More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEntela Tabaku: Leximi i “Kosovës” të Daim Miftarit

    Entela Tabaku: Leximi i “Kosovës” të Daim Miftarit

    Takimi i tekstit me lexuesin është ngjarja më e veçantë mbas vetë krijimit të tekstit. Ky takim përbën çlirimin e të gjitha konteksteve në një pikë të vetme: leximin. Poezia dhe lexuesi duhet të takohen disa herë për t’u njohur. Si takimet e dashurisë. Nëse mbas takimit të parë nuk ke më dëshirë të rikthehesh, atëherë e di se nuk ishte poezi e mirë për ty. Dhe nëse i rikthehesh, në çdo lexim ndien dhe mëson diçka të re për poezinë dhe për veten. Takohu tashti, të lutem, me poezinë ”Kosovës” të Daim Miftarit, marrë nga përmbledhja ”Akuj”, Shkup 2018:

    KOSOVËS

    Mos u brengos për mua, Kosovë.

    Ta gëzosh pavarësinë,
    e përvujtura ime.

    Jam mësuar unë,
    të jem i huaj në shtëpinë time.

    Njëqind vjet Kosovë
    dhe mbeta gjallë.

    Dhe kam marrë plagë,
    dhe mes plagëve kam ecur
    e kam arritur deri këtu,
    si ti Kosovë.

    Dhe jam bërë pa sy
    pa gojë jam bërë.
    Jam bërë pa veshë
    dhe pa mend në kokë.

    Njëqind vjet Kosovë,
    rritur jam
    si bima nën hije,
    si ti.

    Se ishim një shtëpi Kosovë,
    dhe shtëpinë na ndanë…

    Dhe mbeta gjallë.
    Dhe mbete gjallë.

    Njëqind vjet, Kosova ime.

    Shkup 2008, 2018

    Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

    Tema e poezisë “Kosovës” lexohet qartë që në titull. Është një poezi-përkushtim e ndërtuar në formën e një thirrjeje të drejtpërdrejtë. Poeti është thirrësi. E thirrura është Kosova e personifikuar që në vargun e parë me aftësinë e saj për ta ndier poetin, për të ndier poetin. Toni i thirrjes është intim dhe i ulët:

    Mos u brengos për mua, Kosovë.

    Tingëllon si: “Mos u brengos për mua, nënë” ose “Mos u brengos për mua, e dashur”.

    Me këtë thirrje poezia rreshtohet menjëherë në një traditë të gjatë poezish thirrëse të Kosovës. Vetë fjala “Kosovë” evokon ndër shqiptarë një thirrje të brendshme që i ka rrënjët e thella në historinë e kombit. Por thirrja këtu përfundon me pikë, jo me pikëçuditje. Më shumë se thirrje emocionale, që do t’ia shkundë malet dhe do t’ia vlojë gjakun lexuesit, tingëllon si ofshamë.

    E gjithë poezia ndërtohet mbi thyerje të pritshmërisë. Titulli e ndalon lexuesin në stacionin e këngëve patriotike, aty ku shkunden lisat, por e fut pa mendje në një livadh ku bimët e shpresës mezi mbahen gjallë. Mbas thyerjes së tonit, në pritje i lartë patriotik, por në të vërtetë i ulët dhe pikëllimtar, vëmendjen e tërheq menjëherë thyerja me “ta gëzosh”: Ta gëzosh pavarësinë!

    Jo “e gëzofsh”, që do të ishte forma e urimit në mënyrën dëshirore, por “ta gëzosh”. Nuk është urim, por është lejim, ftesë, lutje. E dashur, dua që ti ta gëzosh pavarësinë. Edhe nëse unë nuk kam ç’të festoj. Vazhdo gëzo ti të paktën, se unë jam mësuar kështu: i huaj në shtëpinë time.

    Poezia thirret në Kosovën, por ka fokus në përjetimet në vetë të parë të poetit:

    ime, jam, unë, mbeta, kam.

    Me dy thyerje të rëndësishme: “si ti Kosovë” dhe mandej sërish “si ti” dy strofa më poshtë. Thyerja e parë mbyllet me një thirrje Kosovë, që rimerr atë të fillimit dhe sikur mbyll një strofë. E dyta është ndryshe, ajo sikur hap kulmin e poezisë, ku rimerret thirrja në një eko më të gjerë. Nga unë dhe ti, zgjerohet në ne (unë dhe ti bashkë) dhe ata:

    Se ishim një shtëpi Kosovë,

    dhe shtëpinë na ndanë…

    Rimarrja e metaforës “shtëpi”, konak, në përsëritje është më e fuqishme. Metafora e konakut të prishur duket sikur do ta përshkallëzojë poezinë në rritje. Por tri pikat ia vrasin shpejt përdëllimin dhe të çojnë në rezultatin e ndarjes:

    Dhe mbeta gjallë.

    Dhe mbete gjallë.

    Vargu i fundit përmbledh të gjitha elementet me të cilat ka luajtur poezia deri më tash:

    Njëqind vjet, Kosova ime.

    Së pari, dualiteti i tonit të urimit, pritshmërisë së tonit të lartë, siç e kemi zakon në urime përvjetorësh “100 vjet!”, me atë tonin e pikëlluar dhe denoncues, një ndjenjë shpartalluese, se kështu gjithmonë e dashur, 100 vjet të ndarë. Dhe intimiteti në “Kosova ime”, që tingëllon sërish si “e dashura ime”. Është shumë e fuqishme kjo kundërvënie, si një dashuri që e lëmë të shkojë. Thonë se dashuria më e madhe është ajo që të lë të lirë të gëzosh jetën tënde. Kjo lojë me tonin e mban poezinë në kapërcyell të shpresës dhe pikëllimit, revoltës dhe dorëzimit.

    Tashti është koha t’i rikthehesh poezisë dhe ta lexosh sërish.

    Leximi i dytë (leximi i teknikës)

    Leximi i dytë zakonisht të zbulon sekretet e realizimit të poezisë. Teknika e “Kosovës” është një lojë me paradokset dhe bazohet në thyerjen e pritshmërive. Një poezi që thirret si patriotike-epike në titull, por shtjellohet si lirike. Një poezi që thirret, por që në të vërtetë ofshahet. Thyerjet janë edhe më të holla. Mjafton ta shohësh më nga afër këtë veçori nëpërmjet fragmentit të një vargu, që është pa dyshim kërthiza e poezisë:

    i huaj në shtëpinë time.

    Me qenë në shtëpi do me thënë mos me qenë i huaj. “Ndihu si në shtëpi”, – u themi miqve. Nga ana tjetër, mundesh me qenë pa shtëpi, me u ndje i huaj gjithkund. Mundesh edhe me u ndje si në shtëpi dhe i mirëpritur gjithkund. Por me u ndje i huaj në shtëpi tënde, ka një tragjicitet politik që e thyen, e kris në palcë poezinë. Sepse nuk ka zgjidhje, ndaj edhe bima rritet në hije. Në hijen e shtëpisë së vërtetë, konakut të madh, konakut etnik, aty ku përkasin si poeti, ashtu edhe Kosova e tij. Po kështu fjalori i zgjedhur nga poeti e thyen copash pritshmërinë e një urimi me rastin e pavarësisë. Fjalët që e ngjyrosin poezinë janë të tipit: brenga – gjendje shpirtërore e shqetësuar dhe e rëndë; vuajtja – mundim trupor a shpirtëror; plagë – vend i çarë, i prerë a i shpuar në trup. Dhe gjallë kjo fjalë që papritmas tingëllon shumë më pak se domethënia e saj. Nuk ka gjallëri aty, nuk ka jetë dhe shpresë, veçse vegjetim. Pa sy, pa gojë, pa veshë, pa kokë (ah, sa keq që poeti nuk i beson variantit “krye” që do t’i kishte ushtuar edhe si rimarrje tingëlluese në “hije” dhe “ime”). Si ndihesh sot, Kosovë? Gjallë.

    Leximi i tretë (leximi i mendimit)

    Leximi i tretë e ndihmon lexuesin me ndjekë fillin e mendimit të poetit, por edhe fillin e mendimit të vet. Ndjesia e trishtë që të vjen në lexim mbështetet në një nënshtresë të poezisë që flet për ndjenjat e dyfishta të poetit përballë një ngjarjeje politike siç është Pavarësia e Kosovës. Që flet për paradoksin e fatit të shqiptarëve, të ndarë për së gjalli, duke ndërtuar konak të ri në truall të vjetër. Cili është atdheu im? Tragjiciteti i poezisë shtohet edhe nga këndi ku poeti është ulur dhe kundron: Maqedonia. I huaj në shtëpinë time mbeta, siç ishe edhe ti Kosova ime, por ti sot po feston. E gëzosh pavarësinë, Kosova ime. Vazhdojnë me mbetë gjallë poeti dhe Kosova, në konak të ndarë. Poezia patriotike në shqip ka gati gjithmonë karakter epik, meqenëse duket se lind ende me shtysat e Rilindjes sonë Kombëtare: përforcimi i krenarisë kombëtare dhe frymëzimi mobilizues. Sidomos poezia patriotike e diasporës nuk lë vend për pikëllim dhe dorëzim. Ndjenja të këtilla do të konsideroheshin si ndjenja tradhtie ndaj angazhimit të përjetshëm patriotik. Por një poezi patriotike lirike si kjo e këtushmja tregon qartë se lirika mundet me qenë po aq denoncuese dhe frymëzuese, sa edhe epikja.

    Leximi i katërt (leximi i vetes)

    Në leximin e katërt lexuesi tashmë e njeh mirë poezinë. Nëse ka mbërritur deri këtu, e do këtë poezi, e dashuron. Për temën, gjuhën poetike, për mjeshtërinë e realizimit, për fillin e mendimit, por sidomos sepse në leximin e katërt ka për ta ndier poezinë deri në fund, ka për t’ia ndier dehjen, magjinë, do të jetë a thua se e ka shkruar vetë. Leximi i katërt është leximi i vetvetes. Mos u brengos për mua, zemër. Ta gëzosh pavarësinë prej meje. Jam mësuar unë të jem e huaj në shtëpinë time.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË