More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: Napoleoni duke kaluar alpet

    Dr. Bledar Kurti: Napoleoni duke kaluar alpet

    Sa herë që përmendet emri Napoleon Bonaparte mendja shkon menjëherë te bëmat kolosale historike që ai arriti gjatë jetës së tij dhe ndikimin që ato patën në rrjedhën e mëvonshme në histori, por për sa i përket imazhit dhe portretit të tij, na vjen në mendje kjo tablo monumentale, në të cilën, i hipur mbi një kalë, me gishtin drejtuar përpara, ai çan përmes Alpeve duke udhëhequr fushatën ushtarake për të mposhtur trupat austriake në Marengo. Napoleoni mbetet një figurë madhështore historike, por lavdia e tij shpaloset më së miri figurativisht nga tabloja Napoleoni Duke Kaluar Alpet, (1801) e piktorit francez Jacques-Louis David (1748-1825).

    Shumë kritikë e kanë vlerësuar këtë vepër si propagandë. Dhe në të vërtetë ajo u krijua si e tillë. Por përtej propagandës ajo mbetet edhe një kryevepër në historinë e artit botëror. Një Napoleon shtatshkurtër që shpaloset me një madhështi të tillë nuk mund të arrihej dot përveçse forcës së artit dhe dorës së mjeshtrit Jacques-Louis David.

    Kompozimi i veprës është i përsosur. Një moment i ngrirë përmban dinamikë të pashteruar. Napoleon-i është i ulur mbi një kalë të bardhë të racës arabe, i cili këmbët e përparme i ka të ngritura furishëm ndërsa të pasmet të përkulura sikur mbajnë një peshë të rëndë, jo vetëm trupin e gjeneralit por të vetë kohës, betejave, fitoreve, sakrificave, dhe fatin e një kombi të tërë.

    E gjithë tabloja lëviz për nga e majta. Napoleoni ka gishtin tregues të dorës së djathtë të drejtuar për nga e majta. Ajo dorë është pa dorezë, edhe pse i ftohti i Alpeve është i acartë. Edhe manteli i kuq vërshon nga i njëjti drejtim, sikurse edhe flokët dhe bishti i kalit. Ushtarët në sfond dynden për nga e majta nën urdhrat e drejtuesit të tyre, dhe të gjitha gjestet dinamike duken triumfuese kundrejt maleve të thepisura si nën këmbët e kalit ashtu edhe në sfond, megjithatë, sado të larta, ato nuk ia kalojnë cepit të mantelit, gishtit, dhe kapelës së Napoleon-it të cilat tregojnë epërsi edhe mbi kushtet ekstreme të natyrës.

    Në këtë tablo, me pikënisjen nga këndi i poshtëm i djathtë i tablosë që shpërthen për nga lart në anën tjetër të kanavacës,  kalimi i Alpeve nga gjenerali Bonaparte na shpaloset si kaplim i mundimshëm prej ferrit drejt një parajse të gjendur përtej kreshtave të larta, si ato makthe që manifestohen vetëm në ëndrrat e frikshme të netëve të zeza dimërore, por, vështrimi i drejtpërdrejtë i Napoleon-it për nga shikuesi, dhe kalërimi besimplotë tregojnë se gjenerali e pret me vetësiguri atë sfidë, si një betejë e lavdishme e radhës e cila do shkruhet në histori.

    Aspekti historik është i pashmangshëm. Gishti drejtues dhe vështrimi depërtues i Napoleon-it janë ftues. Ato na ftojnë të ndjekim atë triumf që do gdhendet në epoka, ndaj dhe Davidi ka shkruar në gurët e këndit të poshtëm të tablosë tre emra, Bonaparte, heroin e veprës, si edhe Hannibal dhe Charlemagne, dy figurat e tjera të shquara të historisë të cilët drejtuan trupat e tyre përmes Alpeve.

    Tabloja shpalos një dinamikë të paprecedentë në art. Davidi e ka arritur këtë jo vetëm përmes lëvizjes së elementëve figurativ por edhe atyre gjeometrik. Figura gjeometrike e zgjedhur nga Davidi është trekëndëshi, i cili dallohet në shumë plane, për shembull: kapela e Napoleonit që formon një piramidë me këmbët e përparme dhe të pasme të kalit; gishti drejtues me dy qoshet e poshtme të tablosë; cepi i përparmë i mantelit të kuq me cepin e pasmë dhe me fundin e palltos së zezë; linja e shkëmbit të poshtëm dhe e malit në sfond; përthyerja e krahut dhe këmbës së majtë të Napoleon-it; palosja e fundcepit të palltos së zezë; si edhe vetë drejtimi i reve që shërben si përforcim për të theksuar lëvizjen.

    Edhe aspekti piktoresk është mjeshtëror. Trajtimi i mantelit dhe veshjes së Napoleonit, shpata e artë e mbërthyer në brez, trupi dhe vështrimi i kalit, dora me dorezë e cila shtrëngon me forcë frerin, janë të gjitha të harmonizuara më së miri artistikisht. Vetë Napoleonit i pëlqeu shumë kjo tablo ndaj edhe porositi disa kopje.

    Por, përtej vlerave artistike apo historike, tabloja mbart edhe një moment të jashtëzakonshëm të bisedës midis Napoleonit dhe Davidit. Për ta pikturuar këtë tablo artistit i duhej ta bindte Napoleonin të ulej e pozonte për të, dhe ashtu ndodhi, por pas tre orësh torture pozimi, dhe me një natyrë të paduruar siç kishte Konsulli i Parë i Francës, Bonaparte u ngrit dhe bëri të largohej. Kur artisti iu ankua se i duhej ende kohë që ai të pikturonte ngjashmërinë e tij, Napoleoni iu përgjigj: “Askush nuk e di nëse portretet e njerëzve të mëdhenj i ngjajnë atyre, mjafton që gjenialiteti i tyre të shpaloset në to.” Me fjalë të tjera ai po i tregonte artistit se brezat e ardhshëm nuk donin të dinin se çfarë pamje kishte patur Napoleon-i por se çfarë kishte bërë Napoleoni. Dhe Davidi e kuptoi fare mirë atë mesazh ndaj përdori të birin si model, e ngjiti atë mbi një shkallë sikur të ishte përmbi kalë, duke i shtuar pamjen e Napoleonit, por mbi të gjitha duke arritur të përçonte mbi kanavacë lavdinë e arritjeve dhe emrit të tij.

    David-i në fillim kishte menduar ta pikturonte gjeneralin me shpatë në dorë por Napoleoni i shpjegoi se betejat nuk fitoheshin më nga heroizmi i një njeriu të vetëm, dhe e këshilloi ta pikturonte “calme sur un cheval fougueux” (i qetë mbi një kalë të zjarrtë).

    Por, pas çdo historie të lavdishme ka gjithnjë një të fshehtë. Napoleoni i kaloi vërtetë Alpet, dhe më pas arriti një fitore të lavdishme në Betejën e Marengo, por ai nuk i kaloi me një kalë hamshor të racës arabe, por i hipur mbi një mushkë, përmes një shtegu të ngushtë, e madje dy ditë pas ushtrisë së tij. Por, a ishte kjo e vërtetë e rëndësishme në kapitujt e historisë? Aspak! Davidi kishte një qasje tjetër për artin, ai donte ta përfaqësonte rolin tradicional moral, social dhe politik të artit. Ai nuk ishte thjesht një artist i angazhuar politikisht, por krijonte një art publik dhe e shihte veten si shërbëtor i të mirës së përbashkët kombëtare. Dhe ishte ky qëndrim ai që i mundësoi atij të mbështeste dy role të kundërta, atë të aktivistit revolucionar të Revolucionit Francez në kohën e Maximilien Robespierre dhe atë të oborrtarit në perandorinë e Napoleonit i cili e rrëzoi qeverinë revolucionare. Ndër artistët e mëdhenj të shekullit, David-i është më konservatori, ose më tradicionali, në kuptimin e piktorit patriot, arti i të cilit ishte në shërbim të një ideologjie koherente politike dhe morale.

    Arti i Davidit është i pashoqë, por është e kuptueshme përse veprat e tij mund të konsiderohen edhe si propagandistike. Ndryshe nga thënia “një njeri nuk mund t’i shërbejë dy padronëve,” Davidi i shërbeu dy sistemeve. Ai ishte mbështetës i Revolucionit ndaj edhe në vitin 1792, ai u zgjodh në Konventën Kombëtare, dhe si admirues dhe mik i Robespierre, ai votoi për ekzekutimin e mbretit (janar 1793) dhe mbretëreshës (tetor 1793), dhe shkurtimisht u bë kryetar i Konventës. Kur qeveria e Robespierre u rrëzua nga komploti thermidorian në korrik të vitit 1794, Davidi, i cili, duke kujtuar Sokratin, kishte bërë betimin që do të “pinte helmin” bashkë me udhëheqësin e tij, e humbi nervin dhe guximin, dhe shfajësoi veten duke u shprehur se kishte qenë viktimë e hipokrizisë së Robespierre, duke kursyer kështu kokën e vet të pritej nga gijotina. Dhe me të ardhur Napoleon-i në pushtet ai u vu në shërbim të padronit të ri.

    Në vitin 1801, Davidit iu dha nga Napoleoni titulli i Premier Peintre (Piktori i Parë). Artisti e adhuronte gjeneralin i cili më vonë u bë edhe Perandor. Voilà mon héros (Ky është heroi im), u tha ai nxënësve të tij kur Napoleoni e vizitoi atë në studio. Madje kur gjenerali ishte ulur të pozonte për të për ato pak orë, artisti u shpreh disi me servilizëm: “Shikoni çfarë fytyre të bukur që ka. Është e kulluar. Është madhështore. Si antikitet.”  Davidi gjeti tek Napoleoni subjektin ideal, një fitimtar me pamjen e përsosur dhe me një dhunti të jashtëzakonshme për madhështinë.  Ai ishte krenar për padronin e tij pasi zyrtarisht ai tashmë ishte artisti autor i imazhit publik të njeriut më të rëndësishëm të Francës, tashmë një prej figurave më të shquara të historisë.

    Por marrëdhënia e Davidit me Napoleoni-n pësoi një ndarje të paparashikueshme. Perandori i ri i Francës, në mënyrë jozyrtare e porositi Davidin të krijonte katër tablo për të përkujtuar fillimin e Perandorisë së re përmes katër skenave: Kurorëzimi, Ulja në Fron, Prezantimi i Flamurit të Shqiponjës, dhe Arritja në Bashkinë e Parisit. Për secilën prej këtyre pikturave me përmasa shumë të mëdha, David priste të paguhej 100,000 franga, një shumë e konsideruar tejet e tepruar nga Denon Vivant, kreu i administrimit të artit në oborrin e Napoleon-it. Kërkesat e vazhdueshme dhe urgjente të David-it për pagesën e irrituan jashtë mase Perandorin dhe çuan gradualisht zvogëlimin e porosive. Nga viti 1810 e më pas, ai ishte Piktor i Parë vetëm me titull dhe nuk iu dha asnjë punë tjetër zyrtare. Vetëm dy nga pikturat përkujtimore u realizuan dhe për përfundimin e tyre u deshën pesë vjet.

    Admirimi i madh që Davidi kishte për Napoleon-in u shpalos edhe tek vepra Kurorëzimi i Napoleon-it (1805-1807). Më 2 dhjetor 1804, Napoleon Bonaparte legjitimoi veten për një pushtet absolut përmes një shfaqje madhështore pesë orësh në katedralen e Notre Dame e cila ia kalonte edhe miteve të lashta, ritualeve kishtare dhe të gjitha simboleve të perandorisë dhe monarkisë. Në atë ceremoni madhështore ishte ftuar edhe Davidi, i cili, i ulur në njërën prej lozhave bënte skica pa fund për të përshkruar atë moment epokal. Më pas në studion e tij krijoi figura e kompozime për të krijuar tablonë e madhe me 150 figura. Edhe Perandori nuk ia kursente lëvdatat artistit, kur pa veprën e përfunduar ai i tha: “Kjo nuk është thjesht një pikturë, ka njerëz të gjallë që ecin në këtë tablo, dhe jeta ndodhet kudo. David, ju falënderoj dhe ju përgëzoj, sepse më keni bërë një kalorës të vërtetë francez.”

    Marrëdhënia e artistit me Napoleonin nuk përfundoi kaq lavdishëm. Në vitin 1814, Napoleoni u rrëzua nga froni dhe qeveria e ardhshme e Luigji XVIII e la të qetë artistin, por, Napoleon-i u rikthye dhe e caktoi sërish David-in si Piktor i Parë, por kësaj here artisti nënshkroi një deklaratë besnikërie ndaj Napoleon-it, një akt ky tepër i guximshëm që mund t’i sillte ndëshkim. E kështu ndodhi, pasi disfatës së Napoleonit në Waterloo, me ardhjen në fron të monarkisë së Bourbon, Napoleon-i u internua në ishullin e Shën Helenës ku edhe vdiq, ndërsa Davidi bashkë me të gjithë mbretvrasësit e tjerë të cilët kishin përkrahur Napoleon-in u dëbuan nga Franca.

    Nga oborri perandorak në mërgatë, Davidi vdiq në Bruksel duke lënë pas një stil neo-klasik që promovoi tematikën heroike në art. Gjatë të gjithë viteve të punës së tij, ai e ndiente që po jetonte në kohë heroike dhe historike ndaj edhe i reflektoi ato tek veprat e tij si Napoleoni Duke Kaluar Alpet, apo edhe Vdekja e Murat, Kurorëzimi i Napoleonit, etj. Por mbi të gjitha na la një imazh të Napoleonit të ngulitur në mendjen e shekujve.

    Kur vizitova varrin e Napoleon Bonaparte në Esplanade des Invalides, ku hiri i figurës së madhe historike prehet brenda një sarkofagu prej guri të kuqërremtë, në mendje më erdhën triumfet, fitoret, humbjet, ndikimi që ai pati në krijimin e shtetit modern, dhe dëshira e tij e fundit, “Dua që hiri im të rikthehet në brigjet e Senës, në mes të njerëzve të Francës, të cilët i kam dashur aq shumë.” Por, teksa mendimet napoleonike flatronin mbi kokën time, përpara syve m’u shfaq imazhi i Nepoleonit duke kaluar Alpet, me gishtin e drejtuar përpara, i hipur mbi një kalë flakërues, e me vështrimin ftues për të marshuar edhe unë drejt historisë. Dhe ai imazh mbeti gjatë në mendjen time, e shfaqet hera-herës sa herë që dëgjoj emrin Napoleon Bonaparte.

    Kjo është forca e artit, e cila kapërcen edhe fitoret në betejat më të lavdishme të historisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË