More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDhe krimi parak shpallet që në titull

    Dhe krimi parak shpallet që në titull

    Mbi romanin “Vrasje në Kryeministri” të Diana Çulit

    Nga Mira MEKSI

    Sidomos impulsi im prej përkthyeseje letrare, ai impuls që për të ndarë me të tjerët mrekullitë e mjeshtrave më të shquar të letërsisë botërore që lexoja, më hodhi jo pak herë mbi qafë zgjedhën e vështirë të përkthimit të tyre në gjuhën shqipe, kësaj here më vuri në dorë penën për të shkruar për një vepër letrare në shqip, botuar përpara pak muajve: për romanin “Vrasje në Kryeministri” të Diana Çulit. Por ndoshta edhe frika se në këtë amulli të botimit të letërsisë shqipe, kur jo vetëm pothuaj asnjë librar nuk është në gjendje ta orientojë lexuesin duke iu referuar një sistemi vlerash të qëndrueshëm, kur mungon shtypi letrar, kritika e mirëfilltë letrare, por kur edhe të gjitha juritë, që nga ato ministrore kulturore dhe gjer ato private, apo panairet kombëtare të librit, në të shumtën e herës janë vënë në garë kush e kush të promovojë antivlerat në prodhimet letrare të gjuhës sonë, frika, pra, se lexuesi i çoroditur mund ta anashkalonte këtë roman.
    Sepse është, në të vërtetë, një vepër e pazakontë, rrëmbyese, me vlera të rralla letrare dhe pothuaj e pangjashme me ato që kemi lexuar në gjuhën shqipe gjer më tani. Dhe me gjasë, vepra më e mirë e autores. Jo vetëm për hir të strukturës, e cila ngjason me lojërat tërheqëse të iluzionistëve, një fasadë e thjeshtë në dukje, e rrokshme lehtësisht nga syri dhe mendja, por e shumëfaqtë, përsormërisht e ndërlikuar, në trajtë filigranash, labirintike, gjigante, pasuruese, robëruese dhe tejet grishëse në çdo syth të saj në brendësi; jo vetëm për hir të personazheve, nga më të skaliturit dhe më të larmishmit në moshë, kulturë, gjuhë, kombësi, dritëhije, ndjenja; jo vetëm për hir të gjuhës shumë të pasur dhe mjeshtërisht të përzgjedhur, pasazheve përshkruese të mrekullueshme të vendeve, aq sa mund të thuhet se shpesh të lënë shijen e bukur të shënimeve të pasura të udhëtimeve; jo vetëm për hir të një informacioni të shumëllojtë dhe të vyer, të analizave të aktualitetit shqiptar dhe ballkanas, të ideve të mëdha e të thella që i përkasin jetës së kombeve, të cilat rriten e zhvillohen pranë atyre të thjeshtave njerëzore, të jetës së çdo dite; jo vetëm për hir të hapësirës e cila veç bymehet e zmadhohet me rritjen dhe zhvillimin strukturor të lëndës së romanit, duke i kapërcyer kufijtë e një vendi, më pas të një gadishulli të tërë, për t’u derdhur mbi një kontinent; jo vetëm për hir të kohës, e cila projektohet në vepër e shumëfishtë, edhe lineare edhe e thyer, si një kohë rrëfimi, si një kohë e ngjarjeve, si një kohë e pasqyruar dhe si një kohë e fragmentuar në kohën e mëvetësishme të së tashmes dhe në kohën e kujtimeve të personazheve; por, mbi të gjitha, për hir të misterit, të dinamikës së shkëlqyer të tij, të suspensit, të trillerit, të subjektit policesk. Për hir të krimit. Të krimit zanafillor (atij që shfaqet kumbues që në titull), të krimeve rrjedhëse, të krimit të kryer, të krimeve në tentativë dhe të megakrimit si qëllim dhe perspektivë.
    Do mundohem të vendos disa shënjues në hapësirën e shpjegimeve të mia për këtë roman, për voli të lexuesit dhe për të përmbushur misionin që i kam vënë vetes në lidhje me të. Sigurisht, pa ia ngritur tërësisht velin misterit, por aq pak sa të përvijohet veç drithërima e tij dhe të ndihet sa të fuqishëm e ka pulsin dhe tharmin e grishjes.
    Lexuesi shqiptar, njëlloj si ai botëror, ka admiruar dhe “përpirë” aventurat e jashtëzakonshme të detektivëve të njohur, si: Sherlock Holmes krijuar nga Arthur Conan Doyle-i, Hercule Poirot krijuar nga Agatha Christie, apo Jules Maigret krijuar nga belgu Georges Simenon. Janë të gjitha romane policeske klasike, që ndjekin pothuaj të njëjtën skemë zhvillimi: ngjarja fillon pak përpara ose në çastin e kryerjes së krimit, dhe mbaron kur zbulohet vrasësi. Në përgjithësi, trama zhvillohet në një ambient urban dhe detektivi i këtij romani policesk klasik është privat, nuk para mban lidhje me policinë. Gjurmimi, vëzhgimi, përndjekja, hollësitë materiale dhe analizat psikologjike të tij në fund çojnë te vrasësi, në një zhvillim krejtësisht logjik, por sërish të padetektueshëm, të cilin lexuesi nuk e merr dot me mend. Për të është befasi. T’i kthehemi romanit tonë “Vrasje në Kryeministri” dhe le të shohim se çfarë elementesh dhe prosedesh letrare e lidhin me romanin policesk klasik, aq të suksesshëm dhe të dashur edhe për lexuesin shqiptar. Krimi këtu ndodh që në titull dhe nuk është një krim dosido që do ta tërhiqte lexuesin vetëm me misterin, të fshehtën e tij; bëhet fjalë për një vrasje këtu, në hapësirën tonë, në Tiranë, në kohën tonë, në jetën tonë dhe mbi të gjitha, në kupolën e ekzekutivit shqiptar. Vetëm ky element i krijuar kësisoj, i cili transmeton shumë nëpërmjet ngarkesës së madhe emocionale që bart (duke prekur edhe telat e prirjes sonë të ëmbël për thashetheme e “zbulime” identitetesh politike në thurimën e romanit dhe jo vetëm), por që më tepër fsheh, mjafton për të rritur ndjeshëm vlerën ngashënjyese të romanit: që këtu lexuesi i hamendësuar që ka “guxuar” veç ta lexojë titullin e librit, ka rënë ndërkohë kokë e këmbë në grackën e mrekullueshme dhe kaq mirë të stisur, e cila do ta detyrojë ta shfletojë romanin, më e pakta. Elementi tjetër, detektivi; është privat, është grua, një Miss Marple e re dhe e bukur, të cilën e ka pajtuar në fshehtësinë më të madhe vetë kryeministrja e vendit Eva Starova, në bazë të dyshimeve që ka për ngjarjen e ndodhur. Bashkë me zbulesën e detektives private, Beti Dukës, e cila do të hetojë që këtej e tutje krimin nën një mbulesë detyre, atë të këshilltares për kulturën pranë kryeministres së vendit, hidhet dritë më e plotë mbi krimin e njohur që në titullin e romanit dhe identitetin e të vrarit, për të cilin nuk kemi më asnjë dyshim se është i tillë, ndonëse krimi është maskuar si vdekje nga një goditje në zemër: sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Dilaver Gashi. Kalvari i jashtëzakonshëm i hetimit të fshehtë merr udhë, njësh me projektin e madh kulturor ndërballkanik të quajtur “Muret dhe urat e Ballkanit flasin”, nën përkujdesjen e UNESCO-s.
    Procedetë e përdorura nga autorja paskëtaj e tejkalojnë romanin policesk klasik të Arthur Conan Doyle-it e të tjerëve dhe e pasurojnë thurimën krijuese me karakteristikat e romanit me suspens apo triller, dhe gjer me elemente të qenësishme të romanit psikologjik, të pasqyruara në përshkrimet e gjendjes shpirtërore dhe sidomos të konflikteve psikologjike të personazheve. Bashkë me aktivitetet e nismës ndërballkanike, të cilat përfshijnë sigurisht tërë Ballkanin, duke ndërkallur në tekst udhëtime me një bukuri të jashtëzakonshme dhe të përshkruara me detaje magjike dhe parfum visesh të njohura dhe të panjohura, nëpër bregdetin shqiptar dhe atë grek gjer në Edërne, në Shkup, Mal të Zi, Bullgari, Berat, ku simbolika e legjendave dhe miteve ballkanase projektohet në simbolikën e ngjarjeve dhe në shpirtin e personazheve; bashkë me atmosferën e mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe pasigurinë e epokës së re të panjohur prej askujt (…Si atëherë kur ra Bizanti, kur ra Roma, kur nisi Rilindja…); bashkë me futjen në teatrin e ngjarjeve që sa vjen dhe zgjerohet me shpejtësi, të personazheve të shumta, që nga ekipi shqiptar kryeministror i nismës dhe me radhë, përfaqësuesit dhe koordinatorët ballkanas të saj, gjer Kristof Shnajderi, përfaqësuesi i UNESCO-s, i cili hap edhe një linjë të bukur dashurore në roman, rritet edhe rreziku iminent i të tjera vrasjeve, i të tjera atentateve, kur zbulohet se vrasja e ndodhur që në titullin e romanit, vrasja parake, është thjesht preludi i asaj që pritet të ndodhë më pas, një vrasje e madhe, apo një plojë edhe më e madhe prej një organizate që lufton për Ballkanin e lirë, kundër përfshirjes së vendeve të tij në nismat europiane. Viktimat mund të jenë politikanë të lartë të Ballkanit, por edhe vetë aktorët e nismës, pa asnjë përjashtim, sidomos detektivja e bukur. Ashtu sikundër po këta mund të jenë edhe pjesë e organizatës terroriste, e vrasësve. Lexuesi përjeton momente tensioni të madh dhe ndonëse gjithçka është ndërtuar në bazë të një kodi logjik dhe ka një dinamikë të natyrshme të rrjedhjes së ngjarjeve, hallkë pas hallke, ai nuk arrin dot as të hamendësojë vrasësin e sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, hallkës së parë të vargut të vrasjeve dhe çelësit për deshifrimin e misterit të madh. Do t’i duhet të presë me durim dhe ankth fundin e librit për ta zbuluar atë. Dhe kjo krijon emocione të forta dhe të paharrueshme.
    Nga ana tjetër, romani “Vrasje në Kryeministri” është edhe romani i enigmave. Mjeshtërisht e me shumë kujdes është endur, që në krye të herës, një enigmë burimore që zë fill në Shqipëri dhe shpërhapet në tërë Ballkanin. Është enigma që lidhet me vetë arsyen e krijimit të agjencisë së detektivëve privatë, Beti Dukës dhe të vëllait të saj Genti Dukës, dhe që është kërkimi i prindërve të tyre të zhdukur në mënyrë të mistershme në Ballkan që në vogëlinë e tyre. Është enigma që, për t’u ndriçuar sadopak, i duhet të krijojë një rrjet të tërë labirintik enigmash të tjera që lidhen me jetën dhe vdekjen e një gjysheje jugosllave dhe të një gjyshi shqiptar në burgjet e diktaturës komuniste, që lidhen me Shtëpinë famëkeqe me Gjethe, me interferimet e frikshme të së kaluarës në të sotmen, me misionet agjenturore të detyruara të atit të tyre Robert Domit, me mikun e tij Adrian Kurtin, me të birin e shkrimtares së njohur jugosllave Igor Rehanoviçin, me “dy ditarët” që Adrijana Rehanoviç ia lë si amanet të birit dhe thirrjen e këtij të fundit: Bozhe moje, çfarë i bëjmë njëri-tjetrit… Është një enigmë e formësuar në mënyrë të tillë, që ndonëse e kënaq bukur kërshërinë e lexuesit në këtë roman, më tepër i jep atij besën për t’ia ndriçuar atë përfundimisht në të tjera romane që do të plotësojnë një seri të tërë.
    “Vrasje në Kryeministri” është një roman që ka fatin të shndërrohet në një bestseller të së tashmes, duke qenë njëkohshëm roman me vlera të mirëfillta dhe të padiskutueshme letrare, nga ata që i rezistojnë kohës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË