Njohja dhe rizbulimi i shqiptarëve dhe kulturës së tyre në fillim të shekullit të XIX, është një proces që erdhi gradualisht duke ndërthurrur në vetvete shumë faktorë. Së pari, territoret shqiptare në luftërat Napoloniane u gjendën në mes të interesave të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat interesin e tyre politiko-ushtarak e përkthyen shumë shpejt dhe në interes kulturor.
Egzistenca e Pashallëkëve shqiptare gjysëm autonome në jug dhe në veri të të vendit dhe përfshirja e tyre në lojën diplomatike në rajon i ktheu shumë shpejt ato në vende të vizitueshme dhe të admirueshme ku nuk shikohej vetëm interesi gjeostrategjik por filloi të studjohej dhe kultura, gjuha dhe traditat zakonore që mbarte popullsia e tyre. Pas vitit 1809, vit që shënon vizitën e Bajronit dhe mikut të vet Hobhouse në Prevezë, Janinë dhe Tepelenë, territoret shqiptare nisën të jenë pjesë e turit të madh kulturor anglez që zhvillonin të rinjtë aristokratë anglezë që prej shekullit të XVI.
Një numër i madh udhëtarësh, diplomatësh, tregtarësh pasuan vizitën e famshme të lordëve anglezë për t’u njohur me Ali Pashën e famshëm që ishte memorizuar si personazh letrar tek poema romantike “Shtegtimet e Child Haroldi”-it, por në të njëjtën kohë u njohën gjatë udhëtimeve të tyre dhe me shqiptarët dhe kulturën e tyre. E bukura, piktoreskja dhe sublimja nën efektin e Romantizmit, rrymës më të re letrare që kish filluar të përshkronte letrat evropiane si një rrymë mendimi dhe shpërthimesh lirike po aq dhe revolucionare filloi të lërë gjurmët e veta në këtë rizbulim kulturor të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga elita evropiane e kohës. Mirëpo ky proces nuk do të ecte paralelisht si në perëndim, po ashtu dhe në lindje. Nëse gjatë kësaj kohe shikojmë një seri veprash të botuara të autorëve anglezë dhe francezë të cilat krijojnë dhe prezantojnë në Europë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjejmë shumë më pak fragmente të pranisë së tyre në letërsinë dhe literaturën e udhëtimit ruse.
Në këtë drejtim nuk është se ka influencuar largësia gjeografike si mund të mendohet në pamje të parë, pasi të paktën që nga vitet e luftës Ruso-Turke 1768-1774 dhe ekspeditës së Orlovit në More në 1770-1771, prania ruse në Mesdhe sa vjen dhe rritet. Përveçse luftës tjetër Ruso-Osmane 1787-1792 dhe dërgimit të vazhdueshëm të agjentëve për të rekrutuar popullsinë luftarake të Epirit, prania ruse do kulmojë me themelimin e Republikës së Shtatë Ishujve Jonianë në 1800-1807, tashmë si aleatë me Perandorinë Osmane. Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi vendosjen e rusëve në Ishujt Jonianë. Kjo konventë vendoste, që edhe qytetet e bregdetit të pushtuara nga forcat e Ali Pashë Tepelenës, të konsideroheshin si prona të Sulltanit, por Ali Pashë Tepelena edhe pse largoi forcat e veta nga këto qytete, arriti ta manipulonte të dërguarin e sulltanit. Prania e rusëve në Ishujt jonainë, ndërhyrja e mëparshme e tyre në Pargë si dhe përpilimi i konventës i ashpërsoi marrëdhëniet diplomatike midis dy palëve. Diplomatët rusë filluan të ndjekin politikën e mëparshme të venedikasve, duke nxitur e përkrahur elementin e krishterë shqiptar, si suliotët dhe himariotët, si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut të udhëhequr nga veziri Ibrahim Pasha i Beratit, Mustafa Pashë Koka i Delvinës dhe bejlerët e Çamërisë. Në vitin 1798, Mustafa Pashë Koka iu ishte drejtuar për ndihmë rusëve për të rifituar Pashallëkun e Delvinës, mirëpo në tetor 1799, Ali Pashë Tepelena e detyroi t’i nënshtrohej me forcën e armëve. Kur rusët e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, ata kërkuan që drejtimi i sanxhakut të Delvinës t’i jepej agjentit të tyre, Mustafa Pashës[1]. Për shtatë vjet rusët do të qeverisin të vetëm nga Korfuzi, Republikën e Shtatë Ishujve por do të kenë dhe kontakt të ngushtë me popullsinë e bregut shqiptar, si dhe me suliotët pasi nën asistencën e tyre do të krijohet Regjimenti Shqiptar që do shërbente për mbrojtjen e ishujve dhe për të mbajtur larg synimet ekspansioniste të Ali Pashë Tepelenës. Ndërhyrja ruse u intensifikua më tepër pas emërimit të Kontit Mecenigo (1765-1836) si përfqësues të Rusisë në Ishujt Jonianë. Konti Mecenigos ishte nga Zakintho, pasardhës i një familje shumë të njohur venedikase që kishte nxjerrë dhe Dozhë dhe diplomatë. Ai i përkiste degës së familjes Mecenigo që kishte sunduar për një kohë të gjatë në Zakintho, kur Ishujt Jonianë kishin qenë nën sundimin venedikas. Në 16 gusht të vitit 1802, Konti Mecenigo zbarkoi në Ishujt Jonianë për ti vendosur nën kurorën ruse. Menjëherë ai nxorri një shpallje që i njoftonte qytetarët e Republikës së shtatë ishujve se ishte i dërguari i Carit të Rusisë për të vendosur rregullin dhe qetësinë në Ishujt Jonianë.[2] Interesat ruse në rajon por edhe të klasës drejtuese të Ishujve Jonianë ishin që të kishin një territor sa më të gjerë influencash në bregun përballë, në mënyrë që të siguronin furnizime të vazhdueshme me grurë dhe drithëra. Në pranverën e vitit 1804, Ali Pasha u përgatit të dërgonte ushtritë e vet në viset bregdetare me pretekst se do të vilte taksat e skelave, që kishte marrë në sipërmarrje nga Kapudan Pasha. Qëllimi i tij ishte të rrethonte Çamërinë, që ta nënshtronte me lehtësi. Në qershor të atij viti, me nxitjen e Mecenigos, përfaqësuesit rus në Korfuz, bejlerët çamë formuan “Lidhjen e Çamërisë”. Në këtë hynë dhe të mërguarit suliotë të Korfuzit. Mes të besëlidhurve shquheshin emrat e bejlerëve të Çamërisë: Pronjatëve, Balo Husos të Margëlliçit, Dajlanenjëve të Konispolit, Abdurrahim Zigurit të Varfanjit, Dematëve dhe Sejkatëve të Filatit. Kjo lidhje udhëhiqej nga Mustafa Pasha i Delvinës. Në dispozitat e marrëveshjes, që u nënshkrua më 27 qershor 1804, parashikohej që gjatë kohës që këta bejlerë do të luftonin kundër Ali Pashës, qeveria ruse do t’i furnizonte çdo muaj me 100 fund barot, 200 fund plumb dhe 1000 kg drithëra.[3] Këtyre forcave iu bashkangjitën edhe luftëtarët e Regjimentit Shqiptar të Korfuzit, me suliotë, himariotë dhe të tjerë shqiptarë të dëbuar nga territoret e kontrolluara nga Ali Pashë Tepelena. Këto forca ishin të organizuara në 6 kompani të këmbësorisë së lehtë nën komandën e Gjeneralit Anthres të kombinuara me katër kompani himariotësh nën komandën e Kolonelit Beckendorf.[4] Por, ndryshimi i beftë në politikën e Portës së Lartë si dhe shpërthimi i luftës Ruso-Turke 1806-1812, e minimizoi rrezikun rus dhe i dha mundësi Ali Pashë Tepelenës, që të hidhej në sulm për të nënshtruar bejlerët e Çamërisë. Nga e gjithë kjo periudhë qeverisje ruse në fakt kemi vetëm raporte diplomatike, shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për gjendjen politike dhe administrative të Pashallëkut të Janinës, por mungojnë vepra kulturore si shënimet e udhëtimit të William Martin Leake, Dr Henri Holland, Francois Pouqeuville etj.
Çuditërisht, prania dhe imazhi i shqiptarëve në letërsinë e kultivuar ruse do të vinte jo nga administrata e shtatë ishujve, por nga prania e shqiptarëve si pjesë e Regjimentit të shenjtë të krijuar nga Aleksandër Ipsilanti[5] në prag të shpërthimit të Revolucionit Grek në provincat Danubiane. Shqiptarët ishin vendosur që në fillimet e themelimit të qytetit të Odesës, ku shërbenin si mercenarë dhe tregtarë të vegjël, të njohur si me emrin arnautë. Qyteti i Odesës, ishte nje qytet kozmopolit ku gjendeshin të gjitha popullsitë. Në vitet 1823-1824, aty ishte i internuar shkrimtari i madh rus Pushkin që shkroi se “ajri është i mbushur me Europë” . Në Odesë ka dy rrugë, Arnauti i vogël dhe Arnauti i madh, të cilat sot quhen ulica albanske dhe që dëshmojnë praninë shqiptare në këtë qendër të madhe urbane e port të rëndësishëm të Detit të Zi. Shkrimtari i madh romantik Pushkin, i ndodhur në internim në Besarabi, në Kishinev (sot Kishinau – kryeqyteti i Republikës së Moldavisë), do të jetë dëshmitar i shpërthimit të kryengritjes së Aleksandër Ipsilantit dhe të luftimeve me forcat otomane. Revolta greke për çlirimin nga sundimi osman preokupoi mendjen e Pushkinit herë pas here, duke lënë një përshtypje të vazhdueshme në krijimtarinë e tij letrare. Ai shprehu ndjenjat e tij filohelenike për “përpjekjet fisnike të një populli në procesin e rilindjes”, në një numër poezish, letrash, shënimesh, ditarësh, fragmente dhe histori të frymëzuara nga ngjarjet e vitit 1821 në provincat rumune dhe revolucioni në Greqinë kontinentale. Në shkrimet e tij të papërfunduara, “Note sur la Revolution d’Ipsilanti” dhe “Note sur Penda-Deka”, Pushkini planifikoi të shkruajë një përmbledhje të shkurtër të lëvizjes Heteriste në provincat Danubiane dhe rreth veprimtarisë së oficerëve heteristë Konstandin Pendedekas, Konstantin Dukas dhe Vasilis Karavias, të cilët i takoi në Kishinev pas dështimit të kryengritjes në principatat rumune. Ai bisedoi me ta në disa raste në shtëpinë e mikut të tij, Ivan Petrovich Liprandi, një kolonel që shërbente në ushtrinë ruse. Pushkini mblodhi nga ta informacione nga heteiristëtnë lidhje me kryengritjen Hetairiste në Principatat dhe historisë së rumunëve, duke e frymëzuar atë për të shkruar dy legjenda historike, «Duca” dhe “Dafna” dhe Dabizha nga historia e kaluar e Moldavisë, megjithëse origjinalet nuk janë më të gjata[6]. Por mes forcave të “Filiki Eterisë”, merrnin pjesë shumë shqiptarë, përshkrimi piktoresk i të cilëve do të jetë i pranishëm në tregimin “Kërxhaliu”, botuar për herë të parë në 1 dhjetor 1834. Tregimi është një jehonë jo vetëm i kujtimeve të drejtpërdrejta të Pushkinit ndaj shpërthimit të revolucionit grek por edhe një ilustrim i motiveve romantike të karektereve të fortë dhe piktoreskë nga Ballkani. Pushkini në tregimin “Kërxhaliu” ndërthuri stilin historik dhe fantastik të rrëfimit i cili ishte mbizotërues në epokën e romantizmit gjatë dekadave të para të shekullit të 19-të. Në përdorimin këtyre formave, ai prezantoi tregime të besueshme, informuese dhe të dëshmitarëve okularë, sëbashku me legjendat dhe përrallat për heronjtë rebelë popullorë. Në këtë mënyrë, ai krijoi një rrëfim letrar të një karakteri trim, fisnik dhe romantik, përdorimi i të cilave filloi para, gjatë dhe pas përfundimit të fushatave heteriste në principatat.[7] Debate të shumta ka pasur në kritikën letrare nëse personazhi letrar Kërxhaliu është një person historik pjesëmarrës në fushatën e Ypsilantit apo është një personazh fiktiv, frut i ndodhive anekdodike të dëgjuara nga Pushkini gjatë qëndrimit të tij në Moldavi e që talenti i tij letrar e ktheu në një simbol të heroit rrebel e popullor që revoltohet kundër padrejtësisve. Shumica e historianëve, shkrimtarëve dhe kritikëve letrarë pajtohen se Kërxhaliu është një histori e shkurtër që ka të bëjë me një episod nga lëvizja Heteriste në Principatat Danubiane. Por ata nuk bien dakord për përmbajtjen e tij, paraqitjen e fakteve dhe, veçanërisht, nëse Kërxhaliu ishte një karakter historik apo i trilluar. Këto çështje i ndau studiuesit pushkinianë në dy grupe: një grup që konsideron se heroi i tregimit të Pushkinit është fryt i fantazisë, fiktiv, inekzistent, i idealizuar dhe karakter romantik – krijim i imagjinatës së poetit. Ata pretendojnë se vetë emri Kërxhali[8] ishte një referencë e përgjithshme dhe sinonim të një brigandi, klefti ose hajduti, i cili shpesh bashkohej si mbiemër për individë që i përkisnin kombësive të ndryshme në të gjithë gadishullin Ballkanik. Duke përjashtuar pasazhe të caktuara, tregimi është, sipas tyre, një histori romantike dhe anekdotike, ndërsa protagonistit të saj i mungon identiteti historik dhe i përket fushës së legjendës popullore. Nga ana tjetër, grupi i dytë i kritikëve argumentojnë se Kërxhaliu ishte një person real historik; se ai luftoi në radhët e ushtrisë së Ipsilantit në provincat rumune; dhe se tregimi dhe skena të ndryshme të cilat Pushkini përshkruan në të, bazohen në fakte dhe burime historike. Në mbështetje të këtyre argumenteve, ata përdorën një numër dokumentesh bashkëkohorë, raporte të autoriteteve ruse të Besarabisë dhe raportet e agjentëve konsullorë të huaj në Principatat Danubiane.[9] Pavarësisht këtyre debateve, Beljinski kritiku më i madh rus i kohës besonte se Pushkini ishte bazuar në një histori të vërtetë. Ai shkruan se tema e tregimit “Kërxhaliu” ishte e bazuar në fakte historike. Në një karakterizim të shkurtër ai shkroi se “Kërxhaliu” është një histori mjeshtërore e një ngjarjeje të vërtetë”. Duke e lexuar atë, mund të ndihet “thjeshtësia e saj e natyrshme shkurtësia dhe energjia, poezia dhe qartësia e saj”[10]. Kërxhaliu dhe luftëtarët shqiptarë të përshkruar në tregim të kujtojnë personazhet e Bajronit në “Turkish Tales”. Gjatë gjithë karrierës së tij letrare, Pushkini dëshmoi një magjepsje të veçantë për brigandë dhe heronj popullorë nga historia e Rusisë dhe popujve të Ballkanit, jetën dhe aventurat e të cilëve ai i përshkroi në disa prej veprave të tij. Ai u intrigua veçanërisht nga individë që u rebeluan kundër shoqërisë sistemit, pabarazitsë dhe padrejtësive të tij. Ai u përpoq të “rehabilitonte” brigantët dhe rebelët bëmat e të cilëve kishin hyrë në traditën dhe këngët popullore, por që kishin qenë harruar ose lënë pas dore nga historia. Në të njëjtën kohë, ai bashkoi veprat e tyre legjendare dhe trilluese me fakte historike për të treguar se ç’faktorë të caktuar dhe forca formuan jetën e tyre dhe i bënë ata heronj popullorë. Ai studioi dhe përshkroi jetën e tyre bazuar jo vetëm në traditat gojore dhe popullore, por gjithashtu duke përdorur dokumentet zyrtare të cilat i hasi në zyrën e gjeneralit Ivan N. Inzov, guvernator i Bessarabisë, ose ndërmori vetë studime hulumtuese. Ai përdori në romanet e tij historikë dhe anekdotikë dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe dëshmi të tjera nga përvoja e tij personale me individë që hasi në Rusinë jugore.[11]
Në këtë kontekst, përmendja shqiptarëve në Besarabi fiton dhe një rëndësi historike pasi është jo vetëm një komfirmim i pjesëmarrjes së tyre në fillimet e luftimeve të Revolucionit Grek, por në tregim kemi dhe një numër të saktë të tyre, rreth 600 veta. I interesuar për luftërat çlirimtare në Moldavi e Vllahi më 1821 kundër pushtimit osman, nën udhëheqjen e Vladimireskut dhe Ypsilantit, Pushkini shkruan për betejën e Skulenit. Beteja afër Skulenit, siç duket, nuk u përshkrua nga asnjë me gjithë të vërtetën e saj ngjethëse. Imagjinoni 700 burra- arnautë, shqiptarë, grekë, bullgarë, që s’kishin idenë më të vogël për artin ushtarak, duke u prapsur nën vështrimin e pesëmbedhjetë mijë kalorësve turq.[12] Pushkini rrëfen me simpati në tregimin e tij për trimërinë e një shqiptari, të quajtur Koçandoni. “Koçandoni, një burrë shumë i fortë, ishte plagosur me heshtë në bark. Me një dorë ai kish ngritur shpatën, me tjetrën kish kapur heshtën, e kish ngulur më thellë brenda vetes, në mënyrë që të mundej të godiste me shpatë armikun e tij, dhe sëbashku me të, kish rrënë për tokë.[13]
Pushkini shkruan në tregimin e tij “Kërxhaliu” se pas disfatës …rreth gjashtëqind arnautë u shpërndanë nëpër gjithë Besarabinë; pavarësisht se nuk dinin sesi të mbijetonin, ata i ishin mirënjohës Rusisë për mbrojtjen e dhënë duke i lejuar të kalojnë në bregun tonë. Ata bënin një jetë të plogët, por jo të shthurrur. Mund t’i shikoje gjithmonë nëpër kafenetë alla turke të Basarabisë, duke tymosur me nargjile të gjata e rufitur gllënkë pas gllënke llumin e kafes në filxhane të vegjël. Mëngoret e tyre plot qëndisma dhe opingat majëmprehta me xhufkat e kuqe sipër kishin filluar të griseshin, por festet e tyre me xhufkë vazhdonin t’i mbanin ende në kokë,ndërsa pistoletat dhe jataganët u dilnin sipër silaheve të gjera. Asnjëri nuk ankohej për ta dhe as që nuk mund t’u vinte mendja, që këta burra të urtë e paqësorë ishin të famshmit kryengritës të Moldavisë, miqtë e Kërxhaliut të frikshëm, dhe akoma më tepër që ai vetë ndodhej mes tyre.[14] Të kësaj periudhe janë dhe dy vizatime origjinale të Pushkinit të luftëtarëve shqiptarë që ai i hasi në Besarabi. Pushkini shpesh vizatonte skica bardhezi si në letrat e tij personale, ashtu edhe në faqet e dorëshkrimeve të tij. Si një drejtim tjetër i krijimtarisë së tij, skicat e Pushkinit – aq të dashura në Rusi sa janë përpiluar dhe botuar shumë herë – por mbeten pothuajse të panjohura në vende të tjera.[15] Edhe pse Pushkini është botuar herët në Shqipëri që në vitin 1922 në asnjë përmbledhje tregimesh, dramash apo poezish nuk ka qenë e shoqëruar me skicat gravurat të vizatuara nga poeti. Skica pasqyron dy luftëtarë shqiptarë me gjithë elementët e veshjes tradicionale shqiptar: fustanellë,mëngore, silah, armë brezi dhe opinga me xhufka. Të tillë i përshkruan shqiptarët dhe në tregimin “Kërxhaliu” kur shkruan se mëngoret e tyre plot qëndisma dhe opingat majëmprehta me xhufkat e kuqe sipër kishin filluar të griseshin, por festet e tyre me xhufkë vazhdonin t’i mbanin ende në kokë, ndërsa pistoletat dhe jataganët u dilnin sipër silaheve të gjera.[16]Një tjetër interesim dhe përmendje e shqiptarëve në krijimtarinë e Pushkinit është në poemën e lënë dorëshkrim kushtuar Jorgo Olimpiotit. Pushkini filloi të shkruante një poezi të gjatë me titull “Poema e Heteristit” (Iordaki Olympioti), ose i njohur më mirë si Jorgo ose Jorgoqisis Olympioti[17]. Në të, ai dëshironte të përshkruante betejën e fundit vendimtare të Heteristëve në manastirin e Secu[18], pavarësisht faktit se nuk e përfundoi kurrë atë. Ai la vetëm një synops të përafërt:
Dy Arnautë përpiqen të vrasin Aleksandër Ypsilantin. Georgakis i vret ata. Në mëngjes ai u tregon Arnautëve për arratisjen e Ipsilantit [drejt territorit austriak]. Georgakis merr komandën e ushtrisë dhe shkon në male, i ndjekur vazhdimisht nga turqit. Secu[19].
Dhe strofa e parë e poemës:
Në fusha, male dhe pyll
Nata perëndon e qetë;
Dhe nën kulmin e errët të qiellit
… Ipsilanti po dremit.
Në 1833 ai shkroi, por la pa përfunduar, atë që duket të ishte një studim i gjatë në lidhje me Ipsilantin dhe ngjarjeve të kryengritjes hetairiste në provincat rumune, duke përfshirë disa kujtime personale të viteve të kaluara në jug të Rusisë. Në synopsin e përafërt shkruhet:
Kishinev — Ardhja ime në Kaukaz dhe Krime — Orlov — Ipsilanti—Kamenka — Pusi — Revolucioni Grek — Liprandi — Viti 1812—Mort de sa femme — Le renégat — Pashai i Erzerum.[20]
Këto shënime e synopse në arkivin e Pushkinit si dhe skicat e vizatuara nga ai vetë për dy karaktere shqiptarë nuk kanë qenë të njohura për publikun shqiptar pavarësisht faktit që vepra e Pushkinit po bëhet gati një shekull që ka filluar të përkthehet në shqip. Përkthimi i parë i krijimtarisë së Pushkinit i përket korrikut të vitit 1922 në shtypin periodik, tek revista Shkëndia e Korçës. Tek nr. 1 e më pas edhe në numrat 2 e 3 të saj gjendet e përkthyer drama “Kalorësi dorështrënguar”. Në vitin 1923 po tek Shkëndia, në nr.5 dhe 11 do të përkthehet drama “Rusallka”. Në fund të tyre nuk shënohet emri i përkthyesit, por kuptohet se është Milto Sotir Gurra sepse dy vjet më vonë, dy dramat e përkthyera në revistën që ai drejtonte bashkë me një dramë tjetër do ti botonte, duke i ofruar lexuesve librin e parë të përkthyer dhe botuar në shqip nga Pushkini. Në vitin 1924, ky libër që përmbante tri drama të përkthyera: “Mocarti dhe Saljeri”, “Kalorësi dorështrënguar”, “Rusallka”, u botua në Korçë. Libri nuk përmbante vetëm dramat e përkthyera, por ishte i shoqëruar me “Biografia e Aleksandër Sergjevic Pushkin”, një paraqitje prej 4 faqesh rreth shkrimtarit si dhe i shoqëruar në fund me “Dy fjalë për tri dramat”, shënime të një nga kritikëve më të njohur, të asaj kohe, të letërsisë ruse të shek. XIX. V. G. Bielinskit.[21] Përkthimi i parë pas Luftës së II Botërore i përket vitit 1945, vargjeve të poezisë “Profeti” të përkthyera nga Sotir Caci, tek “Bashkimi”, i shoqëruar me një tregim “Rob’ i Kahkazit” tek Rinia në 46 dhe “Katundi” tek Luftëtari në ‘47. Në këtë atmosferë me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Pushkinit i tërënumri 4 i revistës letrare “Literatura jonë” botuar në 1949 do ti kushtohet kësaj figure dhe krijimtarisë së tij. Në këtë numër janë botuar një sërë artikujsh kritik nga Zihni Sako, Llazar Siliqi, Andrea Varfi, Xhemal Broja[22]. Në po të njëjtën kohë si pasojë e sovjetizmit të plotë të kulturës shqiptare do të botohet një numër i plotë, numri 18 i revistës Shqipëri-BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) do t’i kushtohet 150-vjetorit të lindjes. Kjo revistë do të filloj të botohet në vitin 1947, dhe ishte organ i Shoqërisë për lidhje kulturore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, që do të botohet me këtë emër gjatë periudhës 1947-1951. Në faqet e saj do të ketë përkthime të shumta të Pushkinit, pornumri 18 do t’i kushtohet plotësisht këtij shkrimtari, madje në kopertinën e saj është portreti i shkrimtarit.[23] Leximi i ndryshëm socilogjik dhe intepretimi i kritikës shqiptare që iu bë veprës së Pushkinit gjatë periudhës së realizmit socialist nuk nxorri në pah sa duhet vlerat estetike të veprës së tij po aq sa dhe aspektet e tjera, e mes të tjerash dhe koleksionin e madh të skeçeve të tij në grafikë e pikturë çka e bën një nga shkrimtarët më të veçantë romantikë. Përkthimet e Pushkinit, në 10 vjeçarin e parë, pas luftës do të realizohen nga Andrea Varfi, Skënder Luarasi, Llazër Siliqi, Vedat Kokona, Zihni Sako, e më vonë në vitet ‘60-‘70 nga Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli, V. Angoni, Jorgo Bllaci, Ismail Kadare, Petraq Kolevica etj.[24]
Janë të shumtë kritikët letrarë që kanë vënë re ngjashmëritë në krijimtarinë letrare midis Pushkinit dhe Bajronit, sidomos në subjektet e Ballkanit dhe Besarabisë dhe Kaukazit. Pikëtakimet e Pushkinit me Bajronin janë shumë të njohura për studiusit e letërsisë, sidomos në formën e romanit në vargje “Eugen Oneigini”, ku ndihet influenca e heroit tipik bajronian. Gjithësesi duhet pranuar se Romantizmi si rrymë letrare me adhurimin e vet ndaj së bukurës sublime, heronjve të veçantë krenarë, humor prishur, cinikë, rebelë, të trishtuar, përbuzës, hakmarrës të paepur, por prapë së prapë të aftë për të ndjerë një dhembshuri të thellë e të fortë, bën të mundur që autorët të ngjajnë mes tyre dhe jo domosdoshmërisht të influencoheshin nga njëri-tjetri. “Turkish Tales” të Bajronit dhe “Kerxhaliu” i Pushkinit kanë të përbashkët sfondin kulturor ku mbizotëron kostumi tradicional i shqiptarëve dhe veshja e tyre fustanella, ndaj nëse në fillimet e shekullit të XIX mund të flasim për një tipar karekteristik të shqiptarëve nga Adriatiku deri në Besarabi e Det të Zi, padyshim do të reshtonin të parën dhe si më përfaqësuese fustanellën. Me të vërtetë fillimi i shekullit të XIX ishte koha e revolucioneve dhe e fustanellës.
Bibliografi:
1- Anila Mullahi. Ardhja e Pushkinit në gjuhën shqipe nëpërmjet përkthimeve dhe kritikës letrare. 220-vjetori i lindjes së poetit të madh rus A. S. Pushkin, Universiteti i Tiranës Fakulteti i Gjuhëve Të Huaja Departamenti i Gjuhëve Sllave E Ballkanike
2- Enciklopedia Greke : Zëri Georges Mecenigos
3- Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002
4- Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009
5- JAMES J. FARSOLAS. HISTORICAL REALITY AND LEGEND IN ALEXANDER PUSHKIN’S SHORT STORY KIRDJALI — AN EPISODE FROM THE GREEK INSURRECTION OF 1821 IN THE ROMANIAN PRINCIPALITIES. University of South CarolinaCoastal Carolina University Myrtle Beach, S.C., U.S.A.,
[1] Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002, fq. 643
[2] Enciklopedia Greke : Zëri Georges Mecenigos
[3] Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009, fq. 32
[4] Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009, fq. 35
[5] Udhëheqës i Revolucionit Grek. (12 December 1792 – 31 January 1828). Ipsilanti ishte anëtar i një familje të shquar greke nga lagjia Fanar i Konstandinopojës, princ i principatave rumune në Danub, oficer kryesor i kavalerisë ruse gjatë luftërave Napoliane dhe udhëheqës i Filiki Eterisë-Shoqëria e Miqve, organizatës sekrete që koordinoi fillimin e revolucionit grek.
[6] James J. Farsolas. Historical reality and legend in Alexander Pushkin’s short story Kirdjali — an episode from the Greek insurrection of 1821 in the Romanian principalities. University of South Carolina Coastal Carolina University Myrtle Beach, S.C., U.S.A.
[7] James J. Farsolas. Historical reality and legend in Alexander Pushkin’s short story Kirdjali — an episode from the Greek insurrection of 1821 in the Romanian principalities.. University of South Carolina Coastal Carolina University Myrtle Beach, S.C., U.S.A., fq 66-67.
[8] Gjatë shekullit të XVIII kështu quheshin forcat e parregullta osmane të cilët përdornin qytetin Kirca Ali në Bullgari si një vend strehimi dhe furnizimi prej nga terrorizonin gjithë Ballkanin. Njësitë më të mira të këtyre forcave udhëhiqeshin nga Osman Pazvantoğlu Pasha, i cili sundoi pjesën më të madhe të verilindjes territoreve bullgare dhe deltës së Danubit deri në 1807.Në Shqipëri ka mbijetuar si mbiemër në formën Kërxhaliu( kujto emrin e një Heroi të Popullit nga Luma e Kukësit Hasan Kërxhaliu, 1902 – 1946 )
[9] James J. Farsolas. Historical reality and legend in Alexander Pushkin’s short story Kirdjali — an episode from the Greek insurrection of 1821 in the Romanian principalities. University of South Carolina Coastal Carolina University Myrtle Beach, S.C., U.S.A., fq 67.
[10] Po aty, fq 73
[11] James J. Farsolas. Historical reality and legend in Alexander Pushkin’s short story Kirdjali — an episode from the Greek insurrection of 1821 in the Romanian principalities.. University of South CarolinaCoastal Carolina University Myrtle Beach, S.C., U.S.A., fq 60.
[12] “Kërxhaliu”,Përktheu nga rusishtja: Stela Koçi. Suplementi “Rilindësi” 25.10.2015, fq 19-20
[13] Po aty.
[14] Po aty.
[15] Ilia Blinderman, Revered Poet Alexander Pushkin Draws Sketches of Nikolai Gogol and Other Russian Artists. Open culture.com.
[16] “Kërxhaliu” Përktheu nga rusishtja:Stela Koçi. Suplementi “Rilindësi” 25.10.2015, fq 19-20.
[17] Udhëheqës i Revolucionit Grek(1772-1821) Ai u shqua për aktivitetet e tij në Principtatat Danubiane ku gjeti dhe vdekjen në Manstirin Secu.
[18] Beteja e Skulenit u zhvillua në 29 qershor në fshatin Skuleni pranë brigjeve të Prutit në Moldavi, midis forcave osmane të Sulltan Mahmudit II dhe forcave të Filiki Eterisë të udhëhequra nga princi George Catakouzenos . Beteja ndodhi si rezultat i masave ndërshkimore të ndërmarra nga otomanët pas dështimit të ekspeditës së Aleksandër Ipsilantit në dy principatat e Danubit dhe vinte menjëherë pasbatejës së Dragoshanit.
[19] Manastir në Rumani që shërbeu si fortesë për forcat e eteristëve kur shpërtheu revolta në principatat danubiane
[20] James J. Farsolas. Historical reality and legend in Alexander Pushkin’s short story Kirdjali — an episode from the Greek insurrection of 1821 in the Romanian principalities. University of South Carolina Coastal Carolina University Myrtle Beach, S.C., U.S.A., fq 59.
[21] Anila Mullahi. Ardhja e pushkinit në gjuhën shqipe nëpërmjet përkthimeve dhe kritikës letrare. 220-vjetori i lindjes së poetit të madh rus A. S. Pushkin, Universiteti i Tiranës Fakulteti i Gjuhëve të Huaja Departamenti i Gjuhëve Sllave E Ballkanike, fq 96.
[22] Po aty, fq 100.
[23] Po aty, fq 101
[24] Po aty, fq103