Përktheu Roland Gjoza
PLATONI I THOTË
platoni i thotë
atij se nuk mund
t’i besojë (jezus
i thotë atij se
nuk mund t’i besojë)
lao
tsze
i thotë atij
i sigurtë dhe
në përgjithësi
(po
mam)
sherman;
ndonjëherë
(i beson
ose
jo) ti
i thua atij; unë i them
atij; ne i themi atij
(ai nuk e beson këtë, jo
zotni) kjo tërheq
dhe kureshtjen
e një gjashtëvjeçari
avenue
el; e ka në majë të gjuhës; për t’i thënë
atij
(SEPSE TË DUA) NATËN E SHKUAR
sepse të dua) natën e shkuar
e mbështjellë e tëra me alga
m’u shfaqe
mendja jote shkoi me
mbetje perlash, koralesh, gurësh
lart u ngrite dhe (para syve të mi
re dhe u fundose) brenda në ujë trupi yt drithëronte; butë
fytyra jote lëshoi një të qeshur si gargarë
prej vdekjes; e mbytur fillikate
përsëri prej thellësisë me shumë kujdes
ngrite duart
këmbët ngrite
dhe u zhduke
duke nxituar butësisht, duke shkarë si me platitje, pastaj humbe me shpejtësi
në ëndrrat e mia të fundit
natën të gjitha janë të tuat
trupi dhe shpirti yt notojnë
mbështjellë me
shkulmet monotone të baticës
pëlqej trupin tim kur bashkohet me trupin
tënd. dhe kjo duket si një gjë krejt e re.
muskujt bëhen më të bukur dhe nervat gjithashtu.
pëlqej trupin tënd. pëlqej çdo gjë që i përket atij,
pëlqej si janë krijuar hiret e tua, pëlqej kur të prek shtyllën kurrizore
dhe kockat aty –këtu, brinjët e gjata, te lakuara dhe rrëqethem
me fortësinë dhe butësinë dhe s’ndalem
duke prekur dhe shtrënguar gjithçka
dhe përsëri dhe përsëri dhe përsëri
të puth, pëlqej kur të puth dhe pëlqej kur ti
më puth, aq butë, aq ëmbël, dhe befas
ndizemi në një trallisje e molisje të ëmbël
trupi yt elektrik sikur bëhet fir dhe
trupi im gjithashtu
dhe ç’vjen pas puthjeve as vetë s’dimë ç’është..
dhe sytë e mëdhenj shqyer prej një dashurie të madhe
ne ato të çara të vogla blu
e
ç’mund të pëlqej më tepër se këtë drithërimë të bukur?
nën trupin tim trupi yt një gjë krejt e re
DHE E PARA ËSHTË NDJENJA
dhe e para është ndjenja
kush ka kujdes të tepruar
për një sintaksë të bukur
kurrë thellësisht s’ka puthur
tregohet veç idiot
ai që s’vë re
se pranverën i dha bota
gjaku ma provon këtë gjë
puthja është më e fortë
se dija e filozofit
zonjë, të betohem për të gjitha lulet, mos qaj
vargu im më i bukur është më pak i rëndësishëm
se dridhja e qepallës tënde, e cila sikur më thotë
ne jemi për njëri- tjetrin; pastaj ti qesh
më hedh duart në qafë
për jetën ky s’është paragraf
dhe vdekja nuk është parantesë.
profesioni im është të jetoj, thotë
dikush (i cili nuk mund të sigurojë bukën
ngaqë të shesë kokën nuk mund)
pret me durim një pergjigje polemi
dy bilion morra publikë brenda
në një palë pantallona (që kanë vdekur)
dinë të nxjerrin lule prej çdo gjëje gishtërinjtë e tu
që me prekjen e parë
dhe flokët e tu dinë të krijojnë orë dashurie
të shumta
me një ëmbëlsi të madhe
që s’është parë kurrë
dhe këndon dhe reciton
kaq bukur
(megjithëse dashuria zgjat një ditë)
s’ke më frikë, sot është festë perëndish
hapi yt i bardhë si kristal humb e përhumb
gjithmonë
sytë e tu me lot mësojnë lojën e puthjeve
kaq të çuditshëm duken kur të shikojnë
këndojne dhe recitojnë
(megjithëse dashuria zgjat një ditë)
për artin e vajzës që di të sjellë prej gjërave lule
buzët e tua gjëja më e ëmbël dhe më e madhe në botë
ndonëse kaq të vogla duken
vdekjen do thërras sikur t’i kërkoj një lutje
nëse shtrëngimi yt
më mungon
(megjithëse dashuria zgjat një ditë)
dhe jeta s’ështe asgjë, po qe se s’ka më puthje
jo shumë kohë më parë
apo në një tjetër jetë
duke ecur në errësirë
takova Krishtin
jesusin) zemra
më shpërtheu nga kraharori
e lashë në ajër
gjersa ai kaloi (dhe
ishim afër si unë me ty
fare afër ishim
s’ndodhi asgjë
përsëri vetmi
* * *
nuk janë të bukura zonjat e Kembrixhit, ato jetojnë
me ritet tradicionalë dhe kanë mendje të shkathët
(bekojnë vajzat në kishat protestane
pa aromë spiritualiteti, në dalldi pasioni)
besojnë në Krisht dhe në Longfellou, të dy të vdekur,
dhe kanë interes të përhershëm për gjëra të tilla;
përpiqen të gjejnë se cila dorë e fshehte dhe e mprehte
ka shkruar për atë polakun dhe kështu ngrihet thashethemnaja
mbi skandalin e zonjës N me profesorin D
. . . zonjat e Kembrixhit nuk pyesin fort
për Kembrixhin dhe në qoftë se kur e kur
në kutinë e qiellit pa fund prej livandoje
kërkellin hëna si një copëz sheqerke e flakur
mbaroi
Buffalo Bill
ai
që përdorte për vrapim një bukuriujërash- të argjendta
hamshori
dhe mbyste njëdytrekatërpesë pëllumbatëngjashëm
me Jesusin
ai ishte një burrë i bukur
dhe ajo që dua të di është
si i pëlqeu aq shumë ata sytëblu aq të qeshur prej foshnje
Mister Vdekja
DIKUSH JETON NË QYTETIN E BUKUR
dikush jeton në qytetin e bukur
(bashkë me kambanat që bien me kumb)
pranverë verë vjeshtë dimër
ai s’ka dhe kërcen dhe ka pa fund
gra dhe burra (bashkë me të vegjël dhe pleq)
kujdesi për ta nuk është siç duhet
ata mbjellin dhe s’bëjnë të njëjtën gjë
diell hënë yje shi
fëmijë iluzionist (pak prej tyre
harrojnë që një ditë do të rriten
vjeshtë dimër pranverë verë)
askush s’do t’i dojë aq dhëmbshurisht
prej këtij çasti dhe prej një flete në pemë
ai qesh dhe gëzon ai qan dhe trishton
zogu në borë qe ende flatra s’hap
eshtë si dikush që shumë i ngjan
dikush martohet me atë që do
të qeshura qarje dhe kërcime me def
(gjumë zgjim shpresë dhe të tjera) ata
kurrë s’flenë që të shohin ëndrra
yje shi diell hënë
(dhe vetëm bora e di sesi
femijët harrojnë fëmijët kujtojnë
bashkë me kambanat që bien me kumb)
një ditë dikush do vdesë kur t’i vijë
(dhe askush s’do ndalet të puthë fytyrën e tij)
njerëzit janë të zënë, nga një vend në tjetrin
nga i vogël më i vogël, ishte dhe s’është
të gjithë si të gjithë dhe thellë e më thellë
shumë e më shumë ëndërrojnë të flenë
asnjë dhe dikush toka dhe prilli
bekuar nga shpirti që thotë po
gra dhe burra (bashkë me ding dang ding)
verë vjeshtë dimër pranverë
sërish fillojnë të mbjellat dhe ata shkojnë e vijnë
diell hënë yje shi
E MBAJ ZEMRËN TËNDE
NË ZEMRËN TIME
e marr zemrën tënde me vete (e mbaj në
zemrën time) nuk harroj asnjëherë ta mbaj në zemrën time
(kudo që shkoj unë, shkon dhe ti, e ëmbla ime, çdo gjë që bën ti
e bëj dhe unë, e ëmbla ime, nuk kam frikë
nga fati (ti je fati im, e ëmbla ime,) nuk e dua
botën (ti je bota më e bukur, kjo është e vërteta)
ti je çfarë ka ëndërruar gjithmonë hëna
çfarë ka ëndërruar dielli të bëjë, ti je kënga
këtu është sekreti më i thellë që askush nuk e di
(këtu është rrënja e rrënjës dhe sythi i sythit
dhe qielli i qiellit të një peme që e ka emrin jetë, e cila rritet
më lart se sa shpirti dhe mendja mund ta fshehë) dhe
kjo është mrekullia që i mban yjet larg
e marr zemrën tënde me vete (e mbaj në zemrën time)
DIKU KU NUK KAM UDHËTUAR ASNJËHERË
diku ku nuk kam udhëtuar asnjëherë, gëzueshëm dhe përtej
çdo përvoje, sytë e tu ruajnë heshtjen e kësaj të panjohure,
në gjestin tënd më të imtë janë gjërat që më kanë robëruar
të cilat nuk mund t’i prek sepse i kam fare pranë
vështrimi yt më i pavëmendshëm do të më mbyllë brenda
megjithëse unë e kam mbyllur veten si gishtërinjtë
ti përherë më hap petale pas petalesh ndërsa pranvera shfaqet
(duke prekur vrullshëm dhe misteriozisht) trëndafilin e saj të parë.
në qoftë se ti dëshiron të më mbyllësh, jeta ime
do të shuhet në mënyrën më të bukur dhe krejt papritur
si zemra e këtij trëndafili teksa imagjinon dëborën
kur bie prej lartësisë me heshtjen e fantomës
asgjë që ne shohim në këtë botë nuk është e njëllojtë
pushteti i fuqisë tënde është kaq i brishtë; sa kjo
më detyron me gjithë ngjyrat e vendeve që i përkasin kësaj bote
të jap vdekjen time për ty në çdo frymëmarrje
(unë nuk e di çfarë të pëlqen që më mbyll dhe
më hap; vetëm diçka sigurisht unë e kuptoj
zëri i syve të tu është më i thellë se të gjithë trëndafilat)
dhe askush, madje as shiu, nuk ka duar kaq të vogla.