More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Fabio M. Rocchi: Ushtrimi i humorit tradicional të shek. XVIII për...

    Dr. Fabio M. Rocchi: Ushtrimi i humorit tradicional të shek. XVIII për të përshkruar Shqipërinë e tranzicionit Tregimet e Arben Dedjas. (Udha e dorës, E: 8)

    Me rastin e Arben Dedja, dhe me shkrimin e tij gërryes e humoristik, ndeshemi me një autor unik në llojin e vet. Në panoramën e narrativës italofone, askush para tij nuk kishte ditur të kondensonte, në deklarata sa të shkurtra aq edhe kuptimplota, ndjesitë e tranzicionit të përjetuar nga vendi në momentin e tij të stabilizimit, pas datës kufi të vitit 1991. Ndërkohë që praktikisht të gjithë të tjerët përqëndroheshin mbi narrativën e gjatë, pra mbi romanin, shumë shpesh duke hibridizuar histori personale dhe eksperienca migruese me rrënjët kulturore te Shqiperise arkaike apo paramoderne, Dedja, në të kundërt, ia besonte reflektimin e tij tregimit te shkurter (short story), duke na dhuruar dy libra tematikë të vegjël për nga volumi, por të mëdhenj për nga përmbajtja, dy përmbledhje tregimesh të mbajtura së bashku nga një ide frymëzuese shumë e qartë dhe nga konstante të përsëritura tematiko-figurale. Në librin e parë, Amputazioni prolungate, i vitit 2014, shfaqen njëzetë e tre histori. Në të dytin, Trattato di medicina, i publikuar në Itali në vitin 2020, historitë janë nëntëmbëdhjetë e gjysëm, siç sqaron titulli, por disa prej tyre – pesë, për saktësi – ishin shfaqur edhe në librin paraardhës (Morgue, Siringa, Errata corrige, Piccole esplosioni, Museo). Po t’i mbledhim, bëhet fjalë për një korpus të kufizuar në më pak se dyzet tekste të shkurtër. E megjithatë, pavarësisht një krijimtarie narrative përgjithësisht të vogël, veçanërisht nëse krahasohet me përvoja të tjera shumë më pjellore, shkrimtaria e Dedja nuk mund të likuidohet si kalimtare apo rastësore. Përkundrazi. Zgjedhja e veçantë formale e adoptuar nga autori, besnike në ndjekjen e një tipologjie mekanizmi përshkrues dhe argumentues, e bën atë një shembull të shkëlqyer të shkrimit të paradoksit, të realizuar me inteligjencë dhe me një vrull të shkëlqyeshëm tregimtar, i aftë të minojë shumë prej qëndrimeve ideologjike tipike të vendit të vet.

    Dedja vetëpërkthehet nga shqipja në italisht, siç ndodh me shumë autorë të lëvizjes italofone. Njohja e tij me gjininë e poezisë, si poet dhe si përkthyes (nga italishtja dhe anglishtja) i ka dhënë një ndjeshmëri të veçantë për aspektin liriko-muzikor të fjalisë. Provoni të lexoni rastësisht një paragraf në një prej faqeve të tij: do të gjeni një prozë eufonike, të ekuilibruar, lineare, në të njëjtën kohë të pasuruar nga një sistem i nderlikuar fjalish nënrenditëse të frymëzuara nga latinishtja. Veçantia e stilit të stolisur të Tito Livio të Annales – për të cituar një autor themelues dhe mjeshtëror në këtë kuptim –, stil që ka farkëtuar për shekuj me radhë mënyrën e të shkruarit të zërave pasues perëndimorë, gjendet i paprekur në tregimet e Dedjes. Kemi të bëjmë me një logjikë që nis nga arsyetimi dhe që i jep lexuesit një mori informacionesh, duke i renditur me qetësi në një progresion retorik, në të cilin suspanca të detyron ta gllabërosh fjalinë, për të zbuluar një kuptim të plotë që, pikërisht sipas rregullave të sintaksës latine, plotësohet vetëm në fund. Po sjell vetëm një shembull, ndër të shumtët që mund të jepen: «Kurioziteti profesional më shtyu të vizitoja në Linz të Austrisë, muzeun më të çuditshëm dhe ndoshta edhe më argëtues që kam vizituar ndonjëherë; unik në llojin e tij, i themeluar në vitin 1872 nga një kirurg vendas, Dr. Kirchgarden, një personazh të cilit nuk i mungonte sigurisht sensi i autoironisë. I referohem muzeut të objekteve të harruara nga kirurgët në barkun e pacientëve të tyre, por emrin e tij në gjermanisht (një fjalë e vetme) tani nuk jam në gjendje ta rindërtoj» [«La curiosità professionale mi spinse a visitare a Linz, in Austria, il museo più strano e forse anche il più divertente che io abbia mai visitato; unico nel suo genere, fondato addirittura nel 1872 da un chirurgo locale, il Dott. Kirchgarden, un personaggio cui non mancava certo il senso dell’autoironia. Mi riferisco al museo degli oggetti dimenticati dai chirurghi nelle pance dei loro pazienti, ma il suo nome in tedesco (una sola parola) non sono ora in grado di ricostruirlo»] (shkëputur nga tregimi Museo, në përmbledhjen Amputazioni prolungate, Besa Editrice, 2014, f. 60). Pasurisë së informacioneve, që i referohen përvojës jetësore të unit rrëfyes, i shtohen gradualisht detaje në lidhje me situatën, me gjeografinë, derisa shpërthen, i zhytur në qetësinë e një vizite në një muze normal, absurdi, pra kampionari makabër e njëkohësisht humoristik i objekteve të harruara në barkun e pacientëve nga kirurgë të hutuar gjatë operacioneve të tyre.

    Në këtë tipar qëndron edhe karakteristika më befasuese e stilit të Dedja, i cili përzgjedh shumë shpesh histori paradoksale duke zbuluar ngadalë natyrën e tyre e duke i rrëfyer me ftohtësinë dhe arsyetimin tipik të një prej figurave për antonomazi më intelektuale të shoqërisë: asaj të doktorit.

    Figura e mjekut dhe paradigma e eksplantit.

    Shumë shpesh, uni rrëfyes i Dedja përfaqësohet nga mjekë, bij arti dhe vazhdues të një tradite Hipokratike familjare të vjetër. Në cilësinë e dëshmimtarëve, heronj të mirëkuptimit dhe reflektimit, ata tregojnë atë që kanë parë, përmes plotësisë së një raporti dokumentar që i afrohet ftohtësisë së një referti mjekësor. Por, mjeku nuk është thjesht një figurë që mishëron vlerat e arsyetimit dhe aftësisë diagnostikuese. Historia e letërsisë na tregon shpesh këtë lloj personazhi në pozicione dhe qëndrime ambivalente: aftësia e tij për të shëruar – ose për të përdorur njohuritë e veta edhe për qëllime të paligjshme – e vendos atë shumë pranë gjendjes së demiurgut. Mjeku është në gjendje të zgjasë jetën, duke e larguar vdekjen nga trupi i njeriut. Po kështu, ai arrin të shfrytëzojë deri në fund avantazhet e një ushtrimi të fuqishëm të arsyes. Personazhi i Watson në këtë drejtim, përveçse shoqëruesi i pandashëm i hetuesit Sherlock Holmes, është një shembull i mirë se sa doktori mund të përfaqësojë racionalitetin, duke aplikuar një metodë shkencore rigoroze dhe deduktive. Në të njëjtin rrafsh, megjithëse në mjedisin e një zhanri dhe situate shumë të largët, gjejmë doktor Rieux në La Peste të Camus, një figurë heroike, i pari që kuptoi se komuniteti do të shkatërrohej nga një epidemi e tmerrshme. Edhe poli negativ ka ekzemplarin e tij shumë të famshëm: doktorin kameleonik Jekyll, fryt i penës së shkrimtarit skocez Robert Luis Stevenson. Në luftë të përhershme me alter egon e tij, Mister Hyde, Jekill është një metaforë e shkëlqyer e kufijve të shkencës: një nga romanet e para që propozon temën etike të profesionit mjekësor si linjë kryesore, edhe pse e fshehur mes ngjarjeve aventureske të një Londre të shekullit të nëntëmbëdhjetë të dominuar nga mjegulla dhe errësira morale e protagonistëve.

    Pra, tradita romanceske e shekullit nëntëmbëdhjetë-njëzetë na e ka përshkruar –  përmes shembujve të shquar lista e të cilëve mund të zgjerohet shumë më tepër – mjekun si intelektual dhe shkencëtar, por duke e alternuar këtë imazh me nuancat arkaike të shëruesit, shumë afër figurës popullore të magjistarit të fshatit. Në këtë kuptim, gjej shumë të arrirë skicën e Dottor Achille Botti, i cili, në tregimin me të njëjtin titull, arrin të largojë krimbin shirit që ka infektuar zorrën e një pacienti të vogël, duke e bërë të dalë nga goja e tij pasi e ka detyruar të dëgjojë për shtatë minuta Sonatën hipnotizuese për flaut dhe piano (Sonata per Flauto e Pianoforte), shkruar nga kompozitori francez Francis Poulenc. Ama, mjekët e Dedja, rrallëherë praktikojnë profesionin sepse atyre u është caktuar një funksion racional shumë i qartë: ai i vëzhguesit. Dua të them që rrallëherë i gjejmë duke u përballur me praktika spitalore që i përfshijnë në nivel personal. Një variant i kësaj zgjedhjeje që më duket mbizotëruese, përfaqësohet nga tregimi Siamesi, në të cilin një mjek fshati asiston i pafuqishëm në vendimin e një babai për të vrarë dy të porsalindur. Vëllezërit e vegjël kanë keqformime të dukshme, për të cilat fajësohet fatkeqësia e Çernobilit. Për pjesën tjetër, roli që autori vendos të rezervojë për mjekët-narratorë të tij është ai i redaktorëve. Po shpjegohem më mirë. Prirja e tyre për mendim dhe regjistrim të përpiktë të fakteve është superiore ndaj asaj që ka të bëjë me aftësinë e tyre profesionale. Detyra e tyre është të raportojnë me detaje të hollësishme kronikën e disa episodeve të konsideruar emblematikë edhe pse në dukje vërtet të parëndësishëm. Lidhja me mjekësinë bëhet nëpërmjet një referencë të nënkuptuar, transversale në shumë tregime: ajo e pjesës organike që është shkëputur me forcë nga e tëra, duke krijuar një situatë joharmonike që bie ndesh me normalitetin dhe që përbën një paradigmë njohëse. Në këtë kuptim, fusha metaforike e amputimit dhe eksplantit shërben si lidhëse e fragmenteve që përbëjnë përmbledhjen e botuar në italisht në vitin 2014 dhe nuk i referohet vetëm fushës së operacionit.

    Tregime si Frigorifero dhe Dito na flasin për dëmtime të pjesëve të trupit të njeriut që aludojnë edhe diçka tjetër – tensione politike dhe sociale në një skenar tashmë hiper-kapitalist – ndërkohë që me Hiroyasu Koga ripërshkohet historia e dhimbshme e shkrimtarit japonez Mishima, i cili vdes pas prerjes së kokës nga dora e ushtarit Koga, mbasi, dishepulli dhe dashnori i tij i supozuar, Morita, dështoi plot tre herë në kryerjen e aktit të parashikuar nga rituali seepuku. Referenca kulturore, historike dhe narrative zhvillohen krah për krah, në një përzierje që në pamje të parë rezulton e vështirë për t’u deshifruar. Aftësia e Dedja për të ecur në buzë të marrëzisë është e jashtëzakonshme. Tensioni racional mbahet gjithmonë në nivele të larta, kultivuar nga një pyetje e nënkuptuar që lind gati menjëherë në mendjen e lexuesit: ku dëshiron të më çojë narratori? Sapo kuptohet loja e vënë në skenë nga kjo lloj proze, rritet dëshira për të zbuluar, zbulim i cili konsiston në eksplorimin e një pasurie të fshehur, në pamje të parë, në banalitetin e situatës fillestare. Për të gjetur një shembull konkret të asaj që më është dukur prej fillimit një teknikë e mirëfilltë, e aplikuar me koherencë dhe me qëllim të vetëdijshëm nga autori, marrim rastin e Piccole Esplosioni. Bëhet fjalë për një histori që gjen vend – me të drejtë – në të dyja përmbledhjet e tregimeve. Hapet me disa konsiderata të neveritshme për gazrat intestinale, ama, më pas, spostohemi, në një kreshendo shumë të pasur citatesh dhe referencash kulturore, te afresket e Giotto në ciklin e kapelës Scrovegni (Cappella degli Scrovegni) në Padova, nëpërmjet ndihmës së disa vargjeve të njohur e vulgarë të Dantes petrosoFerrit. Një botë lidhjesh që nuk kishim menduar se mund të ekzistonte na hapet papritur, duke na zbuluar shumë më tepër nga sa prisnim të gjenim fillimisht.

    Një filtër humoristik, rezultat i një qasjeje iluministe.

    Kur Voltaire shkruan romanet e tij filozofike, përgjatë një njëzetvjeçari (1745-1767) që do të kontribuojë në përmbylljen e parabolës së botës së lashtë dhe fisnike për t’i hapur rrugën revolucionit borgjez, ai vendos të aplikojë filtrin e humorit mbi disa subjekte veçanërisht naivë. Nëpërmjet disfatave dhe zhgënjimeve të disa personazheve në dukje jashtë kohe si Zadig, Candide apo indigjeni nga Amerika e Veriut, një këndvështrim i ri, kritik dhe skeptik, shfaqet me gjithë qartësinë e tij. Kjo frakturë e dukshme që i hapet sensit të shëndoshë – i cili në pamje të parë duket se nuk preket pikërisht sepse subjekti që supozohet ta vendosë në krizë është tepër naiv apo edhe budalla – krijon një qark të shkurtër të çmuar, sepse është e aftë në afatgjatë të zhysë lexuesin në reflektime. Dedja ripërshkon nga afër gjurmët e kësaj tradite të jashtëzakonshme. Ai i cakton personazhit naiv një situatë paradoksale, në dukje të padëmshme e megjithatë në konflikt me një normalitet që arsyeja do të donte të ristabilizohej sa më parë. Në këtë kuptim ai është pra një iluminist dhe një humorist i kohës së tij, që shoqëron teknikën e veçantë të paradoksit me cilësitë e një proze brilante.

    Në leximin e tregimeve të tij – që këtë herë i referohen fushave të tjera larg asaj mjekësore për të cilën fola më sipër – gjejmë kritikën ndaj ortodoksisë komuniste të Partisë së Hoxhës, si dhe shqyrtimin e disa pasojave që duket se kanë ngelur të rrënjosura në ndërgjegjen shqiptare edhe pas vdekjes së Timonierit të Madh dhe rënies së Regjimit. Nëse në tregimin Credenziali ndeshemi me një histori të këndshme mbi prodhimin e letrës së çmuar nëpërmjet plehut organik të elefantit nga shteti i Sri Lankës, me mënyra që duket se rimarrin nga afër burokracinë e Partisë Popullore, në Voto contrario na shfaqet një rezistencë e dukshme ndaj pushtetit, edhe këtë herë e shprehur nëpërmjet filtrit të humorizmit. Në një qark të Shqipërisë, në momentin e zgjedhjeve të rëndësishme, popullsia ka votuar për krijimin e Parlamentit të ri. Megjithatë, në mënyrë të pashpjegueshme, është gjetur një votë kundërshtuese. Jemi në vitin 1982 dhe një korrespondencë – e gjetur nga figura e zakonshme e rrëfimtarit dëshmimtar, kronist besnik – dokumenton rrjedhën e ngjarjeve. Funksionari i partisë së qarkut mbron punën e tij: e gjithë popullsia fshatare kishte votuar për hir të së vërtetës brenda shumë pak minutash, nga ora 7 deri në 7.05 të mëngjesit, me frymë revolucionare dhe duke demonstruar afërsi të lavdërueshme me kauzën. Kabina dhe qendra e votimit shkatërrohen, në vazhdën e një nacionalizmi euforik, vetëm si pasojë e zellit të tepërt dhe për faktin se ato kishin përmbushur tashmë funksionin e tyre. Shtrembërimi ironik-humoristik i realitetit është i dukshëm, në avantazhin e plotë të një nënteksti që lexuesi duhet të jetë në gjendje ta rrokë në të pathënën, kod i vërtetë stilistik të Dedja.

    Në tregimin WC, zgjedhja e pajisjeve sanitare nga Shqipëria e re demokratike është objekt i një konference për shtyp të thirrur nga figura të ndritura, të cilët analizojnë avantazhet e rikthimit në mënyrën “alla turca” për të kufizuar përhapjen e atyre lezioneve anale që ishin shfaqur pas thyerjes së water closet të importuara nga Greqia dhe Italia. Në tregimin Morgue, zemërimi dhe ndjenja e hakmarrjes mes klaneve kundërshtarë çon në shkatërrimin e një strukture urgjence spitalore, duke mos kursyer as sallën e operacionit dhe morgun ku pushojnë disa kufoma. Autori na jep në këtë formë idenë e paqëndrueshmërisë që ka dominuar skenën shqiptare për vite me radhë para se rregullimi post-regjim ta fuste vendin në rrugën e një tranzicioni të gjatë politiko-ekonomik.

    Organo, një instrument i çmuar me origjinë Vatikane gjendet në mënyrë misterioze mes zotërimeve të një zoti Ukaj çfarëdo, me një nga tubat akustikë të reduktuar në funksionin e degraduar të nxjerrjes së tymit nga oxhaku, një rrethanë në vetvete absurde e cila megjithatë tregon për bastisjet e kryera kundër trashëgimisë kishtare (në këtë rast të kishës së Shirgjit) në momentin në të cilin ajo u shpronësua dhe shkatërrua nga Regjimi. Në Posate, një familje e rrënuar pas shpronësimeve të Regjimit, tenton, nëpërmjet disa intrigave të mirëmenduara, t’i fshehë pasurinë forcave të Partisë duke arritur deri në atë pikë sa të varrosë edhe një grup të çmuar pirunësh, thikash dhe lugësh rrëzë trungjeve të pemës. Rrethana, përveçse na bën të buzëqeshim, na bën të mendojmë për vlerat alegorike të fushës semantike të termit eksplant (heqje), i cili kryen funksionin e fil rouge të përmbledhjes jo vetëm në kuptimin e një dëmtimi fizik.

    Me diptikun Gli acclamatori dhe La formula del nemico – që jo rastësisht hap e mbyll Amputazioni prolungate – takojmë parodinë më të arrirë të ankthit për të qenë performues të rrënjohur në ideologjinë komuniste nga ana e aparatit burrokratik të Regjimit. Diptiku mbahet së bashku nga një sërë korrespondencash të ish-agjentëve komunistë që rrëfimtari ka gjetur. Kjo rrethanë vërteton edhe një herë funksionin e narratorit dëshmimtar si një depozitues i së vërtetave në të cilat thirremi për të vendosur rregull. Figura e aklamatorit – që i përket me profesion dhe me urdhër të Byrosë Politike grupit të claque gjatë mitingjeve të diktatorit – kundërpeshohet nga gjuhëtari dhe teoricieni Androklì, i aftë, në një delir ortodoksie, të konceptojë një formulë komplekse algjebriko-matematikore nëpërmjet së cilës do të mund të zbuloheshin armiqtë e popullit. Sipas formulës, një nga kërcënimet për unitetin e kombit do të kishte rezultuar të ishte vetë Timonieri i Madh, fajtor për mosplotësimin e parametrave dhe koefiçientëve të vlerësimit sipas të cilëve përshkruheshin adhuruesit e kultit të portretit të Enver Hoxhës. Sensi humoristik i konkluzionit është i qartë: inteligjenca e tekstit shfaq absurditetin e një realiteti që deri vonë, si në Shqipëri ashtu edhe gjetkë, kishte përfaqësuar normën.

    Siç mund të vihet re pas kësaj liste të shkurtër, situata paradoksale shtyhet drejt pasojave ekstreme nga rrëfimtari, i cili kujdeset të shfaqë vazhdimisht zërin e tij nëpërmjet një loje të mençur nënkuptimesh. Lloji i veçantë i humorit i zgjedhur në këtë rast, i mbivendosur ndaj një shijeje personale për ekzaltimin e rrethanave narrative të mbërritura në limitin e tyre, zbulon fragmente të një bote në shpërbërje pas një ndryshimi jo vetëm të sistemit politik, por, dhe mbi të gjitha, të sistemit të vlerave.

    Narrativa e shkurtër në sistemin e zhanreve bashkëkohore. Veçoritë e shkrimit të Dedja.

    Prej shumë vitesh, sistemi botues perëndimor, tendencat dhe qëndrimet e të cilit replikohen edhe nga Shqipëria, preferon t’i japë prioritet romanit. Ndaj, rrëfimi i gjatë, i organizuar në kapituj, nënkuptohet pothuajse automatikisht si forma më e duhur jo vetëm për të treguar të tashmen apo të shkuarën, por edhe si më e përshtatshmja për t’u fragmentuar në disa nënkategori që i korrespondojnë segmenteve të caktuara të tregut që i përkasin sistemit të zhanreve. Në këto koordinata, tregimi – si formë e shkurtër – nuk duket se gjen hapësirë; ai merr me mund vëmendje të kufizuar e shpesh periferike. Në dukje, ky fakt përbën një kontradiktë në terma: nëse tashmë jemi krejtësisht të familjarizuar me atë që Zygmunt Bauman që prej fundit të shekullit të kaluar (1999) përkufizonte si shoqëri likuide, në të cilën thërrmimi i përvojës amplifikohet nga përdorimi i improvizuar dhe jashtëzakonisht i kufizuar i përmbajtjes (qoftë ajo e përcjellë përmes web-it apo plejadës së rrjeteve sociale) atëherë forma e shkurtër do të ishte vërtet zgjidhja ideale për të rrëfyer bashkëkohoren. Megjithatë, nuk ndodh kështu, të paktën për momentin; romani, për nga natyra hipertrofik dhe gjithëpërfshirës, i asociueshëm me idenë e një arkitekture narrative të zhvilluar në disa nivele dhe për rrjedhojë një realizimi që kërkon kohë dhe vëmendje, duket se e ka fituar këtë betejë, duke mbizotëruar mbi të gjitha format e tjera.

    Mekanizmi i tregimit – nga rimarrja romantike e novelës deri te ringjallja e plotë e tij në shekujt nëntëmbëdhjetë-njëzetë – është i njohur, të paktën në procedimin e tij modular: përshkrimi i një ekuilibri, që përkon me një situatë të qëndrueshme, ndiqet gjithmonë nga një momenti thyerjeje që përshpejton ritmin. Në çdo formë të shkurtër asistojmë në një moment të caktuar në precipitimin e shpejtë të ngjarjeve, jo vetëm drejt përfundimit, por edhe drejt shpalosjes së kuptimit përfundimtar që historia ka për detyrë të na tregojë. Tekstet e Dedja nuk i shpëtojnë këtij modeli. Por me një ndryshim domethënës. Në stilin e tij, shpejtësia e rrëfimit sjell eliminimin – ose reduktimin në madhësinë e një paragrafi – e parathënies, ndërsa thelbi i problemit (qoftë ai me natyrë ideologjike, fizike ose i lidhur me ngërçet ekzistenciale) vihet menjëherë në qendër. Ai zë hapësirë ​​dhe e përthith lexuesin në një pulsim me frekuenca shumë të larta, në të cilin nuk ka vend për teprica dhe ku qarku i shkurtër i kuptimit bëhet obsesioni i vërtetë. Rreth këtij momenti krize ndërtohet një sistem të dhënash që transferon brenda faqes sikletin për një element që nuk është në vendin e vet.

    Shumë shpesh në letërsi, kur i apelohemi nocionit të umorismo, citimi më i përhapur që kujtohet është ai i Pirandello që i referohet esesë së vitit 1908 ku bëhet një dallim i qartë mes «comico» (komikes) dhe «sentimento del contrario» (ndjenjës së të kundërtës). Përmes këtij diskutimi Pirandello përcakton një pikë të veçantë vëzhgimi mbi rastet e jetës, në të cilat paraqitja e realitetit shkrihet me reflektimin mbi atë që fshihet pas dukjeve. Ndjenja e qesharakes nuk ka gjithmonë ngjyrime komike të parëndësishme; ajo mund të fshehë shumë shpesh aspekte tragjike dhe vuajtjet e disa personazheve letrare, ashtu si të disa qenieve njerëzore. Për Dedja, gjërat qëndrojnë ndryshe. Nëse buzëqeshja që ngjallin personazhet e autorit – siç shpjegon Giulio Mozzi në Hyrjen e Trattato di medicina duke folur pikërisht për një të qeshur ambivalente – mund të ketë implikime tragjiko-komike, referencat kulturore, të cilave duhet t’u referohemi, sipas këndvështrimit tim, janë ato të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe të natyrës iluministe. Shpërfaqja e një ushtrimi të arsyes që nxjerr në pah një planifikim të kthjellët, paraekzistues në lidhje me aktin e rrëfimit, është funksional për prozën e Dedjës dhe përbën thelbin e saj. Aftësia e tij për të kultivuar paradoksin – gjymtyrë dhe pjesë njerëzore të prera dhe të gjetura rastësisht në frigoriferë të harruar, organo të marra nga kishat dhe të vendosura në qendër të një kulle malore, tymra dhe tualete të copëtuara nga të cilat përpiqet të nxirret një statistikë, gabime mjekësore, tmerre të ekspozuara në muze, organe mashkullore të ruajtura në formaldehid me objekte kurioze të zhytura brenda, zyrtarë te partisë ortodoksë deri në atë pikë sa të shndërrohen në defiçentë dhe më pas në viktima të zellit të tyre – duhet interpretuar si një rrugë për të kuptuar, një metodë njohjeje dhe analize e aplikuar ndaj botës reale. Më vjen në mendje e qeshura Sterniane e shkaktuar nga ngjarjet e Tristram Shandy. Domethënë, një tjetër referim nga shekulli i tetëmbëdhjetë, ku humori dhe lartësimi i paradoksit shkojnë paralelisht, nën drejtimin e gjithëpushtetshëm të rrëfimtarit. Digresionet erudite dhe qëllimi i dukshëm parodik social në nëntekst përfaqësojnë normën për këtë lloj shkrimi. Ka padyshim një atmosferë familjare në gjithë këtë nëse mendohet mënyra e të vepruarit e Dedja. I cili në këtë dimension ka gjetur filtrin për të dekodifikuar realitetin dhe për të folur në mënyra absolutisht origjinale mbi Shqipërinë bashkëkohore.

    Përktheu nga italishtja Kriselda Beqaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË