More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDurim Taçi: E sotmja, si lojë e pranisë dhe e mungesës

    Durim Taçi: E sotmja, si lojë e pranisë dhe e mungesës

    (Mbi romanin 800 hapa larg Venerës, shkruar nga Virion Graçi)

    Dhe kjo lojë nuk luhet më në fushën e dyshimit postmodernist, por në atë të situatës post-postmoderniste, është e djeshmja që na paraqitet si një e sotme e intensifikuar   «Është kënaqësi të vdesësh në çdo ditë të javës, por kënaqësia më e madhe provohet po të vdesësh të enjten”, na e thotë autori ne frazën e parë të romanit dhe kjo e enjte, duket se bart cilësitë me të përqendruara të të gjitha ditëve të tjera të javës. Dhe që nga ky moment hyjmë brenda një rrëfimi që rreket të na përshkruajë mungesën si prani, vdekjen si jetë, shpirtin si trup.

    Autori na rrëfen të shumtën e kohës në vetën e tretë, me kalime të shpeshta edhe në vetën e parë, historinë e Kristoforit, një i papunë që “i la të gjitha punët në mes…”, megjithatë, realisht, ishte fati që “u tregua i padrejtë me të, vdekja e parakohshme e rrëmbeu nga gjiri i shoqërisë që e donte dhe e vlerësonte aq shumë…” Dhe tani vetëm përmes lentes së botës tjetër, do të mundim të intensifikojmë të tashmen e të kuptojmë diçka nga ajo që ka ndodhur, vetë Kristofori do detyrohet të bindet se paska vdekur dhe kjo i ka ndodhur vetëm një javë pas pushimit nga puna, 800 hapa larg shtëpisë së tij.

    Tani e tutje duket sikur fillon një proces përmes së cilit autori më shumë se të na zbulojë kush është Kristofori, na e vë atë në pozitat e refuzimit të vetvetes, e shkërmoqjes, shuarjes së asaj që ka qenë deri më sot. Transmigrimi i shpirtit nga trupi është preludi i këtij rrugëtimi.  “Asgjë për t’u shqetësuar, paskam vdekur. Gjë e thjeshtë, pa emocione, e hoqa qafe edhe këtë etapë, s’paska qenë aspak e ndërlikuar, e frikshme si e përgojojmë në jetën tokësore. Tani jam më mirë, më i lirë, më i sinqertë”. Nuk do ketë më “shkresa, dosje, kërkesa, debate për çështje urbane, … udhëtime, flirte, birrë, bifteqe, masturbime, përsëri flirte, pendime, përpjekje për disiplinë e rregull, dalje nga rruga, dalje nga norma, vetëgjykim e pendime të reja pafundësisht”, na thotë Kristofori dhe pohon: “Jeta ime tokësore është tërësia e dështimeve të mia, historia ime është historia e mëdyshjeve dhe pendimeve vrasëse që kam përjetuar sistematikisht”.

    Pas viteve ’90 hyjmë në erën e një Shqipërie virtuale, veprimi njerëzor, aksioni politik, ja lë vendin pasqyrimit të gjithçkaje përmes ekraneve, aty amplifikohet apo shuhet çdo gjë, madje vetë heroi ynë Kristofori e ka nuhatur këtë prirje me kohë. Që “në vitin 1991 nuk pranova të shkoja në Tiranë për të hyrë në një grevë urie, rrjedhimisht, me ndërgjegje nuk pranova të hyja në historinë e re të Shqipërisë”.

    Sigurisht, Kristoferi nuk është ai heroi klasik, njeriu aktiv që del në frontin e parë, madje më vonë do e akuzonin për këtë e do ja përdornin si argument për ta pushuar nga puna. “Kur u prish sistemi totalitar dhe ne kacafyteshim me diktaturën, ku ishe? Ku vegjetoje ti Kristofor kur ne formonim spektrin politik pluralist?! Në shtëpi, në punën tënde?!” E Kristoferi përgjigjet me ‘naivitet’ se nuk e dinte se partia-shtet që kishim do të ndahej në pjesë më të vogla, nuk e mendonte se do ngrihej një sistem i ri demokratik me mbeturinat e diktaturës.

    Për ngjarjet e mëvonshme ai nuk ka më pikë dyshimi, i thotë të afërmve se tani kemi ekranin e televizionit, “i shijojmë aty pamjet, lidhjet direkte me vendngjarjen, reportazhet, intervistat, premtimet dhe kërcënimet reciproke midis palëve”. E më poshtë vëren se “folëset televizive, edhe kur kumtojnë lajme për kamikazët, bombat atomike, grushtet e shtetit, luftërat e përgjakshme civile, theksin e vënë te mollëzat e tyre, te i kuqi i buzëve dhe majat e sandaleve”

    Në pikëpamje kronologjike, “800 hapa larg Venerës” pason romanin “Dead End”, i cili pasqyron nga brenda atmosferën studentore gjatë periudhës së ndërrimit të sistemit politik në fillimin e viteve ‘90. Nga ky këndvështrim, mund të vihen re edhe ato që do t’i quanim biografema, tipare te jetës së autorit që hyjnë të fragmentarizuara apo të asimiluara në rrëfim dhe shërbejnë për të ndërtuar e për të përçuar mesazhin, njësoj siç do të shërbenin fotografitë për të sjellë të gjallë historinë.

    Mirëpo, ky transmigrim i shpirtit të Kristoforit, kjo shkëputje nga pirgu me dhe të shkrifët dhe largimi i tij i qetë prej trupit, vërtet nuk vihet re nga njeri, është i padukshëm, por sigurisht është i lexueshëm, i pranishëm, është një kthim, në këtë rast, i autorit si figurë romanore, i cili shikon, mund të prekë dhe të kapë lehtë gjithçka që do. Po të përdornim shprehjen e famshme të Roland Bartit, ky “është një kthim miqësor i autorit” pas vdekjes së tij . Autori pasi ka vdekur me kohë si institucion, si formë tradicionale historike-letrare, na shfaqet në tekst si komponent i dëshirës sonë të leximit. Kjo ndihmon në atë që Bart e quan copëtim, fragmentarizim, kështu biografemat që lidhen me autorin, përmes pranëvënies së tyre fitojnë domethënie dhe një kahje të caktuar lëvizjeje. Është leximi në fakt, si marrëdhënie me tjetrin, me tekstin, i cili e copëton atë në pjesë që rezonojnë. 

    Duke u kthyer tek personazhi, Kristofori ynë, duket sikur nuk ka asnjë lidhje me Kolombin e famshëm “lundërtarin kokëkrisur, zbuluesin e kontinenteve të reja, shekuj më parë”, megjithatë dikur ai vetë kujtohet e hamendëson: “Nuk e di cilin kontinent të panjohur ka dashur të zbulojë nëpërmjet meje im atë që më vendosi këtë emër”, edhe pse ai vetë ka bërë të njëjtën gjë me fëmijët e tij, por siç duket për të ka rëndësi paradigma e zbulimit si e tillë, paçka se në rastin e tij përjetohet e kujtohet përmes dështimit. “E përgënjeshtrova emrin që më kishin vënë, sikurse edhe djemtë e mi përsëritën të njëjtin akt dezertimi nga fronti simbolik i eksplorimeve. Vespuçi im, në asnjë sjellje e veprim s’të shëmbëllen sadopak Ameriko Vespuçin e lavdishëm. Kolombi, diçka, mbahet, jep tek-tuk ndonjë shenjë kureshtie dhe respekti për gjërat e panjohura”

       Ndryshimi i regjistrave të stilit, toni parodik, të kujton hera herës Uliksin e Xhojsit, por edhe nga mënyra se si futen, për shembull, data të rëndësishme letrare, siç është një frazë e thjeshtë  “Gëzuar Vitin e Ri 1984,” e cila të kujton romanin e famshëm të Xhorxh Oruellit, por jo vetëm kaq, të kumton se kjo kohë pak ka ndryshuar nga totalitarizmi, të cilit i referohet ky roman. Gjithashtu, paraqitja e situatave të njohura historike, e tragjedive universale të popujve, e veçanërisht ajo e popullit shqiptar të Kosovës, edhe pse autori nuk jep koordinata kohore e vendore, bëhen pjesë e këtij stili të thyer dhe evokativ. Sikurse risillen dukuri te trishtuara të jetës shqiptare siç është gjakmarrja që ka prekur edhe fëmijët. “Gatuajnë vetë, miellin e blejnë për ta bërë bukën po vetë, ujin e sjellin me kova, ushqimet e tjera i sjellin të afërmit e tyre, fshehurazi. Nuk dalin nga kasollja, i kapin dhe i vrasin, gjyshërit tyre kanë vrarë para një shekulli, nipat e viktimave do të vrasin stërnipërit e vrasësve, – këta fëmijë që nuk guxojnë të shkojnë në shkollë, që janë murosur, janë ngujuar brenda katër muresh për t’iu shpëtuar plumbave. Janë me qindra në veriun e vendit, me qindra fëmijë të ngujuar mbrapa mureve me dritare të zëna me gurë mbrojtës”.

       Sipas të njëjtit procedim flitet edhe për situatën e vështirë të emigrantëve tanë në Greqi, episode kur fëmijëve u mohojnë të drejtat. “Nxënësja e dalluar, më e mira gjatë vitit të fundit shkollor do të ngrejë flamurin në shtizën e tij, në oborr. Është shqiptare, vajza e një muratori emigrant në Selanik. Prindërit e saj kanë lënë punën sot, janë në oborrin e shkollës, do të ndjekin ceremoninë. … Drejtori thërret një nxënës grek. E këshillon në vesh. Ai shkon dhe merr flamurin nga duart e vajzës shqiptare. Vajza shkon te prindërit, largohen të tre nxitimthi. Të pranishmit duartrokasin me urraaa… urra…”. 

       Siç vjen gjithashtu në roman jehona e trazirave dhe e kaosit ciklik që ka përfshirë vendin gjatë periudhës së tranzicionit. “– Me kë je, thërriste Adufi, komandant i forcave kryengritëse. Eja, me ne, në Tiranë, të përzëmë me armë qeverinë. – Ç’farë?! – llahtarisej Kristofori. – Presidentin në litar. Vlorën – kryeqytet, ulëriste komandant Adufi”.

       Ndërsa, ajo që në gjuhën e narracionit do të quhej pikë kthese, vjen në faqen 82 të librit. Kristofori lëviz mirë në eter, por toka duket që nuk i përket më atij. Afrohen tre vetë, pranë shtyllës së tij të famshme, në pyllin e tij, një djalë, një vajzë dhe një burrë i moshuar, i cili ecte përkrah me vajzën, ndërsa djali “ecte fshehtas, anash tyre, pak përpara, i përkulur dhe me kujdes, të mos zhurmonte, të mos u binte në sy”.  Në një bisedë të riprodhuar më vonë, merret vesh se vajza është mashtruar. “– Kam një rast të mirë, mama, kam një mundësi punësimi. – S’më besohet, ku? – Në një zyrë shtetërore, flasim kur të kthehem. – Mos u vono. Dhe më sill lajme të mira – Natyrisht, jam lidhur me një mikun e babait tonë. Më ka premtuar. Do të më ndihmojë”. E në fakt, i moshuari abuzon me vajzën, që më pas e vrasin dhe trupin e saj e vënë poshtë një fidani, i cili sigurisht nuk mund të ushqehet me gjak, as për aq pak kohë sa ai rrjedh. Për Kristoferin shpaloset një perspektivë. Ai ka mësuar se tek femrat e vrara shpirti largohet dymbëdhjetë vjet pas vdekjes së trupit, kështu do ta presë shpirtin e vajzës. Kur të afrojë viti, muaji, data e ndarjes nga trupi, Kristoferi thotë se do të jetë pranë saj. Tani pylli i tij merr kuptim të ri, pasi në rrënjët dhe hijet e tij ndodhet trupi dhe shpirti i vajzës së bukur. “Unë e dua atë shpirt të lënduar, të copëtuar… Vajza ime e thyer si një degë e njomë pishe, e grirë me thikë, e ngjyer në tmerr… në lakmi… në llahtari të plotë. E dua. Do ta pres sa të dalë nga dheu dhe do të lidhem me të. Do të qëndrojmë së bashku…”

      Ka gjithashtu elementë të një filozofie panteiste në mënyrën se si na paraqitet Kristoferi, sidomos lidhja e shpirtit të tij me natyrën, me bimët. “Dëllinja është nga të paktat gjëra që i duhet njeriut për pas vdekjen, për jetën e madhe, për përjetësinë. Shkurret si dëllinja të dalin në krah.”, pohon Kristoferi e në një çast shfaq të plotë lidhjen e tij me gjithçka e rrethon, “nuk mund të braktis pyllin, natyrën, lirinë e të kthehem në një shtëpi që po rrënohet: e vetmuar, e ngushtë, me lagështirë, me myk e papastërti, pa ndriçim, pa ujë të rrjedhshëm, pa ngrohje e pa ajër të freskët?! Shiko sa mirë jam këndej: Zot, Pronar i Gjithësisë, Mbret i pavdekshëm. Ushtria ime dhe Shërbëtorët e mi janë të padukshëm. Pronat e mia të patundshme: pishat, gurët, era, ajri, bari, zërat e zogjve, retë, yjet, qielli, hëna, flokët e dëborës, pikat e shiut, bulëzat e vesës, shkurret, kafshët e egra, fluturat, bletët, karkalecat, rrezet e diellit.”

       Si përfundim, një nga vlerat e padiskutueshme të librit është çmitizimi i vdekjes. Dihet që vdekja është shkaku primar i pasigurisë për të ardhmen, përthyer kjo edhe në procesin e të shkruarit, pasi vetë i shkruari duhet të përballojë kushtëzimin që i sjell një ardhme e papërmbushur dhe rëndom zhgënjyese, teksa ai i akt ndodh në një të tashme të paqëndrueshme, në të cilën mbruhet e motivohet çdo tekst, me iluzionin se po kap diçka, ndërsa ajo ka ikur. Një shkrimtar me përvojë si Virion Graçi, nga më përfaqësuesit e brezit të sotëm në letrat shqipe, e ka menduar mirë zgjidhjen, e cila është tek të qëndruarit në një bazë të lëvizshme që teksti të kapë sadopak të tashmen që ikën, në atë marrëdhënien dinamike të pranisë dhe mungesës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË