More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dashuria, asgjë", tregime nga Onur Caymaz

    “Dashuria, asgjë”, tregime nga Onur Caymaz

    ERA E JUGPERËNDIMIT

    Në mesjetë, kurdô që piktorët vizatonin ndonjë hartë, të dashurat e tyre u thoshin: «I dashur, a nuk e vizaton këtu një ishull për mua, le të bëhet ai ishull, imi.» A nuk bënim edhe ne të njëjtën gjë kur ishim fëmijë? Makina e parë që do të kalojë në rrugë, është e imja, kënga që do të fillojë tani, le të bëhet e jotja; nëse nga qielli bien tri mollë, njëra i përket rrëfyesit, tjetra dëgjuesit… Mirëpo, e gjithë kjo lojë e këndshme, a nuk ngjan pak e çuditshme kur bëhet fjalë për një ishull? Pa mendoni një herë ishujt prej fantazme nëpër harta, ishujt që në të vërtetë s’i gjen kund. Një admiral i famshëm anglez, teksa po kthehej rrugës nga Spanja për në Angli, po shqyrtonte një hartë që i pat rënë në duar. Në njërin nga ishujt që kishte parë në hartë, kishte menduar të ndalonte dhe të mbushte ujë. Marinari i burgosur spanjoll, që ndodhej në anije bashkë me të, i pat dhënë këtë përgjigje pyetjes së admirali rreth ishullit në hartë : «Nuk besoj se do të mund ta gjeni, zotëri, ky ishull është vizatuar për hir të një sinjore.»

    Në të vërtetë, një ishull është një lloj vetmie, një gjë ndjellakeqe. Një lloj uturime. Dritë që kullon prej gjetheve, hënë e plotë fantazore në pasqyrën e pajtonit. Krifat e rrufeshme të kuajve… E vërtetë ose gënjeshtër, erërat na rrëfejnë se nuk ka shtegdalje nga një ishull… Le të jetë kjo erë jugperëndimi. Syri i erës së jugperëndimit është i ujshëm, thoshin të moçmit. Erë që sjell lagështi, nënkuptonin; fill pas saj bien shira fluturakë. Në Stambollin e moçëm, në ditët me erë jugperëndimi, kadinjtë nuk dilnin në gjyq, vaporët iu afroheshin skelave gjithë naze. Era e jugperëndimit e sjell aromën e detit në hundë si të qe një shamizë e ngjyer me kolonjë. Shpërthen në valëthyes. Fluturon flokë. Lëngëzon sy. Mbart me vete zëra, një zë shumë të vjetër zileje, pallmën e gomarit të lodhur të kopshtit të pasmë, vikamën prej ëndrrash dhe kanelle të bozaxhiut në netët e përborura të dimrit; përse jo? Këtë natë, era e jugperëndimit përkëdhel fjalët e çiftit që po grindet atje në kodër, në derën hyrëse të vilës romake, në dritën e zbehtë të llambës. Gruaja është bionde, burri zeshkan dhe nuk do të ndahen. Sepse do të shohin ditë të tjera bashkë. Njerëzit bëhen një për të parë bashkë, e jo ndarazi. Në brendi të njeriut përkunden anije. Të thuash erë jugperëndimi, do të thotë të qëndrosh edhe një natë në ishull. Nuk ka shtegdalje, përsëri!

    Një poet nga bregu përkarshi, erën e jugperëndimit e përshkruan si «era që e ndan mishin nga ashti»; notias në greqisht. Edhe Tanpënari diku në njërin nga ditarët e tij ankohet se «edhe me ndihmën e erës së jugperëndimit s’mund të bëj gjë». Është njëherazi edhe fatkeqësia edhe shija e Bizantit bastard. Edhe Nazimi ka një poezi me titull era e jugperëndimit, midis vargjeve të së cilës, në burg, në furtunë, përplaset dera e hapur e birucës së tij. Për aq sa era e juglindjes është gri në blu të thellë, aq edhe era e jugperëndimit është blu në të zezë.

    Ku je lulja e erës me të cilën në shkollë fillore i mësova drejtimet e erërave? Je edhe erë, edhe lule; sa emër të bukur që paske! Më ngjaje si kristalet në fjollat e borës. Njihja mëngjese me erë, mëngjese me borë. Qytezat verore të braktisura drejt vjeshtës, shezlonët e mbetur në plazh si të vdekur, zhavorr i vetmuar, kërmill deti pa fund e krye, kabinat e veshjes të zbrazura, jehona zërash, pasqyrime dritash të ngelura nga vera e kaluar që flenë në muret e kazinove prej fantazme. Kalendar që ecën drejt dimrit, drejt mëngjeseve të errëta kur zgjimi është i vështirë. Bashkë me erën e jugperëndimit më ndërmendet edhe pluhuri i shkumësit. Sardelet në skarë, qielli i shndritshëm dhe i larmishëm që pasqyrohet nga sardelet; në qiell, në fytin tim yje me cepa të mprehtë…

    Kur ta mendosh, e dashur, më parë paskësh pasur njerëz të varfër që për punë paskëshin pasur të mblidhnin gjërat që era e jugperëndimit i hidhte sa andej këtej. Ora tavoline të hedhura në breg, antena, fenerë, syze; triko, sutjena, pallto që shkëputeshin nga telat ku ishin varur dhe fluturonin në ajër; kryqe të mbetur nga mesjeta, mbledhës trishtimesh, pusulla; njerëz që në vendet e cekëta, midis rërës, kërkonin gjëra të fundosura. Ajo klasë e hollë të diturish që nxirrte në shesh gjithçka!

    Era e jugperëndimit është ajo gruaja e bukur që hidhet me vërtik në rrugë nga romani i atij shkrimtarit të çmendur, që shkruan duke i qepur fletët me njëra-tjetrën. Sillet rreth e rrotull, gjithë përkujdesje, fustanin me tyl të pistë; sytë të ndritshëm, flokët të shpupurishur; shndrit dhe shuhet sakaq në pasqyrën e qytetit, si një vezullim. Luleshitësit janë të trishtuar, këpucët boshe në shtëpitë e peshkatarëve që u hapën në det dhe nuk u kthyen më; salepxhinjtë janë xhelozë, pjekësit e qiqrave me një përhumbje lejla; furrxhinjtë janë të përgjumur, çirakët kolliten në çmendina, dhimbje e hollë… S’e duroj dot kollën e fëmijëve. Sikur të isha një balonë, them me vete, të zvarritesha, të më merrte era përpara. Edhe këtë natë jemi në ishull, me bukën tonë, verën tonë dhe ti, je shpirti im. Je shpirti im them, madje ka edhe erë jugperëndimi…

    Jam në ishull pra, vilën romake e paskan bërë hotel. Nënkresa të pastra, s’kam gjumë, por deti është shndërruar në një bojë të zezë shkrimi. Në ëndërr jemi në anije, era e jugperëndimit na lëkund, para Sarajburnut dua të të prek. Duart i kam të njollosura… Sikur të frynte edhe një herë, ta ngrinte në hava e ta fluturonte gjithë qytetin. Krahët i passke mbështetur në parmakë. Ka hënë. Sikur të vija e të të përqafoja. Pa u ndrojtur. Sikur asnjeri t’mos trembej prej asgjëje. Ka hënë. Era e jugperëndimitshkund, lëkundemi. Por ama nuk rrëzohemi. Fryn, drejt e nga deti; është mbrëmje, jam vetëm, po dal në Gjylhane, aq shumë fryn sa në hundë ma sjell aromën e kafesë së tharë nga Pazari Egjiptian; kish gjetur një palë rruzare, ma përplas në fytyrë dritën që mori nga qelibari i tyre. Jam fund e krye ti, portokallì. Emri të fillon me a. Emri yt që nis gjithçka. …Jam vetëm, në çantën time të shpinës libra në lidhje me romanin që do të shkruaj, dikush e hap zinxhirin. Do të m’i vjedhë librat, jam hutuar fare. Në çastin e fundit e vërej dhe kthehem pas. Ja, kështu pra bëhem kur ti ma lëshon dorën, thotë një poet tjetër, njeri i brishtë. Vdiq dhe ai. Fundja të gjithë vdesin.

    Në ballkon hënë. Në erë jugperëndimi vetëm të çmendurit dalin jashtë. I çmenduri kësisoj e gjen të çmendurin. Ajo gruaja tregimtare e çmendur, ildis letrat me njëra-tjetrën. Do të të përqafoj, në ballkon. Ka hënë… Thonë se nën dritën e hënës druri i arrës nuk shkundet. Jo arra, argjend më derdhet përsipër, prej teje. Njollat janë prej teje. Era e jugperëndimit dëshiron, është e uritur; shtretërit, vitet, nënkresat nuk i mjaftojnë asgjëje. «Je shpirti im i them,

    kujt…»

    Këtë natë ka erë jugperëndimi. Letrat që pareshtur, vazhdimisht i qepa me njëra-tjetrën, shpërhapen në buzët e holla të jetës, si të shkatërronin gjithçka dhe ta ndërtonin nga e para… Jam në ballkon. Fryn. Fryn pa pushim…

    O. CAYMAZ Dashuria asgjë

    E KALTRA E RAKISË

    Pensionist i IETT- së, burrë i ndershëm, Usta Rasimi…

    Gruaja i pat vdekur nga kanceri. Vitin e kaluar shkoi në haxhillëk.

    Vari leshtë Rasim, biro! thoshte. Dhe ky e lëshoi mjekrën e përhirtë në të bardhë. Fytyra i përngjau një dite dimri. Atë çast, ia behu vera në një blu të thellë. Vera është një letër ushtari, shfaqet papandehur, si një përrallë.

    Në ditët e para të vetmisë, Ustai u bezdis ngapak. Mjekra e shponte, e djersinte; meqë përtonte të rruhej, detyrimisht u mësua me fytyrën e re: Njeriu mësohet me çdo gjë, Rasim, biro…

    Meqë haxhinjtë e kishin zakon, mërmërinte gjëra të ngjashme me bis…bismillah teksa hipte në minibuse. E ku është parë të vijnë në kohë autobusët! Prapë e njëjta gjë, nuk mbërriti askund. Në të vërtetë, s’është se kishte ndonjë vend ku patjetër duhej të mbërrinte.

    Mendoi të hapte një ushqimore. Me ç’parà?

    Herë pas here dilte në tregun e së martës. Spinaqi i pëlqente, por pastrohej me vështirësi.

    Asnjeri nuk ia ujiti lulet, u vyshkën para se të çelnin.

    Nuk lau enë derisa nuk i mbeti as edhe një pjatë a tabaka e pastër.

    Kur, një ditë prej ditësh, në mëngjes, te po e fshinte qilimin, ndërkohë që në radio luante Zeki Mureni, u përball rastësisht me veten në pasqyrë: edhe ti u plake, ore haxhì!

    Buzëmbrëmjen e asaj dite, 16 Gusht 1999, përsëri nga shpresa ose ndoshta bukuria e ditës së verës, kishte nisur t’i lyente kangjellat e ballkonit. Përjashta frynte një puhi e lehtë. Ata të katit të sipërm kishin zier çaj sherebeli, sa aromë të mirë që mbante. Në largësi, në brigjet e Byjykadasë[1], deti zhvoshkej sa ç’mundej, digjej e përflakej.

    Ustai kishte vite që e kishte harruar cigaren, në të vërtetë, jo se e kish dashur ndonjëherë. Por ama rakinë sepse e kujtonte shpesh. Përpara pasqyrës kishte një fotografi të gruas së tij.

    Ndërmendi se si zbardhëllehej rakia kur e trazo-je me ujin në atë gotën e gjatë e të hollë; m’u si ditët e dimrit. U ngrit dhe doli jashtë: ç’u plakëm, bis …bismillah

    E puthi dhe i mori erë fotografisë që e mori me vete; sikur të kishte pak djathë, pak qiqra… do të kishte pirë raki.

    Pensionist i IETT-së.

    KANCERI

    Kur gruaja e re hipi në taksi, moti pat filluar të ngrysej.
    Binte shi.
    Kaloi e u ul në ndenjësen e pasme, në anën e majtë. E mbështeti kokën mbi xham. Ai çast qe një shenjë trishtimi. Përpara se të formësohej pika e zezë midis bulave të shiut për ata që shikonin nga përkarshi, duke u përkulur kah shoferi a thua se po i besonte një sekret tha: Mexhidijekoj. Në zërin e saj ndjeu valë blu nga kushedi cila ditë e së kaluarës. Mërzitej.
    Sytë e saj të përhumbur, të pikturuar në retrovizor; herë-herë ndesheshin me vetullat e trasha, sytë e zinj të shoferit; atëherë shikimi i kridhej në rrugën e zbrazur, pa trafik, që shkiste nga xhami i përparmë.
    Makinat që kalonin me fenerët e tyre, që ngjanin sikur ta bënin me sy, i ndërmendën faret e detit që shndrisnin në gji të natës. Mendonte për atë se ç’ishte jeta.
    Kaluan pranë varrezave. Brendinë e makinës e mbushte zëri i spikerit, që fliste a thua se përtypte çamçakëz. Taksisti e uli zërin prej zhurmuesi të lagësht të radios dhe, gjithë duke i lëvrirë buzët, filloi të lutej. Shiu: gjithkund, ndoshta edhe në krejt botën.

    Bulat e shiut që binin përmbi makinë, nga kujtimet e gruas krijonin pika të vogla, zëra të mekur, të dëgjuar kohë më parë, pikëçuditëse.
    Analizat laboratorike që mbante në duar, i la përanash, si të flinin aty deri në pafundësi.

    HOMERI YNË

    Duhej ulur dhe shkruar ajo luftë, gjerë e gjatë, nga e para, mendoi, sepse tanimë kanë ndryshuar edhe lufta edhe koha.

    S’kam se si ta di përse dhe si ndodhën të gjitha këto, e as se si ta kuptoj. Por ja që e di, ja që mua më ra për hise historia e saj. Kishte pirë duhan për vdekje, si të qe një oxhak; më pas gjithë natën kish pirë verë. Nganjëherë i priste edhe thonjtë, i pëlqente shumë të shkonte në hamam. Ishte në Buxha. Atë ditë doli herët nga shtëpia, i përgjumur.

    Qëmoti, nga Izmiri…

    Iku nga vitet, ç’ju desh! Eci rrugicave të ngushta fërgëlluese të valëzuara, i mori erë shkumës së detit, diç prej myshqesh, zemra iu mbush me erë Egjeu; nuhati erën, matanë, prej gurëve rridhnin kaltërsi që nuk i përkisnin askujt.

    Qëmoti, nga Izmiri…

    Më larg, në kodra, kishte shtëpi ku autobusët e vegjël dhe minibusët e përbaltur ndalonin e çonin të fala, shtëpi të varfra me ca emra të çuditshëm: Shtëpi Punëtorësh, Qyteti Gjurmë…I dhembte shpirti nga të gjitha këto, një dhimbje dymijë vjeçare, si të jesh poet, diçka e tillë duhej të qe.

    Duhej ulur dhe shkruar ajo luftë, nga e para. Por, prapëseprapë, them të mos e ndryshoj skenën e Priamit dhe Akilit; ngase është e përsosur. Pranë tij kaluan vajza të cilave s’ua kuptonte gjuhën, atë gjuhën që mundohej ta mësonte; djem të rinj, horra; gurë stralli, zhavorre. Sytë e mjegullt e dritëpak i vështruan të gjitha, një nga një, i mësuan të gjitha; Homeri ynë qe nga ata që kuptonin me të shikuar. Të gjithë të vetmuarit, me shumë gjasa në këtë orë niseshin për në punë. Tha se duhej shkruar, por si do t’i rendiste të gjitha këto në atë luftë të ashpër?

    Po shëtiste qytetin. Te porta e stadiumit, mesa mundi të lexonte, dikush kishte shkruar: «Buxhalliu e q*i njeriun në bythë». Atë moment ndërmendi Sokratin, rininë e tij, gjithë sa kishte ndodhur. Rrugë që ndërfuteshin në njëra-tjetrën, dyqane karficash, byzylykësh, fustanesh; kasapë, dyqane me ngjyra të freskëta ku shiteshin fruta, dritat që ndizeshin e shuheshin pa ndà, njerëzit përpara kafeneve, rrugica të ngushta që s’kishin të sosur. Atëherë e ëndërroi kopshtin e Hasan Agait si të qe një ullishte e madhe; atëherë ëndërroi male, statuja, tregje… ç’paskan bërë kështu, tha me vete, duhej t’i kishin bërë të mëdha këto, të mëdha që… rrugët, hamamet, teatrot të preknin retë.

    Në pjesën e pasme të kodrës Tëngër, shtëpi të ngelura që nga vitet shtatëdhjetë, nga koha e pushtimit të revolucionarëve për të hapërdarë popullin. I kaloi, janë luftëra më të mëdha këto, tha me vete, nëse do të shkruhej për to, këtë duhej ta bëja unë, ishte puna ime kjo…

    U fut në një birrari të porsahapur. Nga ana e pasme, një kamerier që si duket nuk e kish marrë hisen e dritës së diellit të mëngjesit, po mbështillte byreqe. Na sill një birrë, or trim, i tha me një theks të çalë romak. Ishte fare njomëzak, gjithë duke shikuar me po atë vështrimin e tij të lëngëzuar, shkoi e i solli birrën.

    –  A ndodhet ndonjë librari këtej pari?

    – Po, xhaxha, – i tha, duke e vështruar mjekrën e bardhë të këtij njeriu të pakohë, – është atje tej, si del nga këtu, ec pak, merre kthesën e djathtë, është dyqani i tretë nga e majta.

    E mësoi përmendësh atë që iu tha. Një gjë e trazonte përbrenda pa pushim, i qe lodhur truri. E la të lirë vështrimin flladshëm në shkumën e birrës që ia sollën. Mos shiko ti, tha me vete, Agamemnoni megjithatë qe burrë king… Dhe Paridi bir zotëriu qe… Nuk na kish hije, por ç’të bënte, nuk iu bë pa mos ëndërruar për ato cicat e bardha, si dardha të Helenës, u mërzit, e pat edhe kjo punë, tha me vete.

    Kamerieri u shfaq përsëri, brenda ishte errësirë. A mos doni t’ju sjell ndonjë byrek pranë birrës. Jo, manaki mu (nënokja ime – gr.), nuk dua, u përgjigj, i merrej goja dhe ngjante i hutuar. Pastaj djaloshi u ndal një hop, seç deshi të thoshte diçka, por në çast hoqi dorë. Por ja që nuk i rrihej pa folur: s’dua të ngjaj sikur po ju shes mend, por kini kujdes xhaxha, është vend i prishur ky, vrasin e presin. Të faleminderit nipçe, s’na gjen gjë ne, iu përgjigj. Këtë fjali e kishte mësuar dje nga një shofer minibusi.

    Po sa shumë që i ngjan, mendoi kamerieri. Për një çast Homeri i kishte përngjarë me përfytyrimin që kish në kokën e tij për Gjyshin e Etur[2]. Edhe shenjti i Izmirit i tillë duhej të qe, pa shihe një herë, është i gjithi xurxull edhe ai, në këtë orë në tavernë pijanecë do gjeje, e ç’do gjeje tjetër, por kjo ish çështje tjetër!

    Tyrbja e Gjyshit ndodhej në kodrën e gjelbëruar me pamje nga deti e cila një kohë pat qenë djerrinë e në të cilën më pas vajzat e shkollave të mesme profesionale patën mbjellë pemë. Koka gjelash të prerë për kurban, gra arixheshka, fate të lexuara në pëllëmbët e duarve, nga gurët, nga leshi…

    Dje kamerieri bashkë me të dashurën e tij prej shumë kohësh, kishte zbritur prapë në vendin e shkretuar në afërsi të tyrbes. Ky vend qe i përshtatshëm, nuk e dinte njeri, s’dyshonte njeri… Ishin puthur. Për vdekje. Kamerieri një copë kamerieri qe, e ku kishte parë ai në jetën e tij një të urtë si kjo, një lule jargavani si kjo. Por ja që nuk ia jepnin vajzën, nuk e jepnin! Edhe ai po të ishte s’do ia jepte vajzën një mejhanexhiu. E ku kish ngjarë; vëllai kapter, babai tregtar i teknikës së bardhë, dhëndri kamerier. Pse, punë që bëhej ishte kjo, hë pasha! Por përsëri një gëzim i pakuptimtë e përshkonte të tërin, dhelpër deti e pandershme!

    Do ikim, mendoi. Do ta rrëmbej e do ta çoj në vendlindje, në Hisarllëk, te xhaxhallarët, atje nuk na gjen dot njeri, në Çanakala… Homeri ynë kërkoi fare pakëz vodkë, shkoi e ia solli.

    Seç iu kujtua, gotën e ujit që dje e kishte lënë përgjysmë, sot e gjeti të zbrazur. Të Gjyshit të Etur duhej të ishin këto marifete, e kishte zemëruar gjysh-in! S’do t’i hynte më asaj pune në hapësirat e tyrbes! A bëheshin këso lloj djallëzish!? Këta dervishët nuk duheshin zemëruar…

    Doli nga birraria dhe nga libraria mori letrat. Homeri ynë hipi në minibus për t’u kthyer në shtëpi. S’i kish ngelur as edhe një qindarkë. Ore edhe po s’shkrova punë e madhe, mendoi me vete, sidoqoftë të gjithë shkruajnë; zëre se e shkrova, kush do ta botonte, kush do ta lexonte pale! Po sikur t’i bëj naftën e t’ia mbath që këtej, t’ia shkel për në Çeshme, nga atje në ndërmarrjen Kopushlar, drejt e në Sakëz; edhe farefisi ynë është në Rodos tani; a s’do qe më mirë!?

    Pse, gjë që bëhet është kjo! Këtë luftë duhej ta shkruante nga fillimi…

    I përktheu: ARBANA REXHEPI, Shkup

    (Marrë nga libri me tregime

    “Dashuria, Asgjë…”, botuar nga UEGEN)


    [1]Büyükada, në përkthim Ishulli i Madh, është një nga ishujt më të mëdhenj në brigjet e Stambollit.

    [2]*Në turqisht Susuz Dede, sipas gojëdhënave ka qenë një dervish, tyrbja e të cilit  ndodhet në rrethinën e Goztepesë në Izmir, në kodrën që mban të njëjtin emër me të tijin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË