More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Fabio Rocchi: Forma e shkurtër në panoramën e narrativës italofone. Historitë...

    Dr. Fabio Rocchi: Forma e shkurtër në panoramën e narrativës italofone. Historitë shkurtra që arrijnë të rrëfejnë vetëm një gjë. (Udha e dorës, E: 12)

    Zhanri i shkurtër në letërsinë moderne dhe bashkëkohore has zhvillime të diskutueshme. Nga njëra anë, ka qenë në gjendje të konvergjojë rreth vetes reflektime dhe kuptime të thella, të zbuluara përmes historive me bukuri absolute dhe ekuilibër të përsosur. Nga ana tjetër, për arsye editoriale vërtet të panjohura për mua, ai konsiderohet prej shumë vitesh një zhanër i vogël, i paaftë për të shitur kopje librash, sikur të ishte shkruar me dorën e majtë, në krahasim me zhanrin e referimit të vërtetë dhe të gjithëdijshëm: atë të romanit që përbën tërësinë e botimeve vjetore në Itali – dhe gjetkë.

    Personalisht, jam i mendimit se nuk ka zhanër më të aftë për t’u lidhur me realitetin bashkëkohor sesa short story. Jetojmë me fragmente, duke ngërthyer me klikime spazmatike ndërfaqet virtuale me të cilat lidhemi me botën, përmes linqeve që na çojnë menjëherë gjetkë, pa qenë nevojë të përfundojmë atë që kishim filluar të lexonim. Tregimi funksionon pikërisht në këtë mënyrë. Lulëzon falë përjashtimeve, presupozon një plotësim instinktiv të kuptimit, përqendron rreth disa detajeve të pashpjeguara plotësisht – dhe, për rrjedhojë, të pashterura në funksionin e tyre narrative – histori ekzemplare, të cilat gjejnë, siç zbulohet në finalen paralizuese, një shpjegim në një çelës filozofiko-ekzistencial.

    Por jo vetëm. Në një epokë në të cilën – përjashtuar profesionistët e sektorit dhe pensionistët – koha që i dedikohet letërsisë rezulton vërtet e limituar, ato pak faqe që zë një tregim, krahasuar me mesataren e 150 faqeve të një romani, duket se përfaqësojnë masën më të përshtatshme për kë dëshiron të konsumojë një përmbajtje imagjinative e kulturale në të njëjtën kohë. Një kontekst i aftë të pasurojë ata persona që vendosin të lexojnë, por, pa hequr dorë nga angazhimet e përditshme. Në vend të kësaj, në mënyrë befasuese dhe ndoshta të dyshimtë, sapo kemi parë sesi tregu vendos jo vetëm të shpërblejë romanin, por edhe të favorizojë një tendencë të pashpjegueshme, të krijuar këto vitet e fundit, sipas së cilës vihen në treg vepra voluminoze, në gjendje të kalojnë 500 apo 1000 faqe dhe askush nuk skandalizohet nga ky fakt. Sa persona do të kenë kohë t’i lexojnë seriozisht këta libra?

    Mekanizmi i kondensimit të formës së shkurtër dhe historia e saj në letërsinë italiane të Shekullit të Njëzetë.

    Pikërisht për shkak të atyre karakteristikave të antagonizmit editorial krahasuar me romanin, të cilat u përpoqa t’i shpjegoj shkurtimisht në hyrje, një përkufizim teorik efektiv për zhanrin e shkurtër mund të lindë vetëm në një paralel të kundërt me formën e zgjeruar. Duke qenë se është qartësuar që nuk mund të jetë gjatësia i vetmi parametër që përcakton dallimet kryesore mes dy mënyrave të rrëfimit, prodhimtaria teorike – veçanërisht e pasur në dy dekadat e fundit – është përqendruar në aspekte të mëtejshme, si ekskluziviteti i ngjarjes së treguar dhe statuti i veçantë i finales. Në fakt, format e shkurtra më efektive sillen gjithmonë rreth episodeve unike, fakteve të spikatura, aventurave të jashtëzakonshme. Intensiteti dhe veçantia e qartë e ngjarjeve të rrëfyera ndihmojnë në krijimin e një tregimi kompakt dhe linear, pa digresione të rëndësishme, në një skemë njëdrejtimëshe që përqendron drejt finales – me një ritëm gjithnjë në rritje – të gjitha përvetësimet më të rëndësishme të kuptimit. Prandaj, nëse romani tregon një jetë, një biografi të plotë të një personazhi, forma e shkurtër do të kujdeset të tregojë vetëm një fragment të saj. Nëse romani ka si ambicie të grumbullojë shumë fakte rreth ngjarjeve themelore, forma e shkurtër do të interesohet për një fakt të vetëm. Nëse romani e shpërndan peshën e fabulës në disa faqe, forma e shkurtër do ta mbledhë atë, duke e zhvendosur në mënyrë të pashmangshme drejt faqes finale. Në këtë teknikë, e cila favorizon një përshpejtim të kondensuar të ngjarjeve dhe frekuencave, luhet ekuilibri thelbësor i tregimit.

    Në mënyrë absolutisht të përmbledhur dhe jo të plotë, do të doja të shpërfaqja disa reflektime pa ndonjë rend të veçantë për zhanrin e shkurtër, mbi të gjitha në lidhje me vendin tim të origjinës. Le të marrim rastin e Italisë, duke pasur parasysh traditën e saj narrative të Shekullit të Njëzetë. Përballë një serie të konsiderueshme tregimesh të shkurtra – nga novela e deri tek short story bashkëkohor – që u mundësoi autorëve të kanonizuar si Pirandello, Tozzi, Svevo dhe Calvino (vetëm për të përmendur disa) ta bënin tregimin element thelbësor në veprën e tyre, vitet Dymijë duket se konfirmojnë një përmbysje në lidhje me konceptin e zhanrit. Në fakt, qysh prej fundit të viteve Nëntëdhjetë, tregimi gjendet i vendosur në një pozicion margjinal të tregut editorial, deri në atë pikë sa të arrijë të kushtëzojë vetë instinktin krijues të autorëve, të cilët, gjithnjë e më tepër kanë vendosur të mos aplikohen në këtë formë; aq sa nuk ekzistojnë më autorë italianë që shkruajnë vetëm tregime, siç ishte Tondelli në vitet Tetëdhjetë për shembull. Edhe kur ekzistojnë (të shkëlqyera tregimet e Francesco Pecoraro, sot tetëdhjetëvjeçar), janë të konceptuara në mënyrë absolutisht spekulare dhe paralele me logjikën e romanit, duke nënkuptuar me këtë një mungesë të vrullit eksperimental në ato që konsiderohen versione në miniaturë, të reduktuara, krahasuar me fabulat romanceske.

    Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Duke filluar nga vitet Pesëdhjetë e në vazhdim, tregimi i autorit (Fenoglio, Moravia, Bassani) ka pasur padyshim një fizionomi shumë tradicionale, armiqësore ndaj çdo hipoteze eksperimentimi narrativ. Ishin vitet Gjashtëdhjetë ato që shndërruan këtë ekuilibër: avangarda e re e shtriu kushtëzimin e saj edhe në formën e shkurtër – nga Malerba e Manganelli deri te Calvino kombinatorik – duke e transformuar tregimin në një laborator në të cilin testoheshin zgjidhje të reja narrative. Shkurtësia lejonte ndërtimin e teksteve krejtësisht anti-narrative ose, gjithsesi, të lindura për të zhgënjyer pritshmëritë e lexuesit. Një prirje e tillë konfirmohet – madje ndoshta edhe theksohet – në kontekstin letrar të shekullit të ri, të karakterizuar nga imperativi i romanit si formë shprehëse e një shoqërie që dëshiron të përshkruajë veten përmes një përfaqësimi sa më gjithëpërfshirës e të dallueshëm që në pamje të parë, pa pretenduar ama përpjekje të tepërta interpretimi nga lexuesi.

    Pra, për ta përmbyllur: formës së shkurtër i caktohet edhe një herë sot një vlerë eksperimentale krahasuar me ndarjen në zhanre që rregullon ligjet e krijimit të romanit, duke iu referuar një praktike narrative të afirmuar në vitet Gjashtëdhjete dhe rikonfirmuar nga disa raste shumë interesante të njëzetëvjeçarit të parë të viteve Dymijë, me emra si Giorgio Vasta, i ndjeri Vitaliano Trevisan, Giorgio Falco e Vanni Santoni.

    Po shkrimtarët italofonë me prejardhje shqiptare, argument i studimeve të mia prej fundit të vitit 2018 dhe mbi të gjitha subjekt i kësaj rubrike, si janë sjellë në momentin kur kanë vendosur të vihen në provë me zhanrin e shkurtër?

    Përmbledhje tregimesh që i shmangen temave standarde dhe sjellin një koralitet të ndryshëm nga ai i romanit.

    Ndërkohë që botuesit promovonin formën e romanit duke detyruar autorët italofonë të thurnin histori “emigrantësh” që trajtonin kryesisht aspekte biografike dhe përkujtimore të protagonistit, një rrymë paralele e përbërë nga zëra indiferentë ndaj kërkesave të tregut, vazhdonte të rrëfente në mënyrë krejtësisht të pavarur nga stilemat e krijuara nga kjo formë. Në vëzhgimin diakronik të njëzet e pesë viteve të lëvizjes italofone me prejardhje shqiptare, ekzistojnë të paktën pesë përmbledhje tregimesh të cilat, sipas këndvështrimit tim, meritojnë vëmendje, pikërisht sepse kanë dëshmuar një vitalitet dhe shpesh një “ekstravagancë” të vërtetë ndaj temave tradicionale të diasporës.

    E kam fjalën për këta libra: Bevete cacao Van Houten! i Ornela Vorpsi, i shkruar në vitin 2005 në gjuhën italiane dhe i përkthyer menjëherë në frëngjisht nga shtëpia botuese Actes Sud, para se Einaudi ta sillte në Itali pesë vite më vonë; Amputazioni prolungate, i Arben Dedja i vitit 2014; Briciole i Alketa Vako i vitit 2016; Dal tuo terrazzo si vede casa mia i Elvis Malaj i vitit 2018 dhe, për ta përmbyllur me një vepër e cila përfshihet në mënyrë perfekte në këtë linjë, duke përmbledhur në njëfarë mënyre temat dhe karakteristikat e saj, Da un’altra porta i Durim Taçi, publikuar këtë vit. Bëhet fjalë për përmbledhje tregimesh që konsideroj domethënëse dhe që arrijnë të vënë në pah elementë inovativë dhe një vullnet narrativ gjithnjë koherent në brendësi të lëvizjes italfone.

    Konceptin “përmbledhje tregimesh” duhet të konsiderojmë si një lloj makrozhanri me funksione e rregulla të qarta. Tregimet i kërkojnë kryesisht ata redaktorë të cilët, nëpërmejt instrumentit të antologjisë, përpiqen të ofrojnë një mostër të të rejave që ofron panorama e prozës italiane, duke zgjedhur më së shumti tekste të publikuar në revista të pavarura – të printuara ose online – që përfaqësojnë një magmë pa formë ku mund të kërkohen e të nxirren disa konstante. Përmbledhja, e nënkuptuar si ekuilibër konceptual i përbërë nga një përzgjedhje tekstesh, arrin të jetë e tillë kur përshkohet nga një mendim koherent dhe kur arrin, nëpërmjet shumës së pjesëve që e përbëjnë, të demonstrojë një teori apo të vërë në dukje një mendim i cili është reflektim i një vizioni personal të botës. Kur kjo arrihet, kemi përballë thesarë të vegjël që spikasin ndaj uniformitetit të shkrimeve mbizotëruese, dëshmimtarë të një vene rrëfimtare të lirë dhe jo të ndërtuar mbi bazën e imagjinarëve të referimit të një lloj letërsie e cila akoma sot nuk arrin të dalë përtej gardhit në të cilin e kanë vendosur – dhe ku shpeshherë ka treguar se i pëlqen të qëndrojë. Nëse temat e diktaturës komuniste, të kapërcimit të Adriatikut, linjat magjike të narrativës së fshatit dhe të vështirësisë së përshtatjes ekzistenciale me paradigmat perëndimore dhe kapitaliste të vona kanë zënë pjesën dërrmuese të kësaj letërsie, nga ana tjetër – kryesisht falë formës së shkurtër që i lejon më tepër liri autorëve – gjejmë eksperimente dhe rrëfime pjesërisht të ndryshme.

    Tregime që lënë një shenjë.

    Në mënyrë krejtësisht personale, e për pasojë arbitrare, do të doja të vazhdoja me citimin dhe një koment të shkurtër të atyre tregimeve që, të zgjedhur në rend kronologjik nga përmbledhjet e përmendura më sipër, kanë arritur të shfaqin në mënyrë të arrirë karakterin e një periudhe kohore dhe njëkohësisht të përfshihen me elementë risie në aspektin formal e atë gjuhësor në standardin e lëvizjes italofone me prejardhje shqiptare. Si premisë, po marr hua një përsiatje të Roland Barthes, i cili shpjegon shumë mirë «karakterin e funksionalitetit» të detajit narrativ, sidomos nëse vihet në raport me tërësinë e tekstit në të cilin bën pjesë (në Sul racconto, f. 27-39). Përbërës i strukturave më koherente, detaji, nëse funksionalizohet në mënyrën e duhur, është tregues i një poetike shprehëse që përkthehet në imazhe nisur nga një vullnet i qartë, i përcaktuar më herët. Këtu dua të saktësoj se më shumë se nga gjykimi i vlerës (që i përket një sfere tepër subjektive për t’u bërë objekt i një shqyrtimi kritik) kjo përzgjedhje frymëzohet nga mënyra e ndërtimit të atyre tregimeve që mahnisin për korrespondencën ndërmjet frymëzimit narrativ, që është baza e idesë, dhe metodave formale të përdorura për ta vënë në jetë atë frymëzim, pra për ta përkthyer në faqe letrare.

    Po filloj me shkrimtaren e parë në absolut që ka ditur të çndërtojë nga brenda qëndrimet dhe pozat e një enkalve letrare që atë kohë, në vitin 2005, sapo kishte filluar të formohej. I referohem Ornela Vorpsit dhe tregimit të saj Della bellezza (Bevete cacao Van Houten!, 2005). Nga ajo përmbledhje – vepra më e mirë e Ornelës sipas meje, e destinuar t’i rezistojë kohës – mund të përmenden shumë tregime të rrallë për nga bukuria dhe pastërtia formale. Lumturi disparue, Mauro di via dei Gracchi, Storia di una pensione, Venerdì sera, Storia di scarpe: në secilin prej këtyre fragmenteve mund të perceptohet origjinaliteti i vështrimit të rrëfyesit, një vështrim i depozituar në hapësirën rrethuese, që arrin të zbulojë dinamikat dhe mekanizmat shoqërorë falë përkatësisë vetëm të pjesshme në vendin ku është shpërngulur. Këndvështrimi i tjetrit, i të huajit i cili nuk harron se ngelet gjithmonë i tillë, tregon pa filtra gjithçka që i shfaqet para syve, duke dhururar reflektime që marrin jetë nga pranëvënie të padëgjuara më parë, arsye për të cilën rezultojnë zbuluese. Është pikërisht ky rasti i Della bellezza, në kontekstin e së cilit shoqëria multietnike që po vetëdijësohej pikërisht në ato vite në Itali përzihet me nevojat e një komuniteti të ri – atij të njerëzve të natës siç quheshin në vitet Nëntëdhjetë, ngushtësisht i lidhur me botën e diskotekave. Bëhet fjalë për një komunitet thellësisht hedonist, i fiksuar e i varur ndaj arteve restauruese të kirurgëve plastikë, të cilët, nëpërmjet konsumimit të pamasë së silikonit,  modelojnë format nga brenda dhe kanë fuqinë të përmirësojnë përkohësisht papërsosmëritë estetike. Përpjekja për t›u dukur të bukur me çdo kusht përkthehet në tregimet e Vorpsit në një koralitet të shpërbërë e të përballur me vetminë, të fiksuar nga kultit i imazhit të vetvetes dhe erotizimit të vazhdueshëm të një trupi që ngelet pezull mes dy ekstremeve, atij të narcisizmit dhe pornografisë. Të ndjerit i izoluar edhe pse jeton në një grup është në fund të fundit një nga temat e mëdha të letërsisë bashkëkohore. Dhe kur një hallkë e dobët e zinxhirit, e gjora Lolly, shkëputet, duke u zhdukur në moshën njëzetë e shtatë vjeçare pa lënë asnjë gjurmë, dhimbja ekzistenciale që përmban kjo histori ndihet në të gjithë shkretimin e saj.

    Krejt i ndryshëm paraqitet rasti i Arben Dedja, i cili me tregimin Piccole esplosioni (Amputazioni prolungate, 2014) na dhuron një tekst të përshkuar nga një humorizëm i tipit iluminist dhe një kulturë e thellë, në harmoni të plotë me shifrën stilistike që dallon të vetmin autor italofon, i cili, për momentin – bashkë me Alketa Vako – ka praktikuar vetëm zhanrin e shkurtër, duke i qëndruar larg arkitekturës së romanit. Tregimi është shumë i thjeshtë për t’u përmbledhur: flet për rastet në të cilat gazrat natyrorë të lëshuar prej pacientëve gjatë operacioneve kanë shkaktuar aksidente apo shpërthime të vogla në momentin që kanë rënë në kontakt me shkëndijat e bisturive elektrike. Nëpërmjet një lidhjeje tipike të historive të trilluara, të animuar nga kujtime erudite, përfundohet në qytetin e Padova të Shekullit të Katërmbëdhjetë, në Kapelën Scrovegni të afreskuar nga Giotto dhe, ndoshta, të referuar nga Dante në një varg të famshëm – dhe të çuditshëm – nga Ferri. Ndjenja e gjallërisë dhe e bollshmërisë së arsyetimit të narratorit që bën të mundur kalimin nga tema të parëndësishme në disertacione të ngritura në vetëm tre faqe, të shkurtra dhe mjeshtërore, janë absolutisht të paprecedentë në panoramën italofone, shumë të këndshme për t’u lexuar, ashtu si shumë tregime të tjera të shkurtra shkruar nga Dedja.

    Vita morte e miracoli di Xhufi Alketa Vako (Briciole, 2016) rrëfen nëpërmjet syve të një vajze viktimë të patriarkatit, historinë e shkurtër të një qeni, i cili hyn në familje si një leshator i hijshëm për t’u transformuar shumë shpejt – pothuajse në osmozë me babain padron që e kishte burgosur – në një bishë të egër. Natyra e pakuptueshme e ndërgjegjes së kafshëve mirëmenaxhohet nga fillimi në fund, në një sërë personifikimesh që e bëjnë bishën të ngjashme me njeriun, duke e mbivendosur viktimën mbi xhelatin, ndërkohë që përmes një unicum – përmbledhja është e orientuar drejt vënies në skenë të situatës së një feminiliteti që vuan nga mashkulli deri në atë pikë sa ndonjëherë dhunohet brutalisht – Vako arrin të krijojë një diversion shumë efikas. 

    L’uomo con la cravatta con un motivo a fiori (Dal tuo terrazzo si vede casa mia, 2018) asistojmë në vëzhgimin e një burri – një vetëvrasës potencial ndoshta, ose gjithsesi një i huaj i margjinalizuar – që zvarritet nga njëra anë e një periferie industriale në tjetrën, ulur në ndenjësen e një autobuzi, ndërkohë që protagonistja Vera bisedon me zë të lartë me shoferen, mike e saj. Moskokëçarjes së dy mikeshave i kundërvihet vështrimi i burrit, i fikur, i heshtur, i pafjalë, që spikat vetëm për informalitetin dhe papërshtatshmërinë e kravatës së tij. Prezenca e tij përvijohet, në mënyrë paradoksale, në mungesë batutash, me përjashtim të një të vetme që shqipton në fund. Ky detaj na lejon të vlerësojmë aftësitë përshkruese të Elvis Malajt të hershëm, i cili në atë libër demonstron të zotërojë një talent të madh, veçanërisht në ndërtimin e situatave paradoksale, të pasura me tensione të fshehura, gati për të shpërthyer. Nëse njëri nga qëllimet – krejtësisht i arrirë – e përmbledhjes së tij të tregimeve është padyshim ai i përshkrimit të shoqërisë italiane, barra e një ekzistence pa një synim (ajo e Altinit, burrit me kravatë) i sillet publikut në mënyrë të përkryer në një seri të pathënash e implikimesh. Janë gjurmë që i dorëzohen lexuesit në mënyrë që fantazia e tij t’i plotësojë. 

    Pra, në terma teorikë, tregimi i Malajt plotëson kërkesat e nevojshme për të pohuar se jemi në prani të një proze që i atribuohet zhanrit të shkurtër. Thelbësia e historisë, rindërtimi vetëm i pjesshëm i fakteve, detaje të pazgjidhura nga të cilat mund të nënkuptohet konteksti, një finale enigmatike që mbërrin pas një zhvillimi të përshpejtuar ngjarjesh të vogla, të mbyllura në një hark kohor të kufizuar. Theksoj sërish këto elemente sepse jo gjithmonë, edhe pse në prani të një numri të kufizuar faqesh, mund të pretendojmë se kemi të bëjmë me një short story apo një tregim. Ndodh për shembull qe përmbledhja e bukur e publikuar pak muaj më parë nga Durim Taçi (Da un’altra porta, 2023) të përmbajë në brendësi disa tekste të shkurtër por përsosmërisht të përmbyllur, arsye për të cilën i atribuohen formës së romanit dhe jo asaj të tregimit. Nëse analizojmë rastet e One Up dhe të L’abito, ndoshta edhe të Dollia, një ekzistencë e tërë, ajo e protagonistëve, e ndërthurur me jetët e personazheve të tjerë plotësues, arrin të përvijojë një ngjarje të përfunduar dhe tërësisht të shpjeguar, e tillë që rezulton në konflikt me teorinë e formës së shkurtër. Ndërkohë që tregimi Sulle tue orme mund të veçohet jo vetëm si shembull i përkryer i tregimit bashkëkohor, por ofron edhe disa sugjerime interesante mbi një tjetër aspekt të formës që është antitezë e romanit: aftësinë e saj për të tërhequr stilema nga zhanre të tjera narrative të kodifikuara gjerësisht. Në këtë rast gjejmë të shkrirë në tregim elementë të denjë për një spy-story dhe një finale sugjestive të hapur, prej së cilës historia mund të vazhdojë në shumë versione të mundshme. Në të njëjtën mënyrë, është lehtësisht e dallueshme shifra mbizotëruese e shkrimit të Taçit: rrëfimi në vetën e dytë.

    Janë veç disa shembuj, që dëshmojnë ama, edhe një herë, pasurinë e varianteve dhe sipërfaqet e shumta të nënvizuara nga lëvizja italofone me origjinë shqiptare. E vëshguar në tërësinë e saj, siç kam patur mundësi të bëj në raste të mëparshme, shfaqet si një nga fenomenet e reja më domethënës të letërsisë italiane të dhjetëvjeçarëve të fundit, sidomos po të konsiderojmë numrin e autorëve dhe veprave. Një komunitet vërtet i gjerë shkrimtarësh të ardhur nga të njëjtat troje, në një moment të caktuar ka marë fjalën – në një gjuhë të adoptuar –  dhe ka arritur të futet me origjinalitet në një sistem editorial që në atë periudhë po ndryshonte disa prej zakoneve të veta socio-kultutrore, në njëzetëvjetorin e parë të viteve Dymijë. Dhe, për të ofruar prova të mëtejshme mbi këtë pasuri, në të cilën mahnisin burimet stilistike, transformimi krijues i gjuhës dhe përdorimi i zhanreve të ndryshëm, në dy episodet e ardhshme do të braktis përkohësisht fushën e narrativës për t’u përqëndruar në zërat italofonë që janë shprehur – gati ekskluzivisht – në vargje.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË