More
    KreuOpinionElona Kola: Fëmijet e sotëm shqiptarë dhe gjuhët shumëngjyrëshe

    Elona Kola: Fëmijet e sotëm shqiptarë dhe gjuhët shumëngjyrëshe

    Në një ditë te zakonshme në aeroportin e Tiranës është e natyrshme të të tërheqin vëmendjen copëza bisedash të vogla aty-këtu midis udhëtareve, fëmijëve dhe prindërve të tyre, gjysmë në shqip e gjysmë në gjuhë të huaj. Vecanërisht në kohën e pushimeve e stinës të verës në plazhet tona është mëse normale të ndeshësh fëmijë të vegjël qe komunikojnë lezetshëm me njerëzit përreth tyre në italisht, greqisht, anglisht, gjermanisht etj, dhe të tjerët qe buzëqeshin teksa i vështrojnë. Në kushtet e sotme ku numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve është pothuaj i njëjtë me atë brenda tyre dhe dimensioni i lëvizjes është ingranuar thellë, tashmë asnjë nuk çuditet kur përballet me bashkëbisedime në gjithfarë formash e mënyrash ku shqipja ndërvepron me gjuhët e tjera në nivele nga më të ndryshmet deri në situata krejt komike. Aktualisht, pothuaj te gjithë shqiptaret kanë te paktën një lidhje familjare, shoqërore apo biznesi me botën e jashtme, dhe mendoj se të gjithë e kemi përjetuar këtë larmishmëri gjuhësh ku shpesh ka një dozë përzierje të shqipes me të tjerat.

    Çështja e dy apo shumë-gjuhësisë nuk mund të diskutohet më nëse është “mirë” apo jo, pasi ky fenomen është prezent dhe i rëndësishëm për shqiptarët, e sigurisht që është edhe një çështje opinioni, por si i mësojmë fëmijët me gjuhët e dyta dhe si ia përcjellim atyre trashëgiminë e shqipes është jetike për kombin tonë.

    Familjet që kthehen në Shqipëri me fëmijët e tyre përjetojnë një lloj vështirësie kalimtare përsa i përket gjuhës, por kjo kapërcehet lehtësisht (shprehen ekspertët, por dhe praktika e ka treguar) pasi fëmijët flasin me gjuhën e lojës dhe të shokëve, pra çdo ekspozim që ndodh, çdo leksion apo edhe detyrë nëse jepet para se gjithash ne formë argëtuese dhe me tone zbavitëse përvetësohet më pas ne formë informuese dhe edukuese. Sigurisht, së bashku me përfshirjen ne shkollë dhe disiplinat mësimore, mundësohet edhe një integrim i shpejtë. 

    Mësimi i gjuhëve të huaja ka qenë dhe është një faktor shumë i rëndësishëm për ekzistencën dhe prosperitetin e shqiptarëve, por kjo gjë në të kaluarën ishte njëlloj detyrimi/privilegji më shumë i të rriturve, ndërsa tani vërejmë me kënaqësi që fëmijët po i mësojnë ato gjithmonë e më tepër nga ana praktike e i flasin me rrjedhshmëri e lehtësi që është për t’u patur zili. Të nxitur për shkak të mass-medias dhe internetit, ekspozimi ndaj gjuhëve te huaja është mjaft i gjerë, e para besoj anglishtja, por edhe gjuhët e tjera nuk mbeten shumë pas. Për fat te keq, nuk i kushtohet ky kujdes dhe vëmendje gjuhës shqipe e cila është deformuar dhe varfëruar disi, dhe në aspekte jo te vogla e për arsye te shumta, por edhe kjo nuk duhet parë me sy krejt pesimist.

    Nga ana tjetër, niveli i shqipes se fëmijëve që janë lindur, rritur dhe jetojnë jashtë Shqipërisë është në proporcion të drejtë me nivelin e përdorimit te gjuhës shqipe nga prindërit. Parësore mbetet pa dyshim, gjuha e përditshme, ajo më te cilën ata përballen në më të shumtën e kohës dhe kryejnë aktivitetet kryesore e nuk duhet të kalohet në ekstreme. Duhet pohuar që në vendet e huaja ku mungon arsimimi formal në shqip është tejet e vështire të mësohet e ushtrohet gjuha e shkruar dhe e lexuar me forma gramatikore të rregullta, por jo e pamundur. Thelbësore është që ata ta dëgjojnë e ta dëgjojnë pa pushim, pasi është një fakt universal i ditur që fëmijët do flasin atë gjuhë qe dëgjojnë më shumë. Pushimet e verës shërbejnë shumë mirë për këtë qëllim dhe është ngazëllyese kur sheh fëmijët e vegjël që pa u sforcuar flasin me gjyshërit e tyre në shqip pasi nuk kanë rrugë tjetër dhe e kthejnë gjuhën sipas interesit të tyre.

    Në ushtrimin dhe përdorimin e një gjuhe të dytë, mbi te gjitha, ka të bëjë qëndrimi i relaksuar por edhe i vazhdueshëm i prindërve. Përveç rasteve kur janë lëndë mësimore, nëse do t’i prezantojmë femijët me një gjuhë të dytë, 5-10 fjalë të reja dhe 15 minuta ushtrime çdo dy ditë bëjnë diferencën, pa i detyruar ata të thellohen në gramatikë dhe të memorizojnë pafundësisht tekste të vështira. Nëse bëhet me detyrim apo nuk është argëtuese, fëmija e sheh si një detyrë klase apo shtëpie dhe shpejt e humbet interesin. Është fat kur prindërit e flasin të dy një gjuhë te dyte, por edhe në të kundërt, çdo njohuri ne një gjuhë tjetër duhet te konsiderohet si dhuratë. Pse te mos flitet gjuha e nënës kur ajo flet shqip?

    Përmirësimi dhe vazhdimësia e mësimit te gjuhës shqipe në emigracion, nuk duhet parë si një lloj anakronizmi apo një gjëje të “vjetër” me ngjyrime inferiore, por përkundrazi, të shihet si epërsi e tipareve kulturore dhe si një fije e fortë që na bashkon te gjithëve kudo nëpër botë. Komunitetet e kombësive të tjera mundohen me fanatizëm të ruajnë nëpër breza gjuhën e tyre e pse të mos e bëjmë edhe ne? Shqipja ka patur një rrugë fort te mundimshme, por vazhdon të jetë gjuha jonë e gjallë, e jemi entuziastë që numri i shqipfolësve është më i madh se kurrë ndonjëherë. Le t’i mësojmë brezave që vijnë gjuhën e Naimit e të Fishtës e të mos e lemë mbas dore këtë gjuhë, “trashigim, që na i la i Pari”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË