Libri “Deti i Zi”, i Z. Rrahmanit është një ndër shfaqjet më të epërme të diskursit të dashurisë në letërsinë shqipe. Diskursi dashuror[1] i Rrahmanit është i ndërtuar me figura, përshkrime të holla të shfaqjeve të natyrës, ku mes ngjyrash, aromash, tingujsh gurron pashmangshëm dashuria, si esencë e qenies dhe e kohës. Në letërsinë shqipe, shkrimtarët e traditës e kanë paralelizuar apo kontrastuar përjetimin dashuror me natyrën, por ky procede artistik arrin nivele të epërme në veprën Deti i Zi, ku rrëfimtari është një vëzhgues dhe përshkrues i devotshëm i natyrës.
“Deti i zi” përmban një ndërthurje fantastike fragmentesh diskursive të dashurisë. Diku me sentenca, diku me fare pak fjali e diku tjetër me disa paragrafë, por pa i ikur suazës së miniaturës letrare, këto fragmente i ngjajnë një mozaiku shumëngjyrësh, ku ndjeshmëria nuk është patetike, por “fakt” ekzistencial i unit krijues. Në këtë mozaik njëmijëenjëcopëzash, që dikush mund t’i bëjë bashkë edhe për t’i lexuar si struktura përbërëse të një romani, dashuria përshkruhet dhe duke u përshkruar ripërjetohet.
Fabula e dashurisë është universale, megjithëse rrymat diskursive të veprës (në dukje) janë të shumta. Diskursi i dashurisë shfaqet herë si metadiskurs, herë si dije diskursive (kur rrëfehen thukët përrallat e legjendat urbane për dashurinë), e herë të tjera si ideodiskurs – narracion i përjetimit personal. Në miniatura shpesh e mrekullishmja e përrallave shfaqet si fill diskursiv që e përthekon rrëfimin, i cili aty-këtu ka karakter polifonik. Zena (autori, rrëfimtari e personazhi) rrëfen në vetën e parë, të dytë (në dialogun e vijueshëm me të dashurën) dhe në vetën e tretë. Rrëfimi në vetën e tretë, shpesh është për legjendat urbane të dashurisë, ku ndërkallen zërat narrativë të të tjerëve: “Dashuria kish zgjatur 3 vjet. Qe bërë e njohur në Kosovë dhe të gjithë flisnin për të.
Zena si personazh rrëfen përjetimet e tij dashurore:
“Mandej qëndruan përballë dhe Zena e pa se si fustani i saj i gjatë e i brishtë me lule po shkrihen në bar e se si pastaj edhe Ajo po shkrihej nëpër lulet e barin e shkurret e lulëzuara dhe sado që ajo fshihej nëpër ngjyra e forma të kopshtit, ai e shihte kudo: ishte nëpër ajër e nëpër bimë e nëpër dherat e tokës e nëpër ujërat…” (E shkrirë nëpër lulet e kopshtit)
Ndërsa herë të tjera, Zena përsiatet me solemnitet mistik, duke ngjarë si profet i dashurisë, një farë Zarathustre i dashurisë, që predikon për të. Dashuria e zbut egërsinë, e zbukuron botën dhe e kuptimëson ekzistencën.
Shkrimtarit nuk i ka interesuar të ndërtojë subjektin e një romani për një histori të jashtëzakonshme dashurie, çka lehtësisht do të ishte në gjendje ta bënte, sepse siç shkruan kritiku K. M. Shala, Z. Rrahmani është sprovuar tashmë edhe me romanet e mëdha të tematikës shqiptare. Zenës (si rrëfimtar e personazh i miniaturave) i vjen më për shtat në këtë vepër që ta rrokë përmasën universale të dashurisë përmes fragmentesh diskursive.
Teksa i lexon miniaturat e ke fill të qartë përmasën e gjenialitetit të shkrimtarit të tyre. Gjuha i gufon nën diktatin e ëmbël të muzës, Venusit, pa u zbërdhylur asnjëherë, ndërsa përshkruan ndjenjën e dashurisë, situatat dashurore dhe ecejaket e njeriut, që duke kërkuar e gjetur dashurinë, kërkon e gjen kuptimin e ekzistencës së vet dhe të botës. Mbresëlënëse është edhe aftësia e shkrimtarit për të fjalësuar edhe ato nuanca të holla ndjesish, përjetimesh dhe imtësi të shfaqjeve e të natyrës së gjësendeve.
Zena teksa shfaqet si autori eksplicit, si rrëfimtar e si personazh na rrëfen, se dashuria mund të marrë një shumësi të paskajshme përmasash e cilësorësh:
Dashuria është e pashmangshme (Në kundërshtim me çdo të pritur, kur ishin më së afërmi njëri-tjetrit, një litar i panjohur ndjesish të kandshme, të pashijueme më parë, dukshëm i lidhi të dy! Ata kaluan nëpër sytë e njëri-tjetrit dhe u futën thellë në Pyllin e zi. “Lufta e dashurisë”);
Dashuria është frikë ([…] e kuptoi që tërë ato frikëra kishin qenë kurrgjë përpara frikës së Dashurisë);
Dashuria është me shikim të parë (Ditën e martë, Ajo, befasisht, lëshoi një shtizë shikimi depërtues dhe Ai s’arriti ta ngrehte mburojën mbi kraharor, kështu që shtiza e saj depërtoi drejt e në zemër… Nga ajo goditje e befasishme dhe shumë e egër ai s’arriti të bënte gjë… ish i humbur! Plaga e zemrës filloi t’i kullonte dhembje të panjohur më parë dhe ambëlsi, e cila iu ngjit prej zemrës deri te buzët dhe te sytë… “Sulmi i parë i dashurisë”);
Dashuria është luftë (dyluftim, sulm, betejë)
(Ai nuk mundi t’i shmangej betejës në të cilën e dinte që ka për të humbur! … Dhe, kur po afrohej Ajo, Ai e sulmoi!… Dhe mbeti në sheshin e betejës i mundur… Ishte në mëshirën e saj këtë të mërkurë, se të martën Ajo ia kish rrëmbyer Zemrën dhe tash i plagosur po mbrohej me krenari, por, i dashur dhe i kujdesshëm, i mbulonte plagët që kullonin përbrenda… “Dyluftimi i dashurisë”);
Dashuria është budallallepsje
Ditën e budallëve u caktue që unë jam ai këtë mot. Kjo pranverë më bani budalla secilën ditë deri këtu. Nuk mujta me e ba nji hap me ty dhe pa ty. (Nji vjet i rizgjuem);
Dashuria është revelim i së bukurës e i dritës në botë
I. Ajo e pa në sy dhe e kuptoi që brenda në shpirtin e tij qe zbuluar dielli e po shndriste dhe atëherë befasisht e pa në sytë e tij që edhe dielli i saj po shndriste me shkëlqim gjithashtu.. (E diela e dashurisë)
II. Një ditë u dashurua dhe atëherë i ndodhi mrekullia: Prishtina në çast u bë tjetërfare: Rrugët e Prishtinës u bënë të mrekullueshme. Balta e tyre treti si me magji. Shtëpitë, befasisht u zbukuruan. Dritaret shkëlqenin nga dielli. Ajri i ndotur u bë i lehtë dhe kraharori s’i mbushej me të! (Syni i dashnorit).
Konteksti i gjerë diskursiv i miniaturave është Natyra dhe shfaqjet e saj, të cilat prej dashurisë erotizohen. Çdo kondensim është shtypje e dashurisë, moskryereje e saj, ndërsa çdo shpërthim natyre, lulesh, ujërash, rrezesh, zjarri – është çlirim e realizim i dashurisë.
Dashuria erdhi si pranvera: i ngjalli duke u dhënë lëngjet e jetës shpirtrave që flenë në gjumin e acartë të dimrit të zi… (Mësova).
Ndërsa konteksti më imediat i diskursit të dashurisë është Prishtina, një qendër sentimentale prej së cilës rrëfimtari zgjedh të mos largohet. Rrugët, sheshet, teatri, tregu, njerëzit, universiteti, toponimet, fryma e jeta e Prishtinës janë shenja identitare që teksti servir, ndonëse i gjithë diskursi i tij për universalen dashuri, do të qëndronte i pacunguar edhe po të ishte gjeografikisht i pakontekstualizuar. Kësisoj, shkrimtari, dëshmohet edhe një herë tjetër, siç e cilëson kritiku N. Krasniqi, “Ikonë letrare e shpirtit dhe e hapësirës shqiptare”.
Veç nuancave identitare që evokon Prishtina (të tjera herë Ballofci, Kosova), ajo shërben edhe për ta përforcuar te lexuesi të vërtetëdukshmen dhe personalen e rrëfimit.
Një ditë u dashurua dhe atëherë i ndodhi mrekullia: Prishtina në çast u bë tjetërfare: Rrugët e Prishtinës u bënë të mrekullueshme. Balta e tyre treti si me magji. Shtëpitë, befasisht u zbukuruan.! (Syni i dashnorit)
“Në Prishtinë, te Kroni i bardhë rrinte një djalosh që u bë i famshëm” (Kjo është dashuria jote).
Vendosa me i vizitue vendet e shejta në Kosovë. Kryq e tërthor i rashë vendit. N’Prizren shkova. N’Pashtrik. N’Rugovë. N’Bajgorë. N’Dri e n’Llap. Dhe lutje këndova te voret e të Dashtunve të mi. Mandej u ngjita n’majë të malit në Ballofc. Mos thuej që nuk ishe me mue edhe Ti!
Një plan i qenësishëm i diskursit dashuror në “Detin e zi” është edhe erotikja që përshkruhet me finesën e shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët nuk i ikin asaj, por e fjalësojnë me maturi, duke mos e kapërcyer vijën e hollë, që të rrezikon të shpjerë te teksti letrar i rëndomtë i letërsisë rozë. Në shumë prej miniaturave akti dashuror konceptohet si metaforë e zjarrit në oxhak, e anijes në liman/ Deti i zi, i hapur, shkrirje e borës së bjeshkës. Për shkrimtarin, dashuria si ndjesi dhe si akt s’është asgjë më tepër se një ndër shfaqet më madhështore e të patravaja të natyrës.
Dashuria e saj ishte madhështore.
Ishte si një pikë uji bilur i kthjellët që bie në pushin e zemrës së madhe të lules: as e ndarë, as e bashkuar në të, e humbur në ëmbëlsinë e mjaltës që shkrihet e tretet në të. (Pika dhe Lulja)
Në shumë prej miniaturave të Zejnullah Rrahmanit, sidomos te ato që kanë karakter metadiskursiv, hasen çelësa leximi për përmasën që mëton të arrijë shkrimtaria e tij brilante. Në një prej miniaturave, “Ari i Diellnajës”, mëtimi është leximi i botës. “Bota, e gjitha, ishte e lexueshme nën rreshtat e pambarim të librave të tij”. Ndërsa në përfundim të ciklit “Tungjatjeta”, mëtimi programatik i gjithë krijimtarisë letrare jepet kështu: “Ti Dashuni më ndriçove rrugën. Në Dritën tënde kam krijuar, me kujdes filigrani, fjalët të cilat i kam lidhur në varg nëpër libra dhe tash, në fund, me guxim, mund të shikoj në sy secilin që lexon shqip dhe me bindje të them që e kam kënduar Këngën Time të dashurisë…”. Këngë e cila spikat në diskursin e dashurisë të letërsisë shqipe dhe na grish që të zëmë ta këndojmë të gjithë, me shumë dashuri.
[1] . Termin diskurs i dashurisë, ka fituar qytetari prej veprës së Roland Barthes-it, i cili, në 1977-n do të shkruante “Fragmente të një diskursi dashuror”, të ndërtuar mbi përsiatjet e tij filozofike për të dashuruarin dhe mbi një sërë “fragmentesh” diskursive të letërsisë për dashurinë. Vepra ka një domethënie të veçantë, po të kemi parasysh atë që Barti thotë, se fare pak vëmendje i është kushtuar diskursit të të dashuruarit në literaturë. Në diskursin dashuror bartian, i dashuruari është ankestar, reflekton i vetëm për dashurinë dhe shfaqet i mbytur në përvujtni. Përkundër kësaj figure, i dashuruari i veprës së Z. Rrahmanit, është reflektiv dhe gjithsesi përbrendësues i së bukurës në dashuri, edhe kur është i vetmuar apo i larguar prej të dashurës.