More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmrije Krosi: Besimi si mëkat apo si dashuri, në realitetin postmodern të...

    Emrije Krosi: Besimi si mëkat apo si dashuri, në realitetin postmodern të poezisë së Ndue Ukajt

    Dekadat e fundit, poezia ka ndryshuar totalisht fytyrën e saj para lexuesit. Ka pasur një interes në rritje për procesin e zhvillimit kulturoro-letrar dhe më konkretisht edhe për rolin e leximit, si pjesë e procesit të krijimit. Në këtë proces sa shoqëror por edhe individual, pjesë e së tërës janë edhe poetët. Një poet i kësaj ndjesie është edhe Ndue Ukaj, me vëllimin e fundit poetik, “Retë prej drite” (Ukaj: 2022). Një udhëtim poetik, mes kohësh, mes botrave të reja dhe të vjetra, duke lidhur universin poetik me universin e botës njerëzore.

    Rrethanat dhe situatat e qenësisë njerëzore, ndërthurur me qenësinë poetike, duke identifikuar modele të caktuara, të lidhjeve sociale, shoqërore, ekonomike si trashëgimia e tij biologjike, përmes kushtëzimit social dhe një mjedisi të përgjithshëm kulturor të mbushur me gjurmë të paqarta të njëmijë ideve të lashta dhe moderne (Lightman:1987: 10). Autori, përmes individualitetit të tij krijues, “huazon” mitet biblike në modernitet. Edhe mitologjitë e vjetra dhe të reja, shpalojnë “afresket” e fshehura të imazhit të një botë të ngjizur me dashuri kristiane, në kërkim të zemrës së shprishur të dashurisë njerëzore, që ka humbur në mirazhin e absurdit të modernitetit kaotik të jetës së tij.

    ***

    Poezia moderne në Kosovë, ka një strukturë krejt ndryshe nga paraardhësit e saj si: Mekuli, Shkreli, Podrimja etj., vjen nëpërmjet moduseve që kufizohen me “veshje interpretuese” hipotetike, por që nuk shmangen nga qerthulli sociokulturor, përmes leximeve të mundshme ku rravgimi gjeneron kritere ekonomike (Eco:1990 : 117). Vargjet:  Albert Camus i mërzitur shkruante diku se:/“njeriu më në fund mësohet me çdo gjë”/Por shumë kohë para se ta lexoja këtë,/isha mësuar me gjëra të pazakonta: lirinë e trazuar,/orë të gjata policore dhe lajme të këqija për qytetin, nga poezia: “Të mësohesh me errësirën”, poeti nëpërmjet dekonsturktivizmit të frikës së njeriut në togfjalëshin: “njeriu më në fund mësohet me çdo gjë”, ceket bota në të cilën jetojmë, ku gjallojnë kontrastet e të sotmes dhe të tashmes, ku poezia u përgjigjet situatave të trazuara dhe tensioneve të kohës. Sesa larg dhe gjatë, mund të gjurmojë, çështjet jetësore të absurdit tonë, sot kjo poezi postmoderne, kjo vjen përmes disa semantikave bashkëkohore, që verifikohen përmes tekstit si:

    a)     mënyrat estetike e modernizmit dhe postmodernizmit,

    b)     perceptimi i identitet autorial,

    c)     lidhja e brendshme poetike me funksionimin e jashtëm socio-shoqëror,

    d)     njësia moderne/postmoderne, që përcakton filozofinë në kontekstin e marrdhënies mes formës dhe mesazhit,

    e)     konvencionet homogjene të subjektit dhe autorit,

    f)      lidhja e elementeve të narrativës mes elementeve biblike,

    g)     faktorët social vs faktorët letrare si imazh i receptimit në bashkohësi,

    h)     margjinarizimi i zërit poetik përtej “kulturës së shumicës”, përmes rrugëtimit të

    refleksionit metapoetik, sipas këtij këndvështrimi, poezia mund të aspirojë për një këndvështrim më meditues dhe më pak egoist për çështjet që e zhytin botën në trazira kolektive, ku poezia hyn në një “krizë përfaqësimi” (Harvey:1990: 260). Vargjet: sa herë duam ta prarojmë vetveten, shohim se përditë/bëjmë gabime të ngjashme me ato që u bënë para nesh./E braktisim Edenin dhe hyjmë në ferr, nga poezia: “Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona”, e vë njeriun nëpërmjet ripozicionimit të vazhdueshëm të vetvetes në raport me forcat që e rrethojnë, poezia mund të vazhdojë të justifikojë ekzistencën e saj. Liritë tona të trazuara, poezia mund t’i shëndërrojë si trauma të shkaktuara, jo vetëm historikisht, por edhe si reflektim të gabimeve dhe veseve, gjatë përditësisë tonë. Poezia e Ukajt, dallohet për tre lloje kompetencash:

    1. kompetencë individuale, (lidhja me realitetin dhe ndjesia socioreale e fateve të përbashkëta të shoqërisë, politikës, përditësisë etj.,) lidhet me vargjet: unë eci Sheshit “Nënë Tereza” me flamuj dhe shumë tregtarë,/ dhe shoh se si gjethet janë dremitur. Po fillon loja e qiellit/ me tokën e ftohtë që i ha bukuritë e veta, kombinimi mes realitetit politik dhe imazhit të natyrës së “ftohtë” apo imazheve gri, që shpesh haset si togfjalësh emror, e “mpak” edhe empatinë e poetit, që është i zhgënjyer me traumën sociale që po kaplon atdheun i tij. Poezitë: “Zbritjet s’janë të lehta”, “As ngritjet s’janë të lehta”, “Deri dje gjithçka ishte e bukuretj., e vënë njeriun përballë reales/surreales, absurdit/ kotësisë, boshit/zbrazësisë, vetmisë/shoqërisë, dashurisë/urrejtjes, unit/egos, personales/universales. Pakkush do të mohonte se një supozim i caktuar i një konflikti, rezistence ose rebelimi, shpesh kundër nocioneve të vendosura të poezisë, forma dhe/ose funksioni, vazhdon të jetë një nga forcat lëvizëse të poezisë siç e kuptojmë ne: lufta e poezisë si me traditën ashtu edhe me inovacionin, nënkupton një protestë kundër një situate sociale, që çdo individ e përjeton si armiqësore, të huaj, të ftohtë, shtypëse (Adorno: 1991: 38). Ndërtimi i tekstit ka tre pamje:

    –      mimesisi/ diegesisi,

    –      rrëfimi dhe përshkrimi, ku poeti nuk shmang përshkrimet e natyrës: zogjtë, lulet, vetmia, stuhia, mjegulla, kufijtë, pulëbardha, vera, vjeshta, korriku, sytë, pemët, shushurimën e gjetheve, gurgullimën e ujit, kënga e zogjve etj.,

    –      logos/lexis, përmes poemave si: “Via doloreza”, “Dimri i Gjergj Kastriotit”, “Bota po teshtin”, “Shtigjet e vendlindjes”, “Kthesat”, por edhe:

    a)   kumtet historike: (lufta e Kosovës),

    b)   kumtet fëminore/të vendlindjes: ( kujtime të fëmijërisë, gjyshi, lumenjtë, fshati, gështenjat, me poezitë: “Oborri i fëmijërisë sime, “Shtigjet e vendlindjes”, se oborri i fëmijërisë sime është çati kujtimesh),

    c)   kumtet dashurore/prindërore: (Kompasi i dashurisë” me dedikim [për Editën], për fëmijët, etj.).

    2. kompetenca e njohjes poetike, (lidhja me personazhet letrare dhe emrat e njohur të letërsisë botërore) i referohet në përgjithësi të gjithë ciklit poetik, që mund të thuhet se janë poema. Poeti beson tek shkrimi, si testament autentik që pas Guntenbergut, imazhi letrar lidhet me vetënjohjen gjuhësorendoshta një poezi./Ndoshta më pak se një poezi./Ndoshta një figurë./Ndoshta një fjalë./Ndoshta vetëm një tingull,.një zanore të gjatë, poezia: “Secila jetë është një komedi hyjnore”, duke rivitizuar njohjen autoriale të shkrimit. Poetët në mijëvjeçarin e ri, përballen me sfidat e tregut global ku njerëzit si anëtarë të komunitetet dhe si individë, vazhdimisht i nënshtrohen forcave impersonale të ekonomisë së tregut. Në poezinë bashkëkohore, nuk është një fenomen i thjeshtë ose lehtësisht i përcaktuar, por një kusht që lëviz në të gjithë zinxhirin komunikues (Rigby: 2004: 13). Në poemën “Altari i dashurisë”, vargjet: kur shkrova librin “Gjithmonë diçka mungon”/vërtet besoja se gjithmonë diçka mungon, e kompeson jo vetëm me njohjet letrare-kulturore, por edhe me eposin, folklorin, etnosin dhe mitologjitë greko-romake apo edhe ato judeo-hebraike. Poeti shkruan: përditë mësoj gjëra të reja, ndonëse e di se bota lëviz njësoj,/si në kohën e Homerit, Dantës, Sheaksperit, Kafkës, Fishtës, Kadaresë, sireflektim mbi rolin e poezisë si një agjent potencial për ndryshim, veçanërisht në lidhje me një shqetësim për natyrën, por edhe si një “formë e rëndësishme e angazhimit politik” për sa kohë që çështjet e pushtetit janë të pandashme nga marrëdhënia e njerëzve me botën natyrore.

    Poezia, është mjeti i mbijetesës, jo vetëm nëpërmjet përvojës personale por edhe asaj shoqërore dhe kolektive, si edhe e shumësisë së përvojave të perceptimit të poezisë, së tekstit, autorit dhe procesit të leximit (Ingarden: 1773: 183). Në poezinë: “Alfabeti im”, vargjet: që kur u dashurova me letërsinë,/kam provuar të shkruaj një poezi a tregim/të mbrothur me personazhe të hijshme dhe të urta, gjetja apo tejkalimi i kompetencave autoriale, përmes “gjurmëve” të fjalës poetike të traditës përtej literales së moderniteti, tëhujëzohet në një nëlloj të nënshtresës letrare si formë trashendence letrare. Poezia moderniste përfshihet nga një gjuhë joletrare. Ajo shpërfytyrohet dhe shënohet si letrare nëpërmjet ironisë së fjalës por edhe ironisë së situatës (Dado: 2020: 143). Gjuha e rafinuar poetike, duke rikuperuar diksionin dhe mjeshtërinë poetike duke e shkrirë dhe duke e mbushur dhe me thagmën popullore, larg një “konfuzioni mesazhesh”, që japin pamje të shumta të poezisë surrealiste me tipare të ekspresionizmit dhe ekzistencializmit, që ekziston edhe në kontekstin e një letërsie sociale, (Rugova: 1996: 22). 

    3. kompetenca e mitologjisë biblike, që ndërtohet mbi tre elemente:

    –        elementi i  Edenit,

    –        elementi i kryqit,

    –        elementi i pabesisë dhe vdekjes (Kaini dhe Abeli, Juda, Pilati etj.)

    Brenda këtyre kompetencave bibliko-mitologjike autori ndihet “brenda lëkurës së tij”. Interpretimi letrar në letërsinë shqipe ka shenja të elementeve të diskursit biblik (Ukaj: 2004: 3), që na shpërfaq fuqia e poezisë në veçanti, por i gjithë arti në përgjithësi, shfaq energji të fshehura dhe jashtëzakonisht transgresive. Këto energji qëndrojnë më tepër në raport me unin e vetëdijshëm racional, sipas disa traditave të mendimit të krishterë, tunduesi qëndron në lidhje me shpirtin individual dhe imtimi nga tundimi i demonit është një figurë e Djallit (Parker: 2011: 22).

    elementi i  Edenit, (vendi i parajsës së “humbur” nga Adami dhe Eva), poeti testamentin e vjetër biblik na e sjell përmes vargjeve: përballë njeriut është një Eden i pafund/me lule, gra e burra lakuriqë që bëjnë dashuri në liri, ose vargjet: në Eden gjithmonë është një gjarpër/dhe një pemë e ndaluar;/tunduese, plot fruta, ose vargjet: që kur në Eden e bukura dhe e shëmtuara u pajtuan/…/dhe paqja mund të përfytyrohet si në Eden. Për të kuptuar statusin e një mitologjie, në kuptimin e një doktrinesocio-shoqërore, apo edhe doktrine shpirtërore, duhen disa kushte: gjendja njerëzore, dhe historia e të kuptuarit të jetës tonë të ardhshme njerëzore. A nuk është vetë Bibla, pjesë e mitologjisë parathanëse e zotave, që nga kohërat pagane? Fjala Eden [del (4)katër herë], por edhe e shoqëruar me nën/elementet të tjera nga Zanafilla si: [lakuriqësia/pema e ndaluar/gjarpri], duke ia veshur Evës dhe Adamit “gabimin e njohjes” të së mirë dhe të keqes, në atë shkallë në të cilën Zoti, frymëzon poetin, pasi kemi një vargan mitesh të zhvendosura (Fraj:1990: 77).

    elementi i kryqit, ku kryqi, është një imazh simbolik “i peshë së mëkateve” të Krishtit për  njeriun në të gjitha kohërat. Njeriu dhe besimi në shoqërinë globaslite, përmes lutjeve dhe Zotit, lëviz vazhdimit, nëpër “mendimet” hyjnore:Kam etje”- tha Krishti para se të vdiste në kryq./Por atij askush s’i dha ujë./Atij i dhanë helm./Sa shumë helm na japin,/përditë,/o Imzot!/…/  dhe parulla që gjithmonë të gozhdojnë në kryq/…./ Si kryqi i dhimbjeve që e bartim në qafë. O dhimbje! O bezdi e shkretë!/O kryq që duron kaq shumë mëkate të gozhdohen në ty! (Bibla: 2002). Pra mitologjia, në këtë kuptim, është një pamje e plotë e “ botës së njeriut”, duke pretenduar se mitologjia është serioze, pra nuk është falsifikim apo një përgënjeshtrim,  lëviz përmes teksteve kanonike që zëvendësojnë zbrazëtinë e lënë nga prishja e teologjisë kristiane, si një lloj teksti teologjik zëvendësues (Stenier: 1997: 4). Vargu: është koha e kryqëzimit, të gjithë jemi në kryq, dominimi i fjalës: [kryq+ kryqëzim (emër+folje)= Krisht] që shkruhet [5 herë], është si një reflektimi thelbësor teologjik i shekujve, është pikërisht njohja e kushtëzimit historik të pashmangshëm të fjalës së Zotit, interpreton paditurinë njerëzore (Scharlemann: 1981: 11).

    elementi i pabesisë dhe vdekjes (Kaini dhe Abeli, Juda, Pilati etj.), përmes vargjeve:

    Kam dashtë ta mbush një vjershë a tregim me dëshira biblike,/të ngjashme si në gjenezë,

    /por askund s’gjeta vend të sigurt për gjarprin e zi, pemën e dijes. Fjalët: lutjet, kisha, mëkatet,  mohimi, kryqi, Krishti, Shën Pjetri, Vatikan, tempulli, Juda, Pilati,Kaini dhe Abeli, Babeli,  Davidi dhe Goliati, kundër personazheve historike si: Gjergj Kastrioti, Pal Ëngjëlli, apo edhe personazhet letrare si: Zhak Prevez, Virgjili, Dante dhe Betraiçe, krijojnë normën estetike, që lexohen në sfondin e “përvojës së mësuar”, sipas një sistemi të qëndrueshëm pritjeje, ku Jauss i referohet Roman Jakobson, i cili donte të zëvendësonte “gjendjen kolektive të vetëdijes” me një “ideologji kolektive” në formën e një sistemi normash që ekziston për secilin. Se rebelimi dhe e pavetëdijshmja bashkë me Unin Poetik, janë thagma të trajektores së poetit, si projektimi i njeriut modern, që kërkon dritën shpirtërore të mbijetesës, përmes dashurisë më përtej vdekjes (Bloom: 1997: 18).

    Si përfundim: mesazhi njerëzor që përcjell poezia e Ukaj-t, është mesazhi i mungesës së dashurisë njerëzore, por akoma më shumë i asaj hyjnore, në endjen kuturu të njeriu postmodern, që ka humbur identitetin e tij, në kërkim të së vërtetës hyjnore, të mëshirës së Zotit. Besimi dhe dashuria, shpëton njeriun e sotëm, nga çnjerëzimi, nëpërmjet vargjeve:

    Vetëm kur qielli është blu,
    krejt blu,
    si dy sy të dashuruar blu.

    Ndërkaq,
    kur je në ujëra të trazuara,
    një arkë e vogël dhe një ishullth
    janë ëndrra të mëdha sa ato për pushtimin e universit
    .

    Ëndrrat e mëdha ekzistojnë”.


    BIBLIOGRAFIA:

    1.      Adorno, Theodor W. (1991):  Notes to Literature, Vol. 1, trans. Shierry Weber Nicholsen. New York : Columbia University Press.

    2.      Bibla. (2002): Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e re. (Mateu 27: 32-56, Marku 15: 21-38, Luka 23: 26-49, Gjoni 19: 16-37). Shoqëria Biblike Shqiptare, (SH.B.SH), Tiranë.

    3.      Bloom, Harold. (1997): The anxiety of influence, a theory of poetry:  New York, Oxford: Oxford University Press.

    4.      Dado, Floresha. (2020): Postmodrenizmi, poetikë e “antirregullit”, “Kristalina -KH”, Tiranë.

    5.      Eco, Umberto. (1990): I limiti dell’interpretazione, Bonpiano, Milano.

    6.      Fraj, Northrop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Anvi Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.

    7.      Harvey, David (1990) : The Condition of Postmodernity. Cambridge, MA and Oxford: Blackwell Publishing.

    8.      Ingarden, Roman. (1973): The Literary Work of Art: Evanston III.

    9.      Lightman, Bernard. (1987):  The Origins of Agnosticism: Victorian Unbelief and the Limitsof Knowledge.  Baltimore: Johns Hopkins University Press.

    10.   Parker, Fred: (2011): The devil as muse : Blake, Byron, and the adversary, Baylor, University Press.

    11.   Rigby, Kate (2004): Topographies of the Sacred: The Poetics of Place in European Romanticism. Charlottesville and London: University of Virginia Press.

    12.   Rugova, Ibrahim. (1996): Kahe dhe premisa, “Eurorilindja”, Tiranë.

    13.   Steiner, George. (1997):  Nostalgia for the absolute, Canada: House of Anansi Press.

    14.   Scharlemann, Robert. (1981): The Being of God: Theology and the Experience of Truth, New York: Seabury Press.

    15.   Ukaj, Ndue. (2004): Diskursi biblik në letërsinë shqipe, “AIKD”, Prishtinë.

    16.   Ukaj, Ndue. (2022): Retë prej drite, “Onufri”, Tiranë.

    https://www.academia.edu/13377247/Poetry_at_the_Risk_of_Criticism_in_Key_to_Modern_Poetry_by_Lawrence_Durrell

    Large-scale Analysis of Spoken Free-verse Poetry

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË