More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEldon Gjikaj: Variante në kërkim të invariantit, “beu” te Noli, Kuteli dhe...

    Eldon Gjikaj: Variante në kërkim të invariantit, “beu” te Noli, Kuteli dhe Xoxa

    Në një sistem letrar kombëtar, personazhi, i lidhur organikisht me autorin dhe tekstin, sintetizon elemente të tjerë të tij, sidomos në korrelacion me institucionet dhe kontekstin socio-politik në kohë. Kjo qartësohet edhe më shumë në ato prerje sinkronike kur sistemi shtrëngohet të dalë nga zhvillimi natyral, siç është edhe rasti i letërsisë shqipe. Historikisht, skalitja e personazhit në zhanrin e prozës ka shenjuar krejt etapat evolutive të letërsisë europiane e botërore, madje jo rrallë të cilësuara nën emrat e tyre.

    Në letërsinë shqipe, proza, konkretisht romani, lëvrohet me vonëse krahasimisht me letërsitë e tjera, por gjithsesi ka një traditë të sajën e cila përmes teksteve më cilësor funksionon si një proces koherent edhe me rimarje temash e motivesh duke synuar evolumin e zhanrit. Pjesë integrale e këtij procesi, me termat e letërsisë së krahasur do të thoshim transmetimi, ndikimi, apo vazhdimësie, është edhe personazhi.

    Nga kjo optikë, strukturimi i personazhit të “beut” mbetet një çështje me interes, edhe prej faktit se gjendet te disa prej autorëve qëndror si Kuteli dhe Xoxa. Për më tepër, siç e ka vënë re qysh herët mprehtësisht Vehbi Bala, kur flet për lidhjet mes letërsisë shqipe dhe asaj rumune, nëse do të flisnim për një model rrëfimor në prozën shqipe të themeluar nga Kuteli, ndryshe rrëfimi kutelian, Jakov Xoxa është vëzhduesi më i përpiktë i tij.  Afërmendsh që elementi ideologjik sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, mbetet përcaktues në steriotipet mbi të cilat sendërtohet ky personazh. Më herët është Noli i cili në disa nga poezitë e tij, veçanërisht tek ato me shtrat të fortë politiko-satirik e ka të pranishëm figurën e beut, por vetë lirika e brendashkruan kufizimin në selitjen e personazhit krahasimisht me prozën. Gjithësesi “beu”, apo “bejlurçina” është shenjestër e shpeshtë e Nolit publicist.

     “Beu” shfaqet si një personazh “ikonik” në rrëfimin Vjeshta e Xheladin Beut të Mitrush Kutelit, një nga rrëfimet më të njohura të tij, që jo rastësisht është rrëfimi i parë në vëllimin e parë të veprës letrare të autorit, botuar në pesë vëllime në vitin 1989[1]. Fillimisht autori ka botuar një variant të sajin në revistën “Shqipëria e Re” Bukuresht në vitin 1929 për ta ripunuar shumë kohë më pas në vitin 1965. Varianti i parë, me titull Në vjeshtën e jetës, ka një vëllim shkrimor shumë më të pakët se varianti i dytë. Ndërkohë krahasimi mes tyre ofron mundësi për të dekoduar nivelin semantik të tekstit, apo qëllimin e autorit në raport me lexuesin. Ky rrëfim i Kutelit tradicionalisht është interpretuar si kulminacion i “përgjithësimit shoqëror dhe mishërim ideoartistik i temës antifeudale”[2], interpretim i përqëndruar në figurën e Xheladin Beut me fundin e tij të hidhur. Në këtë hulli rrëfimi shihet në koherencë me rrëfimet e tjera të Kutelit, “Natë kollozhegu”[3] dhe ”Natë muaji shëmbitër”[4], të cilat kanë si personazhe qendror figura bejlerësh veseli të zvetnuar moralisht që i shkojnë të keqes deri në fund; tek i pari Olloman beun dhe te i dyti Kahreman Beu.

    Specifikat semantiko – formale që ofron teksti “Vjeshta e Xheladin beut”, në përplotësim të njëra tjetrës, japin mundësi për një qasje interpretative krejt ndryshe, të cilën e kam trajtuar në një punim të mëhershëm, thelbi i të cilit qëndron te përveçimi i Xheladin beut si personifikim i një individi të zvetënuar deri në palcë në aspektin psiko-social, tashmë në zgrip të jetës, por jo si një figurë përgjithësuese në aspektin klasor.

    Personazhi i Suat bej Vërdhomës në romanin “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës në aspektin historiko letrar shqiptar mbetet nga më të interpretuarit jo vetëm sa i përket prozës së autorit, por letërsisë shqipe në përgjithësi. Përveç mjeshtërisë së Xoxës për të gdhendur në aspektin estetiko-poetik një personazh të vërtetë, domethënë të besueshëm në rrafshin receptiv, çështje kjo e trajtuar tashmë hollësisht nga tradita kritike, mendoj se përmes këtij personazhi mund të ndriçohet një tjetër kënd i prozës së Xoxës, që dëshmon fort cilësinë e ideolektit të tij. Referuar termave të formalistëve rus konkretisht Propit, Shkllovskit dhe Tomashevskit në romanin “Lumi i vdekur” njësitë narrative bërthamë, që gjenerojnë sekuencat narrative në intervale të ndryshme brenda rrjedhës së narracionit, të qendërzuara dhe zhvilluara prej personazhit Suat bej Vërdhoma, dëshmojnë një koherencë të plotë sipas dialektikës rrëfimore fabul-thurje narrative, e cila pa asnjë ekuivok dëshmon jo vetëm punën qelizore të autorit me tekstin, por edhe talentin e tij. Nëse do të bëhej një ndërhyrje mekanike në roman, duke shkëputur dhe bashkëngjitur të gjithë segmentet shkrimore, theksoj kronografikisht dhe jo kronologjikisht, sepse vepra shpesh ka introspektivë, ku personazh është Suat bej Vërdhoma do të përftonim një strukturë tesktore pothuajse krejtësisht të vetmjaftueshme, e cila me ndërhyrje minimale mund të funksiononte si një vepër më vete, e organizuar plotësisht sipas rendit rrëfimor shkak-pasojë, raport ky i qëmtuar hollësisht në fushën e estetikës dhe filozofisë, qysh nga Aristoteli, Hjumi, Kanti, etj.

    Një fenomen i tillë veç talentit të autorit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë edhe e formimit të tij solid në fushën e teorisë së letërsisë siç na dëshmohet prej kontributit konkret tekstit “Hyrje në shkencën e letërsisë”, të vitit 1969. Bashkëekzistenca e shkrimtarit dhe studiuesit në entitetin krijues Jakov Xoxa, sjell pashmangshëm një nivel të tillë organizimi shkrimor në romanin “Lumi i vdekur”. Shqetësimin e tij për rëndësinë e aspekti formal në tekst ai e paraqet në trajtë ekspilicite në një shkrim kritik në revistën “Nëndori”, nr. 2, 1963, “Rreth dy problemeve të prozës sonë”. Xoxa, përtej argumenteve ideologjikë, pothuajse me një qëndrim kontravers, krahasimisht më të tjerë, përqendrohet në rëndësinë e elementeve formale në një tekst letrar: “Këtu  unë do të merrem me dy probleme kompozicionale. Me ekspozicionin si element kompozicional dhe përdorimin e tij dhe me marrëdhëniet mes intrigës dhe të kolizionit në disa nga veprat tona në prozë”. Nga kjo premisë shqyrtimi që ai u bën në vijim disa prej romaneve më të njohura të periudhës, është një kritikë e rreptë e ceneve të tyre strukturore, duke u nisur nga parametra teorik dhe jo ideologjik.

    Personazhi Suat bej Vërdhoma, ndonëse shfaqet shumë me episodik krahasimisht me personazhet e tjera, funksion si një qendëe centripete dhe centrifugë në të gjithë shtjellën narrative të romanit, sepse e tërë thurima rrëfimore buron prej tij dhe thuket tek ai, sidomos në pjesën përmbyllëse të veprës.

    Një çështje që nuk mund të shpërfillet asesi sidomos për tekste të letërsisë shqipe të shkruara në periudhën 1945-1990, konkretisht shqyrtimin e aftësisë së tyre për të zotëruar atë që Jausi në estetikën e receptimit e përkufizon si “receptim në potencë”, ndryshe pasjen e atij universaliteti, që e bën tekstin letrar të përhershëm. Për këto tekste mendoj se duhen patur në qendër të vëmendjes konceptet e njërit prej përfaqësuesve të fundit të formalizmit dhe strukturalizmit Jan Mukarovski vepra e të cilit vlerësohet si një çast kulmor në mendimin europian në fushën e estetikës dhe teorisë së artit reth viteve ’30-të ’40-të. Në veprën “Funksioni, norma dhe vlera estetike si fakte sociale” ai shkruan: “Stabilizmi i funksionit estetik është një çështje që i përket kolektivitetit dhe funksioni estetik është një përbërës i raportit mes kolektivitetit dhe botës. Prandaj një disponim i caktuar i funksionit estetik në botën e gjërave është e lidhur me një kompleksitet social të caktuar”.

    E pra për këto tekste ky “komplekstit social i caktuar” mbetet vendimtar për të kuptuar qëllimin, realizimin dhe funksioninimin e tyre, si edhe për të shestuar njëfarësoj cilësinë estetike. “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës mbetet një nga veprat më të rëndësishme të traditës romanore shqiptare, madje një vepër unike, por ndërkohë ky tekst veçanërisht sot e ka domosdoshmërisht të nevojshme një glosar shpjegues, i cili me sa di është hartuar në serinë e veprave, por që ka nevojë të zgjerohet për një lexues më të shumtë.


    [1]  Mitrush Kuteli Vepra letrare 1-5, Naim Frashëri, Tiranë 1989

    [2]  Nasho Jorgaqi Parathënie, po aty fq.26

    [3]Po aty, fq.105

    [4]Po aty, fq.202

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË