More
    KreuKinematografiEdi Muka: Rrfime t’tjera

    Edi Muka: Rrfime t’tjera

    Të gjithë kemi patur rastin të përjetojmë çaste vendimtare në jetë – çaste kur rrjedha e lumit të jetës sonë përplaset me diçka që e bën të ndërrojë drejtim. Kjo diçka mund të jetë një njeri, një vend apo një ndodhi që mbetet e rrënjosur thellë brenda nesh. Vetëm kur kthejmë kokën pas në një moment reflektimi, mund t’i shquajmë këto çaste si shenjues që përkunden në detin e mjegullt të kujtesës, duke na mundësuar të vërejmë trajektoren që jeta jonë mori në atë çast për t’u bërë ajo ç’ka është sot. Askush s’mund ta dijë si do dukej jeta jonë nëse nuk do të ishte përplasur me këto shenjues…

    Një k’sisoj momenti për mua ka qenë udhëtimi në Shkodër për të marrë pjesë në meshën e parë masive që i parapriu rënies së komunizmit. Ajo u mbajt më 11 Nëntor 1990, pas njëfarë tolerance të regjimit karshi lirive fetare, dhe një javë pas meshës së parë – një meshë e vogël në varrezat e Rrmajit. Megjithë shenjat e dobëta të hapjes nga pushteti, pjesëmarrja në meshë ishte ende një ndërmarrje e rrezikshme. Por njerëzit u dyndën nga të gjitha anët. Së bashku me një grup shokësh klase ne i kërkuam leje profesorit të estetikës për t’u larguar më shpejt, që të mund të kapnim trenin për në Shkodër. Unë kisha qenë në Shkodër edhe më parë për të vizituar mikun tim të vjetër, Adrianin. Çdo udhëtim ishte emocionues sepse Shkodra për mua ishte vendi i rrëfimeve të fshehura, madje të ndaluara, të cilat na zbulonin një botë të ndryshme nga ajo me të cilën na konin përditë. Por ai udhëtim ishte i veçantë sepse për herë të parë në jetën tonë, ato histori, gjërat e ndaluara, po dilnin në pah. Dhe ne do të mund t’i përjetonim në vetë të parë, në mish e gjak, aty ku gjithçka po ndodhte. Adriani e hapi shtëpinë e tij për ne atë natë për të na strehuar të gjithëve.

    Sot, shumë vjet më pas, e njëjta shtëpi që na strehoi atë natë është rindërtuar. Ajo është bërë Art House / Shtëpia e Artit, dhe vazhdon të mikpresë, madje shumë e shumë të tjerë. Dhe unë kam nderin sërish të jem mysafir i saj. Këtë herë, së bashku me Tean e Zefin, po sjellim diçka me vete – një përzgjedhje filmash e videosh nga artistë që do të jenë pjesë e Ekranit të Artit 2023. Filmi, së bashku me fjalën e shkruar dhe të folur, është një nga mjetet më të përsosura që ne njerëzit kemi për të krijuar e përcjellë rrëfime. Rrëfimet nuk rreshtin kurrë së magjepsuri, na informojnë dhe na frymëzojnë e madje kanë dhe fuqinë të na shërojnë. Ato na tregojnë mbi të kaluarën e na ndihmojnë të përfytyrojmë të ardhmen. Por ato edhe mund të keqpërdoren, të na manipulojnë e të kthehen në propagandë për pushtetin, cilado qoftë forma e tij. Filmat që ne kemi përzgjedhur sjellin rrëfime të patreguara mbi njerëz, vende dhe ngjarje, të kahershme dhe bashkëkohore. Ashtu si rrëfimet e ndaluara të Shkodrës vite më parë, ato na ndihmojnë të zbulojmë një realitet të ndryshëm nga ai që na ofrohet dhunshëm nga makineria gjigante e fjalëve dhe imazheve. Ato na flasin për jetë të vogla që janë guri i themelit i shoqërive tona; na tregojnë për trashëgimninë e kolonializmit në botën ku jetojmë, për margjinalizimin e bashkësive, për ngritjen e racizmit në sistem dhe për efektet dramatike që logjika e përfitimit me çdo mjet ka në shkatërrimin e mjedisit. Por ato hapin gjithashtu dritare të shndritshme mbi përpjekjet dhe arritjet shpresëplota të lëvizjeve për drejtësi shoqërore, mbi botën e mahnitshme tej-njerëzore që na rrethon, mbi poezinë e së përditshmes dhe magjinë e parezistueshme të këngës dhe muzikës.

    Unë e di që nuk është e lehtë të sfidosh pikpamjet mbi botën të ngulitura në vite e shekuj ashtu siç nuk është e lehte të sfidosh makineritë e fuqishme që prodhojnë rrëfime në shërbim të pushtetarëve të kohës sonë. Por historia ime e vogël me Shkodrën ka treguar se kjo gjë është e mundur. Prandaj jam i lumtur që permes Ekranit të Artit, Shkodra edhe njëherë kthehet në vendin e rrëfimeve të tjera.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË