More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: DITA E TRE MAJIT 1808 e Francisco Goya

    Dr. Bledar Kurti: DITA E TRE MAJIT 1808 e Francisco Goya

    Teksa vëren tablonë Dita e Tre Majit, 1808 (1814) mendja e shikuesit qëndron larg perceptimit të artit si estetikë, burim ngjyrash e ndjesish të ëmbla. Në të, arti kapërcen pritshmërinë tonë të mjeshtërisë të së bukurës e na shfaq fytyrën e terrorit dhe dhimbjes, luftës dhe mizorisë njerëzore, duke na kujtuar se ne, qeniet vdekatare, në listën e gjatë të pasioneve tona, kemi edhe vrasjen.

    Kjo tablo e artistit spanjoll Francisco Goya (1746-1828), konsiderohet piktura e parë moderne. Në të nuk ka heronj por vetëm viktima. Dhe arti, përmes dorës së artistit ka nderuar këto viktima, e të gjithë spanjollët e tjerë të cilët humbën jetën pafajësish gjatë masakrës së dy dhe tre majit të vitit 1808 nga forcat ushtarake të Napoleon Bonaparte.

    Gjatë luftërave napoleonike, në vitin 1807, Spanja lejoi një ushtri franceze të kalonte nëpër territorin e saj për të shkuar e luftuar me një forcë britanike në Portugali. Në mars të vitit 1808, patriotët spanjollë u përpoqën të rrëzonin qeverinë e Manuel Godoy, e detyruan Charles IV të jepte dorëheqjen dhe të ngjiste në fron Ferdinandin. Napoleoni e përdori këtë mundësi për një ndërhyrje masive. Ai joshi familjen mbretërore dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga froni e të ulte në të vëllain e tij, Joseph Bonaparte. Trupat franceze, nën Marshall Murat pushtuan Madridin. Më 2 maj, qytetarët e Madridit u ngritën por u mundën lehtësisht nga trupat e Murat-it pas një beteje të shkurtër. Të nesërmen, më shumë se njëqind pengje u ekzekutuan në një kodrinë jashtë qytetit. Kryengritjet vazhduan në të gjithë Spanjën. Gjatë verës së vitit 1808, trupat spanjolle dhe forcat guerile mundën disa trupa franceze. Në fund të vjeshtës, vetë Napoleoni hyri në Spanjë në krye të një ushtrie të madhe. Deri në shkurt të vitit 1811, e gjithë Spanja ishte nën pushtimin francez. Tragjedia e ekzekutimit të njerëzve të pafajshëm është tematika e kësaj tabloje, por ajo shkon përtej një mesazhi njerëzor dhe dokumentimi lufte, ajo revolucionoi artin dhe vazhdon ende sot t’i apelojë njeriut modern mbi sakrificën dhe vlerën e jetës, duke shërbyer si një kujtesë mbi pasojat mizore që sjell dhuna ushtarake dhe armët, por mbi të gjitha mbi çmimin e shpagimit që kërkon shpëtimi dhe liria.

    Në tablo dallohen dy formacione masive njerëzish të përballur me njëri-tjetrin e të ndarë nga një hendek i ngushtë. Qendra e tablosë është një fener i zakonshëm katror që ndan errësirën e tertë të natës dhe shkëlqen mbi këmbët e grupit të rebelëve Madrileños të cilët qëndrojnë përballë murit të ushtarëve ekzekutues.

    Grupi i rebelëve ka një figurë kulmore me veshje të bardhë e të verdhë. Kjo figurë qendrore është më e ndritshmja e tablosë. Figura është një burrë i gjunjëzuar e i rrethuar nga të tjerë të cilët presin ekzekutimin nga skuadra e pushkatimit, dhe përpara tij ka kufoma të gjakosura. Ai ka hapur krahët gjerësisht e në pamje të parë duket se është një gjest i fundit i asaj që mund të interpretohet si një sfidë trimërie ose një akt dëshpërimi. Por, nëse vërehet me kujdes shohim se krahët e tij kanë formën e kryqit, dhe vragat në duart e tij kanë shenjat e stigmatës, plagët e gozhdëve të kryqëzimit të Jezusit. Këtë stigmatë dhe krahët e hapura e përdori edhe Pablo Picasso te vepra e njohur Guernika. Veshja e tij e bardhë dhe e verdhë simbolizojnë ngjyrat kishtare. Ai është veshur në ngjyrat kanonike të Kishës: e verdha dhe e bardha janë ngjyrat heraldike kishtare. Ndaj edhe vështrimi i figurës përmban një ndërthurje dhimbje si ajo e golgotës, mëshire, por edhe heroizmi të përtejbotshëm. Vështrimi i tij është përballë tytave të pushkëve por edhe ndaj dritës që drejtohet për nga ai e që buron nga fanari në këmbët e ushtarëve.

    Figura është një njeri i zakonshëm, ndoshta një punëtor i varfër, i cili me shprehinë e fytyrës, më shumë e trishtuar sesa e frikësuar, duket se shpreh fjalët e Krishtit, “Fali Atë, sepse nuk dinë se ç ‘bëjnë!”

    Anash tij shihen figura njerëzish të zakonshëm të cilët presin vdekjen porsi ai. Ndër ta, në të djathtë të tij shihet figura e një burri me sytë nga qielli, e më pas një prifti apo murgu. Pas tyre dallohen të tjerë me shprehi dhimbje, terrori dhe një lloj përhumbje të cilën e shkakton vetëm pragu i vdekjes. Në plan të parë të tablosë janë të shtrirë përdhe disa figura të ekzekutuara, të gjakosura e të pozicionuara në mënyrë të shkujdesshme e tërësisht të depersonalizuar. Pesha e tyre e vdekjes rëndon mbi dheun ngjyrë okër e bojëkafe për të transmetuar më shumë gravitetin e vdekjes sesa atë të tokës. Fytyra e figurës së vrarë në plan të parë është e mbuluar me gjak dhe me plagë të cilat e bëjnë shikuesin më shumë të tronditet nga tabloja sesa ta vlerësojë atë artistikisht.

    I gjithë grupi i viktimave duket si një njësi e pa personalizuar. Madje edhe figura qendrore, me krahët dhe stigmatën e Krishtit duket më shumë si një simbolikë e një populli të viktimizuar. Nuk ka heroizëm ndër ta, vetëm një fakt të pashmangshëm, e ngjashme me të Krishtit në kryq. Një fakt i pazhbëshëm. Ashtu si Krishti vdiq për mëkatet e të shumtëve, ashtu edhe ata po sakrifikoheshin për popullin e tyre, i cili një ditë do përballej me dritën e lirisë, të simbolizuar nga feneri në qendër të tablosë. Mesazhi që jep Goya është se pa sakrificë nuk ka shpëtim. Dhe ai e fton shikuesin të mbajë qëndrim, të zgjedhë dritën apo errësirën, të jetë me sakrifikuesit apo me ekzekutorët, me viktimat apo vrasësit.

    Ekzekutorët janë të pikturuar me shpinë, si një njësi vrastare e pashpirt dhe pa fytyra. Ngjyra e uniformave dhe pozicionimi i trupave ngjasojnë porsi një makineri e rëndë vrasëse. Të gjithë ushtarët janë tërësisht në zonën e mbuluar me hije të kanavacës. Janë ata që e kanë vendosur fenerin në atë vend por drita nuk bie mbi ta. Goya ka krijuar një trekëndësh drite që buron nga feneri e shpërndahet nga vija e kodrës dhe poshtë në të majtë të ushtarit të parë. Ky trekëndësh drite na kujton veprën e Caravaggio-s Konvertimi i Shën Palit, por ndryshe nga trekëndëshi vertikal ai është horizontal e shtrihet në të majtë. Edhe viktima e shtrirë në plan të parë ka krahët e hapur në formë kryqi. E gjithë skena është një golgotë moderne, me ekzekutues dhe viktima.

    Goya ishte i fiksuar me kryqin. Në të gjitha letrat e tij vërehet se ai nuk e niste kurrë një dorëshkrim pa shenjën e kryqit në krye. Ai kishte një ndjenjë të thellë fetare, karakteristikë e spikatur tek pjesa më e madhe e spanjollëve të kohës. Jo vetëm stigmata në duart e figurës kryesore, kryqi në shtrirjen e krahëve të tij dhe viktimës së shtrirë në plan të parë, dritës tre këndore që buron nga feneri, por edhe sfondi, në të cilin dallojmë një kishë me një kambanore, japin mesazhin e golgotës. Për më tepër, ngjarja në tablo zhvillohet në Príncipe Pío, një kodrinë në dalje të Madridit, njësoj si kodrina e Golgotës në dalje të Jerusalemit. Askush nuk e porositi këtë vepër. Goya e pikturoi disa vite më pas ngjarjes, si një reflektim i brendshëm dhe një thirrje për shpagim shpirtëror për shikuesit dhe mbarë Spanjën.

    Në këtë pikturë ne ndiejmë një ngurrim plotësisht të justifikuar për të kënaqur çdo lloj vlerësimi estetik të imagjinatës artistike ose të aftësisë teknike të piktorit. Ne nuk mendojmë për mjeshtërinë e as virtuozitetin e tij artistik, e madje edhe anashkalojmë penelatat e shpejta, njolla të patrajtuara e të neglizhuara, si për shembull vetullat e harbuara të figurës së ndriçuar të tablosë, por përqendrohemi tek e gjithë skena, tek mesazhi që Goya kishte për qëllim të shpaloste.

    Subjekti është kaq imponues dhe i lirë. Penelatat, ngjyrat, zgjuarsia e kompozimit duken të parëndësishme, sepse Goya na detyron të mbajmë qëndrim; ai kërkon që ne të deklarojmë pozicionet tona. Ai na kërkon të zgjedhim. Në fakt, arti i viteve 1800-të kishte marrë përmasa të reja, dhe puna e çdo piktori kishte nisur të përmbante sfida polemike, që shpaloseshin qëllimisht nga vetë artisti. Goya e ka pikturuar këtë tablo me shpresën për të ndryshuar zemrat e njerëzve. Ai u përpoq të zgjonte njerëzimin nga “gjumi i arsyes” (“el sueño de la razón”) në të cilin bota kishte rënë si e droguar nga vitet e vazhdueshme të dhunës dhe gjakderdhjes.

    Kjo qasje, bashkë me trajtimin unik artistik, e bëjnë këtë tablo të konsiderohet si ndër veprat e para të artit modern. Ajo shërben edhe si një dokument lufte. Në këtë dokumentim të tij të luftës spanjolle kombëtare për çlirim, Goya punoi si një vëzhgues i pavarur dhe i mprehtë, duke regjistruar ngjarje dhe fakte vizuale të trajtuara dhe parë nga një këndvështrim tërësisht i ndryshëm nga artistët përpara tij. Ai ishte dëshmitar okular i shumë skenave të tmerrshme dhe episodeve tragjike, dhe për atë periudhë përpara shpikjes së aparatit fotografik, kjo tablo shërbeu edhe si një fotografi e mizorisë së luftës.

    Arti i Francisco Goya është ndër më të dalluarit në histori, e madje është tejet i vështirë për t’u kategorizuar pasi ai ka shpalosur kapërcime të paimagjinueshme tematikash nga finesa deri te makthet, nga portretet e bukura deri te kanibalizmi, nga tablotë borgjeze e nudot sensuale deri te figura imagjinare gjigantësh, demonësh, dhe krijesash të përbotshme. Për shkak të Iluminizmit dhe ndikimit të Revolucionit Francez, artistët po e ndienin veten të lirë për të shpalosur përfytyrimet vetjake, gjë që në atë kohë e kishin bërë vetëm poetët. Ndaj edhe veprat e Goya-s janë të mbuluara me emocione të brendshme dhe reagime personale ndaj konflikteve të jashtme, duke pikturuar me emocione prej një poeti.

    Goya la pas një repertor të madh veprash: rreth 500 piktura vaji, dhe 280 grafika e litografi. Ai tashmë është shndërruar në një legjendë. Jeta e tij ngjason me një roman fantastik të pasur me aventura. Kjo legjendë u ngrit menjëherë pas vdekjes dhe artisti mori famë të madhe po aq sa pikturat e tij. Ende edhe sot ka një prirje të sinqertë për ta dramatizuar jetën e Goya-s. Por sado të dramatizohet ajo nuk mund t’ia tejkalojë dramës që shpaloset tek veprat që la pas.

    Një nga aspektet më të gjalla të legjendës së Goya-s janë tregimet mbi duelet, arratisjet dhe natyra e tij tejet e sertë. Ai nuk ishte aspak puritan në jetën e tij sociale, por ishte i martuar, dhe sipas disa të dhënave, ai kishte nëntëmbëdhjetë djem. Ai kishte një karakter të ndërlikuar e të kombinuar plot energji dhe vitalitet të pafund me një instinkt të ndjeshëm dhe mendje të rafinuar, thjeshtësi dhe vrazhdësi, vetëbesim dhe ambicie të madhe. Energjia e tij e pakufishme shpaloset edhe në një nga letrat e tij të fundit, në të cilën ai shkroi: “Gjithçka po më braktis përveç vullnetit im, të cilën e kam ende me bollëk”. Dhe në një letër tjetër kuptojmë dëshirën dhe dhënien e tij pas jetës luksoze dhe privilegjeve të cilat ai i përjetoi për shkak të statusit që kishte si piktori i oborrit: “Jeta ime është për t’u patur zili, kurrë nuk kam për të pritur më në dhomat e pritjes, dhe nëse dikush dëshiron diçka prej meje, ai duhet të më kërkojë që të më takojë, unë jam bërë shumë i dëshiruar dhe nëse klienti nuk është një personazh shumë i lartë apo i rekomanduar nga një mik i imi, unë nuk punoj për të. Kjo është mënyra se si fitoj sa më shumë klientë e të marr sa më shumë porosi.”

    Spanja e shekullit të 18-të do i ishte dukur vëzhguesve bashkëkohorë evropianë, një vend i pamundur për ngritjen e një artisti me rëndësi botërore. Lindja dhe shkëlqimi i një artisti kaq të madh si Goya në atë kontekst historik ishte e papritur pasi Spanja, e madje kryeqyteti i saj Madridi, ishte i mbushur me baltë dhe pa shkëlqim, por kishte oborret më piktoreske të Evropës. Udhëtarët anglezë dhe francezë, si edhe diplomatët e huaj kanë lënë përshkrimet më të gjalla të kushteve të egra të jetesës, të gjallërisë dhe të aspektit të ngjyrave festive dhe procesioneve të tyre, si dhe të intrigave të pafundme midis fisnikërisë, politikanëve dhe familjes mbretërore. Por, për shkak të kësaj atmosfere të rënduar jetese dhe episodeve të tmerrit të shkaktuar nga lufta, Goya krijoi tablo të paprecedentë, të cilët transmetojnë një dramë të vërtetë. 

    Por marrëzia e jashtme shoqërohej edhe nga ankthet e vetë artistit. Ankthet dhe trazirat e brendshme e shtynë atë të krijonte vepra që nuk mund të perceptohen as në makthet më të frikshme të njeriut. Përbindëshat në tablotë e tij u krijuan edhe për shkak të shëmtisë së tij. Ato duken se janë një lloj autoportreti mizor. Ai shqetësohej mbi çfarë mendonin njerëzit për paraqitjen që ai kishte si edhe për pikturat e tij. Ai hasi shumë pengesa në karrierë. Ato pengesa e bënë atë agresiv dhe plot sarkazëm. Ai krijoi gradualisht një jetë shpërthyese të brendshme. Ëndrrat e tij, siç u shpreh ai vetë, prodhuan figura të tmerrshme të cilat ai i përdori si armë për të luftuar betejën e pafund të jetës së tij. Ai krijoi një seri përbindëshash shumë origjinalë të cilët përfaqësonin veset, besëtytnitë, shkëlqimin e rremë të oborreve dhe të politikës së Madridit. Në vitin 1792 një sëmundje shumë e rëndë e la atë plotësisht të shurdhër. Nofka e tij nisi të ishte “Don Paco el Sordo” – Shurdhi. Humbja e dëgjimit nuk ndikoi në suksesin e tij artistik, por e largoi atë nga triumfet e mëtejshme si një pjesëmarrës i zakonshëm në oborret snobiste të Madridit.

    Goya e shpalosi artin e tij gjatë periudhës barok të vonshëm, e njohur si Rokoko. Por, ndryshe nga zbukurimet dhe elementët dekorativ që karakterizonte këtë stil, artisti spanjoll kapërceu kufijtë artistikë të kohës duke ndërthurur traumën sociale dhe politike, fizike dhe mendore në veprat e tij. Më vonë Pablo Picasso, bashkëkombësi i tij, do shprehej se spanjollët janë “të dashuruar me dhunën dhe mizorinë. Ata dëshirojnë të shohin gjak – derdhje nga gjaku i kuajve, i demave, i njerëzve – gjithmonë krijohet e njëjta kënaqësi kur shihet rrjedha e gjakut.” Padyshim, Picasso iu referua magjepsjes së tij me traditën spanjolle të luftës me dema, por Goya e manifeston periudhën e tij gjakatare në të cilën jetonte me figura kanibaleske, flakëruese e vetë-fshikulluese, e plot fantazma, përbindësha me krahë, e gjigandë që ngjasojnë me ciklopë mitologjikë por që në fakt buronin nga mendja dhe imagjinata e trazuar e artistit.

    Lufta i la artistit një plagë të thellë shpirtërore. Në serinë e grafikave me titull Los Desastres de la Guerra (Fatkeqësitë e Luftës), te një prej pllakave prej bakri mbi të cilën ai krijoi imazhin e ilustrimit ai shkroi “Yo lo vi” (Unë e pashë). Dhe tmerri që ai pa me sytë e tij dhe përjetoi manifestohet qartazi në të gjitha veprat e tij. Goya krijoi shumë imazhe mbi luftën dhe pikturoi edhe një tablo tjetër mbi masakrën e dy majit, por është vepra Dita e Tre Majit, 1808 ajo e cila është më e njohura dhe e cila ka patur ndikimin më të madh në artin, shikuesit dhe botën e shekujve të mëvonshëm, pasi në të, apeli i figurës qendrore që përballet me skuadrën e pushkatimit është i ngjashëm me vetë apelin e Goya-s. Ai thërret me shpresën për t’u dëgjuar. Përmes saj ai na transmeton mesazhin se shpëtimi gjendet te drita, te sakrifica e të pafajshmit në golgotën epokale, si çmimi i vetëm i shpagimit njerëzor.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË