More
    KreuLetërsiBibliotekëDaniel Kehlmann: “F” (fragment nga romani)

    Daniel Kehlmann: “F” (fragment nga romani)

    Autori austriako-gjerman Daniel Kehlmann, pa dyshim star i letërsisë së sotme botërore, vjen në shqip me romanin “F”, pas “Tillit”, përkthyer nga Anna Kove”, botuar nga “Toena”.

    Romani i tij “F” gërsheton në mënyrë të përkryer fantazinë me gjuhën plot ritëm dhe vrull. “F” është argëtim i madh, por edhe një eksperiment, rreziqet e të cilit fillimisht mbeten të fshehura, duke tejkaluar të gjitha cilësitë e imagjinatës. Libri jo vetëm që shtron pyetjet e vjetra për fatin, rastësinë dhe domosdoshmërinë në një kontekst sa arkaik aq edhe bashkëkohor, por gjithashtu përpiqet t’i bëjë ato të frytshme në një kuptim të mirëfilltë letrar. “F”, si Fati. “F”, si Familia. “F”, si Fiksioni. “F”, si personazhi i emëruar me një inicial të vetëm. Këto janë nuancat më të rëndësishme të kuptimit të titullit, në horizontin e të cilit Kehlmann-i lejon të shfaqet Friedlandi, babai i tre djemve, që largohet prej tyre, i nxitur nga një hipnotizues me emrin Lindeman, për t›u bërë shkrimtar i njohur.


    Lindemani i Madh

    (fragment)

    Vite më vonë, kur ata ishin të rritur dhe të mbërthyer secili pas fatkeqësisë së vet, asnjë nga djemtë e Artur Friedlandit, në fakt, nuk e dinte se kush e pati idenë të shkonin te hipnotizuesi atë pasdite. Ishte viti 1984, Arturi nuk kishte asnjë zanat. Shkruante romane, që asnjë shtëpi botuese nuk donte t’i shtypte, dhe tregime, që herë pas here botoheshin nëpër revista. Nuk bënte asgjë tjetër, ndërsa e shoqja ishte mjeke okuliste dhe fitonte mirë.

    Gjatë rrugës për atje, ai foli me të bijtë trembëdhjetëvjeçarë për Niçen dhe për markat e çamçakëzëve; debatuan për filmin vizatimor që po shfaqej në kinema mbi një robot, i cili ishte edhe shpëtimtar; hamendësuan pse Yoda fliste aq çuditshëm dhe pyetën, nëse Supermeni ishte më i fortë se Batmani. Më në fund ndaluan përpara ca shtëpive me tarraca në një rrugë periferike. Arturi i ra borisë dy herë dhe disa sekonda më vonë u hap një derë shtëpie.

    Djali i tij i madh, Martini, ishte ulur pranë dritares prej dy orësh dhe po i priste, i turbulluar nga padurimi dhe mërzia. Xhami ishte mjegulluar nga fryma e tij, ai kishte vizatuar me gisht fytyra serioze, të qeshura dhe disa me gojë të hapura. E fshinte xhamin herë pas here dhe shikonte se si fryma e mbulonte atë me mjegull të hollë. Ora e murit trokiste e trokiste pa u ndalur; përse po zgjaste kaq shumë? Përsëri një makinë, mandej përsëri një tjetër, edhe një tjetër, por prapë nuk ishin ata.

    Befas njëra u ndal dhe i ra borisë dy herë. Martini vrapoi nëpër korridor, mandej pranë dhomës ku ishte shpërngulur e ëma, e cila s’donte ta shihte Arturin. Kishin kaluar katërmbëdhjetë vjet, që ai ishte zhdukur pa zhurmë dhe shpejt nga jeta e tyre, por ende e mundonte fakti se ai mund të ekzistonte pa pasur nevojë për ta. Martini vrapoi tatëpjetë shkallëve, përgjatë korridorit të poshtëm, doli jashtë dhe kaloi rrugën – aq shpejt sa nuk e pa makinën që po ecte me shpejtësi. Pranë tij klithën frenat, por ai tashmë u gjend ulur në sediljen e pasagjerit, me duar të lidhura mbi kokë dhe vetëm atëherë zemra i dha shenjë jete përmes një rrahjeje.

    – O Zot, – mërmëriti Arturi. Makina, që për pak sa nuk vrau Martinin, ishte një Volkswagen Golf i kuq. Shoferi i binte tani borisë më kot; ndoshta mendonte se s’kish kuptim të mos bënte asgjë, pas një incidenti të tillë. Pastaj i dha gaz dhe vazhdoi rrugën.

    – O Zot, – tha Arturi sërish. Martini fërkoi ballin.

    – Si mund të jesh kaq budalla? – e pyeti njëri nga binjakët nga sedilja e pasme.

    Martini ndjeu sikur ekzistenca e tij ishte ndarë dysh. Ai ishte ulur këtu, por në të njëjtën kohë ishte edhe i shtrirë atje mbi asfalt, i palëvizshëm dhe kruspull. Iu bë se fati i tij nuk ishte përcaktuar ende; dyfishësia mund të ishte e vërtetë dhe, për një momen iu duk se pak nga pak po fikej edhe atje jashtë.

     – Zoti s’është këtu, – tha binjaku tjetër.

    Arturi pohoi me kokë.

    – Po, a është e vërtetë? Nëse Zoti ka në plan diçka tjetër për dikë. Çfarëdo qoftë. Atëherë, asgjë nuk mund të ndodhë.

    – Zotit nuk i duhet të planifikojë asgjë. I mjafton vetëm dijenia. Nëse Zoti e di se dikë do ta përplasë makina, atëherë atë do ta përplasë makina. Nëse Zoti e di se dikujt asgjë nuk do t’i ndodhë, atëherë asgjë nuk do t’i ndodhë.

    – Kjo s’mund të jetë e vërtetë. Atëherë, s’do të kishte fare rëndësi se çfarë bën njeriu. Babi, ku qëndron gabimi?

    – Zoti nuk ekziston, – tha Arturi. – Ky është gabimi.

    Të gjithë heshtën, më pas Arturi ndezi motorin dhe ata u larguan. Martini ndjeu se rrahjet e zemrës iu qetësuan. Pas pak minutash do t’i dukej sërish e natyrshme që ishte gjallë.

     – Po në shkollë? – pyeti Arturi. – Si po shkon?

    Martini e pa të atin në profil. Arturi kishte shtuar pak peshë; flokët e tij, në atë kohë ende të pathinjur, ishin të kërleshur si gjithmonë, sikur të mos ishin krehur kurrë më parë.

    – Matematika është e vështirë për mua, mund të ngel. Frëngjishtja është ende problem. Anglishtja jo më, për fat. Ai foli shpejt, për të thënë sa më shumë të mundej, para se Arturi ta humbiste interesin: – Në gjermanisht jam mirë, kemi një mësues të ri në fizikë, në kimi njësoj si gjithmonë, por me eksperimentet…

    – Ivan, – pyeti Arturi, – a i kemi biletat?

    – I ke në xhep, – u përgjigj njëri nga binjakët dhe, së paku tani, Martini e kuptoi se cili nga të dy ishte Ivani dhe cili ishte Eriku. I vështronte ata në pasqyrën e pasme. Si gjithmonë, diçka në lidhje me ngjashmërinë e tyre i dukej e gabuar, e ekzagjeruar, kundër natyrës. Menjëherë pas disa vitesh jetë ata zunë të visheshin njësoj. Kjo fazë e shijimit të padallueshmërisë së njërit nga tjetri, nuk do të përfundonte deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, kur për një kohë të shkurtër as ata vetë nuk ishin të sigurt se cili prej tyre ishte kush. Pas kësaj, do të kishin gjithmonë ndjesinë se ata dikur e kishin humbur veten, dhe se nga ajo kohë secili kishte bërë jetën e tjetrit; ashtu si Martini nuk do ta hiqte kurrë dyshimin, se në të vërtetë kishte vdekur në rrugë atë pasdite.

    – Mos shih ashtu si budalla, – i tha Eriku.

    Martini u rrotullua dhe e kapi Erikun për veshi. Pothuajse e kapi, sepse i vëllai iu shmang, ia kapi krahun dhe ia përdrodhi përpjetë shpinës. Ai bërtiti.

    Eriku e lëshoi dhe konstatoi i lumtur: – Tani do të qajë.

    – Derr, – tha Martini me zërin që i dridhej. – Derr budalla.

    – Ke të drejtë, – tha Ivani. – Ky është gati të qajë.

    – Derr.

    – Derr je vetë.

    – Ti je derr.

    – Jo, ti.

    Mandej s’po iu binte ndonjë fjalë tjetër në mendje. Kur u sigurua se i pushuan lotët, Martini i nguli sytë tej dritares. Pa pasqyrimin e makinës, që rrëshqiste nëpër vitrinat e dyqaneve në anë të rrugës: të shtrembëruar, të shtrirë, të lakuar në një gjysmërreth.

    – Si është nëna jote? – pyeti Arturi.

    Martini hezitoi. Si duhej t’i përgjigjej kësaj? Arturi ia kishte bërë këtë pyetje edhe në fillim, shtatë vjet të shkuar, kur u takuan për herë të parë. I ati i ishte dukur shumë i gjatë, por edhe i lodhur e i papranishëm, si të ishte i rrethuar nga një mjegull e hollë. Ndiente turp nga ky njeri, por në të njëjtën kohë, pa mundur të thoshte përse, edhe keqardhje. – Sa vjeç je saktësisht? Martini u gëlltit dhe më pas i tha: – Shtatë vjeç.

    Ja, tani pas tre muajsh i ati u kthye sërish. Këtë herë e mori Martinin nga shtëpia në një makinë me dy djem të ngjashëm e të frikshëm në sediljen e pasme; në fillim Martini mendoi mos ishte iluzion optik. Ata të dy, nga ana tjetër, e kishin parë shkurtimisht dhe vetëm me kureshtje të përmbajtur; ishin shumë të përqendruar te vetja, të kapur në enigmën e dyfishimit të tyre.

    – Ne vazhdimisht mendojmë të njëjtën gjë.

    – Edhe nëse janë gjëra të komplikuara. Pikërisht të njëjtat gjëra.

    – Nëse na pyet dikush diçka, na vjen gjithmonë e njëjta përgjigje në mendje.

    – Edhe nëse është e gabuar.

    Mandej ata qeshën me të njëjtin zë identik, dhe një drithërimë përshkoi shpinën e Martinit. Që nga ajo kohë, babai dhe vëllezërit e merrnin rregullisht. Ata kishin hipur në slita, kishin vizituar akuariume me peshq të përgjumur, kishin ecur përmes pyjeve në periferi të qytetit, kishin notuar në pishina me erë klori, të mbushura me fëmijë që bërtisnin nën rrezet e diellit. Përpjekjet që bënte Arturi ishin gjithmonë të dukshme; ai kurrë nuk e kishte marrë seriozisht, edhe binjakët nuk ishin shumë të mirë për ta fshehur faktin se vinin aty bashkë me të, vetëm sepse duhej. Edhe pse Martini e kishte kuptuar qartë këtë gjë, ato kishin qenë pasditet më të bukura të jetës së tij. Herën e fundit Arturi i pati dhuruar një kub shumëngjyrësh, faqet e të cilit mund t’i rrotulloje; një lodër e re, që sapo kishte dalë në treg. Martini kishte kaluar orë të tëra me të, mund të kishte kaluar ditë të tëra, ishte plotësisht i varur prej tij.

    – Martin! Ai u kthye. – Mos po fle? Mendoi sërish ta godiste, por ndërroi mendje. Nuk ia vlente, ishte më i fortë. “Sa keq”, mendoi Eriku. Do të kishte dashur t’i jepte një shuplakë Martinit në fytyrë, por atë çast nuk kishte asgjë kundër tij. Thjesht e zemëroi fakti, që i vëllai ishte aq i pafuqishëm, aq i heshtur dhe i frikësuar. Veç kësaj, ai ende kishte neveri nga ato çaste shtatë vjet më parë, kur prindërit i kishin thirrur në dhomën e ndenjjes në mbrëmje, për t’u thënë diçka të rëndësishme.

    – Mos do të divorcoheni? – kishte pyetur Ivani.

    Prindërit e kishin mohuar të tronditur, duke thënë: “Jo, jo, vërtet, jo; jo!” Dhe Arturi u kishte treguar për ekzistencën e Martinit.

    Eriku ishte habitur aq shumë, sa vendosi menjëherë të reagonte, si ndaj diçkaje qesharake, por, sapo u bë gati të merrte frymë dhe të qeshte, pranë tij Ivani kishte filluar ndërkohë të zgërdhihej. Kështu ndodhte kur ishe një dhe dy në të njëjtën kohë, e kur asnjë mendim nuk mund t’i përkiste vetëm njërit.

     – Kjo nuk është për të qeshur, – u kishte thënë Arturi.

     “Po pse tani?”, donte të pyeste Eriku, veçse Ivani ishte treguar sërish më i shpejtë:

    – Pse tani?

    – Gjërat ndonjëherë janë të vështira, – ishte përgjigjur Arturi.

    I pafuqishëm, kishte hedhur sytë nga nëna e djemve, por ajo, e ulur e me krahë të kryqëzuar, u tha se edhe të rriturit nuk janë gjithmonë të mençur. Nëna e djalit tjetër, shpjegoi Arturi, nuk kishte dashur të fliste me të, nuk kishte dashur që ai ta takonte të birin; dhe ai ishte bindur, thënë sinqerisht, me shumë dëshirë, sepse kjo ia kishte bërë më të lehtë gjendjen, por vetëm së fundmi kishte ndryshuar mendje. Ndaj, tani do të nisej ta takonte Martinin.

    Eriku nuk e kishte parë kurrë më parë babanë nervoz. Kujt i duhej ky Martini, mendoi ai, dhe si mund t’ua kishte bërë Arturi diçka kaq komike. Eriku e dinte me kohë se donte të ishte ndryshe nga i ati.

    – Kam humbur rrugën, – tha Arturi.

    – Edhe këtë herë, – tha Eriku.

    – Është mashtrim, – tha Ivani. – Sepse nuk ke dëshirë.

    – Sigurisht që s’kam dëshirë. Por nuk është mashtrim.

    Ai bëri dy kthesa dhe para tyre u hap hyrja e një parkimi. Eriku kishte ngulur sytë i shqetësuar në errësirë. Nuk do të ishte në gjendje kurrë ta shpjegonte sa keq ndihej në çdo tunel, shpellë apo vend të mbyllur. Ivani ndoshta e dinte me siguri, ashtu siç i ndodhte çdo herë Erikut, që kishte mendimet e vëllait binjak, në vend të mendimeve të tij, dhe që i shfaqeshin në kokë fjalët, të cilat tjetri s’mund t’i thoshte. Gjithashtu, i ndodhte shpesh që, pasi zgjohej, të kujtonte ëndrra me ngjyra krejt të panjohura – ëndrrat e Ivanit ishin më shumëngjyrëshe se të tijat, ato ishin çuditërisht më të largëta, ajri dukej më i mirë brenda tyre. E megjithatë, ata edhe mund të fshihnin gjëra nga njëri-tjetri. Eriku nuk e kishte kuptuar kurrë pse Ivani kishte frikë nga qentë, kur qentë ishin një nga krijesat e pakta vërtet të padëmshme; ai nuk e kuptonte pse Ivani preferonte të fliste me vajzat bionde më shumë sesa me flokëzezat dhe nuk mund ta kuptonte pse pikturat e vjetra, të cilat atë vetëm e mërzisnin nëpër muze, të vëllait i ngjallnin ndjenja aq të ndërlikuara.

    Mandej ata zbritën nga makina. Shufrat e neoneve përhapnin dritë të zbehtë. Eriku kryqëzoi krahët dhe fiksoi sytë përdhe.

    – A beson te hipnoza? – pyeti Ivani.

    – Unë mendoj se njerëzit mund t’i bindësh për çdo gjë, – tha Arturi.

    Ata hynë në kabinën e ashensorit, dyert u mbyllën dhe Eriku po luftonte kundër panikut të tij. Po sikur të këputej litari? Diçka e tillë kishte ndodhur më parë, do të ndodhte përsëri dikur dhe diku, kështu që, pse jo këtu? Më në fund ashensori ndaloi, dyert u hapën dhe ata u nisën drejt teatrit. Në një banderolë shkruhej: Lindemani i madhmjeshtër i hipnozës. Performanca e pasdites.
    Posteri tregonte një zotëri me syze, i cili, pa dyshim, përpiqej të dukej i zymtë dhe depërtues. Fytyrën e kishte të hijezuar, ndriçimi ishte teatror, fotoja ishte e keqe. Lindemani, – shkruhej aty ngjitur, – ju mëson t’u frikësoheni ëndrrave tuaja. Një djalë i ri ua kontrolloi i përgjumur biletat e hyrjes. Vendet i kishin të mira, krejt përpara, në rreshtin e tretë. Plateja ishte pothuajse plot, askush nuk ishte ulur në amfiteatër. Ivani ngriti sytë drejt tavanit të zbukuruar dhe pyeti veten se si mund të pikturohej deri aty. Artisti kishte mashtruar me zgjuarsi sytë e vëzhguesve dhe kishte krijuar një kupolë që nuk ekzistonte. Si mund të vizatohet diçka e tillë, nëse do të tregosh se në realitet nuk ekzistonte një hapësirë e dytë, por vetëm iluzioni? Në libra nuk gjendej asgjë e tillë. Askush nuk mund të të ndihmonte. Asnjë libër, asnjë mësues. Gjithçka që kishte rëndësi duhej ta mësoje vetë dhe, nëse nuk ia dilje, humbisje lidhjen me jetën. Ivani shpesh pyeste veten sesi mund ta duronin ekzistencën e tyre njerëzit, që nuk ishin në gjendje të bënin asgjë të veçantë. Ai shihte që e ëma dëshironte një jetë ndryshe, ndërsa i ati gjithmonë ishte diku tjetër me mendimet e tij. Ai shihte që mësuesit e tij në shkollë ishin shpirtra të vegjël e të trishtuar dhe, sigurisht, ai e dinte për vegimet që mundonin Erikun. Sa herë hynte në ndonjë nga ëndrrat e Erikut, e gjente veten në një vend të errët dhe të mbytur, ku nuk donte të ishte. Ai i shihte këto, edhe Martinin, i cili ishte shumë i dobët dhe shumë i vetmuar me nënën e tij. Ivani psherëtiu. Nuk i interesonte hipnoza, do të kishte dashur të kthehej në shtëpi dhe të vizatonte. Përfundimisht, donte të vizatonte sa më mirë, kjo ishte e vetmja gjë që vlente, nuk donte asgjë tjetër.

    Drita u zbeh, murmuritja u shua. Perdja u hap. Lindemani qëndronte në skenë. Ishte i shëndoshë, tullac, çka binte më tepër në sy nga disa qime të dala mbi tullën e rrashtës së tij, dhe mbante syze të zeza fildishi. Kostumin e kishte gri dhe, në xhepin e vogël të përparmë, kishte një shamizë jeshile. Pa përshëndetur, pa u përkulur, filloi të flasë me zë të ulët. – Hipnoza, – tha ai, – nuk është gjumë, por është më tepër gjendje e vigjilencës së zgjuar brenda vetes, jo mungesë vullneti, por vetëfuqizim. – Gjëra të mahnitshme do të shihni sot, por askush nuk duhet të shqetësohet, sepse, siç dihet, askush nuk mund të hipnotizohet kundër vullnetit të tij dhe askush nuk është hipnotizuar ndonjëherë për të bërë diçka që, thellë në shpirtin e tij, nuk është i përgatitur ta bëjë. Ai heshti për një moment dhe buzëqeshi, si të kishte bërë ndonjë shaka të vështirë për t’u kuptuar. Një shkallë e ngushtë të çonte nga skena te spektatorët. Lindemani zbriti, rregulloi syzet, pa përreth dhe eci nëpër korridorin mes rreshtave. Natyrisht, ai tani po vendoste se cilët persona do të sillte në skenë. Ivani, Eriku dhe Martini ulën kokat.

    – Mos u shqetësoni, – tha Arturi. – Ai merr vetëm të rritur.

    – Atëherë, ndoshta të merr ty.

    – Nuk funksionon me mua.

    – Jemi përpara ngjarjesh të mëdha, – tha Lindemani. – Ata që s’duan të marrin pjesë, s’kanë pse të frikësohen; nuk do t’iu afrohem shumë, do t’i kursej.

    Ai arriti në rreshtin e fundit, dhe pyeti Arturin: – Dëshironi të vini pranë meje? Arturi mohoi me kokë.

    – Ju mendoni se nuk doni. Por ju doni. Besomëni për këtë. – Arturi qeshi.

    – Nuk ju dhemb gjë, nuk është e rrezikshme, madje mund edhe t’ju pëlqejë. Na e jepni këtë kënaqësi. – Arturi mohoi me kokë.

    – Nuk jeni aspak kureshtar?

    – Nuk funksionon me mua! – bërtiti Arturi.

    – Por unë dua të vini.

    – Pse?

    – Sepse këtë e dua unë. Ngaqë ju mendoni se nuk dëshironi.

    Arturi mohoi me kokë.

    – Le ta thërrasim së bashku! – bërtiti Lindemani. – Dërgojeni atë tek unë, tregojani këtë atij me duartrokitje, kur ai të vijë. Duartrokisni fort!

    Shpërthyen duartrokitje të fuqishme, kërcitje këmbësh dhe britma, sikur papritmas asgjë nuk ishte më e rëndësishme për askënd, sesa përmbushja e dëshirës së Lindemanit; sikur askush nuk mund të imagjinonte lumturi më të madhe, sesa të shihte Arturin në skenë. Zhurma vazhdonte të rritej, u bashkuan gjithnjë e më shumë zëra: njerëzit duartrokisnin dhe bërtisnin. Arturi nuk lëvizi.

    – Të lutem! – thirri Eriku.

    – Të lutem, shko! – i tha Martini. – Të lutem!

    – Vetëm për hatrin tuaj, – tha Arturi dhe u ngrit në këmbë. Kaloi përmes turmës brohoritëse për në korridor, më pas mori rrugën drejt shkallëve dhe u ngjit sipër tyre. Lindemani bëri një lëvizje të shpejtë të dorës, zhurma u shua.

    – Nuk do t’ju ecë me mua, – tha Arturi.

    – Më tregoni për veten tuaj. Arturi nuk tha asgjë.

    – Më tregoni për veten, – përsëriti Lindemani. – Jemi mes miqsh.

    – Nuk ka aq shumë për të treguar.

    – Sa keq! Sa e trishtueshme, nëse kjo është e vërtetë!

    Lindemani uli dorën, u përkul përpara dhe e pa Arturin në fytyrë. Mbizotëronte qetësi e madhe dhe dëgjohej vetëm një shushurimë e lehtë, ndoshta nga ngrohëset, ndoshta nga elektriciteti i prozhektorëve. Lindemani bëri një hap prapa, një dërrasë skene kërciti, një nga të përgjumurit rënkoi.

    – Çfarë profesioni keni? Arturi nuk tha asgjë. – Apo nuk keni punë?

    – Unë shkruaj.

    – Libra?

    – Nëse ato që shkruaj do të shtypeshin, mund të ishin libra.

    – Refuzime?

    – Disa.

    – Kjo s’është gjë e mirë.

    – Jo, kjo s’ka rëndësi.

    – Nuk ju shqetëson fare?

    – Nuk kam shumë ambicie.

    – Vërtet e keni?! – Arturi heshti.

    – S’dukeni sikur keni pak pretendime. Ju dëshironi ta besoni këtë për veten tuaj, por nuk e besoni. As unë nuk ju besoj. Askush nuk e beson këtë. Çfarë dëshironi ju vërtet? Jemi mes miqsh. Çfarë doni?
    – Të largohem.

    – Nga këtu?

    – Nga kudo.

    – Nga shtëpia?

    – Nga kudo.

    – Larg shtëpisë?

    – Brenda në shtëpi njeriu vdes.

    – Nuk duket sikur jeni i lumtur.

    – E kush është tashmë i lumtur?

    – Ju lutem, përgjigjuni!

    – Jo.

    – S’jeni i lumtur?

    – Jo.

    – Ma thoni këtë sërish.

    – Unë nuk jam i lumtur.

    – Pse e zgjasni?

    – Çfarë duhet bërë?

    – Arratisuni!

    – Nuk mund arratisesh gjatë gjithë kohës.

    – Pse jo? – Arturi heshti.

    – Po fëmijët tuaj? A i doni?

    – Duhet, patjetër.

    – E saktë. Duhen dashur. Të gjithë njësoj?

    – Ivanin më shumë.

    – Pse?

    – Ai më ngjan më shumë.

    – Po gruan tuaj? Jemi mes miqsh.

    – Ajo më do.

    – Nuk ishte kjo pyetja.

    – Ajo fiton para për ne, kujdeset për gjithçka. Ku do të isha unë pa të?

    – Ndoshta i lirë. Arturi heshti.

    – Po puna juaj? Shkrimi juaj, poezia juaj, Artur? Çfarë ndodh me to?

    – Nuk është e rëndësishme.

    – Pse jo?

    – Shtyrje kohe. Nuk ka nevojë të bëjmë bujë.

    – A nuk ju shqetëson, që veprat tuaja nuk botohen?

    – Jo.

    – Që ato nuk janë të mira? Nuk ju shqetëson? – Arturi bëri një hap të vogël prapa.

    – Ju besoni se nuk keni ambicie, apo jo? Por ndoshta do të ishte më mirë të ishit ambicioz, Artur. Ndoshta ambicia do të ishte më e mirë, ndoshta duhet të ishit i mirë, ndoshta duhet ta pranoni që dëshironi të jeni i mirë, ndoshta duhet të bëni përpjekje, ndoshta duhet të punoni, ndoshta duhet të ndryshoni jetën. Të ndryshoni gjithçka. Të ndryshoni gjithçka, Artur. Si mendon? – Arturi heshti.

    Lindemani iu qas edhe më shumë, qëndroi në majë të gishtave dhe ngjeshi fytyrën me atë të Arturit.

    – Gjithë kjo mospërfillje! “Pse sforcohem kaq shumë?” E ke menduar gjithmonë këtë, apo jo? Po tani? Ndërsa rinia të ka ikur, e sado që të përpiqesh, vetëm shton peshë; ndërsa lehtësia zhduket, çfarë duhet të ndodhë? Jeta ka kaluar shpejt, Artur. Edhe më shpejt po zhduket. Çfarë duhet të ndodhë? Ku dëshiron të shkosh?

    – Larg!

    – Nga këtu?

    – Nga kudo.

    – Atëherë, më dëgjo! – Lindemani vuri dorën mbi supin e Arturit. – Po të jap një urdhër, të cilit ti duhet t’i bindesh, sepse dëshiron t’i bindesh dhe ti do t’i bindesh, sepse unë po të urdhëroj; e unë po të urdhëroj, sepse ti dëshiron që unë të të urdhëroj. Nga sot e tutje ti do të përpiqesh. Pa marrë parasysh sa kushton. Pa marrë parasysh sa kushton. Përsërite!

    – Pa marrë parasysh sa kushton.

    – Nga sot e tutje.

    – Nga sot, – tha Arturi. – Pa marrë parasysh sa kushton.

    – Më fort!

    – Pa marrë parasysh sa kushton!

    – Ajo që sapo ndodhi këtu nuk duhet të të shqetësojë. Është vetëm argëtim dhe lojë, Artur; kalim kohe në pasdite. Ashtu si shkrimet e tua. Si çdo gjë që bëjnë njerëzit. Unë do të duartrokas tri herë, pastaj ti mund të ulesh.

    Lindemani duartrokiti: një herë, një herë të dytë, një herë të tretë. Tek Arturi nuk mund të vëreje asnjë ndryshim. Ai qëndroi si më parë: drejt, me qafën e anuar paksa mbrapa. Nuk dëgjohej asnjë zë. U kthye me hezitim dhe zbriti teposhtë shkallëve. Gradualisht filluan duartrokitje sporadike aty-këtu; vetëm kur Arturi arriti në ndenjësen e tij, shpërthyen duartrokitje të forta. Lindemani u përkul dhe tregoi nga Arturit. Ai bëri të njëjtën gjë me një buzëqeshje të zbrazët, dhe u përkul po ashtu.

    – A mund të shkojmë? – pëshpëriti Ivani.

    – Po, të lutem! – tha Eriku.

    – Pse?

    – Të lutem! – tha Martini. – Të lutem, le të shkojmë! Të lutem!

    Kur u ngritën të iknin, një nënqeshje keqdashëse përshkoi sallën. Eriku shtrëngoi grushtet dhe bëri sikur po i imagjinonte të gjitha, ndërsa Martini kuptoi për herë të parë se njerëzit mund të ishin të ngazëllyer nga keqdashja, sardonikë dhe të poshtër pa asnjë arsye. Ata mund të jenë pa asnjë arsye edhe të mirë, të sjellshëm dhe të gjindshëm, të gjitha të bashkuara në një. Por, mbi të gjitha, ata ishin të rrezikshëm. Kjo njohuri duhet t’i ngulitej në mendje gjithmonë, e lidhur me kujtimin e fytyrës së Lindemanit, që ndoqi nga skena largimin e tyre, ndërsa po pastronte syzet me leckën jeshile.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË