Kreu Letërsi Bibliotekë "E verdhë mbi të zezë", cikël poetik nga Nafije Zogaj

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ

dielli u shkëput nga yjet
që i rrinin larg zërit të zi të natës
u buzëqeshi paramilitarëve
si fëmija kafshëve të egra

gjethe të gjelbërta filluan të binin

një vajzë e re
mbështetur për lisi
asgjë nuk po kuptonte
jashtë librit që i ra nga duart


NJË NJOLLË SI HUKAMË

pasi nxorën nga thellësitë e tokës
një copë të ngurtësuar qielli
nuk ia dolën kurrsesi ta pastrojnë pamjen
para kokës së zogut
që i shiheshin këmbët e vogla
nga një njollë
si hukamë


KUKËS 1999

Një fëmijë i gjetur pas dy muajve,
nuk donte të kthehej te prindërit e tij.
Jo që i kishte harruar,
por nuk i njihte.


TOJA E PATIKËS

askush nuk e dinte përse
mes qindra të të rrethuarve në luginë
paramilitarët zgjodhën
katërdhjetëedy
për t’ua këputur
perin e jetës

një djalë njëmbëdhjetë vjeç
një, jo numër katërdhjetëetre
me t’i parë paramilitarët kah afroheshin
e kishte shtrënguar zemrën aq fort
sa i kishin dalë flatrat

dhe pa zhurmë
ishte shkëputur
nga prehri i nënës ku ishte strukur
nga frika se do ta vrisnin
edhe rrugës për në qiell

epilog:

nëna
e cila e kishte hapur një gropë
shpejt e shpejt
“sa mos t’ia linte trupin mbi dhe
e t’ia hanin qentë”
ende nuk ka arritur në qiell

nëpër zemër i lidhet
toja e patikes së djalit
që s’kishte arritur
t’ia mbulonte mirë


MINDILI I BARDHË

nën qiellin pa zogj
ku korbat kthehen të parët
sapo nata të zbardhë

një nënë
ia mbyll sytë
që e shihnin
me një habi të përsosur
si të mos e njihnin
djalit të saj

i merr erë

nxjerr
nga xhepi i jelekut të zi
mindilin e bardhë
fytyrën ia mbulon

mbase frikësohen kafshët e egra

mbase vrasësit
mbase engjëjt
kur të ktheheshin
do ta vërenin

që ai tashmë ishte
përfundimisht i vrarë


E VERDHË MBI TË ZEZË

Bllacë, 1999

përtej gropës së askujt
ku pranvera nuk kishte pështymë
t’i lagte me gjuhë
buzët e bëra shkrumb

e verdhë mbi të zezë
vezullonte një vijë

e hollë
si vija ndarëse
mes jetës dhe vdekjes


DIKU NË RRUGËN E QUMËSHTIT

Për ata që e përjetuan 1 Prillin e 1999-tës në Bellanicë

si zog pa kokë
dita dha shpirt në duart e shiut
që kishte filluar të binte
mbi natën që po flinte në këmbë

e lagur gjer në palcë
nata me hapa të rëndë
e varros të vdekurën në hënë
pastaj i lyen me të zezë
rrugët tokë qiell

(ishte luftë
dhe vdekja ngjyrën e zezë e kishte)

diku në rrugën e qumështit
një yll kthehet në xhuxh të bardhë


SA TË JETË GJALLË

nëna kishte katër fëmijë
që të katërt ia kishin vrarë
nuk lejoi t’i varrosnin as te varrezat e dëshmorëve
as te ato të fshatit

i varrosi në oborr
t’i ketë sa më pranë

t’u thotë çdo ditë mirëmëngjes
çdo natë natën e mirë
t’u dërgojë ndonjë gjë për të ngrënë
e për të pirë

sa të jetë gjallë


MENDONTE SE PO FLUTURONTE

duke ikur nga krismat e gjuetarëve
një zog u dha krahëve fort
fort

fluturoi derisa pa
pasqyrimin e tij
mbi sipërfaqen e ujërave të kaltër

atëherë
i lumtur shtriu krahët

nuk e dinte se po binte


HISTORIA E NJERËZIMIT

shtatë burra të armatosur gjer në dhëmbë
ia shqyen rrobat asaj
ia zhveshën
dhe kur erdhi puna te lëkura
në të me thonj
që i ngjyenin në jargë
filluan të shkruajnë
historinë e njerëzimit

vetëm i shtati e vërejti
që ajo nuk ishte aty
prapa syve të saj
të hapur


PA E DITUR SE ENDE ISHTE

pa e ditur se ende ishte
u zgjua
nën një të çarë qielli
nëpër të cilën hynin e dilnin
zogj

ca njerëz e pyetën kush ishte
nga vinte

sa bukur ecnin

ata buzëqeshnin

ajo nuk e tha asnjë fjalë
deri ditën kur në shiritin lëvizës
në fund të ekranit të TV-së
ku kërkoheshin të humburit nga lufta e fundit
në Kosovë
pa shkronjat e emrit të saj

që tërhiqeshin nga ana e majtë e shiritit
sikur ky i fundit të ishte vonë
për ta zënë tokën në rrotullim


RRËFIMI I LËNË NË GJYSMË

e la në gjysmë rrëfimin
e lëshoi bluzën
i mbuloi gjinjtë e shpuar
nga plumbi
që kishte përshkuar fëmijën e saj

dhe filloi t’i ngushëllonte
të pranishmit
që po qanin


KTHIMI NË ATDHE

gjatë kthimit në atdhe
një refugjat
nuk zbriti nga autobusi në ndalesën
ku shoferi e lajmëroi emrin
e fshatit të tij

diellin që flinte përmbi varreza
sikur e njihte
por shelgjet te stacioni
nuk ishin
nuk ishin as shtëpitë
në të djathtë

NJË KOMENT

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Lindita Tahiri: Zija Çela ka krijuar një autoritet të ri, atë të lexuesit

1 Kur përuroi romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, Zija Çela u paraqit në sallë përballë gazetarëve pa asnjë kritik...

Dhjetë poezi nga Antonella Carmen Caggiano

Përktheu nga orgjinali Eda Agaj Zhiti Italia dhe poezia kanë një përbashkësi të vijueshme si bregu me detin, do...

“Njerëz prej buke”, tregim nga Faruk Myrtaj

Gardiani nuk po bëhej i gjallë dhe unë u ngrita. Në një hapësirë si e kësaj qelie, të ngrihesh...

Feride Papleka: Frymëzimet bodleriane të poezisë së Shuteriqit liceist

Në vitet e para të liceut francez të Korçës, një ngjarje e rrallë i trazoi ëndrrat dhe dëshirat e Shuteriqit të ri....

KATEGORITË