More
    KreuLetërsiShënime mbi libraElsa Skënderi: “Viti i gjelit” një dramë familjare e letërsisë çeke

    Elsa Skënderi: “Viti i gjelit” një dramë familjare e letërsisë çeke

    Roman nga Tereza Boučková, “Ombra GVG”

    Tolstoi do të shkruante një herë e një kohë se të gjitha familjet e lumtura janë të ngjashme, ndërsa secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet. Një dramë të këtillë palumturie, në mënyrën e vet, e ka sjellë çekja Tereza Boučková në romanin “Viti i gjelit”. Ky roman autobiografik, i përkthyer nga çekishtja prej Ani Hafizit, është ndër prurjet e rishta të shtëpisë botuese “Ombra GVG” dhe sjell një shije të letërsisë çeke të ditëve tona.

    Motivi i raporteve familjare është me gjasë më i përhapuri në historinë e letërsisë dhe më i lëvruari, po ashtu. Drama familjare shfaqet si në kryevepra letrare, qysh prej tragjedive greke, ashtu edhe në veprat më periferike të sistemit letrar. Në të tilla drama, raportet familjare herë krisen prej një krimi të tmerrshëm, herë prej një raporti incestor, herë prej ankthit të kompleksit frojdian, herë prej mospërputhjes botëkuptimore mes brezave e herë të tjera prej pabesive a tradhtive, prej depresionit a psikopative, prej vështirësive ekonomike, sfidave sociale a personale.

    Në një kohë kur ideologjia e epokës që po jetojmë, për fat, e do dhe e përkrah antiracizmin, Tereza Boučková rrëfen subjektin delikat të një familjeje, që është bërë e tillë – familje, pas birësimit të dy djemve, foshnja, të komunitetit rom. Mandej, falë providencës, krejt papritur dhe përkundër gjasave biologjike të shterpësisë pas dy shtatzënive të dështuara, familja shtohet edhe me djalin e tretë, kësaj here biologjik. Por me rritjen e dy djemve të birësuar, rrëfimtares dhe të shoqit të saj, Marekut, iu shtohen telashet, familja i ngjan një qelqurine, krisja e të cilës ka marrë udhë nëpër gjithë enën. As gjithë dhembshuria, përkushtimi, përkujdesja vetëmohuese e dy prindërve nuk mjaftojnë që dy djemtë e birësuar, romë të kenë një jetë normale dhe të jenë pjesë e një familjeje normale (çfarëdo kuptimi që vetë fjala normale mund të ketë).

    Djali i madh, Patriku, përfundon i droguar, rrugëve, pa një punë, pa një letërnjoftim, i kërkuar nga shërbimet sociale, i kërkuar nga policia, pa adresë. Nuk e shpëton dot dashuria e prindërve, që e birësuan qyshse ishte foshnje, që të vetmen lidhje e kishte me biberonin e qumështit. Boučková shkruan: “E kujtoj shumë mirë gjendjen e mjerë të fëmijëve tanë, kur i morëm nga instituti. Nuk reagonin ndaj zërit njerëzor – sikur të ishin të shurdhët. Nuk kthenin kokën kur dikush ishte duke folur. Sytë e tyre nuk ndiqnin me shikim një njeri por vetëm biberonin e tyre. […]E si të mos ndjesh mëshirë për ata? Si të mos i duash? Si të mos iu japësh dashurinë që u është mohuar?

    Djali i dytë i familjes, Lukashi, i ngjan fort Patrikut. Ai nuk shkollohet, nuk ndjek dot asnjë normë të imponuar nga rregulla e përgjithshme, madje ka dhe dorë. Terezës dhe Marekut iu duhet të fshehin çdo gjë, sepse ai vjedh çdo gjë me vlerë, që mund të gjejë nëpër shtëpi e të ruhesh prej dikujt brenda familjes është një makth i vërtetë. Me rritjen edhe Lukashi merr udhët drejt paudhësive, drejt drogës po ashtu. Ndërsa prindërit i gërryen lodhja sfilitëse për ta kthyer në udhë të mbarë, për ta ndërgjegjësuar për njeriun e matur që duhet të bëhet. A janë Lukashi dhe Patriku, të tillë për shkak të racës së tyre? Çështja që ngrihet është e kahershme – në thelb kemi të bëjmë me debatin antropologjik  nature vs. nurture[1]. A bëhet fjalë për pasojat e rritjes, që me ç’tregon Tereza ka qenë e patëmeta sa u takon kushteve dhe përkushtimit ndaj fëmijëve? Apo bëhet fjalë për pasojat e prirjeve të natyrshme, që i dikton gjenetika e përkatësia racore? Përkundër dy djemve të birësuar, djali biologjik i familjes, Mateji, ka një sjellje krejt tjetër, për të rrëfimtarja shkruan: “Mateji është djali i mbarë si gjithmonë (i merr të gjitha 10-a notat në shkollë dhe kjo gjë më jep shumë kënaqësi)” (174). Diskutimi këtu është në teh të një qasjeje raciste. Por rrëfimi nuk duket se ka nota të nëntëshme djallëzie racore, përveçse lexuesi e di që romani është autobiografik, rrëfimtarja është thjesht një nënë e rraskapitur prej prapësive fatale të fëmijëve të saj të birësuar:

    [Mami] duke na parë kaq të rraskapitur për shkak të Lukashit thotë: Nuk do të ndryshojë. E ka brenda. Romët janë të tillë, duhet ta marrësh ashtu siç është, ju duhet të dorëzoheni vetë. Nuk është e vërtetë! Jo të gjithë romët janë të tillë! Të dorëzohemi? A jetohet përgjithmonë me portofolin e fshehur nën sqetull, të mbyllësh gjithçka, të fshehësh gjërat nga frika se mos zhduken dhe të mos jetosh me zhgënjimin e vazhdueshëm që një djalë, cilin e morëm shtëpinë e fëmijës për t’i dhënë një jetë mirë, na vjedhë dhe sakaq të ulet çdo natë tavolinën tonë? [..]Ne nuk mund të dorëzohemi para kësaj jete që na imponon Lukashi, vetëm sepse romët janë të tillë. Nuk dua që djali im të jetë i tillë. Unë nuk dua të heq dorë! (248).

    Ngjarjet në roman rrëfehen në formën e shënimeve të një ditari, pa data në krye të secilës pjesë, por me stilin e pastrukturuar tematikisht të një ditari. Rrëfehen ato që Terezës i janë dukur të rëndësishme, që i ka përjetuar si ndodhi, por duke i ikur rrëfimit të detajuar, kronologjik të andrallave të çdo dite. Rrëfehet jeta siç ndodh dhe synimi i rrëfimit të tillë është çlirimi:

    Të vetmet përjashtime janë këto shënimet e mia, që i shkruaj me të shpejtë dhe i vë mënjanë që mos të mbytem në to. Kuptoj që edhe pse ditët janë më të shkurtra dhe se çdo përpjekje e imja sado e fortë për t’u kapur pas punës për të shpëtuar familjen time të përbërë në mënyrë artificiale, është e kotë […] (191).

    Rrëfimtarja i ikën cerimangës së ndërliktë të jetës familjare, sa herë që ndjek ngjarjet e jetës kulturore të Pragës, filma, teatro, skenarë që lexon apo artikuj që shkruan vetë. Për këto, gjatë gjithë romanit jepen në mënyrë të thukët përshtypje e mbresa, duke e bërë librin një album të këndshëm recensash, që vlejnë edhe si receta artistike për lexuesin bashkëkohor të veprës, i cili i ka pjesë të enciklopedisë së tij ditunore, ato vepra arti që ceken e gjykohen në romanin e Boučková-s. Këto recensa e ftillojnë edhe referencën kohore në vepër, teksa koha e dëshmuar qartë bën që të kuptohet më mirë konteksti i gjerë social dhe të aktualizohet një dramë familjare, e cila evokon përkitazi sprova të afërta a të ngjashme, që shumëkush i ka përjetuar dhe në familjen e vet.

    Kësisoj, në vepër gjithë rituali i jetës sfiduese familjare, problemet me fëmijët, detyrat e përhershme për mirëmbajtjen e shtëpisë, gjendja e rënduar psikologjike ndërthuren me ritualet e një gruaje të angazhuar me art, çka qartësisht e ripohon idenë e kamotshme të artit si formë pastrimi shpirtëror.

    Në Shtetet e Bashkuara po ndodh një uragan. Te ne është çdo gjë e qetë. Politikanët zihen gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Ministri i Kulturës nuk ka bërë akoma asgjë për të mirën e kulturës, por është dobësuar, ka rënë disa kile dhe nuk duket më si një bonbon. Abonimin që kisha me gazetën e kam anuluar një vit më parë dhe tashmë i ndjek lajmet nga radio dhe televizori. Gjithçka duket e qetë përveç uraganit. Hapa sërish “Dělat film”/ “Të bësh një film”, librin e Federiko Felinit. Është një balsam për shpirtin tim. (71) 

    Një film në kinema a një libër është arratisja ngushëlluese prej realitetit të hidhur të përditshmërisë. Në shtjellën e vështirësive familjare, pasi ndihet e dështuar në rolin e saj të nënës, kriza depresive dhe tek e fundit jeta, që thjesht ndodh ─ siç i ndodh çdokujt, e bën rrëfimtaren të ketë nevojë për një mbështetje të shprehur, të qartë, inkurajuese:

    A ka në këtë botë ndonjë që më mendon? Kush është? Le të vijë te unë. Të vijë të më shtrëngojë. (112)

    Në një familje në krizë, pashmangshëm në krizë është edhe raporti bashkëshortor. Mareku, i shoqi i Terezës, shpëtimin e gjen te udhëtimet e stërgjata me biçikletë, ndërsa ajo ndjen që ka nevojë të thekshme për vlerësim prej tij. Për një kohë i bëhet se shpëtimin mund ta gjejë te një lidhje jashtëmartesore. Një flirt me një burrë më të madh në moshë dhe ideja ëndërrimtare e një dashurie tjetër, të ndaluar, që do t’ia kthejë emocionet për jetën.

    Kur iu rrëfeva mamasë sime që edhe pse e doja Marekun, u dashurova me dikë tjetër, e pyeta: Si është e mundur të ndodhë kjo? Çfarë duhet të bëj? Ajo m’u përgjigj: Mos e moho, dashurinë nuk duhet ta mohosh kurrë. […] Kam përbrenda dy forca kundërshtare, dashurinë për Marekun dhe dëshirën për t’u zhytur në një dashuri të re. Po vdes nga dëshira. (93-4).

    … edhe jeta vijon, me të njëjtin ritëm të marrë ndërliksjeje. Lukashi, në ecejake mes institutit social të riedukimit ─ shtëpisë (më tepër në raste festash) ─ rrugës (si destinacion i pashmangshëm magnetik), mësohet se ka lënë shtatzanë Evën 15-vjeçare. Tashmë Terezës dhe Marekut, të lodhur edhe ekonomikisht, iu shfaqet dilema e marrjes përsipër të një jete të re, detyra prej gjyshërish ndaj një foshnjeje, që ka për të ardhur në jetë pashmangshëm, pa u pyetur; një foshnje e hedhur në botë!

    Fundja, siç thoshte filozofi Hajdeger, ne, të gjithë, jemi të hedhur në botë. Por ja që e njerëzishmja brenda nesh, na bën t’i mbajmë afër më të brishtët ndër ne, qofshin ose jo ata të gjakut tonë. E njerëzishmja mëton ta bëjë hedhjen në botë më pak traumatike. Por, edhe një herë një vepër letrare, i.e. “Viti i gjelit”, e dëshmon në mënyrë fiksionale se individit gjithsesi i duhet të dojë të kapet e të mbahet, duke u treguar edhe vetë i njerëzishëm ndaj fijeve e lidhjeve, të cilat për fund shpien te kuptimi i qenies në botë.


    [1]  A përcaktohet personaliteti i njeriut nga gjenetika (natyra) apo nga mjedisi ku rritet (ushqyerja).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË