More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga Fitim Sula

    Dy tregime nga Fitim Sula

    Hija e lisit

    «Përse mbolle lis?» – e pyesnin prej dekadash disa prej tyre me sy hienash, pezmatueshëm e me shpatulla të varura, ngaqë s’merrnin përgjigje. Mandej syri vigjilent i Ilionit këqyrte drithërimën e duarve, rendjen pa ritëm të hapave, frymëmarrjen e parregullt dhe ndërmendej për mërinë e pashmangshme në fytyrat e pyetësve.

    «Vërtet ndjen një farë kënaqësie kur sodit ankthin e kureshtjes në fytyrat e njerëzve!» – mendonte Ilioni dhe këmbëngulte të mos përgjigjej rreth kësaj dileme.

    Lisi i Ilionit u rrit shpejt e shtati nisi ti forcohej qysh në motet e para pas mbjelljes së tij. Një ditë e vetme…, për trupin e tij kishte vlerën e një viti. E kësisoj, pas disa motesh, lisi ndihej shekullor. Kurora e tij mbuloi krahinën, e shumë shpejt lëshoi hije mbi republikë, gadishull, kontinent… e pas dy-tre dhjetëvjeçarësh hijeshoi pothuajse mbi të gjithë planetin. Ilioni, pa gdhirë ende, hipte majë lisit të tij dhe varej teposhtë natën vonë. Shpesh ngujohej majë tij për ditë e net të tëra. Nga mungesa, që medoemos e merrte vëmendjen e shtetasve të vet, hamendësohej se ai s’do zbriste më në rrafshin e Tokës, midis gjindjes. Në këtë çast, mëria e rrëmetit kapërcente në urrejtje dhe në armiqësi të pakuptimtë. Me shkas, apo, pa ndonjë cytje të veçantë, organizoheshin bashkëbisedime rreth Ilionit në kafe, në lulishte, deri edhe në kuvend…, ku mblidheshin kinse ndreqësit e jetës së polemit. Në këto biseda…, herë-herë bëheshin katër-pesë veta, e në raste të tjera njëqind syresh, si në parlament e jo rrallë herë në çaste meskine me dy vetave, përflitej e përgojohej për lisin e Ilion Albanit. Smira, xhelozia, dashakeqësia, qenë motorët e rrahjes së mendimeve, ku ata pak përkrahës të Ilionit këmbëngulnin në të tyren, se «fama e kurorës së lisit mbush me krenari mbarë kombin». Disa, jo se e kuptonin fuqinë e fjalës së Ilionit, porse i mundonte madhështia e mendjes së tij, sidomos fama në planet, ngulnin këmbë se ajo kurorë qe e gënjeshtërt dhe e stisur nga shërbëtorë të mirë paguar. Së fundi, ndërmjet Ilionit e ziliqarëve të tij qe krijuar një largësi gati ndërplanetare. Ndoshta kjo qe një nga arsyet pse Ilion Albani ulej nga qiejt e tij vetëm natën midis tyre, shoqëruar gjithnjë nga kakofonia e gërhitjeve pa fund…

    «Në gjumë dukeni të parrezikshëm! Egërsia e ditës, pjellë e pamundësisë së mendjes suaj për t’u kacavjerrë e hipur mbi kurorën e lisit…, kanë lënë gjurmë të thella në fytyrat tuaja. E për këtë unë s’kam faj! Ju nuk arrini të kuptoni se kurora s’është gjë tjetër, përpos se eliksiri i jetës suaj, që unë e mblodha me kujdes e dashuri po nga ju, nga ajka e shpirtit tuaj. Jeni të pavetëdijshëm, naivë e të helmuar nga paudhësitë, e nuk mundoheni të mposhtni urrejtjen e kotë ndaj meje. E ky s’është mëkati im. E përsëri, unë ju dua, jeni të mitë! Jeni gjaku im, trupi im, ndonëse këtë të vërtetë do ta pohoni vonë, e ndoshta kur unë të mos jem më…» – përsiaste Ilion plaku (se ishte e qëmtoshëm si dhe liri!), kurse gjindja nderej gjithandej.

    Ndërsa ecte serbes-serbes, i bëri përshtypje një i ri me flokë kaçurrela. U ndal bri tij dhe ia preku rrelat… e në çast mendoi: «Sa më përngjan me Omerin, të birin e Mujit dhe Ajkunës!»

    Më pas vijoi të kundronte fytyra të tjera dhe u ndje keq disi në thellësi të qenies së vet…

    «Nuk e kuptojnë se vetë natyra e turmës i ka privuar nga ngjitja në lartësi! Majat janë për vetanakët…, për shqiponjat e lindura me krahë të fuqishëm! Ndoshta do qe më mirë të rrija mes tyre, porse një dënim më goditi nga qielli e më mallkoi të ngjitem i vetëm drejt lartësish… Asnjë s’ka mundësi të zgjedhë se kush mundet me qenë të nesërmen, pas dhjetë apo njëzet vjetësh. Gjithçka i atribuohet rastësive, duke krijuar një zinxhir me shkaqe e pasoja…» – përsiaste Ilioni i tronditur.

    Duke menduar për kësi fuqish të padukshme që drejtonin jetë vetmitarësh, Ilioni vuri re një

    çift që i qenë përvjedhur gjumit e po bënin dashuri… Burri hipi mbi gruan dhe gjithë afsh

    shtynte mbi trupin e saj… Në dehashpirt, ia nisën të piskatnin me zor…

    «Eh ç’mu desh…, kjo është kurora e vërtetë…» – mendoi për një imtë, e gati e quajti të kotë kohën e kaluar mbi kurorën e lisit duke soditur planetin, diejt, hapësirat e pafundme të universit…                                                                        

    Po zbardhte dhe Ilionit i duhej medoemos të vijonte meditimin lart…, në majë. Prej kohësh nuk përballej sy ndër sy me gjindjen. Nuk mundi kurrsesi të gjente një shteg e të shuante armiqësinë e kotë, keqkuptimin e tyre. As t’i qetësonte nuk mundi, me asnjë mënyrë, edhe pse jo rrallëherë këmbënguli ta bënte një gjë të tillë.

    Pasi drita zbuloi gjithë republikën, një zë i fortë e bëri të kthente kokën për nga rrafshi…

    «Kryeplaku ka thirrur në kuvend gjithë rrëmetin…» – sokëllinte lajmësi e i binte me ritëm i daulles për të marrë vëmendjen e gjindjes. Njerëzia u avitën nga cepat më të largët… Gjithfarëlloj njeriu me pushtet të madh, apo të vogël, merrnin fjalën e ulërinin deri në kupë të qiellit, ndoshta e bënin enkas si për t’i dëgjuar Ilioni…

    «Vetëm ai kujton se i afrohet të vërtetës?» – klithte një nga pjesëmarrësit.

    «E vërteta! E kush ja ka parë ndonjëherë fytyrën? Çfarë kuptojnë njerëzia me këtë fjalë? Njerëzit e krijuan atë, apo, ajo i krijoi njerëzit? Dhe ai, kujton se është vetë e vërtetave!» – ia behte një tjetër 

    «Po ne, hamë bar?» – ankohej akcili.

    «Duhet t’ia presim lisin. Nga atje sipër ai sheh gjithçka. Ai është shndërruar në Zeus, dhe s’ka si të ndodhë ndryshe kur hipën aq lart. Largohesh nga njerëzit dhe pastaj çdo gjë njerëzore të duket bajate dhe krejt e largët. Me gurë, me bomba e topa ta qëllojmë, me ç’të mundemi, veç t’ia rrëzojmë teposhtë kurorën, pra, lavdinë e tij…» – ndërhyri një kapadai hijerëndë.

    Ilioni sodiste i qetë poshtë vetes dhe një frikë njerëzore i përqethi trupin. I ruhej turmave, jo pse qenë shumica, porse të verbër e të paudhë siç janë zakonisht, çfarë nuk pret prej tyre. Ai më shumë i frikësohej intrigantëve që kurdisnin turmat, të cilët mbanin si armë tinëzare «shpërfilljen». Dhe ky vërtetë që qe një dënim i tmerrshëm për gjenitë, për fatin e jetës së tyre njerëzore. Dhe ky zvetënim i mendjeve të mëdha ka ndodhur zakonisht në të gjitha epokat. Por çuditërisht, gjurmët e mendjeve të tyre mbetën përjetësisht në ndërgjegjen njerëzore. I pari, ai, Homeri, ngrihet madhështor përpara syve të botës. «Poeti qe i verbër!» Çfarë përfaqësonte një verbëri e tillë, «Verbëri Poetësh»?

     Ilionit iu kujtua të kishte dëgjuar nga më të vjetrit se «rrufeja godet majat e larta!»

    «Për çfarë lloj rrufeje e kishin fjalën ata? Po majat e larta…, çfarë fshihnin pas këtyre fjalëve?» – pyeti veten në heshtje dhe qeshi nën buzë.

    Duke u endur pas këtyre pyetjeve gjeti edhe qetësinë e nevojshme. Harroi edhe çmimin e madh, i cili prej motesh rrugëtonte drejt tij, porse nuk mbërriti kurrë. Nganjëherë pendohej përse shkroi për ata, që tash po përdornin gjithë arsenalin e tyre kundër kurorës së lisit, ku ai qëndronte stoik dhe i patrembur. Dhe sak… nuk vonoi, kur u dëgjuan bombat e para. Një gjëmim i fortë i kujtoi topat e vjetër osmanë. Nga ajri sulmuan aeroplanët e zinj dhe të pakapshëm nga radarët, sipas shpikësve të tyre. U ndërmend se në librat e tij pati shkruar për aeroplanë, për topa osmanë që shkatërronin mure kështjellash, për strategji luftimi të krijuara nga mendja e tij pjellore… Qeshej dhimbshëm Ilion plaku, pse zemër u pat dhënë ziliqarëve, mënyra mësymjeje të papara në fushat betejave…

    «Eh…, kështu është kur të kruhet kurrizi e të tregosh pikat e dobëta të qenies njerëzore…» – mendoi ai një çast.

    Papritmas një sulm-rrufe vijoi nga të gjitha anët e mënyrat, por kurora e lisit nuk rrëzohej. Ilioni më në fund ra nga lartësia e majave drejt katakombeve, por kurora qëndroi në këmbë. Sipas gjasave e përndiqte fati i pararendësve të paktë, të vijonte për të qenë përjetësisht…

    Portat e zgafellës

    Uini u përball krejt papritur me një portë me kapanxha prej ari. Ballina e ngrehinës përngjau me harkun e triumfit…, nga ku ushtria nisej kryelartë për në luftë dhe ndodhte, të kthehej po me kryet lart! Uini as që e dinte se një portë e tillë ekzistonte. U afrua. Në sipërfaqet e rrethuara me zbukurime të epokave të jetës njerëzore, gjendeshin të gërryera shkrime në gjuhë të ndryshme. Ai lexoi në anglisht, gjuhë sunduese e periudhës së Re, e cila zakonisht quhet «Epoka Moderne»: «Këtu kanë udhëtuar dhe do të shtegtojnë të gjithë njerëzit e Tokës!»

    «Shkrim i habitshëm!  Të jetë hyrje muzeu?» – belbëzoi me pahir.

    I shtyrë nga kureshtja kapërceu qemerin e hyrjes dhe bëri disa hapa në një si biçim tuneli të mugët. Po me pahir dora i hasi një tjetër shkrim të gërryer në faqen anësore me germa shtypi. E lexoi…: «S’KA KTHIM PAS!»

    «Ç’është kështu? Të jetë kurth? Si nuk paska kthim mbrapa?» – mendoi dhe një makth i beftë e bëri të djersitej.

    Instinktivisht ktheu kryet të këqyrte mbas. Shqoi vetëm errësirë e asgjë tjetër. U ndërmend se andej sapo hyri…, por nuk dalloi gjësend. Në mënyrë të mistershme hyrja me kapanxhat prej ari qe zhdukur! Ndjeu plogështi, trandje, e njëherësh belbëzoi nënbuzë:

    «S’më ngelet rrugë tjetër me çfarë po shikoj…, më mirë të mendoj për daljen tash e mbrapa!»

    Një dritë të zbërdhulët pikasi të shpërfaqej shumë larg. Uini mësyu përpara. Mbasi çapiti hapat e parë, kuptoi se nuk qe i vetëm. Për një çast i ngjau se qe në mbretërinë e “milingonave”, aq shumë njerëz gjallonin në atë errësirë shpelle…

       «Si nuk vura re asgjë të tillë në fillim!» – mërmëriti pahir i befasuar me mizërinë shpellore.

       Ia vuri fajin syve, ngase në atë përplasje të menjëhershme me errësirën qenë turbulluar dhe e patën të pamundur të shihnin qartë.

       «Një hyrje me fasadë shkëlqimtare, fshehka pas vetes një botë të errët! Mos zbrita pa kuptuar në katakombet e planetit?» – mendoi për një çast dhe një drithërimë trishtuese i përshkoi trupin.

       Më së pari jeta e banorëve të tunelit iu duk e pakuptimtë, por shpejt u bind se gjithçka qe e mirë organizuar. Pas një copë udhe të bërë me trupin drejt, Uinit iu desh të përkulej për të mos prekur me krye tavanin. Në fillim ashtu e quajti, tavan, por më pas dalloi një shumëllojshmëri shoje këpucësh. Një dysheme e padukshme, e cila shkelej nga njerëz hijerëndë dhe nursëzë, bënte që banorët e territ të gjallonin të përkulur poshtë saj. Uini çoi kryet të vërente të vërtetën drejt në sy…

       «Po…, njerëz qenkan! Përse vigjilojnë aty lart duke detyruar mizërinë të jetojnë kërrusur? Po si mundën të hipin mbi të tjerët?» – mendoi për një çast.

       Uini u mundua të kujtonte nëse kish hasur ndonjë kalim…, shkallinë të fshehtë, a diçka të tillë,  që mundësonte hipjen e disave mbi të tjerët. Hamendësoi, se pas hyrjes në fasadën marramendëse, në atë çast mugëtire, mund të gjendej ndonjë dhiare, por ai e paskej kaluar pa e vënë re.

       «Mund të jetë edhe ndonjë litar i padukshëm, të cilin e përdorin enkas për këtë soj ngjitjeje. Ose, mund të ketë edhe ndonjë lurth, nga ato bimët që u kacavirren lisave, i cili shfrytëzohet për ngjitje në lartësi…» – përsiaste Uini.

       U mat të kthehej për t’u ngjitur në lartësinë e asaj shoqërie, por iu kujtua se qe shumë vonë, zmbrapsja qe e ndaluar me ligj – gërryer në granit. Iu duk vetja pjesë e një loje, ku koha që ikën nuk kthehet më, ndaj dhe bëri përpara. Por tanimë i duhej të ecte i kërrusur, si gjithë të tjerët në përditshmërinë e tyre…

       – Kësisoj keni rrojtur gjithnjë, të kërrusur? – pyeti një leshko që i kaloi pranë.

       – Duket sheshit… jeni një i Ri këtu!

       – Po…, s’ka shumë që kam hyrë…

       – Do mësohesh, së shpejti s’do të bëj përshtypje më shtrembërimi ynë. Madje, as që do të kujtohet se ke qenë ndonjëherë i drejtë. Do të duket sikur ke lindur i tillë, pra, gungaç, hi hi…! – foli e u zgërdhi banori i territ.

       – Përse u dashka një shtrembërim i tillë?

       – Asnjë nuk e di! Por këtu…, asnjë njeriu nuk i bie ndërmend të pyesë për këtë. Përkuljen njohim si të vërtetën e jetës.

       – Po njerëzit lart, sipër jush, ata që ecin mbi kurrizin tuaj, ç’janë? – pyeti Uini dhe bëri me gisht për sipër.

       – Ku janë? – pyeti tjetri me pamje hutaqi në fytyrë.

       – Si…,  ku janë!?

       – Për çfarë po flisni?

      Uini u mundua të shpjegonte, por tjetri iku me një shprehje fytyre sikur të qe përballur një të çmendur. Më pas pyeti një tjetër, një tjetër, një tjetër…, por asnjeri nuk e kuptonte se për çfarë pyeste Uini.

       «Si ka mundësi që nuk i shikojnë këpucët sipër kurrizit të tyre? Apo s’paskan edhe goxha këmbë palloshe! Si mundet që nuk e ndjekan peshën e tyre…?» – pyeti veten pa pra.

      Uini vështroi lëvizjet e tyre dhe kuptoi, se ato jetonin njëmend në të zakonshmen shpellore. Duke mos pasur mundësi kthimi, ai vijoi ecjen përpara i kërrusur. Tashmë u bind se fasada qe një kurth, një cergë, ku mbeteshe pa e kuptuar lidhur duar e këmbë. Edhe pse iu disi e çuditshme, ai kuptoi se koha ekzistonte edhe në terr. Dikur-dikur… u përball me të paimagjinueshmen, me një skutë e cila ngushtohej e ngushtohej, aq sa lejonte ecjen barkas të vetëm një njeriu. Ç’të bënte? Përse duhej të mendohej kur nuk kishte zgjedhje tjetër? E nisi me zvarritje, por nuk u përmbajt pa e çuar kryet lart. Ç’të vërente! Ata njerëzit sipër bënin orgji dhe nga ofshamat e tyre shungulluese tuneli kthehej në vrimë, ku njerëzit poshtë u duhej të zvarriteshin për të kaluar në anën tjetër. Uli kryet e vijoi barkas…

       «Paska edhe më keq!» – mendoi në çast.

       Hodhi shikimin drejt dritës së zbehtë në fund të tunelit. Drita qe po aty, po kaq larg dhe po aq e paarritshme sa në fillim. Pas këtij ngushtimi, që e shndërronte njeriun në krimb, tuneli zgjerohej përsëri, aq sa trupat të mos drejtoheshin plotësisht. Uini rroku prej krahu një që i kaloi pranë dhe e pyeti për «Vrimën e krimbit», siç e quajti pa e menduar gjatë.

       – Jeni i ri këtu?

       – Po! Si e gjetët?

       – Në atë «Vrimën e krimbit», që ia zure emrin ti, u vihet nga një numër në ADN e gjithsecilit banor të shpellës. Kjo shenjë i dallon mes vetit, gjë që shmang ngatërrimin e tyre gjatë vëzhgimit të vazhdueshëm…

    – Si…? – piskati i habitur Uini.

    – Po! Tash ti do të jesh në ekranin gjigant ku mbikëqyret jeta e çdo banori të tunelit.

       – Nga kush vëzhgohemi?

     Sa shumë pyetje që paskeni ju?

    – Prit…! – ulëriti Uini.

       Por ai iku pa kthyer kryet pas…

    Uini, ndërsa vështronte tjetrin të largohej i kërrusur në të zakonshmen e tij, u ul gjunjas për të çuar kryet lart. Në mendje i sokëllinte fasada e hyrjes…

    I lipsej të cytej vetëm përpara, i kërrusur…, e ndoshta mund të mbërrinte i gjallë dritën e zbërdhulët…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË