More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Jolanda Lila: Njohja e shkrimeve historiko-filologjike dhe publicistike të De Radës...

    Dr. Jolanda Lila: Njohja e shkrimeve historiko-filologjike dhe publicistike të De Radës përmes prof. Jup Kastratit

    Profesor Jup Kastrati ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, e cila është  konkretizuar me rreth 40 vepra shkencore; 1000 artikuj e studime, që zënë rreth 20 mijë faqe të botuara në periodikët shkencorë e në shtypin shqiptar; 5 mijë faqe epistolar, me personalitete të kulturës vendase e të huaj, si dhe shumë vepra të tjera të lëna në dorëshkrim. Së fundmi, ka dalë në dritë njëri prej dorëshkrimeve të tij, pikërisht “Vepra historike-filologjike e De Radës”, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Duke qenë se me datën 15 prill, shënohet edhe 99-vjetori i lindjes së profesor Jup Kastratit, po paraqesim një sintezë të rezultateve të punës së tij shkencore me këtë vepër, e cila përbën thelbin e vetë jetës së tij shkencore.

    Figura poliedrike e Jeronim De Radës dhe gjithë opusi i veprave të tij ishin projekti i jetës së profesorit Jup Kastrati, i cili krahas shumë punëve të tjera, e nisi dhe e mbylli veprimtarinë e vet në mënyrë ciklike me këtë figurë, duke spikatur si studiuesi që ndikoi në njohjen tërësore të jetës dhe të veprës së De Radës në trevat shqiptare.

    Më konkretisht, botimet e tij shkencore mbi De Radën shtrihen në harkun prej më shumë se gjysmë shekulli, ndërsa puna me studimin e këtij autori ka zgjatur gati 63 vjet. Sipas të dhënave që gjenden në arkivin e shënimeve vetjake të profesor Kastratit, rezulton se ai e nisi punën fillimisht me veprën Milosao në vitin 1940, kohë në të cilën ishte vetëm 16 vjeç dhe studionte në Liceun Klasik të Shkodrës, gjë që dëshmohet edhe në faksimilet e dorëshkrimeve të botuara në veprën “Jeronim De Rada – Vepra historike-filologjike”. Në këto shënime të marra nga Arkivi familjar, tregohet se studiuesi i rendiste të gjitha veprat e De Radës, me të dhënat përkatëse bibliografike dhe me komente të tjera mbi përmbajtjen dhe specifikat e tyre.          

    Botimet e tij mbi De Radës, zënë fill në vitin l956, me përshtatjen, për herë të parë, në trajtë të plotë të veprës Milosao, vepër e cila erdhi e transliteruar dhe e pajisur me shënime filologjike nga prof. Kastrati.

    Më pas, ky studiues botoi të tjera vepra, të cilat e dritësuan plotësisht figurën e De Radës në vendin tonë. Për herë të parë, në vitin 1962 u botua një biografi e plotë mbi autorin arbëresh, me titullin: “Jeronim De Rada (Jeta dhe veprat), vepër e ribotuar disa herë.

    Më l965, në një botim me rastin e l50-vjetorit të lindjes, ky hulumtues i zellshëm paraqitet me studimin  e gjerë: “Bibliografi mbi Jeronim De Radën”, ndërsa më l968, del në dritë në Shkodër edhe libri tjetër: “De Rada dhe kritika”. Në vitin 1979, prof. Kastrati botoi për herë të parë biografinë e plotë të jetës dhe veprave të De Radës dhe më pas, hartoi edhe veprën “Studime për De Radën”, duke e skanuar plotësisht veprimtarinë e kësaj figure. Lista bibliografike e botimeve të studiuesit Jup Kastrati për De Radën vijon me shumë botime të tjera me vlerë monumentale përgjatë viteve, për të mbërritur deri në ditët e sotme, me botimin e përmbledhjes së lënë në dorëshkrim nga studiuesi: “Vepra historike-filologjike e De Radës”, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

    Kjo sintezë prezantuese e disa prej botimeve kryesore të studiuesit Kastrati mbi De Radën është tregues jo vetëm i thellësisë së njohjes së opusit deradian prej tij, por edhe përforcues i faktit se vepra të tilla nuk mund të konkretizohen pa përvojën e gjurmimeve shumëvjeçare. Prandaj, jemi me fat që e marrim të gatshëm dhe të përmbledhur në një libër të vetëm të gjithë produktin historik, filologjik e publicistik të De Radës në përmbledhjen voluminoze prej gati një mijë faqesh të librit të mbledhur, përshtatur ose përkthyer prej profesor Kastratit.

    Me këtë përmbledhje të organizuar sipas kriterit tematik, studiuesi na sjell si një buqetë shumëngjyrëshe pjesën më të bukur të shkrimeve publicistike, të artikujve e studimeve nga vetë De Rada, të cilat janë të panjohura për lexuesin shqiptar. Ai me durimin gati prej murgu, për gati 30 vjet të jetës së vet, përkatësisht nga viti 1949-1978, i ka mbledhur këto materiale të shpërndara në revista, gazeta, broshura e libra të votuar kryesisht në gjuhën italiane, por edhe në arbërisht.

    Vjelja dhe arkivimi i materialit ka qenë po aq i mundimshëm sa përshtatja dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe, sepse ishte koha kur studiuesit nuk kishin lehtësitë e sotme metodike që të ofron teknologjia.

    Njohja, studimi, familjarizimi me gjuhën dhe botëkuptimin e De Radës dhe më pas, përgatitja e botimit të veprës ishte një proces pune që u zhvillua në rrethana, të cilat janë të pakonceptueshme për studiuesin e sotëm. Prof. Dhora Lloja, në një raport drejtuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në lidhje me punën e studiuesit Jup Kastrati për veprën e De Radës, ndër të tjera, do të jepte edhe disa detaje mbi mjetet dhe kushtet në të cilat punoi studiuesi: “Gjithë materialet e gjetura ai i ka kopjuar me dorë, sepse tek ne mungon shërbimi i kualifikuar me kseroks, fotokopjim dhe mikrofilm për punonjësit shkencorë. Mund të merret me mend, sa kohë e humbur ka qenë kjo punë materiale për këtë deradian; por ai e ka kapërcyer këtë vështirësi jo të vogël me dashurinë për temën, me zell e me pasion, me këmbëngulje e me durim, duke e çuar deri në fund.”[1]

    Për shkak të specifikave të gjuhës së De Radës, ai u mor edhe me daktilografimin e materialit, gjë që nënkupton përkushtimin e një kohe fizike të pamatë. Përveç kësaj, sfidë më vetë përbënte edhe të kuptuarit e sistemit të shkrimit të De Radës, ku probleme paraqesin jo vetëm shkrimet në arbërisht, por edhe niveli gjuhësor i italishtes. Po ashtu, sistemi alfabetik është përballja e parë me veprën, e cila e vështirëson leximin me kodin e sotëm gjuhësor. Në fillimet e krijimtarisë së vet, De Rada ndoqi kryesisht gjurmët e traditës alfabetike të shkrimit arbëresh, i cili ndonëse nuk kishte një trajtë të vetme por ndryshonte sipas autorëve, sërish kishte në thelb alfabetin latin, që plotësohej me grafema greke për tinguj të caktuar. Më pas, De Rada kalon nga një sistem grafik mbi bazën e alfabetit italian në sisteme të tjera të përziera greko-latine. Pra, alfabeti i tij ishte në ndryshim të përhershëm dhe i paqëndrueshëm edhe nga njëri shkrim tek tjetri. Ndërsa studiuesi Jup Kastrati, duke qenë edhe vetë gjuhëtar, pas studimit të të gjithë korpusit të veprave të De Radës arriti në përfundimin se, sistemi alfabetik i De Radës, gjatë shtatëdhjetë vjetësh të krijimtarisë së tij letrare dhe të veprimtarisë së tij kërkimore-shkencore e botuese, ka ndryshuar shtatë ose tetë herë.

    I gjithë procesi i përgatitjes së këtij botimi u realizua në kohën kur informacioni bibliografik për De Radën në vendin tonë ishte i mangët, gjë që e vështirësonte punën e studiuesit Kastrati. Pikërisht mes këtyre mungesave, ai punoi me ngulm për të konturuar trajtën e plotë të tharmit të mendimeve deradiane, shprehur përmes shkrimeve të ndryshme.

    Vlera e shkrimeve të De Radës

    “Vepra historiko-filologjike” ngërthen në vetvete shkrimet më të rëndësishme të De Radës, të cilat janë klasifikuar prej studiuesit Jup Kastrati në pesë kapituj kryesore, të organizuar sipas kriterit përmbajtjesor.

    Në kapitullin e parë, “Vepra historiko-gjuhësore” renditen shkrimet e De Radës mbi gjuhësinë, të cilat nisin me një varg artikujsh mbi historinë e shqipes, ku mbrohet pikëpamja e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe kërkohen gjurmët e marrëdhënieve të hershme të shqipes me gjuhët fqinje përmes analizimit të toponimeve dhe etnonimeve. Në këtë kapitull, botohen edhe shumë shkrime që nxjerrin në pah ndihmesat e De Radës për alfabetin, gramatikën, leksikografinë dhe dialektologjinë shqipe.

    Në kapitullin e dytë “Vepra historiko-letrare” paraqiten parathëniet që vetë De Rada ka shkruar për veprat e tij, ku poeti shfaqet si kritik i vetvetes. Po ashtu, ai shfaqet edhe si estet, folklorist dhe etnograf, përmes recensioneve apo shënimeve që ai ka hartuar në vepra të ndryshme.

    Në kapitullin e tretë, “Profile historiko-letrare”, përfshihen 50 profile të De Radës mbi figura të rëndësishme shkrimtarësh, intelektualësh, folkloristësh, albanologësh, patriotësh e personazheve të ndryshme të botës arbëreshe dhe më gjerë.

    Në kapitullin e katërt, “Vepra historike, publicistike, politike” paraqiten disa nga shkrimet kryesore të botuara në organet e shtypit nga De Rada, sidomos në revistën e themeluar prej tij “Fjamuri i Arbrit”.

    Ndërsa, në kapitullin e fundit, “Epistular”, janë botuar 18 letra që De Rada u ka dërguar arbëreshëve të mirënjohur dhe që lidhen kryesisht me veprimtari e çështje atdhetare.

    Secili prej këtyre kapitujve përmban një vepër më vete, e cila sjell të dhëna të rëndësishme mbi ngjarjet e kohës, por edhe mbi pikëpamjet e vetë De Radës.  Në këto shkrime, ai shpalosi talentin e vet si publicist, duke lëvruar thuajse të gjitha llojet dhe zhanret publicistike, që nga kryeartikulli e deri  te skica. Po ashtu, ai shfaqet edhe si poet, sepse shkruan me frymëzim artikuj  dhe pamflete, që sot përfshihen në grupllojin e dytë të publicistikës.

    Tashmë që është mbledhur e botuar vepra e tij historike, publicistike dhe filologjike, mbetet të zbulojmë të tjera cilësi të mjeshtërisë së fjalës së tij publicistike e më gjerë.


    [1]  Arkivi vetjak i prof. Jup Kastratit, Raporti me temë: Përgatitja për botim e veprave historike, filologjike dhe publicistike të Jeronim De Radës nga Jup Kastrati. Drejtuar: Prof. Aleks Budës, Kryetar i Akademisë së Shkencave të RPSSH, konceptuar dhe daktilografuar nga Jup Kastrati dhe nënshkruar nga drejtoresha e institut Dhora Lloja, 20 qershor 1979,  fq. 6.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË