More
    KreuÇmimeDiskutimet më të bujshme për “Nobel”-in në letërsi

    Diskutimet më të bujshme për “Nobel”-in në letërsi

    Kur në fillim të shekullit që lamë pas, u tha se do të jepej një çmim prestigjoz në letërsi, të gjithë i hodhën sytë te shkrimtarët më të njohur të kohës. Prandaj, Leo Tolstoy, Henrik Ibsen, Émile Zola dhe Mark Twain, a më mirë të themi lexuesit e tyre, prisnin nga viti në vit njërin si laureat. Por kjo nuk ndodhi, pasi komiteti i “Nobel”-it shprehet se ndjek vullnetin e themeluesit të çmimit, Alfred Nobel, sipas të cilit, autori fitues duhet të ketë shkruar një vepër me “drejtim ideal”. Sikurse dihet, asnjëri nga shkrimtarët e lartpërmendur nuk e ruajti parimin idealist si bosht nëpër të cilin solli ndodhitë e krijimtarisë së tij.

    Duke kaluar vitet, pritshmëritë ndiqnin shkrimtarë të tjerë. Mes tyre, rasti i argjentinasit Jorge Luis Borges u bë më së tepërmi i njohur, pasi për dekada të tëra, u përfol si fitues i mundshëm. Në dialogun mes tij dhe Sabatos, përkthyer në shqip nga Orjela Stefani dhe botuar nga “OM”, vëmë re një pjesë interesante që lidhet me këtë temë:

    Borges & Sabato

    SABATO: A do t’ju bëhej qejfi nëse do ta merrnit çmimin Nobel?

    BORHES: Po, do të më vinte shumë mirë. Sepse, do ta humbja vendin si “kandidat i ardhshëm” që e mbaj prej disa vjetësh. (Qeshje) Pastaj janë edhe paratë. Ka katër ose pesë muaj që nuk e marr pensionin e profesorit të letërsisë angleze në fakultet, sepse nuk kam shkuar për të konfirmuar se jam pensionist. Kjo duket si shaka, por në zyra më thanë se “derisa të konfirmohet kjo e dhënë, as nuk duhet të shqetësohem dhe as t’i shqetësoj”.

    Por, përveç emrave të përveçëm, diskutim ka ngjallur edhe fakti se shumica e laureatëve të këtij çmimi vijojnë të jenë evropianët. Në një dalje të vitit 2008, Horace Engdahl, atëherë sekretar i përhershëm i Akademisë Seudeze, thotë se Evropa mbetet qendra e botës së letërsisë. Vetëm laureatë suedezë janë më tepër se të gjithë laureatët aziatikë të marrë së bashku.

    Në vitin 1974, kur të gjithë mendonin se fituesi i “Nobel”-it do të zgjedhej mes Graham Greene, Vladimir Nabokov dhe Saul Bellow, ndodhi diçka e papritur. Çmimi u nda mes Eyvind Johnson dhe Harry Martinson, dy shkrimtarë suedezë të panjohur jashtë Suedisë dhe jo shumë të njohur edhe brenda saj. Pas dy vitesh, laureat ishte Bellow, ndërsa Nabokov dhe Greene nuk e morën asnjëherë “Nobel”-in.

    Sipas gazetës Times, kur në 1997 “Nobel”-in e mori Dario Fo, kandidatët më favoritë ishin Salman Rushdie dhe Arthur Miller. Por, në momentin e fundit, njëri nga anëtarët e jurisë tha se ata ishin “shumë popullorë dhe të parashikueshëm”.

    Bob Dylan

    Ishte viti 2004 ai në të cilin anëtari i Akademisë Suedeze Knut Ahnlund dha dorëheqjen pasi sipas tij, zgjedhja si laureatja e Elfriede Jelinek kishte shkaktuar një “dëm të pariparueshëm” për reputacionin e çmimit.

    Për tre vite, 2005,2006 dhe 2007, Akademia Suedeze u akuzua se po e jepte çmimin “për arsye politike”. Laureatë të këtyre viteve ishin Harold Pinter, Orhan Pamuk dhe Doris Lessing.

    Mario Vargas Llosa, laureati i vitit 2010 u akuzua se më tepër shkruante për politikë sesa letërsi, ndaj edhe Akademia Suedeze mori një sërë kritikash për zgjedhjen e saj.

    Peter Handke

    Dy rastet më të përfolur të viteve të fundit janë ai i Bob Dylan dhe Peter Handke. Dylan u bë i pari kantautor që merr një “Nobel” në letërsi, ndërsa Handke-s iu përmend fakti se i kishte dhënë publikisht mbështetje Millosheviçit. Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës madje i dërgoi edhe një letër në shenjë proteste homologut të tij suedez.

    Nuk është vetëm “Nobel”-i i letërsisë ai që ngjall debate. Edhe për paqen, mjekësinë apo ekonominë ka diskutime, por letërsia që në themel ka lirinë, gjykohet me vështirësi, aq më tepër kur bëhet fjalë për autorët më të mëdhenj të botës. Ndaj kushdo qoftë fitues, pakënaqësi do të ketë mes lexuesve, kritikëve dhe adhuruesve të letrave.

    © ExLibris

    Feautured Photo by Dmitrij Paskevic on Unsplash

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË