Patjetër që Ariani ishte një djalë mjaft i mirë. Serioz, simpatik, fjalëpakë e që i mbronte idetë për jetën me aq zjarr herë-herë, duke rënë në sy në kolektivin e mësuesve. Shkolla jonë ishte shkollë e madhe dhe kjo i bënte vetitë e cilësitë e Arianit të dalloheshin ndaj, secili kishte simpatitë e tij për atë. Ai e donte Sonjën, por ajo ngjante se kishte frikë prej tij, sepse asnjëherë nuk i jepte rast të kishte më shumë shoqëri e intimitet. Mesa morëm vesh ne, i kishte thënë Arianit, se ajo thuajse ishte e fejuar. Nuk e dinim në ishte e vërtetë kjo, por kolektivi ynë, duke qenë kolektiv i madh i shuante brenda vetes marrëdhënie të tilla delikate me një lehtësi të habitshme.
Jeta rridhte natyrshëm,ndëkaq natyra e Arianit sikur ndryshoi, sapo ai zuri shoqëri me Liken, një djalë i mirë por shumë i lëvizshëm e me shoqëri të madhe. Ata të dy shiheshin shpesh bashkë e jeta e natës filloi të kishte ngjarjet e veta ditë pas dite, deri sa një ditë të bukur ia bëri bam dhe kush ishte heroi? …Ariani
Është i tmerrshëm tha Iliri(Likja)! E këputi shoqen e mikeshës sime me një bisedë e takim. Ajo tani lë kokën pas këtij djali. Ndërkohë bënte me shenjë nga Ariani, në kohën kur ai ndodhej larg nesh. Është e pasur pa le. E ka dërguar me makinë deri tek shtëpia. Sonte do të shkojë në darkë ta marrë po në shtëpi. I ra asi këtij djali, vazhdonte Iliri. Gjithë njerëzit i ka me lekë. Mbi të gjitha është gjithë ai djalë. Apo jo? Hë si thoni ju? Po ti Sonja ke ndonjë vërejtje, se e shoh që se si më vështron? Çfarë pate, i kishte thënë Sonja? Cila është lidhja këtu, e kishte shkuar nga klasa, ku kishte mësim, me fletoret në dorë.
Ndodhitë erdhën njëra pas tjetrës. Jeta e natës e kishte bërë të veten e mbi të gjitha të bënte përshtypje, se Ariani ishte aq i thjeshtë në jetën e ditës sa habiteshe se si ai ishte bërë kaq i tmerrshëm për pak ditë. Si është njeriu, flisnin kolektivi me njëri-tjetrin. E pati fatin e tij edhe Ariani. Epo nuk është kot ajo shprehja e vjetër popullore, se në fatin tënd nuk rri askush.
Si gjithnjë ai vishej po njësoj, por vihej re një lloj kujdesi i lehtë nga ana e tij dhe të gjithë ishin të mendimit, se më në fund ai ishte bërë i “tmerrshëm”, i kishte plasur cipa kështu po mbushte kohën bosh të jetës së tij me femrat.
I ka thënë, se nuk mund të rri pa ty, vazhdonte Likja rrëfimet e veta. Ariani kalonte me indiferenca komentet, por kur qëllonte të ishte aty e t’i dëgjonte i thoshte Likes. Po leri o burrë, se nuk ka nevojë t’ua tregosh të gjithëve dhe të gjitha. Aman ,thoshte Likja. E di si më tha mbrëmë? Do t’i blej makinë Anit, (kështu e thërriste ajo Arianin sipas, Likes. Do ia blej, se është flori dhe një …dashnor i rrallë, vazhdonte duke bërë një gjest në fytyrë Likja sa dukej se po maste kështu forcën mashkullore të Arianit. Po historitë vazhduan shumë gjatë. Shoqëria e Arianit me atë femër, sipas bisedave që bëheshin çdo ditë zuri të trashej shumë. Do të vij ta marrë me makinë në shkollë, tha një ditë Likja. Në çast Ariani u bë i gjallë, duke thënë se kjo nuk do të ndodhë kurrë, nuk do ta lejojë. Aty afër e dëgjuan bisedën dy tre mësuese e mes tyre ndodhej Sonja. I kishte hapur sytë e bukur, duke i ngjarë krejt i panjohur ky djalë që deri pak kohësh e mendonte si njeri aq të mirë e me moral dhe ja si shkoj puna.
Pse bën kështu ti, iu drejtua Arianit ajo.? Përderisa e do cili është problemi këtu? Të vjen keq ta njohim ne? Ndërhyrja e saj e ngriti tjetrin në këmbët e para. Mos shpreh mendime vazhdoi ai! Je nga fundi për t’u dëgjuar. Kjo është jeta ime. Ajo e kishte parë gjithë inat nën efektin e fjalëve mbështjellë me një lloj zemërimi nën lëkurë. E gëzofsh pra, e kishte ikur pa e parë në sy!
Bisedës për këtë ndodhi nuk dihej si do t’i kishte vajtur filli sikur një ditë të bukur të mos kishte dalë varianti i ri.
Vajza që linte kokën pas Arianit, së shpejti do të nisej për Danimarkë , ku familja e saj kishte një shtëpi prej tre vjetësh. Ajo i kishte thënë Arianit të shkonte me atë në Danimarkë. Nuk mund të jetoj më pa ty, i kishte thënë ajo. Më ke ndryshuar jetën, më ke nxjerrë gjumin nga jeta ime boshe. Je floriri im i pazevëndsueshëm! Ti më zbukuron jetën! Eja me mua e mos mendo për asgjë në këtë botë, jetën e kemi të siguruar.
Shkolla ziente aq sa të gjithë e quajtën punë të kryer. Kush do ta linte një rast si ky t’i ikte nga duart? Çfarë fati thoshte , dikush tjetër! Ariani është djalë shumë i mirë . Ja nuk krekoset fare .Nuk ka faj i shkreti, është në hall. Mësuesi i matematikës e pyeti, se kur do të shkonte në Danimarkë, se kishte një kushëririn e tij i cili donte të fillonte punë si mësues gjeografie në vendin mbetur bosh nga ikja e shpejtë e mundëshme. E kishte parë me vëmendje, pastaj duke u skuqur i kishte thënë, se nuk kishte marrë akoma vendimin e duhur për këtë problem, akoma. Sonja i dëgjonte llafet e shkonte tutje e pa interesuar, por nganjëherë i dëgjonte bisedat për të me një kujdes si e si mos të zbulohej interesi i saj lidhur me çështjen e Arianit. Likja shpesh e binte fjalën tek fati i Arianit, duke e lavdëruar shokun e tij dhe fjalët e vajzës që donte, kur kishte thënë se Arianin e kishte ruejt Zoti vetëm për atë.
Ariani mungoi atë ditë në shkollë e lajmi u përhap se ai i la “targën” shkollës. Sot niset, thoshte Likja… Është atje në Rinas… duke e përcjellë. Nuk di se si do të bëje? I është mbushur mendja të rrijë. Idioti. Një rast si ky vjen vetëm një herë në jetë. Dedeja i dreqit. Kushedi kush ia ka marrë mendjen, ndonjë vajzë shqiptare dhe i bie me shkelm Danimarkës….Jo jo nuk di ndonjë gjë të sigurt. Më ka mbyllë telefonin, idioti.
Drejtori pyeti për Arianin dhe shokët i thanë se kishte shkuar diku ngutshëm. Më ka marrë leje, se duhet të ishte sot në Rinas, por ju thashë që të zevëndësoni orët , bëhet fjalë për dy orët e fundit ka dy orët e fundit mësim. Kishin mbetur pa fjalë të gjithë. Puna kishte shkuar thellë. E dinte edhe drejtori. I tmerrshëm u bë ky djali i urtë, personazh vip.
Të nesërmen ai erdhi. Dukej i zbehtë e pak i ndrojtur. Asnjë nuk i foli për atë që kishte fluturuar për në Danimarkë. Nuk shkova, nuk vendosa dot, kishte thënë ai. Nuk mund të jetoj në Danimarkë. Vendi im është për mua këtu, nuk mundem. Eh, bënë të tjerët. Obobo, mendoj mësuesi i matematikës ! Më fiku që nuk pranoi të ikte! E kishte ditur fakt të kryer.
Sonja e pa nga larg , sikur po e shihte për herë të parë e duke marrë nga klasa që atë orë të parë ishin afër i tha, se nuk duhej të mërzitej, se nëse ajo e donte do të bënte çmos ta merrte me vete më vonë atje në Danimarkën e largët. Nuk do të shkoj dhe pikë, ishte shprehur ai. Mos u nxeh , i kishte thënë tjetra, një mendim të thashë. Të faleminderit, i kishte thënë ai pa e parë në sy. Sonjës i ishin mbushur sytë me lot, ndërkaq kishte ecur drejt klasës. I shkreti, kishte menduar me vete. Është djalë i mirë dhe ja se si i shkoi jeta. Gjen një njeri që e do dhe befas mbaron gjithçka. Iu kujtua se si i kishte thënë atë ditë asaj, se e donte, e pëlqente e do ia bënte jetën të lumtur. Ishte e para femër që donte dhe iu lut aq shumë ta mendonte edhe ajo të ardhmen e saj me atë. Jo, kishte gënjyer ajo, jam e lidhur. Kishte pasur frikë ta pranonte kërkesën e tij menjëherë, ndërkohë kishte përdorur një gënjeshtër si një gomë shpëtuese për të dalë nga situata, por kishte menduar se nëse vërtet e donte ai do t’i fliste prapë asaj. Por ja si shkoi jeta e tij, ja sa keq tani. Thuajse e shihte fytyrën e asaj vajze në avion mbështetur kokën në xhamin e dritares , duke kërkuar diku vendin, ku duhet të ishte ai të cilit i kishte falur jetën.
E kështu jeta vazhdoi. Ariani mbeti pa dashnore e mësimi vazhdonte rregullisht, por edhe shoqëria e harroi ose bënte, sikur e harronte ngjarjen që e kishte mbajtur tre muaj gjithë mësuesit me të papriturat e këndshme të asaj love story.
Sa shpejt ishte shëruar mendoi Sonja atë ditë, kur ai e ftoi për kafe. Iu dhimbs prandaj i tha po, por thellë në veten e saj ndjehej në njëlloj jo vetëm mëshire por edhe keqardhje, se ndoshta po të ishte treguar më e hapur, ndoshta do të ishte vajza e dashur e Arianit të gjatë e aq simpatik, me ato flokë të kaftë. Akoma i pëlqente ato sytë e butë, ku gjithnjë i ngjante se rrinte fshehur afrimi i shpejtë i para do kohëve. Kaluan ato kohë mendoi e një diçka iu duk se i bëri trak në zemrën e saj . Vuri dorën tamam aty duke zbuluar befas në veten e saj pyetjen:”A thua e kam dashur pa e ditur, ndërsa tani e trajtoj si humbje?” Dreq o punë si është jeta?” …
Kafe, pyeti Ariani ? Ajo e pa duke hequr flokët e zinj nga sytë sikur të thoshte, ti e di se kafe, pse bën sikur nuk e di.
Kafet erdhën…Si është ajo, a ke folur e pyeti Sonja? Nuk është, u ngatërrua ai. Si, pyeti tjetra, jeni ndarë? E bëri fytyrën në formën e një keqardhje të thellë e të vërtetë. Akoma më keq, ia ktheu ai. Po hë, e ngriti kokën ajo, jeni grindur? Ata që duhen gjithnjë grinden, do të kalojë. Akoma më keq , foli ai pak me të lehtë. Kishte pranuar atë djalë akoma të lidhur e ishte bashkuar me atë në kafe, ndërsa ai donte t’i hapte zemrën e trazuar kushedi nga se e … “A thua ishte fajtor ai?” Ai ia kish ngulur sytë . Edhe…vazhdoi ajo, nëse më beson , ma thuaj, sido që të jetë. Më vjen keq vërtet!
Ai e thithi kafen nja dy herë e pastaj u duk se do thoshte diçka të madhe, të rëndësishme. Bashkëfolësja i bëri sytë e dhembshur për ta pritur lajmin sido që të ishte duke menduar fjalët e mundshme ngushëlluese për Arianin, siç duket të braktisur nga e dashura e famshme.
Akoma më keq ,tha ai. Më vjen turp, më vjen vërtet turp! Ti ndoshta nuk do ta besosh. Më mirë e lemë këtë muhabet. Jo nuk ka pse të vij turp, i tha ajo dhe ia zuri dorën me dorën e saj mbi të tijën, që iu duk se po dridhej tashmë. Ma beso mua të lutem, nuk do t’i them asnjeri, të betohem dhe do të të bëj mirë ty! Do të lehtësohesh e ndoshta të jap një këshillë…dashuria bën çudira. Nuk do t’i thuash njeriu, pyeti ai me ngulm? Jo premtoi ajo, për kujtimin e nënës që nuk e kam! Dhe ti nuk do zemërohesh e nuk do të tallesh! Oh Arian foli ajo, duke i rrudhur vetullat e holla. Po ti nuk më paske njohur fare, kështu ë?
Më dëgjo pra. Tjetra vuri duart në faqe dhe e pa drejt e në sy. Të gjitha ato për atë vajzë kanë qenë të shpikura. Asgjë nuk është e vërtetë… Të gjitha janë sajime të Likes…Unë i pranova, duke kërkuar të…Duke menduar, se ti do mendoje për mua. Për atë Zot të gjitha janë të sajuara e vetëm ti je ajo vajza…Sonja të lutem …Sonja më dëgjo! Unë të çmoj shumë, të…kam menduar shumë !
Sonja herë zverdhej e herë skuqej dhe …Pastaj qeshi, qeshi, qeshi e i ra faqeve të tij lehtë. Ah ti, shejtani im, thuajse i shpëtoi fjala asaj. U gëzua shumë që gjithë kjo kishte qenë një lojë. Aman Arian mos më gënjen, i tha ajo. Të betohem në Zot që kështu është, por të lutem më fal!
Po ajo puna e Danimarkës , pyeti ajo sikur zbuloi diçka të fshehtë në këtë sajesë të tij? Ehë, po vazhdoi ai. Unë në fakt u lodha me atë histori dhe desh u zura me Liken . Ai ndenji i qetë e më tha, se do të ma rregullonte atë punë. Unë as që e merrja me mend se si do të mund ta mbyllte atë histori që po më merrte frymën, por ai…shpiku Danimarkën e unë u ndjeva i lirë nga ajo dashuri që nuk ishte e që po më merrte frymën çdo ditë e më shumë. Po tani a e beson apo jo?
Kaluan ditë e ata të dy u përfolën aq shumë e kolektivi e harroi dashnoren e Arianit e u mësua me lidhjen e tij të re. E çmuan Sonjën zemërmadhe pak mendjelehtë , thanë për vajzën që vendosi aq shpejt pas një lidhje të bujshme, si ajo e asaj vajzës e cila tani ndodhej në Danimarkë. A thua kishte ndikuar në prishjen e Arianit lidhja me Sonjën e bukur e të thjeshtë. Por kolektivi i madh i mësuesve e harroi shpejt të shkuarën e tyre, ndërsa ata aq të dashuruar e të lumtur dukeshin gjithë ditët. Ajo kurrë nuk e pyeti më për dashnoren e Danimarkës. Eh dashuria është si një lojë , tha një ditë Likja, kur ato të dy pinin kafe, sikur të ishin njohur të djeshmen e çdo dite. Ti mos fol, i thanë ato Likes! Për ty desh iku në Danimarkë Ariani i mirë. Eh, tha ai sërish, dashuria është një lojë. Gjë e lehtë thanë ata me vete dhe nuk ia varën fort, ndërkohë që ai hipi në atë makinën e tij të vjetër e cila sikur mendohej para se të shkulej nga vendi , pastaj nisej seriozisht, por dukej ashtu si një lojë.
Aq shpesh e përdorte ai Like atë fjalën e famshme, se dashuria është një lojë, sa gjithë kolektivi filloi ta quante me atë varg kënge. Por vetëm dy vetë nuk e tallnin, por qeshnin përherë me shprehjen e tij dhe i thoshin shpesh. Pa hë Like, thuaje atë shprehjen. Dashuria është si një …lojë, vazhdonin të gjithë e bashkë më të gjithë edhe çifti i dashuruar tashmë e që jetonte çdo ditë fytyrën e mrekullueshme të një dashurie të vërtetë.