” u shkrua gjatë dyndjes së ikanakëve sirianë drejt Europës, kur atyre po u mbylleshin dyert e ndihmës në orë të zorit. Kisha një identifikim të fuqishëm me ata njerëz, pse dikur kam qenë vetë në të njëjtën situatë. Mendoj se poezia ngërthen atë identifikim të dëshpëruar. Dhe njëherit edhe më frikëson, ta them të drejtën, kur e lexoj tashti me distancë kohore.  Për njeriun si qenie etike, është pak e frikshme që empatia bazohet mbi ngjashmëri identifikuese: pra fakti shkencor që Homo Sapiens ndien më fort empati me ata të cilët i ngjajnë atij vetë, e më pak me ata të cilët nuk i ngjajnë. Sepse empatia këtu mund të kthehet në instrument të shtypjes, a më keq akoma: në instrument të harresës.

Entela: “Me ikë asht andërr rinore” është ndër poezitë e para që kam shkruar për mërgimin dhe ka të bëjë me atë që njeriu e ëndërron ikjen herët, në të gjitha format, ikje nga shkolla, nga shtëpia, ikje nga e përditshmja, nga rutina, ikje drejt një jete të lumtur me rrënjë që fluturojnë dhe ushqehen me ajër. Derisa vjen një ditë dhe ti e ndien me gishta dheun në xhep dhe e kupton se njeriu nuk ikën kurrë më larg se deri tek varri i vet.

Në fakt përvojat letrare të shkrimtarëve emigrantë, shpesh kanë prodhuar një debat mbi identitetin.  A ka një shqetësim real tek ju kjo, sidomos në gjuhë, ashtu edhe nëgravitetin që krijon vendi ku jeton?

Shqiptari: Jo, unë jam shumë rehat me identitetet e mia të shumëfishta. Shqetësimi im janë fiksionet që përpiqen të më klasifikojnë, kategorizojnë, masin në kandar, e fusin në kuti njësoj fiktive si vetvetja, të stampuara për shkart a për përdorim të mëvonshëm. Në Suedi, dyndja e ikanakëve sirianë e afganë ka shkaktuar një backlash ideologjik të frikshëm. Ky vend që gjer dje nuk njihte nacionalizëm sot ka një parti me të kaluar raciste si parti të dytë më të madhe. Dhe unë vërej se ka edhe forca suedeze sot me një impenjim për të më klasifikuar, kategorizuar, matur në kandar, e futur në kuti fiktive të stampuara për shkart ose për përdorim të mëvonshëm.

Entela: Identiteti është koncept problematik. Vetë fjala identitet synon njëherit diçka identike, d.m.th. ngjashmëri të plotë me dukuri të tjera. Nga ana tjetër synon të qenët i veçantë nga të tjerët. Domethënë duam të jemi njëkohësisht unikë, por edhe t’i përkasim një grupi me të cilin të identifikohemi. Si emigrant, identiteti yt primar bëhet të qenit i huaj, sepse ajo veçori që të dallon nga të tjerët është edhe ajo që të identifikon më shumë. Që do të thotë se unë para se të jem një grua e mençur dhe e bukur, jam një grua që nuk është prej këndej dhe që si rrjedhim nuk mund t’ia kesh besën. Unë e kam përjetuar që nga fillimi si barrë identitetin e së huajës, por njeriu mëson ta mbajë edhe barrën e vet.

Ka një metaforë letrare pas këtij vëllimi. Shqiptari nga Gjakova, Entela nga Shkodra, ku segmentet tuaja letrare dhe emocionale bashkohen në Evropë…në çfarë besoni, kur kontekstit ia zgjerojmë kufijtë?

Është një bekim kur njerëzit mund të ndajnë një talent a një interes të përbashkët. Homo Sapiens është e vetmja qenie me prirje transcendentale, me një gjakim për të kapërcyer caqet e vetvetes. Mbase pse është qenia e vetme e vetëdijshme për vdekjen e vet të pashmangshme. Dhe këtë transcendencë, këtë matanëkalim të caqeve e kufinjve të qenies së vet biologjike, njeriu e arrin duke shkrirë veten në diçka më të madhe se vetvetja . Në dashuri, në art, shpesh edhe në fiksionet e epokës, në auguret e shtetit, perandorisë, kombit, ose një a më shumë zotërash të radhës.

Po ju kujtoj një poezi të Enciklopedisë:

fjala e parë kur zbardh

në gjuhë të huej

edhe dashnia

andrrat

në gjuhë të huej

shkoj

punoj

e gjej vedin duke mendu

në gjuhë të huej

veç kjo poezi

në gjuhën teme

veç një poezi mbas shpirtit

shqip…

Nuk ka emrin kush e ka shkruar, prej jush, por duket se keni të njëjtën ndjenjë çfarë nxit poezinë. Ju shkruani shqip, që do të thotë kërkoni lexuesin shqiptar, por jo vetëm. Pse kjo nevojë kaq e fortë?

Shqiptari: Përgjigja e shkurtër do të ishte, sepse shqipja është gjuha e parë, që ka formësuar sinapset trunore. Përgjigja e gjatë, pse shqipja është një gjuhë fantastike, jashtëzakonisht shprehëse, fleksible, e lakueshme dhe e mbarsshme me kuptim e rezonancë tonale e semantike. Është vështirë ta mësosh si i rritur, apo jashtë vendit, them si prind i sprovuar, për shkak të natyrës së parregullt që ka. Por pikërisht kjo natyrë e parregullt, e cila kërkon doemos një intuitë për ta zotëruar, është cilësia që i ofron shqipes një shprehje poetike të pashembullt. Si gjithçka madhështore, pra, edhe shqipja ka pikën e vet më të fortë aty te pika më e dobët, si dhe anasjelltas. Është ky veç një nga dhuntitë paradoksale të shqipes, që të bëjnë me zor ta duash ashtu siç është. Thjesht pse është.

Entela: Kjo poezi flet pikërisht për lidhjen e ngushtë që ekziston midis poezisë time dhe shqipes. Kur ke katër gjuhë të përditshme që të konkurrojnë në krye, e kupton lehtë këtë lidhje. Unë nuk kam shkruar asnjë rresht shqip për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht, përveç letrave që shkëmbeja me babën dhe, mbas vdekjes së tij, me mamën. Shqipja më braktisi atë ditë që ika dhe me të edhe poezia dhe shqipja e letrave të prindërve qenë i vetmi litar sigurie me të. Por nuk është se më mungonte shqipja mua si Entelë, poezisë time po. Pa shqip, nuk mund të shkruaja poezi. Kur poezia u rizgjua në mua, si ai vullkani që piqet dhe shpërthen, atëherë e çau edhe grykën që ma mbante të mbyllur shqipen.

Deri tani pothuaj letërsia që vjen nga diaspora pothuaj është shpërfillur, nuk është konsideruar, flas për pas vitet ’90-të. Vetëm në këto vite, kur zëra të fortë letrare po “kthehen” në atdhe, po ndihet jo vetëm dhimbja, por edhe një lloj reflektimi, rebelimi për t’u pranuar. Përgjigja përmes kësaj “Enciklopedi e mërgimit” duket se bashkon jo vetëm juve si autorë, por edhe të tjerë, çfarë nuk mundi ta vlerësojë juria e Panairit të librit 2019. Ne, nuk duam t’ju mbushim me dëshpërim, por nga entuziazmi i punës suaj krijuese  kemi pyetjen: a e keni pasur të vështirë depërtimin, botimin?

Sërish, juritë kërkojnë të identifikojnë jetëshkrimin dhe vlerën e qëndrueshme, nuk ka pse t’i fajësojmë sepse sillen si juri, e jo si gjahtarë talentesh. Kjo detyrë e dytë është e botuesve. Botuesit janë ata që duhet të bindin juritë, nëse arrijnë të identifikojnë qëndrueshmeri krijuese dhe të sajojnë gradualisht një jetëshkrim artisti. Me fjalët e një botuesi shqiptar, shtëpia botuese është si ai plaku që mbjell pemën e cila lëshon kokrra vite më vonë; juria është thjesht korrtar i radhës që mbledh frutat e stinës. Me kohën mund të krijohet edhe një kritikë letrare profesionale, që ndihmon botuesit të gjykojnë saktë dhe të identifikojnë profilet e veta. Një kritikë letrare me vetërespekt, pra që kërkon realizim pikërisht si e tillë, do të na ndihmonte edhe neve që shkruajmë, sepse do ta besonim më lehtë se është objektive.

Natyrshëm pyesim, nëse e mendoni rikthimin?

Shqiptari: Natyrisht që përgjigja do të jetë po, në një mënyrë apo tjetër.

Entela: andrra e kthimit vdiq/mbi krye vari fletën e Ejllit t’Zotit/e tek kambët mbolli/lisa të gjatë/u shtri mandej dhe e mbuloi vedin/me dhé/shqiptar

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Viktor Frankl dhe kërkimi për kuptimin

Nga William J. Winslade Më 27 janar 2006, në gjashtëdhjetë e një vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes së...

Pajtim Statovci fitues i çmimit më prestigjoz në Finlandë për letërsi, “Finlandia”

Çmimet më prestigjioze të librit në Finlandë për letërsinë, jo-letërsinë dhe letërsinë për fëmijë u dhanë më 27 nëntor nga Fondacioni Finlandez i Librit...

Shkrimtarët mbështesin Agron Tufën

Te dashur Virion dhe Zoica, Deshiroj te jeni mire me shendet te tre dhe me gjithe familjet tuaja ne Gjirokaster.

Mimoza Hysa: Diktatura kërkon një trajtim nga brenda, me gishtin drejtuar vetes dhe jo tjetrit

Intervistoi Violeta Murati Pas një përvoje tridhjetëvjeçare me përkthimin e autorëve si Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi,...