More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dashuri me shikimin e parë", tregim nga Jeffrey Archer

    “Dashuri me shikimin e parë”, tregim nga Jeffrey Archer

    Andrew ishte me vonesë, ndaj pa u menduar gjatë do të kishte marrë një taksi sikur të mos kishte qenë piku i qarkullimit. Ai u fut në stacionin e metrosë të mbushur plot e përlot duke i bërë dredha turmës së udhëtarëve teksa ata i drejtoheshin shkallës së lëvizshme për të kapur trenin e kthimit në shtëpi.

    Andrew nuk po kthehej në shtëpi. Pas katër stacioneve ai do të rishfaqej në sipërfaqe pasi të kishte lënë pas thellësinë e tokës për të qenë korrekt me takimin që kishte lënë me Ely Bloom-in, Guvernatorin e Bankës Chase Manhattan në Paris. Ndonëse Andrew kurrë nuk e kishte takuar personalisht Bloom-in, ashtu siç mund të thuhej dhe për të gjithë kolegët në bankën ku ai punonte, reputacioni i Guvernatorit ishte më se i njohur për të. Bloom-i nuk të ‘thërriste në mbledhje’ nëse nuk do të kishte një arsye të fortë për ta bërë këtë gjë.

    Nga momenti që sekretarja e Bloom-it e kishte marrë në telefon për ta vënë në dijeni në lidhje me takimin e planifikuar, Andrew kishte kaluar dyzetë e tetë orë duke u përpjekur për ta gjetur me hamendje arsyen e vërtetë të këtij takimi. Një këmbim i thjeshtë vendesh nga Crédit Suisse te Chase dukej si përgjigjja më e mundshme – por nuk kishte të ngjarë që çështja të ishte kaq e thjeshtë, sidomos ngaqë aty përfshihej vetë Bloom-i. Mos vallë ai ishte në prag të bërjes së një oferte të cilën do të ishte e vështirë ta refuzoje? A thua ta kishte ai pritshmërinë që pasi Andrew të kishte kaluar më pak se dy vite në Paris të transferohej te Chase Manhattan në New York? Pyetjet që i pluskonin në kokë ishin të shumta. Ai e kishte të qartë se duhej të hiqte dorë nga spekulime të tilla, sepse përgjigjen për të gjitha këto do ta merrte në orën gjashtë të pasdites. Shkallët lëvizëse do t’i kishte marrë me vrap, por turma e njerëzve nuk e lejonte ta bënte një gjë të këtillë.

    Andrew ishte i vetëdijshëm se në dorë mbante një kartë të fortë– ai i kishte ngjitur shkallët e karrierës deri te zyra e shkëmbimit të jashtëm të bankës Crédit Suisse në më pak se dy vite, dhe fakti se ai ishte më i zoti se rivalët e tij pranohej nga të gjithë. Bankierët francezë kishin mbledhur supet kur kishin marrë vesh për suksesin e tij, ndërsa rivalët amerikanë para pak kohësh ishin përpjekur ta bindnin që të largohej nga vendi i punës që kishte dhe të punonte për ta. Cilado që mund të ishte oferta e Bloom-it, Andrew ishte i sigurt se Crédit Suisse do t’ia gjente shoqen. Sa herë që i ishin bërë propozime të këtilla në dymbëdhjetë muajt e fundit, ai i kishte mënjanuar ato me të njëjtën mirësjellje dhe buzëqeshje djaloshare – gjithsesi, ai e dinte se këtë radhë bëhej fjalë për diçka të ndryshme. Bloom-i nuk ishte nga ata që mund t’i shmangeshe lehtë me një buzëqeshje të mirësjellshme djaloshare.

    Andrew nuk kishte kurrfarë dëshire për të lëvizur në një bankë tjetër, sepse ai ishte shumë i kënaqur me paketën që Crédit Suisse i siguronte – pastaj, në moshën e tij, cili do të ishte ai i ri që nuk do ta shijonte punën në Paris? Sidoqoftë, tani ishte pikërisht koha kur shqyrtoheshin shpërblimet vjetore, dhe për këtë arsye ai ndjehej i lumtur që do të ‘merrte takim’ me Ely Bloom-in te Bari Amerikan në Hotelin Geroge V. Do të kalonin disa orë përpara se prezenca e tij aty të vihej re dhe të raportohej te eprorët e tij.

    Kur Andrew u ndal tek platforma e metrosë, ai pa se aty ndodhej një turmë aq e madhe sa edhe vetë nuk ishte i sigurt nëse do të mund të hipte në trenin e parë që do të futej në stacion. Ai i hodhi një sy orës: 5:37. Koha duhej të ishte e mjaftueshme për të mbërritur në orar në takimin e punës, por meqenëse nuk kishte asnjë lloj synimi për të shkuar aty me vonesë, ai u përvodh përmes hapësirave të vogla, i pozicionuar mirë për t’u ngjitur në trenin tjetër të radhës. Edhe po të mos arrinte një marrëveshje me zotin Bloom, ai do të vazhdonte të ishte një figurë e rëndësishme e botës financiare të bankave për shumë vite të tjera, ndaj nuk kishte kuptim që të mbërrinte me vonesë dhe të linte një përshtypje të keqe tek ai.

    Andrew priti me padurim që treni i radhës të shfaqej tek dilte nga tuneli për në stacion. Ai i hodhi një shikim të ngulët shinave të trenit në anën e platformës përballë, dhe u përpoq të përqendrohej tek pyetjet që zoti Bloom mund t’i drejtonte.

    Sa është rroga juaj mujore?

    A mund ta prishni kontratën?

    Jeni i përfshirë në ndonjë program shpërblimesh?

    A jeni i gatshëm të ktheheni në New York?

    Platforma prej së cilës trenat niseshin në drejtim të jugut ishte e mbushur deng, ashtu siç ishte edhe ajo mbi të cilën qëndronte Andrew. Përqendrimi u fashit në momentin kur sytë e tij u ndalën te një vajzë e re, e cila po i hidhte një vështrim orës së saj të dorës. Ndoshta edhe ajo kishte lënë një takim në të cilin duhej të mbërrinte në kohë.

    Në çastin që ajo ngriti kokën lart, Andrew e harroi tërësisht Ely Bloom-in. Ai vështroi me ngulm sytë e saj të thellë ngjyrë kafe. Admiruesin e saj ajo nuk e kishte vënë re. Duhej të ishte një metër e shtatëdhjetë e dy centimetra e gjatë, me një fytyrë të përkryer ovale, lehtësisht e zeshkët dhe që asnjëherë nuk do të kishte nevojë për makijazh, një tufë flokësh të zinj, të përdredhur e të shprishur që asnjë floktare kurrsesi nuk do të ishte në gjendje t’i bënte permanent. Unë ndodhem në platformën e gabuar, i tha ai vetes, ndaj në këto rrethana nuk mund të bëj asgjë.

    Ajo kishte veshur një pardesy ngjyrë bezhë, rripi i së cilës i lidhur në mes nuk linte asnjë dyshim se sa elegant dhe i hijshëm ishte shtati i saj, përfshirë edhe këmbët – dhe me aq sa mund të shikonte ai – ato plotësonin një paketë të përsosur. Shumë më të mirë se nga çdo lloj pakete që mund t’ia ofronte zoti Bloom.

    Ajo përsëri kontrolloi orën e dorës, më pas ngriti kokën lart, dhe fare papritur vuri re se ai po e shikonte me ngulm.

    Ai vuri buzën në gaz. Ajo u përflak në fytyrë dhe uli kokën pikërisht në momentin kur dy trena nga drejtime të ndryshme rrëshqitën brenda në stacion. Çdokush që ndodhej prapa tij shtyu përpara për të pretenduar një vend në trenin e ndalur.

    Kur treni la pas stacionin, Andrew ishte i vetmi person që kishte mbetur mbi platformë. Ai i hodhi një shikim trenit tjetër që ndodhej në platformën përballë dhe e vëzhgoi atë tek gradualisht rriti shpejtësinë deri sa ai u largua nga që andej. Në çastin që ai humbi në tunel, Andrew buzëqeshi sërish. Vetëm një person qëndronte në platformën përballë, dhe këtë radhë ajo ia ktheu buzëqeshjen.

    Ju mund të pyesni se ku e di unë që kjo histori është e vërtetë. Përgjigjja është e thjeshtë. Këtë histori ma treguan Andrew dhe Claire, në fillim të këtij viti, me rastin e përvjetorit të dhjetë të dasmës së tyre.

    Përktheu: Aristidh Shqevi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË