Indro Montanelli (1909-2001), i mbiquajtur Dekani i gazetarisë italiane të shekullit të kaluar, historiani e shkrimtari italian që për 70 vjet me radhë lëvroi me një art të paimitueshëm editorialin, reportazhin, shkrimin e historisë në mënyrë divulgative, personazhi kundër rrymës i të gjitha kohërave që jetoi, me penën e tij inteligjente, ironike e me raste cinike, të pacipë e të zhdërvjelltë si pakkush, përmblodhi dhe botoi në 1959 në një vëllim të titulluar ‘Gli incontri’, libër që akoma sot ruan të paprekur e të pakapërcyeshëm tharmin e inteligjencës së Montanelli-t, portretet e disa prej protagonistëve që kanë shenjuar epokën italiane të pasluftës të skenës kulturore, politike e artistike duke filluar nga Spadolini, tek Francesco Nitti, Dino Grandi e për të vijuar me Longanesi-n, Rossellini-n, Anna Magnani-n, Gianni Agnelli-n etj. Ndër këta skicime takimesh me këto personazhe të shquar, ai vendos edhe poetin, gazetarin e shkrimtarin, senatorin e përjetshëm të Republikës italiane, nobelistin Eugenio Montale (1896-1981). Vetë Montanelli u shpreh se “këto Takime kanë qenë mbase suksesi im më i madh gazetaresk, por mbase pikërisht për këtë arësye, edhe më të diskutuarit”.
Portreti i vizatuar nga Montanelli për Montale-n që po e japim këtu të përkthyer, mbart gjurmët e pashmangshme të penës së pamëshirshme të publicistit toskan që, pavarësisht se zbulon me një tis të hollë humori ‘çuditë’ e natyrës së Montale-s, nuk fsheh në asnjë rast admirimin për këtë poet sa hermetik e të padeshifrueshëm në poezi, po aq të pakatalogueshëm në jetën e përditshme.
MONTALE
Tre mund të jenë poetët më të mëdhenj bashkëkohorë italianë. Dy syresh nuk jam i sigurtëse si quhen; por për njërin po, është e sigurtë, Euxhenio Montale.
Montale më do apo më urren? Ky problem e ka njëfarë rëndësie meqë jo vetëm punojmë në të njëjtën gazetë madje në të njëjtën faqe të së njëjtës gazetë, por edhe në të njëjtën dhomë, ai andej e unë këtej shkrimtores së punës për dy vetë dhe, për orë të tëra gjatë ditës përgjithëherë qëunë i ngre sytë nga makina ndeshen me të tijtë dhe, përgjithëherë që ai i ngre i ndesh me tëmitë.
Herët e para kur ndodhi një gjë e tillë, u përpoqa t’i buzëqeshja; por është e vështirë t’i buzëqeshësh Montales. Në fytyrën e tij hermetike dashamirësia rrëshqet si uji në një pllakë mermeri. Vështrimi i tij i zymtë e abstrakt nuk tradhëton asnjë emocion a ndjenja të këtilla. Mund edhe të t’i ngulë sytë për një orë rresht e nuk do të arrish kurrë të kuptosh nëse është duke kërkuar në fytyrën tënde një sipërfaqe të sheshtë për të të përkëdhelur, apo një zgavër më të përshtatshmë për të mbështetur tytën e revoles. Me njërën dorë mban cigaren, me tjetrën shkund nga jaka hirin qëi ka rënë aty. Më pas, papandehur, murmurin duke i ndarë mire fjalët për të dëgjuar dhjetërrokshin: ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’, do me thënë emrat e katër poetëve të tjerë, ku secili syresh është mbase i bindur se është poeti më i madh italian. ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’ përsërit Euxhenio pas një tjetër gjysëm ore heshtjeje, i gjithi i zënë me ngulitjen e syve tek unë, me mbajtjen e cigares së ndezur me të djathtën e me të shkundurin nga jaka të hirit me të majtën. Pasi e lëtë kalojë një çerek ore, përsërit: ‘ Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’. E thotë sërishmi pas dhjetë minutash, pastaj pas pesë minutash e në fund e përsërit në vijimësi: ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’ në një përpjekje të brishtë tashmë që këtë varg ta intonojë me muzikë sipas disa arieve të ndryshme të cilat më së fundi saktësohen e shkrihen në atë të ‘Berberit të Siviljes’: ‘Fortunatissimo per carità…’ . Kur mbërrin në këtë pikë Montale ndjehet kënaqur dhe përsërit gjithmonë të njëjtin motiv: ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’ katër, pesë, njëzetë herë; resht së rrëmuari brënda hundës ku me siguri ishte duke e kërkuar dhe, më pas ngrihet, shkon e bën nja tre a katër hapa tutje tëhu korridorit.
Montale është redaktori më skrupoloz i gazetës Corriere ku kryen një punë të cilën fare mirë mund ta bënte edhe nga shtëpia. Ai e respekton orarin e gazetës me të njëjtën rregullsi të përpiktë habsburgjike me të cilën cilido gjenovez tjetër bashkëpatriot i tij do të respektonte atë të një zyre. Ngjit shkallët e mëdha me një hap të ngadalshëm duke parë përtokë nga frika se mos takohet me ndokënd, mbase edhe me ndonjë korrier e pastaj i duhet të zgjidhë problemin tejet të ankthshëm e të ndërlikuar për të: ta presë përshëndetjen nga tjetri apo t’ia drejtojë ai i pari. Nuk ka as edhe më të voglin dyshim mbi cilësinë e tij si poeti më i madh bashkëkohor i Italisë; ajo për të cilën nuk është fort i sigurtë qëndron në dilemën nëse poeti më i madh bashkëkohor italian ka të drejtën të përshëndetet apo detyrën të përshëndesë edhe nëpunësin e fundit që kalon andej pari. E në qoftë se roja, teksa e sheh duke hyrë, i thotë se drejtori e ka kërkuar dhe e pret, zverdhet nga tronditja: Drejtori!?… O Zot! Çfarë don vallë drejtori!?… Të ngrejë një dolli me të?… Të më pushojë nga puna!?… Me duart që i dridhen var pardesynë, kapelen dhe mushamanë e shiut tek varësja e rrobave dhe niset. Pas pak kohe rishfaqet, iqetësuar. Drejtori kishte dashur thjesht ta përgëzonte për artikullin e shkëlqyer që pikërisht sot ai e kishte botuar tek revista Auden. E Montale ndjeheti lumtur si një nxënës shkolle që ka marrë nëntë në detyrat e klasës. Sepse ai që nuk ka dyshime mbi cilësinë e tij si mëi madhi poet bashëkohor italian, në të kundërt ka shumë madje mbi cilësitë e tij si eseist i adhurueshëm me një shije të padështueshme, me një prekje delikate e me një humor therës. ‘Gatto, De Libero. Ungaretti e Saba…’ gurgullon zëri i tij lehtë. Kësaj here e ka gjetur menjëherë motivin, pa qenëi shtrënguar ta kërkojë me një përsëritje deklamimi të dhjetërrokshit. Ulet në makinën e shkrimit, fut një letër dhe fillon të shkruajë vetëm me një gisht, treguesin e dorës së djathtë. Nuk është shumëi shpejtë në të hartuarin e shkrimit, por e bën pa pushime e pa u ngritur nga vendi. Një elzevir mund ta shkruajë në një orë e gjysëm, dy qameti, duke e mbushur me gjithëfarë lloj ligësish të zgjuara. Papritmas ama, ndalet, hedh mbi mua një vështrim të zymtë e abstrakt e mururit lehtë: ‘Unë nuk e kuptoj përse kur duam ta tallim dikë, na u dashka të themi se është një djaloç bukur. Edhe, çë pastaj? Edhe unë do të doja të isha, i ri e i bukur…Do të më pëlqentë pa masë të isha edhe unëi ri e i bukur…E pranoj…’. E atëherë fshin rreshtin e fundit në të cilin për të tallur dikë, ishte duke thënë pikërisht që ishte i ri e i bukur. ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e saba…’ murmurit më kot në kërkim të aries së Berberit të Siviljes qëi ka ikur nga mendja.
Megjithatë, në vend që të ishte poet e gazetar, Montale do të kishte dashur e ishte dashur të ishte bariton. Thua bën shaka kur thotë se ky ka qenë pasioni e vokacioni i tij i vërtetë?
E kam dyshuar gjithmonë këtë gjë. Kur është me humor të mirë Euxhenio bën ironi me humorizmin e tij të errët mbi melodramën, të cilës ama ia njeh repertorin në thellësi.
Nuk ka distik të Illica-s (Luigi Illica 1857 – 1919, komediograf, poet e librettist italian) apo strofë të Metastatasio-s (Pietro Metastasio 1698-1782, poet, librettist e dramaturg Italian, i konsideruar si reformatori i melodramës italiane) që mos ta dijë përmendësh e mos të dijë ta përsërisë të mbivendosur mbi arien që Verdi e Puccini ia kanë huajtur. Këndon mirë, me një zë të butë e të ëmbël sepse vërtetë ka studiuar kanto për shumë vite, madje më kanë thënë se maestroja i tij, entuziast, e kishte piketuar si vazhdues të Titta Ruffo-s. Por, pasi studioi mirë e mirë, nuk u ngjit kurrë në skenë. Ka zëra që thonëse ishte sensi i tij i spikatur i humorit që e ka penguar, ka të tjerë që thonë që kanë qenë komplekset e tija të tmerrshme të inferioritetit. Montale ka komplekse. Mjafton të shkosh për drekë me të për ta kuptuar. Përkulet i tëri mbi pjatëi obsesionuar nga idea që nuk do t’ia dalë ta çojë tek goja lugën apo gotën të cilat i mban gjithmonë me të dyja duart qëi dridhen, pa guxuar të ngrejë sytë tek njerëzit e tjerë të tavolinës që po hanë me të. Ankthi ia paralizon edhe trurin në ato momente aq sa nuk kap as fjalën e as batutat e tija të mbushura me ironi makabre pasi ka pirë kafenë, kur ndez të parën cigare ndër ato pesëdhjetë që pin gjatë pasdites. Atëherë, pas një rrokëzimi të përshtatshëm të ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’ që mund të zgjasë edhe për nja një çerek ore, Euxhenio e gjen sërishmi veten, por mbi të gjitha, rigjen humorin e tij dhe, i lëshohet lirisht ligësisë së tij, e lë të rrjedhë natyrshëm, ama gjithmonë duke e shmangur gropën e vulgaritetit.
Ja tek ngjet shkallët e mëdha me hapin e ngadalshëm e në majë të gishtave, ndërsa ora shënon fiks nëntë. Ecën nëpër korridor, me shumë dinjitet, pikërisht me pamjen e poetit më të madh bashkëkohor italian, por duke parë më bisht të syrit gjithë siklet ata me të cilët kryqëzohet e disi dyshues për nderimin që të gjitha ata i shfaqin. E shoh t’i afrohet zyrës tonë e bëhem gati t’i them: Mirëdita Euxhenio! – para se ai të ma thotë mua kur, papritmas ja tek ndalet para zyrës së sekretarit të redaksisë Boreli, i cili po dikton diçka. Po kujt ia dikton? Është pyetja që me siguri Montale ia bën vetes due parë se Boreli është i vetëm në zyrë.
Nuk guxon të hyjë sepse tjetri, duke mos e vënë re, i zënë plotësisht siç është me monologun e tij, nuk i ka drejtuar asnjë shenjë ftese për të hyrë. Me kapelen e me mushamanë në dorë, Euxhenio lëviz sa nga ana e majtë në të djathtën e derës në përpjekjen e kotë për të zbuluar stenografin apo stenografen që, me siguri, do të ishte duke i mbledhur e duke i shkruar fjalët e Borelit. Por, për sado të ulet në gjunjë Montale e të rrëmojë me shikim edhe poshtë shkrimtores e prapa derës, nuk dallon askënd; andaj, mbetet aty, i pataksur, duke ia ngulur sytë Borelit me dyshimin e vagullt që këtij të fundit i ka ikur truri. Deri sa më në fund, monologuesi e vëren Montalen e teksa e shquan që ishte ulur këmbadoras (poeti mëi madh bashkëkohor italian!) ia ngul sytëi habitur: Montale, ka ndodhur gjë, keni humbur gjë? Ah, jo jo- ia kthen Montale duke u skuqur – thjesht po mundohem të kuptoj se kujt dreqin po i flisnit! Boreli qesh. Ishte duke folur në diktofon dhe ia tregon duke ia ilustruar komoditetin e këtij objekti. – Nuk do të keni nevojë tani e tutje që të shqetësoni kënd për t’ua diktuar letrat tuaja. Është ky teli që ngarkohet. Ai e regjistron dhe e memorizon zërin në një si lloj disku që stenografi më pas do ta xhirojë duke e përkthyer me shkrim, fjalë për fjalë.
Montale dëgjon me një pamje thellësisht admiruese. Do me thënë, ky objekti këtu regjistron çdo lloj zëri? – pyet pas pak. Sigurisht! – i përgjigjet Boreli. Do të regjistronte edhe zërin tim? – ngul këmbë poeti. Natyrisht që po! Montale reflekton paksa me një pamje të zymtë, pastaj bën një hap përpara dhe futet brenda në dhomë. I sjell e, i përdredh për njëfarë kohe kapelen dhe mushamanë e shiut që mban ndër duar dhe, me ndrojtje guxon e i thotë; Do të më pëlqente të dëgjoja zërin tim, që thonë së është i pajisur me një theks të mirë prej baritoni…Kam studiuar kanto unë, e dini ju?… Por kush e dëgjon zërin e vet? Askurkush…Zërin tim do të më pëlqente ta dëgjoja për të parë nëse vërtetë… Boreli i jep atë biçim tubi që mbante në dorë: Ç’është ai llaf Montale, provojeni vetë… Thoni diçka e pastaj…
Një fill gëzimi endet mbi fytyrën zakonisht të zymtë të Montales që, para se të merrte ndër duar bombën nga Boreli, e zbërthen pardesynë dhe bashkë me kapelen e me mushamanë e shiut e var në varëse, sqaron grykën, e liron paksa nyjën e shtrënguar fort të kollares si të përgatitej për një ushtrim gjimnastikor impenjativ. Pastaj e ngre tubin në lartësinë e gojës, merr frymë dhe e ngrin vështrimin për nga shkopi i ngritur i një Toskanini (Arturo Toscanini 1867 – 1957, drejtor orkestre i konsideruar si ndër më të mëdhenjtë e çdo kohe) që vetëm ai e sheh e prej të cilit me siguri pret një sinjal nisjeje. Ja tek e mori sinjalin me sa duket, dhe: ‘Il baleen del suo sooorriiii-i-i-so deellaaa vi-i-i-nceee il ra-a-ggiooo’, ia nis me një zë të plotë e të zhurmshëm, ngul sytë në boshllëk, me trungun e trupit të drejtë e të palëvizshëm, thua se ndodhet para publikut të një premiere. Boreli është strukur në fund të kolltukut të vet duke e parë me një shprehje terrori të pataksur; nga të gjitha dyert e zyrave të tjera që bien në atëkorridor zakonisht të shkretë e të heshtur, rrëshqasin jashtë vjedhurazi redaktorë, nëpunës, punonjës shërbimi të kapur befmas teksa kryenin punën e tyre të zakonshme nga gurgullia si me ortek e këtij zëri të mrekullueshëm, të moduluar mirë e të ngrohtë baritoni.
Deri edhe drejtori, pavarësisht derës dopio ka brofur nga kolltuku due vrapuar sitë tjerët për të parë… Për të parë Montalen që, gjithmonë në qëndrimin e tij solemn prej solisti të një ‘premiere’, ngjan sikur çlirohet me këngën e tij simbi një palë krahë që e ngrenë mbi përmasat e veshëve dhe syve të njeriut, në një vetmi të paarritshme. E që të gjithë shikojnë njëri tjetrin të pataksur duke mos guxuar asnjëri syresh që të ndërpresë poetin më të madh bashkëkohor italian, kolegun e shquar e skrupoloz të orarit që teksa kryqëzohen me të e përshëndesin të parët e të cilit i drejtohen me ‘ju’, aq i madh është dinjiteti që ai shpërndan.
Montale e këndon romancën deri në fund, pa e përshpejtuar as pa e ngadalësuar ritmin.
Ia kthen tubin Borelit me një: ‘Faleminderit!’ të mirësjellshme, e merr sërishmi kapelen, pardesynë e mushamanë e shiut, kalon në mes të rreshtit të heshtur të njerëzve që e shikojnë me sytë e ngulur akoma të pataksur, teksa ai i mban të vetët përtokë për të shmangur problemin, tejet të ndërlikuar e të ankthshëm për të, që të presë përshëndetjen apo t’ia drejtojë ai i pari, kthehet në zyrën tonë, ulet në makinën e shkrimit, fut një fletë të bardhë dhe murmurin: ‘Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba… Gatto, De Libero, Ungaretti e Saba…’ e m’i ngul sytë me atë vështrimin e tij të zymtë e abstrakt që nuk tradhëton asnjë emocion apo ndonjë lloj ndjenje. Për të kërkuar në fytyrën time një sipërfaqe të lëmuar për ta përkëdhelur, apo një gropë më të përshtatshme për të mbështetur tytën e revoles?
Diana nuk kam arritur te perfytyroj nje portret ne menyre kaq perfekte, nepermjet letrsise..Jam kenaq duke e lexuar dhe kjo dhe ne saje te perkthimit tend qe vjen me nje shqiperim te rjedhshem, thuajse origjinali i shkrimit vjen nga shqipja. Urime.