More
    KreuOpinionDorota Horodyska: Udhëtimet nëpër Gjirokastër

    Dorota Horodyska: Udhëtimet nëpër Gjirokastër

    Me Ismail Kadarenë nuk kam biseduar kurrë si me autorët e tjerë. Si përkthyese nuk i kam kërkuar të më shpjegojë paqartësitë, nuk e kam pyetur për kontekstet dhe fjalët, nuk jam konsultuar për asgjë. Nuk kisha guxim. As nuk jam përpjekur të rri në shoqërinë e Tij, për t’u ngrohur nga shkëlqimi i famës. Jam ndier e ndrojtur dhe vazhdimisht ndihem e tillë, duke e konsideruar si një Olimp të papushtueshëm. 

    Megjithatë, kam biseduar dhe diskutuar me Të në mënyrën time, që prej fillimit, që nga çasti kur nisa ta njoh Shqipërinë, historinë dhe letërsinë e saj, që më pas do ta përktheja. Jam përpjekur të deshifroj kodet letrare të veprave të tij, që më pas do të analizohen nga lexuesit polakë. Ata kanë guximin t’i bëjnë autorit pyetje ngacmuese dhe intriguese.

    Të tilla janë për shembull pyetjet për Gjirokastrën. Ata e ndiejnë intuitivisht se ky është një lloj qyteti i çuditshëm, i cili nuk hyn lehtësisht në kallëpet e tipologjive. Është qytet që ngjall respekt, ndonjëherë edhe frikë, qytet që provokon dhe trazon.

    Gjithçka nisi mbi dhjetë vjet më pare, kur Kadare u propozoi polakëve veprat e tij me titull „Kronikë në gur”, “Çështje të marrëzisë”, „Breznitë të Hankonateve” si dhe „Darka e gabuar”, duke sugjeruar se në këto romane do të gjejnë çelësin për të kuptuar fenomenin e këtij qyteti.

    Jam befasuar, se sa të shumtë janë lexuesit, që ndërmarrin një udhëtim të tillë letrar në këtë qytet, të cilin shumëkush do ta quante kulturalisht mjaft të largët prej nesh. Vizitorët e këtij qyteti shtohen nga viti në vit.

    Gjirokastra e Kadaresë të grish me misteret, me pleksjen e kohëve historike, me trillin që ndërthuret me jo-trillin. Të josh me bukuritë e jashtme, duke të detyruar të kërkosh atë që fshihet thellë brenda saj. Si Gjirokastra non-fiction, si ajo fiction e Kadarsë, nuk i zbulojnë lehtësisht misteret e tyre. Gjirokastra është tekanjoze dhe i ndryn ato mistere me mjaft kujdes. Është qytet, të cilin shumica e turistëve mëton ta “njohë” brenda pak orësh, por ndërmjet atyre mijërave që tregohen shpërfillës, do të hasësh në një grusht njerëzish të zellshëm, që do t’u drejtohen rrugëve të këtij qyteti, të prirë nga vizioni kadrejan i qytetit, si nga një lloj udhërrëfyesi.

    Janë këta që zbulojnë jo vetëm natyrën fizike të saj, në objektet dhe ndërtesat konkrete, por edhe enigmat, aromat, ngjyrat dhe tingujt si dhe heshtjen që ruhet brenda tyre. Janë ata që kundrojnë shtëpitë dhe odat, vështrojnë me interes orendintë, përpiqen të zbulojnë misteret që fshihen brenda katër mureve. Mundohen të depërtojnë në shpirtin e banorëve të tyre, që do të thotë, të qëmtojnë zakonet, traditat e kultivuara nga njëri brez në tjetrin, por edhe besëtytnitë, namatisjet, sekretet, intrigat, xhelozitë, krimet. Ata kërkojnë të kuptojnë bashkësinë qytetare që ekziston në hapësirën e qytetit, lidhjet mes fqinjësh, veprimtarinë e banorëve, dëfrimet e tyre, vendtakimet, funksionimin e opinionit publik, edhe përmes thashethemeve.

    Udhëzuesit letrarë, enigmat dhe fjalitë e Autorit, që nuk thonë të tërën, provokojnë pyetjet e radhës, si për shembull ajo që lidhet me megalomaninë e Gjirokastrës? Mos vallë ajo vjen nga vetmia? Çfarë është vetmia dhe cili është shkaku i saj? Pyetjet shumëfishohen…

    Gjirokastra formon një lloj të veçantë lexuesi – një qëmtues letrar të rafinuar. Jo çdokush mund të jetë udhëtar letrar nëpër Gjirokastër. I tillë mund të jetë vetëm ai, që dëshiron të hyjë në marrëdhënie intelektuale me qytetin. Ai që dëshiron të zbulojë jo vetëm misteret letrare dhe jo letrare, por ai që guxon të shkojë më tej – ai që dëshiron të njohë historinë dhe kulturën shqiptare. Por, pa njohur Gjirokastrën, si atë non-fiction, si atë fiction, nuk mund të njohësh historinë dhe kulturën shqipe. Për të mos folur për letërsinë.

    Varshavë, janar 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË