More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDrama njerëzore në romanin “Qyteti i fundit” të Petro Markos

    Drama njerëzore në romanin “Qyteti i fundit” të Petro Markos

    nga Xheni Shehaj

    Italia ka kapitulluar. Italianët kanë ndërtuar një qytet brenda qytetit. Janë mbledhur të gjithë në Durrës dhe presin vaporët të vijnë për t’i marrë e për t’i dërguar në atdhe. Partizanët shqiptarë qëndrojnë me ta. I ndihmojnë me ushqime, cigare, lajme të reja. Autori vë përballë dy mendësi të ndryshme, dy kultura krejt të ndryshme. Ai zbulon karaktere, histori, drama njerëzore. Gjithashtu autori rrëfen historinë e dy të rinjve: Ana-Maria Montit, një 22-vjeçare viktimë e fashizmit (e gënjyer nga Arnaldo Massa, e ardhur në Shqipëri bashkë me familjen me mendjen që të bëheshin të pasur, por që përfundon prostitutë dhe kënaq epshet e oficerëve) dhe togerit Lekë Gurra, 25-vjeçar, i pashëm, burrëror, i lakmuar nga partizanet. Ana-Maria dhe Leka njihen me njëri-tjetrin dhe pëlqehen. Takohen herë pas here te shkëmbi ku rri vajza e flasin. Atij i vjen keq për vajzën, nuk e fajëson atë në asnjë moment. Lirizmi zë vend në ndjenjat e Lekës i cili, nga ana tjetër, kujton me dhembje të fejuarën e vdekur, Malinë.

    Arnaldo Massa, kriminel, vjedhës i floririt, mashtrues, përfaqëson të keqen, ligësinë. Intrigat e tij, ndërrimi i emrit, shantazhet që i bën familjes Monti, plagosja e Ana-Marias, e çojnë atë drejt zbulimit. Fundi i tij është i hidhur, pala shqiptare e arreston.

    Fashizmi dhe komunizmi janë dy ideologjitë që dalin në pah në roman. Italianët, tashmë humbës, mallkojnë fashizmin që i gënjeu dhe i shkatërroi si komb; shqiptarët janë në prag të përqafimit të komunizmit dhe shfaqin shenjat e para të dashurisë për të. Drama njerëzore në roman është e pranishme te secili personazh. Lufta i ka ndryshuar të gjithë. Dikujt i ka marrë emrin, identitetin, dikujt nderin, dikujt jetën, dikujt mendjen, dikujt dashurinë, dikujt fëmijërinë e rininë. Të gjithë kanë dalë të humbur prej saj. Të gjithë përjetojnë dramën e tyre.

    Personazhet e romanit të Petro Markos janë në gjendje kalimtare. Njëra palë, italianët, presin të largohen për të rifilluar gjithçka nga e para. Pala tjetër, ajo shqiptare, pret që me ikjen e të huajve të fundit të fillojë ndërtimin e vendit.

    SIMBOLET NË ROMAN

    Koha e ndodhjes së ngjarjeve

    Romani fillon me natën e parë, si për të treguar dështimin, frikën, pasigurinë për të ardhmen dhe fantazmat e së shkuarës. Nata në vetvete është e frikshme, e mbushur me mendime të errëta që ndjellin vetëm zymti e ankth. E gjithë historia zhvillohet në një hark kohor prej shtatë ditësh e netësh. Nis me natën e parë dhe përfundon me ditën e fundit, si për të treguar të kundërtën e nisjes së këtij kalvari. Dita është simbol i një fillimi të ri. Gjatë kësaj jave tregohen ngjarje e histori, ndodhin situata qesharake e prekëse. 

    Deti

    Deti është i pranishëm gjatë gjithë veprës. Qyteti ku zhvillohen ngjarjet është qytet-porti i Durrësit. Në roman deti shërben si urë lidhëse mes dy vendeve fqinje; si urë lidhëse me vendlindjen, për sa u përket italianëve (ata i mbanin sytë përherë nga horizonti); si një liman i qetë për shpirtin e zhuritur të Ana Marias (ajo gjithë kohës qëndronte mbi një shkëmb dhe herë dëgjonte valët e detit, herë fliste me të, duke i rrëfyer të fshehtat e saj) dhe njëkohësisht si varr për të (duke qenë se aty ajo gjen vdekjen); si lindje e marrëdhënieve vëllazërore (këtu i referohemi episodit të mbërritjes së anijes sovjetike që solli grurë për popullin shqiptar). Pra, deti përfaqëson një simbolikë shumanëshe.

    Shkëmbi

    Ana-Maria ulej në një shkëmb prej nga shihte detin. Në roman shkëmbi përdoret si pikë takimi mes Lekës dhe vajzës, si vendqëndrimi i saj sekret dhe i veçuar. Simboli i tij përfaqëson lartësinë që ndan dy të rinjtë, Ana-Marian dhe Lekën; përfaqëson fortësinë e qytetit ku ata ndodhen, mosdorëzimin e tij.

    Hëna

    Hëna në të gjitha netët që shfaqet mbushet me rrëfimet dhe sekretet e të pagjumëve. Ajo është dëshmitare e situatave të ndryshme.

    Kënga

    Kënga ndërfutet herë pas here në roman. Dikush, veshur me këmishë të bardhë (simbol i pastërtisë, dëlirësisë), gjatë natës kur tërë gjindja lëkundet mes gjumit dhe bisedave nën zë, i bie kitarës dhe këndon. I këndon vendlindjes, nostalgjisë, mallit. Në vend të duartrokitjeve, merr lotët e bashkatdhetarëve dhe pagjumësinë e tyre. Katër herë këngëtari zë vend në vepër.

    Hera e parë kur shfaqet këngëtari me kitarë në dorë e këngë në buzë përkon me rrëfimin e të Paemrit. I Paemri po u tregonte shokëve odisenë e tij në Shqipëri.

    Hera e dytë kur kënga shfaqet përkon me historinë e Ugo Farinit i cili, njësoj si i Paemri, po tregonte historinë e tij se si e bënë mareshal përpara se të mbërrinte në Shqipëri.

    Hera e tretë e këngës lidhet sërish me grupin e të Paemrit, Ugos, Danilos, Xhuzepes. Ajo që vihet re është se gjatë të tria herëve këngëtari i këndon vendit, nënës, mallit për shtëpinë, e kjo shkon paralelisht me ndjenjat e personazheve të lartpërmendura.

    Herën e katërt këngëtari e nis këngën në kohën kur Karlo Peroni (Arnaldo Massa) vendos të vrasë Ana-Marian. Këngëtari ka zgjedhur një këngë melankolike, ashtu si netët e kaluara, por kësaj here në lidhje me dashurinë…

    Lindja si vazhdim i jetës

    Gjatë qëndrimit të italianëve në qytetin e ndërtuar nga ata vetë, ndodhi edhe një ngjarje e shënuar që në vetvete mbart një simbolikë të fortë: lindi një foshnjë.

    “Lindi antifashisti i parë i qytetit tonë!”

    Ardhja në jetë e një fëmije është gëzim, mrekulli dhe gjithçka e bukur. Lindja e një individi është vazhdimësi. Autori përshkruan bisedat për vënien e emrit të bebes.

    Dhe çdo emër i zgjedhur prej njerëzve simbolizonte diçka: Italo (në nder të vendlindjes që prisnin ta shihnin së shpejti; mund të hamendësojmë një besëtytni në këtë rast, duke i vënë emrin Italo mund të mendonin se vaporët do vinin më shpejt, se foshnja do i ndillte); Albano (në nder të popullit shqiptar, Albanez, Alban); Ulise (Odisea në gjuhën italiane quhet Ulise); Shpëtim (një popull i shpëtuar nga fashizmi, nga e keqja); Gëzim (një popull që e sheh rikthimin me gëzim, gëzim që gjithçka mbaroi etj.); Paqësor (nga këtej e tutje populli dëshironte të ishte paqësor, jo më luftëra); Jetim (një popull i mbetur jetim, pa udhëheqje, pa dikë që t’i drejtojë); Ricordi (Kujtim/ e në lidhje me kujtimet që bartin të gjithë); Dimentichi (Harrim, për të harruar gjithçka që kaluan); si përfundim, emrin ia vunë Kalvar në kujtim të kalvarit të popullit italian.

    Martesa

    Një çift të moshuarish, Filiberto dhe Rodolfina, martohen gjatë qëndrimit të tyre në portin e Durrësit. Një mekanik dhe një soprano e famshme. Një dashuri e rinisë, por që asokohe nuk u ngjiz, u kurorëzua me martesë në pleqëri, në kushte jo fort të përshtatshme. Autori e përdor martesën për të treguar jo më vazhdimësi si në rastin e lindjes, pasi çifti është i moshuar, por për të treguar bashkimin dhe forcën e dashurisë kudo dhe kurdo.

    Nga sa vërehet, libri është i mbushur fund e krye me simbole. Simbole që orientojnë, simbole që zbukurojnë situata, që sjellin karaktere të veçanta në vëmendjen e lexuesit. Libri mbyllet me largimin e italianëve drejt atdheut të tyre. Edhe njëherë autori nuk lë pa rrëfyer dramën njerëzore. Një popull që kthehet në atdhe i sfilitur, i humbur, pa kurrgjë. Ana-Maria hidhet në det e mbytet, Lekë Gurra mbetet në breg me cigare të rënë përtokë. Drama qëndron në fatin e mëtejshëm të personazheve. Me përjashtim të Ana-Marias që zgjodhi vetëvrasjen, rrugën më të lehtë, pjesa tjetër e personazheve vazhdojnë të jetojnë dramën e tyre.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË