More
    KreuOpinionEni Myrtollari: Përse lexoj anglisht

    Eni Myrtollari: Përse lexoj anglisht

    Në ADRION, në librarinë më të madhe në kryeqytet, gjenden më shumë se 9 mijë tituj në gjuhë të huaj, kryesisht në anglisht, rreth 1500 aksesorë të lidhur ngushtësisht me librin, afërsisht 50 agjenda të frymëzuara nga mendjet gjeniale të letërsisë, mbi 200 katalogë arti, mode dhe estetike, rreth 70 botime luksoze e të ilustruara të klasikëve modernë dhe veprash që tanimë cilësohen etalon në fushë (mjafton të kujtojmë veshjen speciale që mbart The Great Gatsby, variantin me skica marramendëse të të fortdashurit 1984 nga George Orwell dhe botimin në nder të 20-vjetorit të mjeshtrit të fantazisë, A Game of Thrones të George R. R. Martin) – si dhe mijëra tituj për të vegjlit, të ndarë në grupmosha specifike.

    Megjithëkëtë, nëse shpeshherë për një lexues shifrat janë bezdisëse, titujt, autorët dhe prurjet e reja me siguri që jo, andaj le të flasim kësisoj.

    Lexues besnikë dhe të rinj e kujtojnë më së miri se libraria ADRION ka pasur, që prej krijimit të saj, një sektor të veçantë kushtuar librit në gjuhë të huaj, i pasuruar, shtuar dhe përmirësuar me kohën për të ndjekur hapin e titujve më të fundit të hedhur në treg nga gjigantët e botimeve në Britaninë e Madhe, Amerikë dhe Kanada. Teksa prurjet e reja nuk mungojnë në letërsinë artistike (fiction), numri i veprave joletërsi (non-fiction) ka ardhur në rritje në lloje e nënlloje, ku vërehen botime gjithnjë e më të hollësishme dhe të orientuara për stilin e jetesës, mirëqenien, zhvillimin personal, kujdesin ndaj vetes dhe banesave, financave, përmirësimin e aftësive komunikuese dhe rritjen e rendimentit në punë, me qëllim parësor uljen e ngarkesës dhe të stresit. Ritmi i vrullshëm që i kemi diktuar vetes sidomos në dekadën e fundit ka sjellë si nevojë zbulimin e antidotit qetësues, që një prej intelektualëve më të rëndësishëm të kohës sonë e ka përmbledhur deri më sot në dy tituj: 12 Rules For Life dhe Beyond Order. Nga ana tjetër, britaniku Simon Sinek na orienton fare mirë në fushë të lidershipit dhe të sipërmarrjes me pothuajse një duzinë titujsh, kësisoj parapëlqej që mendimin e tij ta lexoj në origjinalin anglisht tek Infinite Game, Start With Why, Leaders Eat Least etj.

    Unë lexoj anglisht, sepse vetëm kështu mund të kem në duar romanin më të fundit të nobelistit Ishiguro, Klara and the Sun, dhe përmbledhjen e shkëlqyer me tetë tregime të Haruki Murakamit, First Person Singular. Përkthimi i butë nga Ann Goldstein i The Lying Life of Adults, vepër e një prej autoreve më të mira bashkëkohore italiane (Elena Ferrante), rrëfimi prekës i Hanya Yanagiharas tek A Little Life dhe mbi pesëmbëdhjetë romanet e çekut Milan Kundera, Salman Rushdies dhe filozofit dhe estetit e kritikut të madh Michel Foucault, që marrin hapësirën e merituar në librari, vetëm sa forcojnë tezën e të lexuarit në gjuhë të huaj. Pavarësisht nga botimet dhe titujt debutues, në librarinë kult të Tiranës një stendë e tërë i është dhënë bujarisht, me të drejtë, thuajse 20 titujve të shkrimtarit më të madh postmodern Murakami. Ka lexues që me Haruki Murakamin janë takuar fillimisht me Norwegian Wood, gjithsesi maratonën e leximit e vijojnë me kolanën e pafundme të romancierit japonez. (Maratona këtu nuk është aspak metaforë, por pasion i madh i tij, prandaj është e udhës të rekomandohet që What I Talk About When I Talk About Running të lexohet doemos!)

    Gjithnjë e më tepër të rinj, falë mjeteve të komunikmit masiv, përditësohen me botimet e reja në kategorinë young adult. Me sa duket, zhanret fantashkencë dhe fantazi “e pastër” tingëllojnë më mirë origjinal dhe, sikurse ndodh në librat e kërkuar nga ata vetë, botimi i shpejtë në harkun e më pak se një viti e zhbën përmasën e kohës dhe ua zvogëlon pritjen.

    Unë lexoj anglisht për të pasur mundësinë e komunikimit sa më pranë me mendësi vetjake; këtu u referohemi letërkëmbimeve, rrethit aspak të vogël të biografive, autobiografive dhe të memuarëve (kuptohet se mes tri të fundit ka dallime në nuanca sa i takon këndshkrimit dhe reflektimit mbi ngjarje e njerëz).

    Vëllimi i parë i kujtimeve me titull A Promised Land, i ish-presidentit amerikan Barack Obama, është shembulli më i shkëlqyer i rrëfimit të ngjarjeve personale, ditëve dhe momenteve që shënuan fatin e një kombi dhe krejt politikën ndërkombëtare.

    Lexoj anglisht, sepse kënaqësia estetike për të përzgjedhur mes vëllimit me kopertinë të butë dhe atij me kopertinë të fortë, si alternativë ngazëllyese që vetëm një libërdashës i thekur e kupton, duket haptas. Nëse funksioni parak i letërsisë është kënaqësia gjatë leximit – a së paku dëshira më e thellë e çdo shkimtari, që dërgon në shtyp një pjesë nga vetja në formën e romanit, poezisë dhe kushedi se ç’trajte të ndërmjetme – aspekti pamor, pra shijimi i një kopertine delikate, që mirëqëndron në raft, s’ka si të anashkalohet.

    Duket qartë se për të rriturit si mundësitë, ashtu edhe arsyet për të lexuar në lingua franca janë të mjafta, por pyetja shtrohet: përse lexojnë anglisht edhe të vegjlit? Pashmangshmërisht, përgjigjja lidhet me të dhënat shifrore përmenduar në krye të shkrimit: botime të bukura, të llojllojshme dhe leximi në një gjuhë që u mundëson të bëhen lexues model.

    Po ti, përse lexon anglisht?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË