More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Teuta Nunaj-Kortoçi: LIBRI I BLETËS (1001 aforizma et cetera nga Besnik...

    Dr. Teuta Nunaj-Kortoçi: LIBRI I BLETËS (1001 aforizma et cetera nga Besnik Mustafaj)

    Tek lexon krijimtarinë letrare dhe publicistike të Besnik Mustafajt, herë të duket se bashkëbisedon me të, herë se e bashkëjeton ngjarjen me të dhe herë sikur je personazh në veprën e tij. Përmes origjinalitetit ideor dhe artistik të shkrimit të veprave të tij, përmes thjeshtësisë dhe sinqe-ritetit që ndien në intervistat e tij, përmes arsyetimit profesional që e lexon në analizat dhe komentet e tij, përfshihesh plotësisht dhe zhvillon në mënyrë koherente një ballafaqim idesh, mendimesh dhe ngjarjesh.

    Ky libër paraqet shtjellime të thelluara të koncepteve të shpjeguara më parë nga Mustafaj si shkrimtar, politikan, diplomat, publicist apo prind me përvojë. Ndaj, ndryshe nga gjithçka që është shkruar më parë nga Besnik Mustafaj apo për Besnik Mustafajn, libri rreket ta pasqyrojë autorin e 1001 sintagmave në të gjithë dimension e tij të plotë jetësor, në 360°.

    Ky libër synon të japë edhe këndvështrime të mprehta intelektuale për çështje të ndryshme e të rëndësishme që i ka shprehur vetë Mustafaj, si emblema mes Principatës apo Mbretërisë në Shqipërinë e vitit 1914, botimi apo jo i “Mein Kampf” apo analiza si ballafaqim idesh e përkthimit të “Rubairave” të Omar Khajamit nga dy personalitete sa të mëdha aq edhe të ndryshme të kulturës dhe historisë sonë shqiptare, dy klerikët e shquar, Fan Noli dhe Hafëz Ali Korça.

    Sipas tematikës, të gjitha citimet janë organizuar në shtatë kapituj: “Dashuria”, “Jeta”, “Shkrimtari, letërsia dhe lexuesi”, “Diktatura kundrejt demokracisë”, “Shoqëria, politika, Europa dhe Ballkani”, “Shqipëria dhe shqiptarët”, për ta mbyllur me kapitullin e fundit si prezantim i vetvetes “Unë, Besnik Mustafaj”. Në brendësi të secilit kapitull, paraqitja e tyre është bërë në dy kritere: koha e shkrimit dhe renditja alfabetike e fjalëve kyçe të secilit citim. Në këtë mënyrë, për të njëjtën fjalë mund të gjejmë përshkrime apo përkufizime të ndryshme që nuk plotësojnë njëri-tjetrin, por formojnë mozaikun e konceptit/ përkufizimit në fjalë, sepse na vijnë nga kohë e kontekste krejt të ndryshme dhe të bërët bashkë në të njëjtën hapësirë i kthen në sinteza pa kohë dhe për çdo kohë njëkohësisht.

    Krahas vlerave që bartin në vetvete të gjitha veprat e Besnik Mustafajt, të cilat për mua kanë qenë nxitëset e para për t’i qëmtuar e për t’u nxjerrë tharmin, një tjetër arsye që përbashkon është edhe Tropoja. Ky libër është realizuar nga unë si dedikim special dhe në nderim të thellë ndaj vjehrrit tim, Dush Kortoçit, malësorit fisnik nga Tropoja, shpirti i të cilit tashmë u bë pandashmërisht pjesë e brendshme e përditshmërisë sime jetësore si mendim e ndjenjë dhe që më mungon fizikisht.

    Ideja për realizimin e librit lindi një dekadë më parë, për t’u shtjelluar e për t’u finalizuar në tri vitet e fundit. Ka qenë gjithnjë pjesë e punës sime hulumtuese dhe e të studiuarit tim identifikimi dhe nxjerrja mënjanë e fjalëve kyçe, koncepteve dhe përkufizimeve, që kishin dhe sillnin një domethënie të rëndësishme, gjë e cila tejkalonte hapësirën e një individi apo të një numri të kufizuar individësh. Pas dakordësisë së propozimit të dytë, në dhjetor 2021 puna mori udhë.

    Mendimi i lindur dhe fillimi i punës ishte për studimin e plotë të veprave letrare e publicistike të shkruara nga Mustafaj, më tej përgjatë angazhimit u ndie nevoja për të përfshirë edhe intervistat e ndryshme e të shumta që Mustafaj ka dhënë ndër vite, si dhe analizat e komentet publicistike të tij, pa të cilat ky punim do të ishte gjithsesi i mangët. Leximi i veprave, punimeve, shkrimeve, analizave, komenteve apo intervistave është bërë në një plan shumë-dimensional: të lexoje, të ndieje bukurinë që të fal leximi, të dialogoje intelektualisht, të abstragoje në mendim, të mbusheshe shpirtërisht, të gjeje e të mblidhje fjalën ose togfjalëshin e duhur dhe të ruaje gjithnjë kontekstin e domethënien e tyre në fjali e paragrafë. Të qëmtoje fjalë pas fjale, togfjalësh pas togfjalëshi, fjali pas fjalie, paragraf pas paragrafi, faqe pas faqeje e minutë pas minute për t’i veçuar për një vlerë të dyfishtë që përmbanin dhe për t’u ridhënë jetë, ishte një punë e bukur, e gjatë në kohë, e thellë në analizë, e kujdesshme në ruajtjen e kontekstit të pjesës së tekstit të zgjedhur dhe e mbushur me kënaqësi profesionale.

    Përgjatë tri viteve u studiua e gjithë vepra letrare e botuar e Mustafajt prej 5378 faqesh, u dëgjuan mbi 50 orë intervista në media e mediume, u lexuan mbi 389 fjalime, analiza e intervista në shtypin e shkruar, ose mbi 276 faqe A4, e gjitha kjo me një synim të saktë e të qartë, nxjerrjen e tharmit së krijimtarisë së Mustafajt.

    Lexuesi tashmë ka në dorë një libër me kuintesencë për ngjarje, fenomene apo aktualitetin, me koncepte për çështje themelore e të rëndësishme në jetën dhe përditshmërinë tonë si qytetarë, me shpërfaqjen dhe shpjegimin e dashurisë si ndjenjë universale, por edhe për ngjarje madhore të kombit tonë si në diktaturë e në liri. Mendimi i shprehur nga Mustafaj është konciz, i drejtpërdrejtë e i qartë, duke ofruar kështu origjinalitet, qartësi dhe emancipim ideor. Është një punë që unë e kam shijuar intelektualisht e shpirtërisht përgjatë të gjithë periudhës e në të gjitha dimensionet dhe uroj që secili prej lexuesve ta shijojë e të gjejë veten në rreshtat e këtij libri, ashtu siç e gjeta unë.


    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË