More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Ernest Nasto: Dy rrugët e një këpuce

    Dr. Ernest Nasto: Dy rrugët e një këpuce

    Romani “Këpuca e aktorit” i shkrimtarit Visar Zhiti është pritur mjaft mirë dhe nga lexuesi shqiptar në SHBA.
    Autori ka qenë i ftuar në dy takime të mëdha, i pari në shtetin e Miçiganit, në Detroit, në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”, ku komuniteti shqiptar është i fuqishëm dhe kulturëdashës, ruajtës i gjuhës dhe i traditave, dhe tjetri në shtetin e Ilinoit, në Çikago, në Bibliotekën e “Downers Grove”, organizuar nga “Klubi Shqiptar i Librit”.
    Ndërkaq takimin e ka përshëndetur dhe Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë në New York, Adi Mehmeti dhe priten takime të tjera në shtete të tjerë..
    Shumë nga diskutimet dhe artikujt kritikë kanë dalë dhe në median e diasporës.
    Shkrimi i Dr. Ernest Nasto, pedagog në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, i specializuar në Francë, tani ekspert i politikës dhe shoqërisë amerikane, në Çikago, të tërheq vëmendjen për një vështrim ndryshe dhe për porositë e vlefshme që mbart.


    Për romanin e shkrimtarit Visar Zhiti Këpuca e Aktorit (botim i “Onufrit”, Tiranë 2022) mund të thuhet vërtet shumë, sepse kumtet e tij janë nga më të ndryshmet, siç edhe është venë gjerësisht në dukje nga kritika. Kështu ajo mund të merret fare mirë si metaforë e rrugëtimit të çalë të Shqipërisë «me një këpucë» përgjatë historisë së saj, ajo mund të konsiderohet nga pikëpamja e gërshetimit të stileve të ndryshëm, e po ashtu edhe nga prania e elementeve autobiografike.

    Por këtu dua të ndalem në një këndvështrim të veçantë, duke e parë si një ndërthurje e rivalitet ndërmjet:

    – “rrugës së hirit hyjnor“ (grace)

    – dhe “rrugës së natyrës”.

    Këto kategori të botëkuptimit kristian janë përdorur e shtjelluar prej kohësh nga mendimtarë e filozofë të ndryshëm, dhe posaçërisht nga danezi Soren Kierkegaard (1813 – 1855). Dhe ndërsa lexoja librin e Zhitit, më risilleshin në kujtesë këto tema dhe mënyra si i ka trajtuar ato regjisori Terrence Malick në filmin e tij të famshëm të vitit 2011 The Tree of Life. Kjo vepër u konsiderua në masë nga kritikët si një arritje unike, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për romanin që po analizojmë këtu.

    Sipas Kierkegaard rruga e natyrës është një mënyrë të jetuari ku vetja është tërësisht në qendër, me synimin për të arritur objektivat me çfarëdo mjeti, me konkurencë të tipit “ose do të shtypësh të tjerët, ose do të shtypesh vetë”, pra “ose ti, ose unë”, dhe me hakmarrje të pamëshirshme ndaj çdo cënimi që mund të pësosh prej të tjerëve, d.m.th. ajo që Zhiti e quan diku në roman “pamëshirshmëria e kohës”. Me fjalë të tjera kuptimi i “rrugës së natyrës” në këtë kontekst është disi ikundërt me kuptimin e fjalëve “e natyrshme” apo “natyrore” të cilat i përdorim në jetën e përditshme për të shenjuar normalen apo të zakonshmen. 

    Rruga e hirit hyjnor,

    nga ana tjetër, është mënyra e të jetuarit duke e parë jetën si dhuratë, duke venë në qendër të saj jo veten, por të mirën e të tjerëve, me mirënjohje, me dashuri, me tolerancë, me kërkim drejtësie (por kurrë hakmarrjeje) e mbi të gjitha me mëshirë e falje, duke i përhapur e rrezatuar këto sa të mundesh rreth teje. Kjo rrugë mund të shihet edhe si një lloj nostalgjie, ose etjeje për të gjetur vendin tënd në jetë, atë për të cilën je krijuar, dhe ku gjërat janë ashtu si duhet të jenë.

    E rëndësishme për mua është se këtë Hektori, si personazhi kryesor, e përfaqëson në roman po aq sa edhe Shqipëria me përpëlitjet në rrugëtimin e saj qysh në krye të herës. Edhe në sensin e tri kohëve, është qartësisht e dukshme se të tre brezat e familjes Tomorri e përfaqësojnë këtë etje për rrugën e hirit, për të qenë në vendin që u takon, to feel home.

    Dua të theksoj veçanërisht këtu se autori në jetën e tij e ka bërë me vendosmëri zgjedhjen në favor të rrugës së hirit, siç është evidente për të gjithë ata që kanë privilegjin ta njohin nga afër. Ai është dëshmi e gjallë e mënyrës së të jetuarit me hir, gjë që duhet të jetë një frymëzim e inkurajim për ne të gjithë.

    Ndërkaq në libër të dy rrugët ndërthuren me mjeshtëri, me stilin narrativ dhe monologjet e tipit të “përroit psiqik”, të cilat u lejojnë heronjve kryesorë të secilës pjesë, në thelb Moisiut dhe Hektorit, gjykime për çka ndodh përreth e për karakteret me të cilët ata ndeshen e ndërveprojnë gjatë jetës.

    Tashti, dihet se jeta e çdokujt, dhe e çdo vendi e shoqërie, i ngërthen të dyja këto rrugë, pavarësisht se në shumë raste rruga e natyrës është mbizotëruese, por qëllimi është që ajo të jetë sa më e pakët përkundrejt rrugës së hirit. Kështu p.sh. në libër vihet re se gjatë jetës së Moisiut, pra në kohën e mbretërisë, këto janë dukshëm në një harmoni më të madhe dhe hiri është mjaft i pranishëm (sepse gjërat janë më së shumti në vendin e tyre), krahasuar me dy periudhat e mëpastajme kur harmonia dhe hiri pothuaj zhduken nën diktaturë, për t’u rishfaqur me ndrojtje, aty-këtu, në postdiktaturë.

    Rruga e hirit shprehet në kohën e parë tek karakteri i Bukuranit, gjyshit të Hektorit, me tiparet si mikpritja, kujdesi për të tjerët, etja për kulturë e drejtësi, dhe sidomos tek figurat historike që autori ka futur si personazhe në roman. Mendoj se kjo është në vetvete një meritë e posaçme dhe aspekt i rrugës së hirit, sepse synon drejtësi për figura të tilla, dikur të anatemuara nga regjimi diktatorial. 

    Hiri shprehet tek Safet Butka (“profesori i Butkallinjve”) për të cilin autori thotë se “kishte shumë butësi në pamje, edhe në sytë që i ndriçonin”, me inkurajimin që ai i jep Moisiut të ri për shkollën dhe për të vazhduar ëndrrën e tij për t’u bërë aktor, sepse me atë do t’u japë të tjerëve qytetërim. Po ashtu At Gjergj Fishta, me “zërin e altartë”, me nxitjen për përhapjen e dijes, sepse “edhe dija asht dashni”. Apo edhe Mit’hat Frashëri, me fjalët plot pasion për kulturën e librat, me dashurinë për shqiptarët, me përpjekjet e mëdha për të ndaluar vëllavrasjen, sepse edhe ata të anës së kundërt “janë djemtë tanë”, një shprehje e qartë shpirtmadhësie.

    Në rrugën e hirit është edhe Moisiu në Elbasan, me teatrin e Normales dhe revistën Normalisti, që shpërndan qytetërim dhe synon të edukojë të rinjtë, ashtu si edhe tërë vendin, asokohe mjaft i ri, me vlerat më të mira klasike (kjo për mua ka edhe një jehonë personale, sepse nëna ime ka luajtur Borëbardhën në moshën 11 vjeçare si aktore e teatrit të ciklit të ulët të Normales, duke u përgëzuar për këtë në faqet e Normalistit).

    Sa për Marien, gruan e Moisiut, tërë jeta e saj është mishërim i hirit, edhe vetë Hektori bën më vonë paralele fort të gjetura të së ëmës me Shën Mërinë dhe Nënë Terezën.

    Rruga e natyrës

    Në pjesën e dytë, nën diktaturë, jeta e Hektorit-aktor përshkohet nga tensioni i vazhdueshëm ndërmjet të dy rrugëve, megjithëse prania e hirit është ulur ndjeshëm, sepse çdo gjë është përmbys. Vihet re se tek Hektori ka në masë tallje, qesëndi e ironi, por urrejtja s’është e pranishme, e madje edhe për tipa si Çaçoja ai shpreh kryesisht përbuzje. Ndërkaq Çaçoja, siç simbolizohet edhe nga vetë emri, është shembull i vrazhdësisë e mizorisë, i rrugës së natyrës në mbizotërim absolut, pa asnjë fije hiri hyjnor, pa asgjë pozitive, vetëm me veten e tij në qendër, plot me intriga e prapaskena, me vigjilencë për të luftuar armikun e kudogjendur, etj. 

    Janë disa çaste kur edhe tek Hektori mbizotërimi i natyrës përshkruhet veçanërisht bukur, si p.sh. tek thyerja e pjatave të mira, në një kundërvenie të dukshme me të shoqen, Erikën, e cila është, edhe ajo si e vjehrra, mishërim i rrugës së hirit. Tensioni është i pranishëm në mjaft shprehje të goditura, si p.sh. kur Hektori, meqë banon te lagjja Komuna e Parisit, thotë “Parisin e dua, por Komuna më tremb”.

    Ndërkaq në pjesën e tretë në përgjithësi mund të thuhet që rruga e hirit fillon të ketë shfaqje të ndrojtura, pavarësisht se zhgënjimi është i madh dhe toni mbizotërues kthehet drejt ironisë. Përçuesja më e madhe e rrugës së natyrës, me dhunë dhe arbitraritet, mbetet qeveria me aktin e prishjes së teatrit si kuadri (apo leitmotivi) në të cilin vendoset i gjithë romani. E megjithatë duket se shembujt e të vepruarit sipas rrugës së hirit rriten mjaft në krahasim me kohën e diktaturës, dhe futen gjithashtu personazhe që përfaqësojnë fort hirin, si Atjoni e Irisi. Prania e tyre ndihet qartë që e shtyn edhe Hektorin drejt rrugës së hirit, dhe vetë kjo shtytje, ky ndikim pozitiv, është shfaqje e kësaj rruge.

    Irisi nga ana e vet e vazhdon të njëjtën rrugë, sidomos me dashurinë dhe respektin e madh për të atin: ajo vjen në 60 vjetorin e tij në mënyrë spektakolare, në një gjest mirënjohjeje të pafund, dhe dihet se mirënjohja është një nga shfaqjet kryesore të hirit.

    Një personazh i krejt i veçantë që tregon vetëm hir është studenti nga Milano, Atjoni, për të cilin Irisi thotë “ky djalë i mrekullueshëm… si tepër për të qenë e vërtetë”.

    Hektori ndërkaq vazhdon me tensionin ndërmjet të dyjave, siç thamë, dhe shprehje e këtij tensioni janë talljet plot me ironi therëse, sipas rrugës së natyrës, që ai bën për sistemin e ri, apo demokraturën. Ndërkaq, nga ana tjetër, ai është në rrugën e hirit me mospranimin për t’u bërë deputet, sepse, si aktor, ai gjendet plotësisht në vendin e vet. Them që Hektori i ka të dyja, sepse shumë herë ato s’mund të ndahen kollaj, por megjithatë hiri është shtuar ndjeshëm.

    Edhe vetë etja e Hektorit për drejtësi në fund të fundit shpreh hir, sepse e tillë është çdo ndjenjë e akt që i kundërvihet së keqes, edhe pse shpesh me ironi therëse…”ata u bënë të pasur, por ne fituam moralisht, a ka pasuri më të madhe se morali?”

    Një figurë tërësisht me hir është Nënë Tereza, të cilën Hektori e përshkruan me admirim të dukshëm, si një “enigmë shtatpakët” dhe “dritë përqarkuese shumë më e madhe se ajo vetë”. Skena e shenjtërimit të murgeshës shqiptare nga Kalkuta mendoj se është një nga kulmet e hirit, kur Hektori reciton vargjet e saj “jeta është dhuratë, dhuroje” d.m.th. jepni jetë, krijojeni, duajeni jetën dhe të mirën për të gjithë, dhe kur aktorët “me gjuhën e trupit dhanë ca kumte sa të lashtë, po aq edhe modernë, të përgjithmonta”. 

    Gjithaq kulmore është rruga e hirit edhe tek takimi i Hektorit me Atjonin, kur ky i jep idenë për të sjellë teatrin tek njerëzit në kovën e ekskavatorit gjatë pandemisë, si edhe e tërë skena në ëndërr me Atjonin, Irisin e Marinin. E po ashtu fund e krye me hir është fjalimi i Hektorit nga kova për dashurinë e njerëzve për njeritjetrin, për bukurinë (që “do të shpëtojë botën”) dhe për sinqeritetin (“mbani maskat, por mos harroni fytyrat”).

    Edhe në fund personazhin kryesor e shohim në lutje, megjithëse në dëshpërim, dhe skena me Atjonin vjen si kurorëzim i gjithshkaje të hirshme që kemi parë gjatë librit: «si i dërguar nga Qielli… nga andej vij… për kaq isha… sa për ty…”. Në atë çast ndriçimi hyjnor Hektori mendon se «studenti duhet të jetë engjëll, s’mund të jetë ndryshe…», ndërsa bie në gjunjë duke u lutur para ikonës së nënës së tij, Maries.  

    Një shenjë e sigurt paralajmëruese

    për vazhdimësinë e rrugës së hirit jepet nga Irisi dhe Marini, me angazhimin e tyre të vendosur për të përhapur dashuri e kulturë, dëshmuar në mënyrë kuptimplote nga nisja me avion për në Ukrainë, për tëdhënë shfaqje në mes të luftës. Dhe një mbyllje tepër e gjetur është fjalia e mbrame e romanit: «Unë jam shtatzënë, – mërmëriti (Irisi) dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë”.

    Kush fiton ndërmjet këtyre dy rrugëve? Kur natyra i mbaron të gjitha, kur ajo e shteron vetveten, a do ta ketë hiri fjalën e fundit? 

    Vërtet që jeta e Hektorit në roman ka ndjeshëm dramë dhe ironi, pra rrugën e natyrës, por në fund dhe vendosmërisht, ashtu si edhe tek autori, triumfon qartë rruga e hirit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË