More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga Arben Dedja

    Dy tregime nga Arben Dedja

    Parashutë

    Me forcimin e marrëdhënieve me Kinën cilësia e fishekzjarreve u rrit shumë. Tani i hidhnin jo vetëm për Festat e Nëntorit, por edhe për 1 Maj. Një togë ushtarësh të gardës nga tarraca e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ministrisë së Brendshme qëllonin qiellin me zjarr të kryqëzuar. Efekti skenografik ishte shumë i arrirë. Kështu, gjatë spektaklit qiellor të 1 Majit, u shfaq fishekzjarri përmbyllës i krejt festës: i madh, xixëllues, tek binte ngadalë e rëndë-rëndë me një parashutë gjigante. Parashuta ishte e bardhë dhe e mëndafshtë. Fijet e parashutës ishin të trasha, prej mëndafshi edhe ato. Kishte që nga koha e ndihmave angloamerikane të Luftës së Dytë që nuk ishin parë parashuta të këtilla. Thoshin se një nga garipat e lagjes kishte arritur ta kapte parashutën me të cilën kishte qepur më vonë një kanotierë. Varianti tjetër ishte që nuk e kishte bërë kanotierë, por një palë breçka për dashnoren. Ama askush, siç ndodhte në këto raste, nuk e kishte parë me sy si kanotierën, ashtu edhe breçkat (me përjashtim, ndoshta, të dashnores). Ne e hanim me sy, gjithë admirim, garipin e lagjes. Vinte i mbushur dhe i parruar. Për Festat e Nëntorit, pastaj, kapja e parashutës kishte dështuar. Erërat e kishin shtyrë drejt kodrave të liqenit. Një grup të rinjsh ishte kuturisur andej me vrap (disa edhe me biçikleta) pa mundur të gjejnë gjë. Mbase kishte përfunduar në mes të liqenit, por drita e pakët e vjeshtës së shtyrë i kishte ndërprerë brutalisht kërkimet. Tani, pas gjashtë muaj letargjie, njerëzit mezi ç’prisnin ta provonin prapë fatin për 1 Maj.

    Kur u dëgjuan kërcitjet e thata të fishekzjarreve të para, i madh e i vogël u dynd në bulevarde. Tëndafili i erërave të asaj dite mbi kryeqytet bëri që shpejt ç’ishin e ku ishin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’ia behnin drejt bulevardit tonë, që quhej “Stalin”. Autobuzët e linjës u bllokuan në periferi, ambulancat në spital. Taksitë mbetën të gjitha te sheshi pranë Bankës së Shtetit. Taksistët më të fuqishëm mbyllën makinat dhe iu bashkuan turmës, kurse të tjerët filluan t’u bien fort borive duke imituar, me tingullin e tyre, parullën: “Parti – Enver! Jemi gati kurdoherë!”, “Parti – Enver! Jemi gati kurdoherë!”. Por të ardhurit nuk gjenin dot fushë të lirë të depërtonin, aq të dendura ishin radhët e neve të Stalinit. Ne, fëmijët, qemë të parët që u lodhëm së mbajturi kokat lart, por ia vlente, jo aq për spektaklin që shikonim në ato çaste, sa për ç’do të vinte më pas. Tashmë të gjithë prisnin vetëm parashutën me fishekzjarrin final që, kur më në fund u shfaq, zbrazi një hungërimë të mbytur kënaqësie nga gurmazi i turmës. Rrëzëllente, se muzgu i ditëve të zgjatura të majit nuk kishte rënë ende plotësisht dhe një hënë e plotë ndriçonte gjithçka. Ishte një parashutë botërore. Në kohën kur kapi lartësinë e pallateve era u fashit dhe ajo nisi të ulej në diagonal, sikur po e kalonte në revistë turmën. Atë çast dyndja u bë më e madhe se kurrë. Gratë e lagjes, me një vezullim misterioz në sy, ndiqnin skenën nga ballkonet. Pleqtë, të moshuarit, burrat e pjekur, automatikisht pësuan një zbythje qendërikëse. Të tjerët ishin të gjithë aty, plotësisht në lojë. Shumë syresh ishin trupzhveshur. Ne, të vegjlit, nuk do të habiteshim po t’i shihnim ta kapnin parashutën dhe ta vishnin sakaq. Dikush kish hipur te supet e shokut, që i avitej parashutës si i dehur. Kishin rënë ndoshta dakord, në rast suksesi, ta ndanin copën e mëndafshit më dysh: sigurisht do të dilte, në mos tjetër, të paktën për dy palë breçka të vockla, shtuar me pak dantellë. Vetëm se atë që fitonin në lartësi (dy bojë njeriu) e humbisnin në zhdërvjelltësi. Kur parashuta arriti nivelin e katit të dytë, dikush tentoi nga ballkoni kapjen e saj me një kallam të gjatë ku kishte lidhur një grepç teli. Shpërthyen të shara, kërcënime. Për fatin e mirë të personit, tentativa nuk pati sukses. Pas pak sekondash u bë e qartë se nga gjithë rinia e bulevardit parashutën do ta diskutonin mes tyre vetëm rreth njëqind vetë, të ndarë gjysmë për gjysmë në të fortë dhe fatlumë. Të tjerët ishin shumë larg vendit ku parashuta parashikohej të binte. Një kutërbim heroik dhe sensual djerse pushtoi atë çast bulevardin. Diku, më mes të turmës, vezulloi tehu i një thike.


    Kor amator

    Specialistët theksojnë se gjëja më e vështirë në interpretimin muzikor qenkësh dirigjimi i një kori. Sepse ai nuk përbëhet nga instrumente muzikore të akorduara kaherazi, por ka për lëndë vetë zërin njerëzor, mbartës i timbreve dhe maktheve bashkëkohore, asnjëherë i njëllojtë. Kështu që, afërmendsh, gjëja absolutisht më e vështirë në muzikë mbetet… dirigjimi i një kori amator. Hyn këtu në lojë elementi thelbësor i harmonisë, intonimi. Duhet hequr mundi i Sizifit të arrish sadopak të intonosh një grup, ta zëmë, pesëdhjetë e kusur vetësh me prejardhje e formim muzikor krejt heterogjen; vullneti dhe aftësia sublimuese e dirigjentit nuk mjafton, or mik, por në ndihmë të lumëmadhit duhet të vijë vetë djalli me të birin, gjenia e pashpallur e njerëzimit. Dhe shembujt s’mungojnë, se asnjëherë s’ka qenë e mangut devotshmëria njerëzore ndaj korit amator, kësaj leshelie të çuditshme të fandaksurish. Në këtë kuadër duhen parë edhe disa gjetje do të thosha brilante, vetëm e vetëm për t’i ndihmuar këta kore të dalin nga ajo pozitë e vështirë ku e vënë ngandonjëherë veten. Ja ilustrimi i dy prej zgjidhjeve më të qëlluara në historinë e koreve.

    E para, e quajtur zgjidhja klasike sepse e përshkruar gjatë periudhës së romantizmit në muzikë dhe revolucionit industrial në ekonomi, por ende në përdorim sot e gjithë ditën thirret, në zhargonin e koristëve, ndenjësja fluturuese. Me një sistem të ndërlikuar pistonësh pneumatikë lidhur me një vibrafon të madh mbërthyer mu në tavanin përmbi kor mundësohet që, kur njëri nga kënduesit stonon se i kap notat lart, pistoni ta njoftojë duke ia ulur ndenjësen. E kundërta ndodh me stonaturën poshtë. E meta kryesore këtu, hiq theqafjet e herëpashershme të koristëve më hutaqë të ndenjëseve të larta mbi zverkun e kolegëve saje lëvizjes së befshme e tërë vrull të ndenjëses pas të ashtuquajturit stonim solitar (nga ka dalë edhe rregulli i vendosjes së koristëve më të lehtë në peshë sipër dhe atyre shulakë e qafëtrashë poshtë, duke qenë këta të fundit më rezistentë ndaj trupave/gjymtyrëve që mund t’u fluturojnë sipri), e meta kryesore pra, i ashtuquajturi dallgëzim, ndodh kur stonojnë shumë koristë njëherësh, çka shkakton ato ulje-ngritjet e vazhduara që u sjellin spektatorëve, as më shumë e as më pak por sëmundjen e detit me zbehtësi, djersë të ftohta, të pështjella, marramendje dhe, më në fund, të vjella të bollshme mbi këpucët e fqinjit.

    Ndërsa e dyta zgjidhje që po ilustrojmë i përket kimistit çek Gustav Herstin i cili, pas njëzet vjet kërkimesh, shpiku një metodë kryekëput revolucionare, botuar tash së fundi në blogun e vet. Ai (apo të tjerë para tij, por kjo nuk del shumë e qartë nga leximi në blog) kishte vënë re që heliumi dhe ksenoni, dy gaze tejet të rrallë të atmosferës tokësore, e përcjellin tingullin në mënyrë diametralisht të kundërt dhe mund t’i korrigjojnë stonaturat. Kështu, me një aparaturë shumë të thjeshtë këta gaze emetohen në mjedisin ku jep shfaqe kori në një raport të caktuar midis tyre, raport i cili ndryshon sipas tonalitetit për t’u korrigjuar. Një ide gjeniale, por që nuk shpëtoi pa kundërindikacionin e radhës: gjatë një shfaqeje veçanërisht të stonuar tre veta vdiqën nga niveli toksik i gazeve në mjedisin e sallës. Viktimat: një korist, e shoqja e Kryetarit të Bashkisë së Kelgenburg-ut dhe një spektatore shurdhe e radhës së parë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË