More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ëndrra të befta në autobus", Ajkuna Dakli

    “Ëndrra të befta në autobus”, Ajkuna Dakli

    Gjumi më del gjithnjë në Coxwell. Nuk është ndonjë vend i bukur dhe as ka ndonjë gjë të veçantë. Në anën jugore të rrugës ndodhet një pikë transferte dhe shkëmbimi parash, ku nga xhami gjithnjë sheh dy-tri fytyra të hutuara emigrantësh të ardhur rishtas, ndërsa nga ana veriore e rrugës një dyqan qoftesh, aq i drobitur, sa gjithnjë më bën ta vras mendjen pse i zoti vazhdon ta mbajë hapur. Dhe ngjitur me të një dyqan akulloresh të cilin e shoh hapur vetëm nja dy-tre muaj në vit. 

    Kam kohë që punoj në qendër të qytetit. Jam një nga ato pikat e shumta të rrëkesë njerëzore që derdhen në rrugë dy herë, në mëngjes nga stacioni për t’u përpirë sakaq nga qiejgërvishësit dhe pasdite vonë nga këta të fundit për t’u gëlltitur prapë nga trenat e për t’u shpërndarë në venat e metropolit të madh të ftohtë.

    Kur vendosëm të vijmë këtej, plotësuam një formular me pikë që na tregonte  se sa lehtë mund të gjenim punë sipas profesioneve. Profesioni im kishte pikë plot. Do ta gjej një gjë në zanat, i thashë gruas, mos u bëj merak, ke për të parë.

    Epo punë si inxhinier domosdo nuk gjeta. Duheshin të tjera letra e shkolla dhe nuk ia kisha ngenë. Hyra në ndërtim. Nuk m’u duk ndonjë hata, se si unë të ardhur me shkollë që bënin punë krahu kishte plot.

    Pastaj, pas nja tre vjetësh pasi i theva kërbishtet në ndërtim dhe nuk e bëja dot më, pashë mos gjeja një gjë më të mirë dhe fillova një punë tjetër. Jo punë inxhinieri, sigurisht. Rojë në një godinë zyrash. Epo do të gjej më vonë një gjë më të mirë, thashë.

    Po ja që kaluan kaq vjet dhe duhej bërë shkollë nga e para, certifikim për këtë e për atë, por punën nuk e lija dot, fëmijët ishin të vegjël dhe donin të vetën e shtëpia të vetën, vitet ikin dhe që të mos e zgjas shumë, ja ku jam që prej pesëmbëdhjetë vjetësh në të njëjtën punë dhe në të njëjtën linjë autobusi.

    Po prapë them, sa mirë që jam “këtej”. E them si një psalm që mësohet përmendsh dikur në shkollë dhe vazhdon ta thuash pa qenë kurrë i sigurt nëse e beson vërtet.

     Kjo mbase ngaqë koncepti i “andej” tani është një gjë e mjegulluar, e turbullt, si majat e qiellgërvishësit ku punoj si rojë në një ditë me shi e mjegull.

    Andej. Një Zot e di si do të isha tani andej. Po këtë nuk e mendoj më. Kjo, të mosmenduarit e “sikur të isha andej”, ishte një arritje e vështirë që nuk ndodhi në një çast. Si një dhëmballë e prishur që të dhemb e të dhemb dhe gjuha shkon aty gjithë kohën, por ti vazhdon ta mbash në gojë me shpresë se do të kalojë, derisa më në fund e kupton se duhet ta heqësh. Nuk ke zgjidhje tjetër. Por, kur e heq, gjuha prapë shkon shpesh te vendi bosh, vetëm se nuk të dhemb më.

    Meqë hipi në autobus në stacionin e parë, gjithnjë gjej vend. Ulem, vë syzet e diellit, dimër e verë, shenjë kjo për turmën që ngjishet që s’kam ndër mend t’ia liroj vendin kujt, mbyll sytë dhe më këput gjumi.

    Është një gjumë i shpejtë, i beftë, si arratisje. Nganjëherë shoh edhe ëndrra, por edhe ato janë si arratisje. Herë sikur jam andej dhe mendoj të vij këtej, e herë e kundërta. Nganjëherë as nuk e kuptoj mirë se ku jam, kam vetëm një ndjesi të turbullt që duhet të iki diku ose duhet të kthehem diku.

    Nganjëherë, kur shoh ndonjë grua me fëmijë të vogël a ndonjë grua shtatzënë, çohem dhe i lë të ulen. Pamja e tyre më prek. Më kujtohet gjithnjë gruaja ime kur erdhëm, me barkun e rrumbullakët dhe fytyrën e re, me frikë, por edhe plot shpresa. Më duket si dje, megjithëse kanë kaluar plot nëntëmbëdhjetë vjet që atëherë dhe ai kërthiri që lindi disa muaj pasi erdhëm tani është një djalë-burrë që nganjëherë thotë gjëra të tilla, si: “Nuk di si ia keni bërë ju në kohën tuaj pa telefona celularë.” “Njeriu mësohet me mungesat kur i ka dhe nuk i kupton kur nuk i ka”, – përgjigjem. Ai më sheh me çudi, pa e marrë vesh mirë çfarë dua të them në gjuhën time që ai tashmë e flet me vështirësi dhe me një theks të fortë.

    Gjithsesi, prania e një gruaje shtatzënë apo me fëmijë të vogël në orën e pikut në turmën e udhëtarëve ndodh shumë rrallë, kështu që unë mund ta fle rehat gjumin tim të thepisur deri në Coxwell.

    Mbase më del gjumi ngaqë aty rrugët ndahen. Një rrugë vazhdon buzë një parku pranë liqenit me restorante e dyqane në të dyja anët, ndërsa tjetra, kjo që marr unë, hyn mes shtëpive e pallateve të banimit dhe shtëpive për pleq.

    Dremis prapë për disa minuta dhe zgjohem gjithnjë si i trembur dy blloqe më tutje, në stacionin që ndodhet përballë varrezës. Është një varrezë jo shumë e madhe, midis shtëpive. Në dimër duket e qetë dhe e fjetur me varret e mbuluara me borë që shfaqin mbi shtresën e bardhë vetëm majat, si për t’u kujtuar kalimtarëve praninë e tyre, në verë është më e gjallë, me pemët e lulet, një lloj gjallërie që të kujton se jeta është e pranishme edhe aty ku nuk e pret.

    Ka edhe diçka tjetër që nuk të lë të mos e vësh re praninë e varrezës. Një tabelë mbi gardh ku shkruhet: “Kemi vende bosh. Për më shumë informacion telefononi në numrin xxxxxxxxxx.” 

    Fare e dukshme e mbërthyer në gardh, një lajmërim i qetë në ngjyrë blu mbi të bardhë, a thua se do të bësh një telefonatë për të prenotuar dy javë pushime. Për të kujtuar se në këtë botë edhe vdekja si çdo gjë tjetër është biznes. 

    Duhet thënë, ama, edhe pse njerëzia nuk është se mezi pret të vdesë, nga kjo anë e oqeanit është zakon t’i mendosh gjërat mirë, t’i planifikosh në kohë e të mos i lësh për minutën e fundit.

    Njerëzia nuk është se mezi pret të vdesë thashë? Edhe këtë nuk mund ta thuash gjithnjë me siguri matematike. 

    Një ditë, njëra nga shoferet e autobusit (u bë kaq kohë tutje-tëhu në këtë rrugë dhe shumë prej tyre i njoh tashmë), një grua me një shtëllungë flokësh të verdhë, e cila kur frenon e hedh gjithë atë biná përpjetë duke ua shkundur mirë zorrët pasagjerëve, por që është gjithnjë e dashur dhe e muhabetit dhe i ndan historitë e saj me pasagjerët që ka më afër, më tregoi për një burrë rreth të gjashtëdhjetave nga India, i cili udhëtonte gjithnjë në këtë rrugë.

    Çudi, më tha, nuk i lexon dot mendjet e njerëzve. Ai ulej gjithnjë aty në vend të parë dhe fliste me mua. Më tregonte për vendin e tij ku kishte kohë pa shkuar. Dukej se mezi priste të shkonte. Dukej shumë i qetë atë natë, ishte pak më i heshtur se zakonisht, por kujt i vajti mendja! Kur zbriti, më tha se nuk besonte se do të shiheshim më dhe se më uronte çdo të mirë. Ku do të shkosh? e pyeta. Së shtëpinë time, u përgjigj dhe buzëqeshi me një cep të buzës. Do të shkoj më në fund në shtëpinë time. Mendova se do të kthehej në Indi dhe i urova rrugë të mbarë. E kujt ia merrte mendja, vazhdoi gruaja me flokët e verdhë, se ai burrë atë natë po shkonte të hidhej në rrotat e trenit!

    Nuk fola, por mendova padashur se ai burrë me siguri nuk kishte blerë një vend në varreza.

    Pas varrezave rruga fillon të gjallërohet ca. Nja dy kafene, nja dy pallate të reja që po ngrihen dhe do të sjellin me vete dyqane, qendra masazhi dhe palestra, Starbucks ku duken pas xhamit njerëz që pinë kafe e shohin kompjuterat portabël, ndërsa jashtë ndonjë qen i lidhur në vendin e biçikletave. Sheh me kureshtje rrugën, një qendër bankare, dyqan lulesh, gjumë, maja, hone, det, qiell, male, shtëpi me oborr të shtruar me pllaka guri, valixhe që mbyllen, një shqetësim i përhershëm, “mos kam harruar gjë”, një taksi aeroporti që pret.

    – Zotëri, – thotë një zë gruaje duke më shkundur lehtë për supi, – zotëri, kemi arritur në stacionin e fundit. Duhet të zbrisni.

    Përmendem. Shoh rreth e rrotull dhe autobusi është bosh. Ngrihem dhe zbres. Marr rrugën drejt. Eci disa minuta dhe pastaj kthehem në një rrugë që bie pingul. Është një kthesë që e marr instinktivisht, pa sforcim dhe pa u menduar. Ky është një qytet ku edhe sikur të duash nuk përhumbesh dot kurrë. I madh, i ftohtë, i qetë, me rrugë që priten të gjitha në kuadrate.

    Si një rrjetë gjigante.

    Marrë nga “Portrete pa kornizë”, Onufri 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË