More
    KreuOpinionDhimitër Shuteriqi: tri ditë midis poetësh në Tiranë, në vjeshtën e vitit...

    Dhimitër Shuteriqi: tri ditë midis poetësh në Tiranë, në vjeshtën e vitit 1936

    Vjeshtën e vitit 1936, pasi fitova provimet në liceun e Korçës, u nisa për Francë, ku do të ndiqja studimet e larta. Duke kaluar nga Tirana vendosa të qëndroj nja tri ditë. Xhepin e kisha plot, – mbi 30 napolona flori, – pra mund të prishja ndonjë napolon në atdhe. Ishte rasti të njihja shkrimtarët e rinj, të cilët banonin në kryeqytet, – Petro Markon, Nexhat Hakiun, Aleks Çaçin, Andrea Varfin, Shefqet Musarain me shokë.

    Të gjithë këta i njihja nga shkrimet e tyre në shtypin e kohës, asnjëri s’kishte botuar akoma librin e parë, e të gjithë më njihnin vetëm nga shkrimet, përveç Petros, i cili ishte takuar me mua njëherë në Korçë, ndofta para një viti. Midis tyre unë çmoja veçanërisht Petron, diçka edhe Nexhatin. Andrea kishte shkruar një kritikë të ngrohtë për vëllimin tim të dytë të vjershave “Kangë?” që doli atë vit.

    Në Tiranë u shoqërova sidomos me Petron. Fjeta tri net në dhomën e tij, te Rruga e Durrësit, në shtëpinë te centrali elektrik, një dhomë e zhveshur me një shtrat të vetëm e një karrige të vetme, mbase dhe një tavolinë, e pastaj: pluhur, merimanga, varfëri e plotë. Petroja, një djalë i hijshëm, kaçurrel, i pakrehur, sikur të kishte dalë nga analet e romantizmit, me një gjuhë të papjekur, me të folurën e shpejtë, me gëzim në buzë, më shumë se i zhurmshëm, që jo vetëm shkruan poezi, por edhe jeton si poet bohem, që ka guximin e moshës, që hyn e del gjithkund, gjurmon, heton, qan halle, thumbon, që shkruan shumë e s’ka shumë kohë të mendohet, që më s’e lexon atë që shkroi e botoi, që njeh një mori njerëzish shkrimtarë, gazetarë, intelektualë gjithfarësh, nëpunës, deputetë, ministra dhe që e njohin të gjithë. Të gjithë e dinë që është komunist, po miqve, ndonëse e çmojnë, s’u duket se e ka me tërë mend, ishte më shumë poet se komunist, më shumë bohem se i veprimit shoqëror, më shumë i veprimit të çastit, se njeriu që mundet të organizojë për nesër. Ja njohin armiqtë e rrezikshëm, po sikundër nuk i druhen ende penës, sikur nuk i druhen ende veprimit të këtij poeti gazetari kaçurrel. Musa Juka i ka mbyllur “ABC”-në që nxori së bashku me Asim Vokshin, po ky ishte një guxim i tepruar. Guximi mund të kishte merituar burgun, por Musai nuk i druhej ende poetëve, ndonëse diçka gazetarëve.

    Komunizmi dukej ende larg si rrezik e këtu në Shqipëri më shumë si “modë”, “pa bazë sociale”, sikundër mendonte Mehdi Beu dhe do të shkruante Branko Merxhani, megjithëse ngjarjet e Korçës e të Kuçovës po i çelnin sytë qeverisë. Burgoseshin më lehtë antizogistët, burgimi i komunistëve gati s’kishte filluar. Tajar beu kishte gjetur një punë të mirë dhe artikujt më të guximshëm nuk i firmoste te “Bota e Re”. Harbuti, i firmoste, por ende nuk dukej qartë rrezikshmëria e tij dhe e revistës. Ali Kelmendi këmbente internimin (Korçë, Gjirokastër), vepronte, por në burg nuk e futnin. Demir Godelli vente e vinte Peqin-Elbasan, Peqin-Tiranë. Dhimitër Falloja përkthente Leninin dhe e botonte nën emrin Arthur Levis, “Leka” dhe jezuitët shkumëzonin, po ku ta dinin ata se ky Levis ishte Ulianovi? Në Korçë “Umanite”-ja lexohej sheshit. Mund të këndoje “Internacionalen” përpara prefekturës, po “Lirinë kombëtare” mund ta lexoje vetëm nën dorë, dhe të të kishin besim shumë ata që e merrnin ilegalisht nga jashtë.

    Branko Merxhani

    Petro Markoja ishte redaktor i Branko Merxhanit dhe Brankoja nxirrte revistën “Përpjekja shqiptare”. Njeri komunist, sepse ka një maskë, një Stalin, por që s’ka lexuar as Marks, as Engels, as Stalin, pale Leninin, tjetër eklektik e që i thotë vetes “pozitivist”, sepse vjen nga Turqia, ku pozitivizmi ka pasur ndikim të madh ndër intelektualët, po që ka dhe kulturë gjermane dhe është plot admirim për filozofinë gjermane të pjesës së dytë të shekullit XIX e këndej, pra që i pëlqen, pranë Kantit e Dyrkhajmit dhe Frojdin, ta zëmë.

    Petroja është larg nga të gjitha këto, – ai di vetëm që ka një Marks, një Engels, një Lenin, e një Stalin.

    Preokupime filozofike s’ka, po di se bota është këmbyer dhe se në 1/3 e rruzullit ai këmbim u bë. Është i bindur se letërsia mundet dhe duhet të veprojë “për një shoqëri tjetër” ku të mund të vendoset “lumturia njerëzore” dhe ndjeu se te një Branko bashkohet shpirti demokrat me një mendje filozofike, e cila zor se pajtohet me idealet e komunizmit, të cilën ai e cilëson “utopi” për Shqipërinë e kohës.

    Unë isha një poet që vija nga Bodleri dhe Simbolizmi, po që kisha përkthyer edhe “Manifestin e Komunizmit”, që kisha nisur të lexoj ndonjë prej klasikëve tanë dhe marksistë të tjerë Leninin, Engelsin, Buharin, e ndonjë që s’më kujtohet, – po që shkolla dhe leximet më mbanin sidomos pas Paskalit, Dekartit, Kantit, Dyrkaimit me shokë. Poet, që isha bindur se na duhej një “realizëm shoqëror”, që kisha shkruar mbi këtë realizëm, – të cilët nuk i besoja fort në poezi, po i lexoja plotësisht në prozë. Me Petron më bashkonte kështu thelbësorja, – ky i ri komunist kishte shkuar ndër të parët mbi “Drejtimet e reja letrare”, – kurse me Brankon mund të hyja edhe në ndonjë diskutim savant, ku Petroja nuk hynte.

    Petro Marko

    Petroja më njohu me Brankon dhe ndonjë diskutim të tillë e prekëm midis një “të pare” e një “të dyte” duke ngrënë një drekë e një darkë në restorantin “Adriatik”, duke pirë një kafe në “Kursal” apo në redaksinë e “Përpjekjes”. P.sh., a mund të kishte “një mendim filozofik shqiptar origjinal”. Brankoja nuk çmonte gati asgjë nga përpjekja filozofike e mendimtarëve tanë të së kaluarës, edhe pse rilindësit tanë, fjala vjen, i çmonte fort për mendimin patriotik, letërsinë që krijuan dhe veprimtarinë që patën. Ai nuk e thoshte, po të jepte përshtypjen se mendimi filozofik shqiptar “tani po lindte” dhe po lindte si një “mendim pozitivist”, që i përshtatej kohës e që kishte të ardhme. Doemos, “në krye” të këtij mendimi ishin ai vetë me shokët e brezit të tij, – Vangjel Koça, Ismet Totoja, – kurse “marksistët”, këta ishin ose “poetë”, ose “agjitatorë”, dhe, kur ishin bejlerë si Tajar Zavalani, kjo s’ishte veçse një “ironi e fatit” për të ardhmen e marksizmit në Shqipëri, “nëse do të kishte të ardhme”, se “të tashme nuk kishte” në një shoqëri “aspak industriale” dhe “pa këmbën e proletariatit”. “Marksizmi lindi në Gjermani, po u aplikua në Rusi; që nuk u aplikua në Gjermani, në shoqërinë më industriale të Europës, kjo nuk ishte në favor të tij”. Po nejse, “e ardhmja kishte për të folë”. Sa për Brankon, kjo e ardhme, – të paktën te ne, – i përkiste pozitivizmit dhe do ta përgatitnin intelektualët.

    Unë ato tri ditë në Tiranë i kalova sidomos me Petron dhe ne biseduam gati vetëm për poezi, për shokët poetë dhe përpjekjet e tyre, për regjimin shtypës e për hallet e mëdha të popullit, kurrë nuk biseduam edhe për qejfet e rinisë, ashtu si mund të bëheshin atë kohë. P.sh., në “Bella Venezia” ishte një garsone italiane, një brune mishërore, tërë sy e krahësor e buzë, e cila quhej për çudi Katjusha. Kësaj Katjushës unë, Petroja dhe Nexhati i kushtuam një ditë nga një vjershë dhe vetë ruaj akoma dorëshkrimin tim e të Petros.

    Vjersha ime niste me vargun: “Katjusha vjen ngadalë…”

    Kujtimi më interesant i atyre tri ditëve është ky.

    Një mëngjes, – të ditës së parë apo të dytë, – Petroja më thotë se duhet të njiheshim me Ismet Toton, i cili drejtonte, bashkë me Nebil Çikën, gazetën “Arbëria”. Ismeti ishte tanimë shumë i njohur.

    Ai ishte njeri që shqetësohej për të ardhmen e vendit e që shijonte letërsinë. Shqetësimet e tij për të ardhmen përfunduan, siç dihet, në kërkesën e një “diktature të ndritur”, – një çeçit fashizmi me Zogun mbret. Për këtë, Ismeti e tronditi simpatinë që kishte në rrethet e të rinjve revolucionarë dhe unë e lexoja me mosbesim. As libri i tij mbi Mustafa Qemalin, as përkthimi i Karlajlit nuk më kishte bërë për vete, përkundrazi, le të ishte Mustafa Qemali protagonisti i “oksidentalizmit” të Turqisë dhe shqiptar nga nëna; kurse Karlajli, kisha dëgjuar unë, vështrohej si një paraardhës i fashizmit, bashkë me Niçen. Po Ismeti ishte ndeshur me klerin katolik dhe kjo na pëlqente. Ai, pastaj, kishte shkruar për librin tim të dytë të vjershave një artikull gati entuziast, botuar tek “Arbëria” në faqe të parë (lart nga e djathta) dhe firmuar Om (Omega). Po citoj pak nga ky artikull.

    “Na thanë se Dhimitër Shuteriqi qenka një djalë i ri. Parvjet na dha një tufë vjersha me titullin ‘Kangët e rinisë së parë’. Tashti vonë ka shtypur dhe njëzet vjersha të reja me titullin ‘Kangë?’.

    Të mos kishit vënë asnjë pikëpyetje z. Shuteriqi. Të tuat janë këngë, këngë dhe ligjërime të vajshme që prekin thellë atë që ndjen”.

    “…Virtyti i fisit tonë do shprehet kur me gojën e Lasgushit, herë me të Koliqit, herë me të Nologusit e herë të Shuteriqit…”.(1)

    Këto dhe prestigji, të cilin Ismet Totoja e kishte fituar me kohë dhe s’e kishte humbur, më bënë që t’i them Petros “po” kur ai më propozoi të vemë e t’i bëjmë një vizitë Ismetit në redaksi.

    Redaksia ishte në Rrugën Mbretërore, sot “Rruga e Barrikadave”, në katin lart, mbi dyqanet ku tani është një restorant që gatuan peshk, nëse nuk gaboj, ose aty pranë. Ngjitëm një palë shkallë të drunjta me parmakë, dolëm në një korridor të gjatë prapë me parmakë, dhe ja dera e Ismetit. I them shokut:

    E di ç’ke ti, Petro? A nuk hyjmë fare?

    Ai më vështroi një grimë pak i çuditur dhe aprovoi pa ndonjë ngurrim të vërtetë.

    Si të duash, nuk hyjmë.

    Zbritëm shkallët, dolëm në rrugë, e harruam Ismetin dhe u futëm përballë në “Bella Venezia”. Ndofta atëherë i shkruam ato vargje për Katjushën e bukur, që “vinte ngadalë”, duke pirë nuk e di se ç’pije, pasi takuam dhe Nexhat Hakiun.

    Ditën e tretë pagova një veturë, e cila na çoi në Durrës. Atje, unë e Petroja hëngrëm darkën bashkë, u përqafuam, unë u ngjita në vapor dhe Petroja iku, – për t’u parë mbas dy vjetësh, kur ai la Spanjën e erdhi në Francë.

    Më pëlqen t’i kujtoj ato ditë në Tiranë e në Durrës, me një njeri të cilin gati nuk e njihja, po që poezia na kishte afruar dhe idealet e përbashkëta, aq sa të flemë në një shtrat të shkretë dhe shoku të më përcjellë për dhe të huaj me dashuri të sinqertë dhe mallëngjime.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË