More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDhimitër Pojanaku: Drita e fundit e muzgut

    Dhimitër Pojanaku: Drita e fundit e muzgut

    Mbi librin  “Dritë në lëkurë” të poetes Sabina Darova

    Nëse unë them lëkura merr dritë nga malli, dashuria, nga një natë me hënë të plotë, çfarë më thoni ju Sabinë? 

    Ajo rri e qetë si deti në liman. Pastaj shton, do thoja se merr dritë edhe nga gjuha e gjetheve, nga notat e muzikës…

    edhe nga dita që sapo lind apo drita e mbetur ende në muzg…

    T`i shkruaj pyetjet, i them, ndoshta e keni më të lehtë.

    Përse? 

    Po ju keni jetuar 25 vite larg. Më dukeni ai ajo bima që jeton në mes të klonit, sa kureshtare për jetën në shtetet që ndan aq indiferente në dukje, ajo bima që jeton mes dy gjuhëve, zakoneve dhe ndodh shpesh që t`i ngatërrohen të veçantat e dy shteteve.

    E lamë tek drita që jeton ende në muzg, gjegjet ajo si gjoja e paprekur nga meditimet e mia.

     Po, thotë me një vështrim si përtej oqeanit, edhe nga  drita “ si frymë e fundit e muzgut”, dritëzohet lëkura.

    Ju thoni diku se prekja e buzëve lëviz si nomadi mbi lëkurë dhe lëkura këndon! Seç më kujtuat ca çadra buzë një lagune, ky një yll luan me ca kallama për shporta, ku një nodame  shëtit e çkujdesur cektinave në pritje të princit të kaltër…

    Dhe i këndon lëkura po më thoni?! 

    Po, nuk e dëgjon. Provo ta mbash fare pak frymën… Unë e dëgjoj…

    Poetja ka një shpirt të butë si lëndina nën barin e ri. Me mjeshtëri i fsheh furtunat poetike që i ngrihen e ulen brenda dhe jep së jashtmi një buzëqeshje ku lulëzon mirësia.

    Ku ishin kyçur Ah- et? 

    “Ah, ledhatimet e tua që përshkrojnë si hark violine diafragmën e kraharorit”?  Ku është çelësi që hap atë sënduk flori e kaluar floririt?! 

    E gjetët?!

     Ju duhet ta dini, ju e keni dhe kur doni bëni sikur nuk e dini vendin sekret.

    Vure re që ky vëzhgimi im poetik pë vargjet e saj i pëlqeu por e strehoi diku nën qetësinë e klonit.

    Kam dëgjuar ose më saktë ju thoni  se i varni fjalët në tel si ditët e javës, po nëse dikush thahet më tepër se ç`duhet ose nuk fryn erë e nuk zë diell dhe fjala mbetet e lagësht? 

    Jo, mos u përgjigj. 

    Ish një lajthitje imja, një shaka as embël as e kripur, nxitur nga shkaku si per t’u bërë interesant, se e kam kuptuar se ti i nder dhe i heq fjalët mbi tel në kohën e duhur, madje shtron një qilim me to, ku rrjedh si ujëvarë gjuha e folur dhe e shkruar , “ ku mendimet me ëndrrën e diellit kryqëzohen e mbjellin dritë mbi lëkurë”.

    Flamë e ke këtë varg. Ai më ngriti si me katapult nga toka e gjatë flurudhës, gjeta titullin e librit “ Dritë në lëkurë “ .

    Këtë herë heshtja i zgjati më tepër. Një “ heshtje si prushi, që digjte” mendime të thella…

    Të kujtohet, e pyeta duke u larguar  enkas në kohë t’i rrëmbeja ca fjalë me shumë. Dhe ja arrita qëllimit. Madje e çoi me zell fjalën me tej duke u ndalur tek miqtë që ia kishin pëlqyer titullin.

    Janë ca vargje që më regëtijnë në mendje: “vritmë ngadalë…Të shkrihem si vaji në lëkurë në një përqafim fatal.”  Tek thoni “përqafim fatal” a do të thotë se është ose janë çastet kur ju po i vini mbi krye dashurisë kurora lavdie dhe dashuria duhet t`u bjerë në gjunjë për këtë kurorëzim? 

    Dhe meqë jemi këtu, dua t`u pyes:

    A përjeton dashuria, në mos stinë, ditë vjeshte, Sabin? E them këtë se në një poezi ju shkruani 

    “ kohë për  të ndezur prushin nën  çarcafë e për të dëgjuar ulërimin e dëshirimit”. Mos është kjo kohë e njëjtë me një pemë që pret të gjelbërohet nga serumi pranveror?!

    Po, ka edhe dashuria vjeshtën e saj, duhet të dish ta ndezësh zjarrin, kaq thotë ajo ndërkohë që ecim në bulevardin kryesor të qytetit tonë lirik.

    Edhe një pyetje të fundit: Ta solli atë orkestrën e pesë vëllezërve kamarieri tek ia kërkoje si porosi të fundit?!

    E solli, qesh ajo, po aq sa tri varka letre që lundrojnë mbi legenin me ujë sjellin detin”…

    xxx

    U ndal te Turizmi i vjetër. I mbetën sytë si basorelieve mbi muret e rrënuar. Edhe pa ja parë fytyrën e kuptoja që po lotonte. Dhe në ujërat  e lotëve lindin e lulëzojnë vetëm “ zambakë të hidhur”.

     E mbante atje thirrja e pesë vëllezërve Darova, atyre që me orkestrën  magjike i dhanë gaz e hare qytetit e më tej. E mbanin tingujt e fizarmonikës të atit të saj, që dukej se po i shtërngonte pranë vetes mos i ikin. 

    Nuk lëviste.

    Mos po dëgjonte “Marinën”, këngën e repertorit të tyre aq të preferuar?

     Të jetonte zëri i tyre vallë ashtu  si një fije bari që ngre kryet nën gërmadha?!” 

    Supet e vegjël i ulen dhe ngrihen nga dëshpërimi sikur thonë, po përse kjo marrëzi e kohës? 

    Përse i shpërndanë si “zogj të plagosur buzë brigjeve te deteve”?!

    Tanimë ishin çastet e saj. Ika. 

    Në duar më dukej se kisha një tufë “zambakë të hidhur”…

    M`u kujtua se doja patjetër t`i thoja se unë besoja se “ tri varka letre që lundrojnë mbi legenin me ujë, sjellin detin”. 

    U ktheva por poetja kish ikur.

    Mbi rrënojat e Turizmit të vjetër fluturonte ulët një pëllumb i egër.Të ish pëllumbi i titullit të asaj këngës spanjolle, që pesë vëllezërit e luan plot sharm e magji? 

    Nëse po, si e gjeti rrugën pas kaq vitesh? Mos ndoqi gjurmët e Sabinës? Po si?

    Si?!

    Pogradec, janar 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË