More
    KreuLetërsiBibliotekëDeborah Levy: Argjend

    Deborah Levy: Argjend

    Përktheu nga origjinali: Aristidh Shqevi

    Sipas Orson Welles-it, nëse një histori mbaron bukur apo jo, varet nga pika në të cilën ne e ndalojmë rrëfimin. Një natë janari po haja peshk me oriz të gatuar me arra kokosi, në një bar që ndodhej pranë bregut të Detit të Karaibeve në Kolumbi. Një amerikan, me lëkurën të nxirë nga dielli dhe të mbuluar me tatuazhe, qëndronte ulur në një tavolinë pranë meje. Duhej të ishte dyzetë e shtatë – dyzetë e tetë vjeç, krahët i kishte gjithë muskuj, ndërsa flokët ngjyrë gri, të mbledhur kulaç. Ai po bisedonte me një vashë angleze, rreth të nëntëmbëdhjetave, e cila, përpara se të hynte në bisedë me të, ishte duke lexuar një libër. Pas një ngurrimi, ajo e pranoi ftesën e tij për t’u ulur në të njëjtën tavolinë me të. Fillimisht foli vetëm ai. Pas njëfarë kohe, ajo e ndërpreu.

    Biseda e saj ishte interesante, e gjallë dhe e pazakontë. Ajo tregoi një ndodhi të papritur që i kishte bërë vaki gjatë një zhytjeje nën ujë, në Meksikë; gjithashtu rrëfeu se kishte qëndruar e zhytur për njëzetë minuta dhe se, kur kishte dalë në sipërfaqe, ishte gjendur në mes të një stuhie. Deti ishte kthyer në një vorbull dhe, e kapluar nga angështia, ajo ishte trembur se nuk do t’ia dilte mbanë të notonte deri te barka. Ndonëse historia e saj kishte të bënte me daljen në sipërfaqen e detit pas një zhytjeje, si dhe me përballimin me një mot tejet të ndryshuar papritur, në thelb, rrëfimi i saj kishte të bënte me një lëndim që ajo e mbante të fshehur. Vasha i dha të kuptojë se në barkë ndodhej dikush (që ajo kishte menduar se do t’i vinte në ndihmë), dhe menjëherë më pas, e rroku atë me sy, për të parë nëse ai e kishte kuptuar se përmendja e stuhisë në rrëfimin e saj, nuk kishte kuptim të drejtpërdrejtë. Ai nuk tregoi ndonjë interes të veçantë dhe e vetmja gjë që bëri, ishte lëvizja e gjunjëve në një mënyrë të tillë që shkaktoi lëkundjen e tavolinës. Për pasojë, libri që ndodhej mbi të, përfundoi në dysheme.

    “Ti flet shumë, apo e kam gabim?” u shpreh ai.

    Ajo i bloi fjalët e tij në mëndje dhe, duke krehur fundin e flokëve me gishtërinjtë e saj, e hodhi vështrimin nga dy adoleshentë, të cilët po u shisnin turistëve puro dhe bluza futbolli në sheshin me kalldrëm. Për të nuk ishte aspak e lehtë t’ia bënte të qartë, një njeriu shumë më të vjetër në moshë, se bota ishte e saja gjithashtu. Në çastin që amerikani e ftoi vashën në tavolinën e tij, ai kishte marrë përsipër një rrezik. Në fund të fundit, ajo mbartte në vetvete gjithë përvojën e jetës bashkë me energjinë e epshit. Atij as që i kishte shkuar ndërmend se ajo, për asnjë çast, nuk do ta shihte veten si një personazh dytësor, ndërsa atë si kryesor. Në këtë kuptim, ajo kishte shkelur një kufi, kishte përmbysur një shoqëri hierarkike dhe kishte trazuar ritualet e përditshëm.

    Vajza e re e pyeti se çfarë po nxirrte nga tasi bashkë me patatet e fërguara. Ai tha se pjata që kishte marrë quhej ceviche, ose ndryshe njëpeshk i gjallë i përgatitur me lëng qitroje jeshile, e cila në meny figuronte me emërtimin sexvice¹ – “Shërbehet me prezervativ,” shtoi ai. Në çastin që ajo buzëqeshi, unë e kuptova se ajo po përpiqej të dukej më e guximshme sesa ndihej, dhe se po hiqej si dikush që mundej, vetëm dhe lirshëm, të udhëtonte, të lexonte një libër dhe të rrufiste birrë natën në një bar, e pashoqëruar dhe madje e gatshme për të rrezikuar një bisedë tejet të koklavitur me një të panjohur. Ajo e pranoi ofertën e tij për ta provuar shijen e ceviche-s, por në vijim, i bëri bisht propozimit të tij për të notuar me të në një zonë të vetmuar të plazhit lokal, i cili, e siguroi ai, ishte “larg shkëmbinjëve²”.

    Pak më vonë, ai tha, “Zhytja nuk më pëlqen. Gjithsesi, nëse do të më duhej të zhytesha thellë, do ta bëja vetëm për diçka të florinjtë ose diçka me vlerë.”

    “Oh,” tha ajo. “Çudi që u shprehe kështu. Po mendoja se emri më i përshtatshëm për ty do të ishte Argjendi i Madh.”

    “Përse Argjendi i Madh?”

    “Sepse ky ishte emri i barkës nga e cila u hodha për zhytje.”

    Ai tundi kokën në shenjë mohimi dhe, disi i hutuar, zhvendosi shikimin nga gjoksi i saj në drejtim të tabelës së vendosur mbi derë, ku ishte shkruar fjala Dalje, e cila ndriçohej nga një dritë neoni. Ajo vuri sërish buzën në gaz, por këtë nuk e bëri enkas. Besoj se ishte e vetëdijshme, se do t’i duhej ta qetësonte turbullirën që kishte sjellë me vete nga Meksika në Kolumbi. Gjithsesi, ajo vendosi t’i tërhiqte mbrapsht fjalët që sapo kishte nxjerrë nga goja.

    “Jo, do të quaja Argjend i Madh për shkak të ngjyrës së flokëve dhe unazës që mban në njërën vetull.”

    “Jam thjesht një tip që nuk mund të ngujohem në asnjë vend,” tha ai. “Shpërngulem sa andej këtej, pa pasur ndonjë pikësynim të caktuar.”

    Pasi pagoi llogarinë e saj, ajo i kërkoi bashkëbiseduesit ta ngrinte librin që ndodhej në dysheme që nga çasti që ai i kishte dhënë tavolinës një goditje me gjunjë, që do të thoshte, se duhej të përkulej dhe të futej poshtë saj, për ta tërhequr librin me këmbë drejt vetes. Kjo zgjati disa sekonda dhe në çastin që ai u rishfaq me librin në dorë, ajo nuk u tregua as mirënjohëse dhe as e pasjellshme. Vasha thjesht belbëzoi, “Faleminderit.”

    Kur kamerierja mblodhi pjatat me mbeturinat, kthetrat e gaforres dhe halat e peshkut, mua më erdhi ndër mend thënia e Oscar Wilde “ Tregohu ai që je; të tjerët janë të gjithë të zënë.” Në të vërtetë, kjo thënie nuk vlente për të. Ajo gjithnjë ishte përpjekur që t’i siguronte vetes lirinë, të cilën Argjendi i Madh e merrte si të mirëqenë. Tekefundit, ai nuk e kishte problem të ishte vetvetja.

    Ti flet shumë, apo e kam gabim?

    Të flasim për jetën, ashtu siç e ndiejmë, është një lloj lirie që shumica prej nesh zgjedh të mos e marrë parasysh. Gjithsesi, mua m’u  duk sikur fjalët e saj dilnin të gjalla nga brendësia e saj, se ato ishin të mistershme për atë vetë, dhe po aq për këdo tjetër.

    Më vonë, teksa po shkruaja në ballkonin e hotelit, solla ndër mend mënyrën se si ajo e kishte ftuar Argjendin e Madh ikanak që të lexonte midis rreshtave të lëndimit të saj të fshehtë. Ajo mund ta kishte ndalur rrëfimin, duke përshkruar mrekullitë që kishte parë në detin e thellë e të qetë, përpara ngritjes së stuhisë. Ashtu, fundi do të kishte qenë i lumtur, megjithatë ajo nuk u ndal aty. Në fakt, ajo i drejtoi një pyetje si atij (ashtu edhe vetes): A je i mendimit se personi që ishte në barkë më braktisi? Jo, Argjendi i Madh nuk ishte lexuesi i duhur për të, por duke marrë parasysh gjithçka, arrita në përfundimin se ajo mund të ishte lexuesja ime më e mirë.

    ________

    Shënime të përkthyesit:

    ¹ sexvice – sex and service (seks dhe shërbim).

    ² shkëmbinjtë – në origjinal “the rocks”- në zhargon = dy kokrrat në organet gjenitale të mashkullit

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË