More
    KreuIn memoriamEmil Lafe: Ferdinand Leka, një mjeshtër i rrallë i gjuhësisë shqiptare

    Emil Lafe: Ferdinand Leka, një mjeshtër i rrallë i gjuhësisë shqiptare

    Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta

    Të gjithë ata që e kanë njohur prof. Ferdinand Lekën dhe kanë bashkëpunuar me të, e ndiejnë thellë sot mungesën e tij. Për moshën dhe përvojën e pasur, për dijen e gjithanshme dhe logjikën e arsyetimit ai ishte për ne Nestori i përhershëm, që na ndriçonte gjithfarë çështjesh, sidomos nga ato që nuk i gjen nëpër librat dhe studimet e botuara. Të rrije e të bisedoje me të, ishte përherë kënaqësi e përfitim dhe asnjëherë humbje kohe.

    Ferdinad Leka kishte lindur në Shkodër më 18 prill 1930 në një familje arsimdashëse dhe të emancipuar. Në qytetin e lindjes kreu gjimnazin e shtetit, një nga shkollat e mesme më të mira të vendit, ku përfitoi edhe nxënien e italishtes, të frëngjishtes, të latinishtes, të cilat arriti t’i zotërojë si një romanist me studime të plota universitare. Pas shkollës së mesme shërbeu disa vjet si nëpunës në Kukës. Siç e përmendte vetë me mirënjohje, kryetari i Komitetit Ekzekutiv, një burrë i drejtë, i mençur e shpirtgjerë nga Tepelena, e shikonte këtë djalosh shkodran gjithnjë mbi libra dhe një ditë e thirri në zyrë e i përgatiti dokumentet për studimet e larta, sipas procedurave të atëhershme. Në shtator 1956 Ferdinandi u regjistrua në degën e gjuhës e të letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua më 1960 me rezultate të larta. Po atë vit filloi punën në sektorin e terminologjisë të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë. Përpunimi e rregullimi i terminologjisë ka qenë gjithnjë një veprimtari shumë e vështirë, por në rastin e shqipes ajo gërshetohej me detyrën e mënjanimit të termave të huaj, duke i zëvendësuar me fjalë të gjuhës shqipe ose duke krijuar fjalë të reja nga brumi i shqipes. Fatmirësisht kjo punë e ndërlikuar ra në duar të mjeshtërve më të mirë të gjuhës shqipe në atëkohë: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Pashko Geci, Androkli Kostallari, Lirak Dodbiba – dhe në rrethin e tyre hyri edhe Ferdinand Leka. Ai diti të përfitojë gjithçka që duhej të përfitonte prej tyre, dhe i dha asaj veprimtarie gjithçka që duhej t’i jepte. F. Leka i ka bërë ballë me kompetencë punës së gjerë të sektorit dhe me dijet e me përvojën e tij ka ndihmuar që të ecin përpara e t’i bëhen bashkëpunëtorë të afërt edhe kolegët më të rinj që hynë pas tij në atë detyrë.

    Fryt i veprimtarisë së gjuhësisë shqiptare në fushën e terminologjisë është seria e pasur e fjalorëve terminologjikë shumëgjuhësh (mbi 30 fjalorë), që përmbajnë me dhjetëra mijëra terma. Në shumicën e tyre është derdhur edhe mendimi, përvoja dhe puna e lodhshme materiale e F. Lekës, veçanërisht në fjalorët e degëve të ndryshme të mjekësisë, të ekonomisë, të së drejtës, si edhe të mekanikës, gjeologjisë, arkitekturës, gjuhësisë, letërsisë, gjeografisë, hidraulikës. Nga kjo veprimtari e gjatë, që ka shkuar krahas me studimin dhe njohjen e teorisë e të praktikës europiane në fushën e terminologjisë, kanë dalë edhe një varg studimesh, artikujsh e kumtesash të tij, të botuara në shtypin shkencor.

    Puna për terminologjinë e çoi F. Lekën edhe drejt interesimit më të gjerë teorik për leksikologjinë e leksikografinë. Në vitet 1975–1980 ai u përfshi në grupin e hartuesve të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), ku i takoi të hartonte fjalët e shkronjave N, S dhe një pjesë të mirë të fjalëve të shkronjës P (gjithsej 4600 fjalë). Për vite me radhë, pak nga pak, por me hapa të sigurt, me një bashkëpunim të frytshëm me poliglotin e përkthyesin Zef Simoni, hartuan një fjalor italisht-shqip me rreth 50 mijë fjalë (botimi i parë 1986 dhe më pas disa ribotime të plotësuara e të përmirësuara). Ky ishte i pari fjalor dygjuhësh me përmasa të tilla e me kritere të leksikografisë moderne në vendin tonë. Ai u pasua nga fjalori shqip-italisht po prej këtyre autorëve (botimi i parë 1996). Këtyre iu shtuan më pas: “Fjalori i ri kompakt italisht-shqip dhe shqip-italisht”, “Fjalori themelor italisht-shqip” / “Dizionario Fondamentale Italiano-Albaneze”.

    Për marrëdhëniet e dendura që kemi pasur dhe kemi me kulturën, shkencën dhe qytetërimin e shprehur në gjuhën italiane, fjalorët e mësipërm i kanë shërbyer dhe i shërbejnë një numri të madh përdoruesish. Krahas kësaj, me kujdesin që kanë treguar autorët, këta fjalorë kanë shërbyer edhe për të pasqyruar e për të hedhur në përdorim shumë fjalë e shprehje pak të njohura të gjuhës sonë. Një meritë që duhet përmendur është saktësia e leksikut terminologjik në këta fjalorë. F. Lekën e shqetësonte gjithnjë përdorimi i panevojshëm dhe jo rrallë i pasaktë i fjalëve të huaja. Për këtë botoi edhe një doracak me këshillime e udhëzime për mënjanimin e një vargu fjalësh të huaja (A mund të flasim dhe të shkruajmë pak më shqip?, 2018).

    Në fushën e gjuhësisë F. Leka ka dhënë ndihmesë me vlerë duke redaktuar e përgatitur për botim disa punë të vyera të paraardhësve, të mbetura në dorëshkrim. Të tilla janë: studimi “Neologjizmat e K. Kristoforidhit”, i hartuar nga Kolë Ashta; vepra “Fonetika” (dispensë e vitit 1947) e Kostaq Cipos (botim i Akademisë së Shkencave); “Fjalor arbërisht-shqip” i Kolë Kamsit (botim i Universitetit të Shkodrës).

    Gjatë jetës së tij shkencore F. Leka ka përshkuar rrugën e gjuhësisë e të kulturës shqiptare. Ai ka marrë pjesë në një varg veprimtarish shkencore e kulturore, ku ka sjellë ndihmesën e vet, që mbështetet mbi veprimtarinë praktike dhe përshkohet nga një mendim racional dhe i peshuar. F. Leka ka qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), ku mbajti një kumtesë origjinale dhe me vlerë të përhershme “Disa çështje që lidhen me drejtshkrimin e poezisë”. Si gjuhëtar me horizont shkencor të gjerë dhe njohës i thelluar i teorisë dhe praktikës së formimit të gjuhëve letrare edhe në vende të tjera, ai e ka përkrahur veprimtarinë e gjuhësisë sonë në këtë fushë. Ndonëse i rritur me një dialekt të dallueshëm nga gjuha e sotme standarde, njohës dhe studiues i traditës letrare të shkrimtarëve shkodranë, veçanërisht i Gjergj Fishtës, F. Leka e ka vlerësuar, me bindje shkencore, standardin e sotëm letrar si një zhvillim organik të procesit të lëvrimit të shqipes, që përmbush kërkesat e shprehjes gjuhësore të Botës Shqiptare në të gjitha fushat e veprimtarisë, dhe zhvillohet e pasurohet më tej, duke u ushqyer nga të gjitha burimet e trevave të gjuhës shqipe. Ai ka dhënë një ndihmesë të shquar duke e lëvruar shqipen standarde dhe duke e pasuruar veçanërisht me përkthimet e disa veprave madhore të autorëve të huaj, si: Francesco Petrarca “Lirikat”, Alessandro Manzoni “Të fejuarit”; Erazmi i Roterdamit “Lavdërimi i çmendurisë”; Stefan Zweig “Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit të Roterdamit” etj. Këtu duhet shtuar edhe përkthimi cilësor nga anglishtja i librit të Faik Konicës “Shqipëria, Kopshti Shkëmbor i Europës Juglindore”. Në të gjitha këto shquhet prirja letrare dhe shija e tij stilistike e përpunuar. Fryt i interesave të F. Lekës në fushën e letërsisë dhe të stilistikës është edhe “Fjalori i termave të letërsisë” (2013, 459 fq.), një libër shumë i vyer sidomos për mësuesit e letërsisë, që meriton të ribotohet posaçërisht edhe për shkollën. Në këtë fjalor të bën përshtypje puna e kujdesshme dhe e vijueshme e autorit për të ilustruar termat e fjalorit me shembuj sa më përfaqësues të vjelë nga vepra të letërsisë shqipe.

    F. Leka kishte interesa dhe kureshtje shkencore për gjithçka që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, po edhe me mendimin filozofik e shoqëror të njerëzve të shquar të botës, me historinë e doktrinave fetare, me artin. Disa nga veprat që lexonte vetë, i ka përkthyer shqip dhe ka plotësuar mungesa të ndjeshme në bibliotekën e veprave themelore të atyre fushave. Libra të tillë janë: “Antologji e Historisë së Kohës së Vjetër, Qytetërimet e Lashta, Lindja e Lashtë, Greqia, Roma, Ilirët”; “Historia e Kishës. Zhvillimi i Jetës së Kishës nga Rrëshajet deri në ditët tona” nga teologu Michel Lemonnier; “Jezusi i Nazaretit” – një nga veprat e papës Joseph Ratzinger; “Botëkuptimi i Dostojevskit” dhe “Zanafilla e kuptimi i komunizmit Rus” dy vepra të filozofit rus Nikolai Berdjajev; “Një mjeshtëri për të jetuar” nga André Maurois – shkrimtar, akademik i Francës; “Për të kuptuar muzikën e sotme” nga Henry Barraud – kompozitor, dirigjent dhe kritik muzikor francez.

    Që nga vitet ‘90 F. Leka i ka kushtuar vëmendje të veçantë studimit letrar të krijimtarisë së Gjergj Fishtës, duke përmbledhur në disa shkrime meditimet dhe vëzhgimet shumëvjeçare rreth veprës letrare e kulturore të pashembullt të Gj. Fishtës. Si vëzhgues e studiues i jetës sociale të popullit tonë, F. Leka ka trajtuar tema shkencore edhe nga historia fetare dhe veçoritë e qëndrimit të shqiptarëve ndaj fesë. Shkrimet e tij studimore nga fusha e gjuhësisë, e letërsisë, e kulturës dhe e jetës shoqërore janë përmbledhur dhe botuar në vëllimin “Shkrime gjuhësore, letrare, sociale” (2007, 520 fq.). Duke lexuar këtë libër, njeriu përshkon një shkollë, njeh një përvojë jo vetëm vetjake të autorit, por edhe të shkencës shqiptare të kohës

    F. Leka lënë pas vepra me vlera të përhershme dhe një shembull të admirueshëm të pasionit për shkencën dhe të përgjegjësisë shkencore e qytetare ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës letrare në vështrimin e gjerë të fjalës. Për këto ai do të mbetet një personalitet i gjallë dhe veprues në filologjinë dhe kulturën shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË