Nga Lodève ia dëgjoj oshtimën.
Ali Podrimjes
Për një grusht ujë i etur,
Për pak paqe, shpirti munguar.
Kokën e mbështete në tokën e dritës,
Me një buqetë të vogël ndër duar.
Por, tani s’ndihem më vetëm,
Se këtu afër, pranë meje,
Shpirti yt këndon ende këngë,
Nga Lodève ia dëgjoj oshtimën.
Një vjeshtë pa ty
Një vjeshtë pa ty, sa e trishtuar,
M’u duk një vit, një vit i gjatë.
Në stolin bosh gjethembuluar,
Ka mbetur veçse një degë e thatë.
Një vjeshtë pa ty, kujtimet lagur,
Nga qielli që pikon veç shi litarë.
Në rrathë pellgjesh vështroj hutuar,
Përhumbem, kohës ëndërrvrarë.
Një vjeshtë pa ty, mall i largët,
Ikje që nuk njeh më kthim.
Lamtumirë gjethesh në kalbje,
Diell që shuhet në perëndim.
Dy zëra në një
Në heshtje, në ngjethje,
Pa frikë, pa zë, pa fjalë,
Rrimë strukur prej mërisë
Dhe prapë presim diçka.
S’më fole, s’të fola,
Lojë fëmijësh.
Unë humba, ti fitove,
S’të dëgjova, s’më dëgjove.
Ndaj humbëm të dy,
Se heshtja s’qe më flori.
Atëherë, kush ndjeu më shumë mall
Nga kjo heshtje-largësi,
Unë apo ti?
Zënë si fëmijë
Në skaje mërie të kotë.
Dashuria ka ftohtë!
Nata
Rrugët bosh,
Vetëm semaforët regëtijnë, japin shpresë.
Një dritë në fund të rrugës
Më tërheq dhe aty e fiksoj vështrimin.
Natës, dritat brenda ndërtesave
I japin ngjyrë gri.
Vetëm qielli është i paanë dhe i pastër,
I gjithëpushtetshmi i kësaj nate.
Në heshtje i falem, si në një kube kishe,
Dhe heshtja më flet me një gjuhë që vetëm unë e kuptoj.
Ulem të të shkruaj ty,
Fjalë shpirti që ikin drejt qiellit.
Ti
Ti më flet për një dashuri të re,
Ndërsa numëroj gjethen e fundit,
Shkërmoq në duar kujtimet e vjeshtës.
Ti më flet për trishtimin tënd,
Ndërsa të shoh si për herë të fundit.
Shkëmbehemi edhe në mendime si ditë-nata.
Kurrë s’u përqafuam njëkohësisht me diellin