More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga Sami Milloshi

    Dy tregime nga Sami Milloshi

    NJË DITË SI SHUMË TË TJERA…

    Sot është një ditë gri. Diell nuk duket kurrkund. Veç bie një borë e imtë si sheqer.

    Me që nuk kemi ndonjë punë të madhe për të bërë, Daniela më tha se kishte dëshirë të ndiqnim sëbashku inaugurimin e presidentit.  Tunda kokën në shenjë miratimi.

    Dan, siç i them unë për shkurt, është një grua e ve që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Nuk ka asgjë për t’u shënuar si e veçantë në pamje fizike. Por ka një kuriozitet të habitshëm për jetën private të të tjerëve. Ajo i tregon pa ngurresën më të vogël hollësitë e privacisë së saj.  Sa herë më bie rasti ta takoj , gjëja e parë që vërej është nguti që ka të më tregojë se ose ka ndërruar shtëpi, ose dëshiron ta nderrojë.

    Herën e fundit që e ndërroi shtepinë ishte bërë shkak një komshi. Ai, sipas Dan, ankohej se vajza e saj , shkaktonte trazira në katin e përbashkët ku banonin. Se për çfar trazirash e kishte fjalën unë asnjëherë nuk e mora vesh sepse Dan gjithherë kur e hapte këtë temë linte diçka të mjegullt.

    Unë nuk kisha ndonjë kuriozitet të madh për natyrën e trazirave që ndoshta vërtet i shkaktonte vajza e Danielës. Thjesht dija se ajo i kishte kapërcyer të tridhjetëepesë vjetët dhe se koleksiononte pensionin që i kishte lënë babai i ndjerë. Ajo po ashtu ,siç më kishte thënë Dan, kishte plus një shumë parash që i merrte për shkak të një paaftësie mjeksore që nuk e lejonte të punonte.

    – Punon jot bijë?- e pyesja unë Danielën sa herë ma hapte temën e trazirave të së bijës.

    – Ta kam thënë me dhjetra herë – gjegjej Dan – që ajo nuk punon sepse ka justifikim nga doktori. Por ti, ose nuk dëgjon nga veshët ose nuk ke vëmendjen kur flas unë. Ti nuk je as francez, se kam dëgjuar se francezët nuk e dëgjojnë fare bashkëbiseduesin, por kur mbaron së foluri ai, thonë çfar u vjen nëpër mend…

      – Nuk është as njera as tjetra – I them unë Danielës. – Thjesht unë jam i semurë i një lloji tjetër. Nuk dua ta ndërpres punën për veten time. Dhe cilido që më vjen përballë më bëhet ta pyes :” çfar pune bën ti?”

     – Të isha unë në moshën tënde , do ta kisha lënë punën, do kisha dalë në pension- thotë Daniela  me një lloj triumfialiteti .

      – Edhe mund të dal- i them – por nuk kam vendosur ende se ku do ta kem varrin dhe kjo nuk është dilemë e vogël për mua.

      – Po çfar dileme ke more zotëri ? Aty ku vdes aty varrosesh dhe kaq e thjeshtë është puna. Vjehrra ime do ta lerë Coloradon dhe do vijë te jetoje këtu në Massachusetts . Po e ndërron vendbanimin jo se do të vdesë pranë meje, por se ka shpresë se këtu mund ta kapërcejë një shekull jetë…

    – Nuk është aq e thjeshtë i them. Ne kemi nje proverb në vendin ku jam lindur unë që thotë se ” Guri i rënde peshon në vend të vet!”

    – Mos do të më thuash se në pragun e vdekjes do të kthehesh andej nga ke ardhur?

     – Nuk e thashë atë. Se nuk e dij pragun. Por kam dëgjuar nga disa miq të mij se është shumë bukur të vdesësh aty ku ke lindur…

     – Gjepura – tha Daniela- vdekja njëlloj është për të gjithë : e shëmtuar, e dhimbshme…Dhe mizore!

      – Po pse thonë disa që vdekja është kapak floriri?

     – Sepse rrojnë me mite- tha Dan  .- Ti duhet të kesh ndonjë arsye tjetër që nuk do të dalësh në pension, një arsye, të cilën nuk ma thua mua për kushedi se për çfar shkaku….

    Më zuri ngushtë. E para herë që u dorëzova t’i them Danielës diçka që e mbaja sekret.

     – E kam një arsye. I kam dhënë një premtim mikut tim John Stif  kur ai ishte tetëdhjetëepesë vjeç dhe vazhdonte të punonte me mua.

     – E ç’ na qenka ky premtim?

     – I kam thënë se do ta kisha si model kur të vinte puna për të vendosur se kur do të dilja në pension.

    – Ti qenke i marrë, do vazhdosh të punosh deri në moshën tetëdhjetëepesë vjeç, si Johni?

     – Mos thuaj ashtu Dan të lutem- Johni qe pasqyra ku unë shihja veten time. Si më la babai kur fluturoi në qiell , unë vetëm te Johni i kisha sytë. Sepse ai , njësoj si im atë,ngrihej që pa zbardhur drita , pinte një kafe, hante një çapë bukë dhe nisej në punë.

      Johni kishte edhe endërra …

     – E çfar endërrash mund të ketë një njeri kur mbërrin dhe i kapërcen të tetëdhjetat?

    – E ke gabim. Johni më tha një ditë se dëshironte të mësonte Spanjisht dhe të bëhej mesues Spanjishteje… Më ka befasuar aq shumë me atë ëndërr sa më ka lënë të shastisur dhe, që prej asaj dite unë jam tjetër njeri…Në fillim më kapi gazi dhe ashtu me një qesëndisje të butë i thashë:” John ti je bash në lulen e rinisë, mund të bëhesh mësues i shkëlqyer Spanjishteje. Madje mund të përkthesh edhe Markezin dhe Rulfon…

    Ai e kuptoi dhe ma ktheu ” Mos u tall, e kam seriozisht që dua ta mësoj Spanjishten…” Dhe heshta i trembur që e teprova me shakanë time.

    – Johni paska qenë si vjehrra ime. Ajo i ka mbushur nëntëdhjetëetre vjeç dhe përsëri thotë se kur të mos jetë në gjendje të ngasë makinën e saj , do futet në një kurs të marrë një patentë për pilote. ” Nuk dua të vdes pa ngarë një çarter timin” më tha një ditë…

    – Lum ti çfar vjehrre paske – i thashë unë Danielës , dhe u kujtova se i kishim premtuar njëri tjetrit  të shihnim inaugurimin e presidentit.

    Pashë orën. Ishin mbushur plot tre orë që Daniela dhe unë kishim biseduar kodra pas bregut të harruar nëpër mite e nëpër proverba.

    Kur Daniela e hapi televizorin të shihnim ceremoninë e inaugurimit të presidentit, gjithshka kishte mbaruar.

     Ishim tepër vonë.

     Jashtë sheqeri i deborës kishte mbuluar barin e tharë të kampusit të universitetit.


    PESË VJET NË MOSHËN TIME

    Nuk e mbaj mend se sa herë më kishte pyetur Josh se ç’moshë kisha, por sa herë që më pyeste i përgjigjesha me një kundërpyetje:

      – Sa thua ti Josh?

     Ai zakonisht m’i ulte nja pesë vjet, por unë asnjëherë nuk e mora vesh arsyen se pse m’i ulte vitet e moshës: donte të më bënte qejfin apo vërtet ashtu i dukesha. Pastaj , si e mësonte të vërtetën ,me një tis të mjegullt trishtimi në sy më bënte një pyetje tjetër:

    – Çfar do të bëje ti me këto pesë vjet që t’i ula unë, sikur ta fillojë jetën nga e para?

     – Varet se ku është ky pesë vjetësh – i thosha unë.- Po të isha pesë vjeç do t’i lutesha babait të m’i tregonte përrallat më mirë, sepse për çudi nuk e mbaj mend plotësisht asnjë nga përrallat që më tregonte ai.

    – Po pse ,nuk t’i tregonte mirë përrallat babai?

     – Pikërisht.Atëhere unë nuk e dija arsyen. Tani e di.

     – Dhe cila ishte?

    – Ngaqë ai kishte mbetur jetim. Ia kishin vrarë babain. Atij nuk i kishte treguar përralla babai. Dhe, ato që më tregonte ai mua , më shumë ishin sajime të tij , se sa ishin përralla…

    Kjo është arsyeja që edhe unë nuk dij të tregoj përralla. Dhe gjithë këtë gjëmë unë e gjej tek plumbi që i mori jetën gjyshit.

    – Dyshoj – thoshte Josh si filozof i lashtë- Je i sigurtë ti që po të mos qe vrarë gjyshi yt, yt atë do të dinte t’i tregonte përrallat?

     – Po – i gjegjesha unë – Së paku jo të gjitha përrallat që më tregonte do të kishin një fund të lumtur. Ato fundet e përrallave, ishin njësoj dhe për mua prandaj ishin edhe të mërzitshme. Në fund babai gjithnjë thoshte ” Dhe ata u martuan, bënë shumë fëmijë dhe rrojtën të lumtur”…

    Atëhere unë nuk e merrja vesh pse babai i mbyllte me lumturi përrallat, por tani e di arsyen.

      -Dhe cila është? pyeste Josh.

    – Ai nuk donte që unë të mbetesha jetim , si ai – ishte gjegja ime.

      Josh është bosi im. Është nja dhjetë vjet më i ri se unë. Kapelja me strehë ia tregon moshën e vërtetë. Por , kur ai e heq kapelen i duket rrafshi pa flokë i kokës, dhe një vijë thinjash pas, që e bëjnë të duket po aq sa e kam moshën unë…Pra, dhjetë vjet më i vjetër nga sa është në të vërtetë.

    Dje u kujtua sërish të më pyeste se cfar do të kisha bërë unë me ato pesë vjet që më tregojnë më të ri nëse do ta rifilloja jetën në moshën njëzet vjeç.

     – Do të isha martuar – Josh- dhe do bëja më shumë fëmijë sepse e kam peng që nuk ia kreva amanetin gjyshes.

     – Po pse nuk ia kreve ti amanetin gjyshes?

    – Kur unë u bëra me fëmijën e dytë, gjyshja qe verbuar. Nuk mund ta shihte djalin tim. Por, ajo më tha se “kur të bësh tjetrin, të tretin, do të më kthehet shikimi, dhe kur të bësh të katërtin do të shoh edhe hënën si bukë çerepi në qiell dhe do ta pres një dash për ty…”

    Unë u martova vonë, dhjetë vjet më vonë nga mosha që do kisha zgjedhur të martohesha me mendjen që kam sot.

    Dhe  gjyshja iku e verbër nga kjo Botë.

    – Duket sikur të ka mbetur peng- tha Josh.

     – Më i madhi peng që më ka mbetur- i thashë.

     Më dhimbset Josh se nuk ka cfar të tregojë për veten. Nuk e dij pse, po ai gjithnjë kërkon të zhytet si polumbar në moshën time, a thua se do të gjejë në fund të detit ndonjë relike nga anija e mbytur e jetës së vet.

    Tani që ka rënë pandemia e ka pushtuar një ankth i madh për veten. Dje më tha se kishte parë në ëndërr sikur vendi i tij i punës qe shkurtuar dhe ai kishte mbetur pa para dhe qe bërë skllav në fushat e pambukut.

    – Brother- sheh ti endërra të këqia si këto që shoh unë? – më pyeti Josh.

    – Shoh endërra – i thashë- por unë kam një të keqe se i tjetërsoj ato kur ua tregoj të tjerëve. Të gjitha endërrat që shoh unë kanë fund të lumtur, njësoj si fundet e mërzitshme të përrallave që më tregonte babai në fëmini. Merita është e atij , jo e imja…

    – Çfar do të bëje ti po t’i shtoje moshës që ke ato pesë vjet që të tregojnë më të ri nga sa je?

    – Do të vazhdoja të punoja sepse nuk dua të shoh endërrat që sheh ti duke mbledhur pambuk për skllavopronarin në fushën ku të përvëlon zhegu…

    – Lum ti – tha Josh- ty të ka bekuar babai me ato fundet e lumtura të përrallave.

     – Ato nuk qenë përralla Josh. Ishin e vërteta e jetës së tij prej skllavi. Ai thjesht nuk donte që edhe unë të bëja një jetë skllavi…

    – Kam shumë frikë, brother- tha Josh- unë shoh endërra të këqia.

    – Unë nuk kam më moshë të bëhem skllav përsëri , Josh. Ti je më i ri se unë….Në u bëfsha unë përsëri skllav, gjithë enigma mbetet tek ai plumbi që mori jetën e gjyshit tim.

    Atë plumb kurrkush nuk e gjeti më. U ndryshk diku në shpat të kodrës me lajthi. Dhe  mbeti aty më shumë se një shekull.  Pikërisht aty ku rrodhi currili I valë i gjakut prej gjoksit të gjyshit…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË