More
    KreuArte pamoreEdison Çeraj: Hapësirë e braktisur

    Edison Çeraj: Hapësirë e braktisur

    Kujtesa për gjërat e së shkuarës nuk është e rëndësishme të jetë kujtesë për gjërat siç kanë qenë. (Proust)

    Më së pari le të shpjegojmë se çfarë shenjon termi “hapësirë” në këtë rast: bëhet fjalë për çdo hapësirë private apo publike që nuk gëzon më “fatin” e të qenurit e përdorshme apo e banuar, pra që nuk e kryen më funksionin për të cilin është dedikuar. Kaq mjafton për ta rikonsideruar nga pikëpamja artistike, për të parë përtej një funksioni të dhënë apo të pritshëm. Është një rast ku ndërhyrja artistike krijon një marrëdhënie me arkitekturën, urbanistikën, konsumin dhe të banuarit, pse jo dhe me të ardhmen, duke na dhënë një dorë për t’i kuptuar jo ashtu siç na ofrohen këto fenomene, që kanë një ndikim të theksuar në jetën e secilit nga ne.
    Për aq sa një hapësirë është e braktisur, është gjithnjë një mundësi për diçka më shumë sesa funksioni. Funksioni është gjithnjë konkret, i parashikueshëm, i lidhur me një interes kryesisht material. Pra, nganjëherë kemi nevojë për çfunksionalizim, sepse çfunksioni lidhet me të jetuarit, kurse funksioni me të ekzsituarit/banuarit.
    Një hapësirë e lënë në harresë – përkohësisht –na fton të kujtojmë e të mendojmë sa për të shkuarën, po aq dhe për të ardhmene saj. Ndërsa e tashmja e kësaj hapësire, duket sikur provokon një joshje për artistin e kësaj kohe, për të përftuar kështu një përmasë tjetër nga ajo e zakonshmja, peng e së cilës po bëhet çdo hapësirë, duke qenë se jetojmë në “mbretërinë e sasisë” (Guénon), apo siç thuhet rëndom, nën diktaturën e tregut (të planifikuar).
    Megjthëse është zhvendosja njerëzore (si kërkim) që i jep statusin e braktisur një hapësire të caktuar, mbase është kjo e fundit që na braktis ne, jo ne atë. Fjala vjen, shtëpitë “e vjetruara” përbëjnë një rast të llojit të vet në këtë kontekst. Duket sikur nuk i meritojmë, sepse tashmë udhëhiqemi si pa e kuptuar nga një tjetër mendësi e nga të tjera sjellje – krahasuar qoftë dhe me prindërit tanë – për sa i takon raportit me banimin, mirëqenien dhe të bukurën.

    Rrënimi i shumë shtëpive të hijshme dhe zëvendësimi i tyre me pallate pa konak e shënjon dukshëm këtë braktisje, e cila po bëhet çdo ditë e më shumë tëhuajësuese.
    Ajo çfarë mund “të mbjellim” në një hapësirë të tillë është krejt personale, në varësi të shumë faktorëve të jashtëm e të brendshëm. Ndërsa zhvillimi i kësaj fare varet nga rrethanat që jetojmë, të cilat mund t’i kthejmë në favorin tonë përmes aktit artistik, që na ndihmon ta rishohim dhe ta ripërtërijmë marrëdhënien tonë me atë që markohet si “aktuale” apo “aktualitet”, gjë që përbën një mundësi të llojit të vet për ta njohur më mirë këtë të fundit; jo ashtu siç na paraqitet, por siç është, dhe mbi të gjitha se si mund të jetë.
    Pa dashur të japim përcaktime, këtu nuk bëhet fjalë për të ashtuquajturin “art të angazhuar”, por thjesht për një reflektim pamor mbi “të braktisurën” dhe gjurmën që ajo lë mbi ne si qenie-në-botë, e më pas edhe si qenie në polis – “qytet”.
    Natyrisht që qyteti mund të shihet edhe si një histori apo kronologji braktisjesh dhe gjetjesh të reja, gjë që konvencionalisht njihet si zhvillim.
    Një hapësirë e braktisur ka gjithnjë diçka për të na thënë për zhvillimin ose për atë që jemi dhe kemi sot.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË