Botimi online, sigurisht, nuk përbën më ndonjë ngjarje të veçantë, ashtu siç nuk është më ndonjë ngjarje e veçantë as botimi i librave në letër. Në këtë botim, megjithatë, është interesant kombinimi i leximit online me formatin e librit në letër, i cili ia ruan lexuesit iluzionin e shfletimit. Mariklena Niço është një poete që jua rekomandoj ta lexoni në cilëndo formë ajo vendos të ndajë poezitë e veta me lexuesit, por përzgjedhja e pikërisht kësaj forme hibride më duket shumë e përshtatshme për një poezi që rreh një shteg të vetin mes dy udhëve kryesore në të cilat udhëton poezia shqipe sot. Udha më e rrahur dhe më e vlerësuar më ngjan se është ajo e poezisë së figurës, e cila pavarësisht tematikave, mbahet më së shumti për figura dhe interpretime. Kjo është poezia që fton dhe emocionon lexuesin kundrues, i cili kur lexon “flutura”, e interpreton si brishtësi, bukuri, liri, drithërimë, mall, etj, etj. Udha tjetër është ajo e poezisë së drejtpërdrejtë, konkrete, që nuk e bën lidhjen me gjuhën poetike në varg, por në një nivel më lart (ose më poshtë): në takimin mes konkretes dhe përjetimit. Kjo është poezia që fton dhe emocionon lexuesin bashkëpërjetues, i cili kur lexon “flutura” sheh një flutur të vërtetë, që mbetet e tillë derisa ia shkund krahët drejt e në përjetim: “edhe unë ndihem kështu”.
Në perspektivën e leximit, Diafragma e heshtjes është një përmbledhje që lirisht do të kategorizohej si poezi e figurës, deri në ekstrem. Mbas leximit të 120 poezive, lexuesi nuk mëson gati asgjë për realitetin përjetues të krijueses, ndryshe nga ç’ndodh me poezinë e drejtpërdrejtë. Nuk dihet nëse ka fëmijë, a është e dashuruar, çfarë pune bën, a ka halle me qiranë, jeton në fshat a në qytet, larg apo afër vendlindjes, a e ka nënën gjallë, a ka dritare në dhomë, etj, etj, apo të dhëna të tjera jetësore të domosdoshme për ta aktivizuar lexuesin bashkëpërjetues. Por nga ana tjetër, poezitë e Diafragmës janë konkrete deri në fizike, me shqisat njerëzore si përçueset kryesore të përjetimit, ndryshe nga poezia e figurës, e cila prihet drejt mitifikimit të shqisave. Hipoteza ime është prandaj se këtu kemi të bëjmë me një shteg estetik origjinal, që nuk ndjek pritshmëritë finale të dy udhëve të sipërpërmendura.
Të lexojmë nga afër tekstin (citimet janë në Italic). Në mënyrë kronologjike, shumë herë edhe të përsëritur, poezia e Diafragmës sundohet nga këto fjalë: diafragmë, sup, mushkëri, sy, thua, fytyrë, zemër, lëkurë, trup, buzë, gji, gojë, veshë, kokë, gjak, grusht, qafë, mish, eshtra, flokë, mitër, shpinë, puls, dorë, gjunjë, këmb, gishta, fyt, kraharor, gjymtyrë. Sa më shumë lexon, aq më shumë shfaqet dhe përshfaqet trupi i një gruaje. Deri këtu kjo poezi sillet si ajo që unë e quajta më lart poezi e drejtpërdrejtë, e cila karakterizohet nga shfaqja e hapur e konkretes. Por, ndryshe nga pritshmëria e një poezie të tillë, ky trup nuk funksionon si çelës leximi, por vetëm si simptomë, ose më së shumti si raft çelësash (mbaj çelësat e një porte brenda në gojë). Trupi është aty, shumë konkret, por nuk flet, siç lajmërohet që në titull. E vetmja mënyrë komunikimi me lexuesin mbetet interpretimi i këtij trupi, që është karakteristik për poezinë e figurës.
Dëshira për t’u shprehur me fjalë nuk mungon, (mua më duhet të flas), ashtu si edhe vuajtja e pamundësisë së këtij komunikimi (kam ethet e një reje që dridhet në qiell), por heshtja e fjalëve mbetet megjithatë mbizotëruese. Disa arsye të heshtjes feksin nëpër vargje: herë gjuhëprerja që në fëmijëri (Kështu na rritën edhe ne me gjysmëgjuhë), herë dhuna e ushtruar ndaj gruas (ajo nuk përgjigjet më/ nuk flet me askënd), herë sepse nuk ka kush dëgjon (Ku ndodhesh saktësisht mes tyre?/ Në shurdhëri) , apo sepse nuk ka kuptim të përpiqesh (përditë bie perdja në mes të shfaqjes). Ajo që mbetet është tensioni i diafragmës, një muskul që dridhet nga frymëmarrja e fjalëve, që megjithatë heshtin. Por si komunikohet me dikë që nuk flet?
Shqisat (Shqisat e mia thëngjij në hirin e trupit) janë ato që e bartin poezinë e pafjalë tek lexuesi i vet. Kështu “dëgjimi”, që ka paralajmëruar që në titull heshtjen, ndan me lexuesin përjetimin e shurdhërisë së fjalëve, përjetimin e kumbimeve të një toke që s’është prej dheu
Apo
të rrallë tinguj
në fushën e djerrë të veshëve tanë
Apo
jam pjesë e muzikës dhe hesht
Syri ka funksionin e vet, gjithashtu. Ajo që sheh është poetja (unë jam syri i botës), lexuesit i mbetet të ndjekë vështrimin e saj:
eja ngjitemi mbi kodra
… shohim si perëndojnë këngët
Apo
ata që donin vetëm të shihnin
i shpuan veshët me gjilpëra të holla
Edhe “nuhatja” dhe “shija” janë aty për të komunikuar me lexuesin:
mbahem si përherë
pas saj me aromën më të fortë
Apo
shija e detit trazohet
me aromën e drurit të vjetër
Ndijimi më i fuqishëm është ai përmes lëkurës (pothuaj u zhdukën ata që kuptohen me prekje). Leximi online i një libri kaq palpues është një përjetim më vete për lexuesin, që do të ndihej më i sodisfaksionuar, sigurisht, me letrën e librit në bulat e gishtave. Por a nuk është ky përjetim i palpimit në mungesë, si tortura e pamundësisë së fjalës? Duke lexuar përmbledhjen më vinte ndër mend një skenë e fuqishme e filmit “The Miracle Worker”, 1962, e njohur si skena e ujit. Në këtë skenë, Hellen Keller (e lindur e verbër dhe e shurdhër), me dorën në currilin e ujit, më në fund kupton lidhjen midis sendeve dhe fjalëve dhe se si mund të komunikojë. Kështu edhe Diafragma e përfshin lexuesin në një masë të fuqishme uji, që sikur e detyron atë më në fund ta kuptojë trupin e heshtur që përpëlitet në poezi. Në formë deti, liqeni, përroi,kroi, gurre, shiu, avulli, akulli, bore, gjaku, lëngu, ujërave të lindjes, lexuesi është i mbështjellë dhe i rrethuar nga kjo masë uji. Poezitë përmbyten në folje që ndjekin përjetime të ujshme: shtrydh, derdh, ngjëroj, pikoj, fundos, ujit, lundroj, pluskoj.
Apo si këtu:
U bë kohë që toka
s’më le
ta hap detin në prehër
t’i le ngjarje, njerëz
kulme, gardhe, hardhi
të pluskojnë n’ujë
të të gjej
si s’mund të gjendesh
në tokë, kurrë
Afërmendsh, një botë e tillë si ajo e Diafragmës, është një botë që të krijon një asociacion të qartë me placentën. Ne nuk kemi kujtime të vetëdijshme mbi ekzistencën tonë në placentën mëmësore, por e kemi një përfytyrim të kësaj ekzistence. Dhe ky përfytyrim i shkon për shtat leximit të Diafragmës, lexuesi është si fetusi i rrethuar dhe i mbështjellë në ujë: i hapur ndaj përjetimeve tejesisht fizike të një ekzistence të tillë, por nga ana tjetër, i lidhur për interpretime të një bote të jashtme që nuk është e tija, por që mund të bëhet.
Edhe toni i poezive disa herë të fton në një lexim të tillë. Ndeshet shpesh një ton thirrës intim (Thërras ato gjëra që rrinë lundrueshëm /në cipë të kohës), i cili mbështetet në mënyrën urdhërore, duke nënvizuar kështu një vetvete të etur për t’u kuptuar. Ja disa shembuj të shkëputur : Fli bota ime! ; Mprihu/ Më pri! ; Pranomë dritë!/ Pritmë! ; Shtrydhu dashuria ime e limontë; Ujitmë! ; Eja t’i këmbejmë gurët me re; Dërgoje hidhërimin tënd aty; Shko, ndërroju frerët ëndërrave; Vrapo! ; Kthehu në kohë; Mos kalo andej!, etj.
Diafragma e heshtjes është një përmbledhje me poezi që do të doja të mos kalonte pa u lexuar. Jo sepse është një përmbledhje perfekte, rreth njëzet poezi do t’i hiqja menjëherë, për shembull, ato me gjarpërinj dhe mollë, që nuk janë më metafora sepse të lodhura nga përdorimi. Apo kur thirrjet kanë tone patetike si në “çfarë do të bëje ti sikur”, kur do të mjaftonte një sinqeritet figurash për ta përçuar idenë dhe emocionin. Nuk është as përmbledhje antologjike apo fantastike, nga ato që do ta ndryshojnë rrjedhën (ah, këto fjalët ujore!) e poezisë shqiptare, kuptohet, me tematika të spikatura lirike, patriotike, dhe -ike -ike të këtij lloji. Por është një poezi që i thotë eja! eja! një përjetimi estetik (pikoj tinguj-tinguj), shumë freskues për poezinë në shqip. Prandaj jua rekomandoj ta lexoni.