More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDamian Alia: Reflektime mbi “Si të rregullosh një bibliotekë” nga Roberto Calasso

    Damian Alia: Reflektime mbi “Si të rregullosh një bibliotekë” nga Roberto Calasso

    Të rregullosh apo të rendisësh? Nëse të vendosësh librat në bibliotekën personale “është një temë lartësisht metafizike”, siç thotë Calasso në fjalinë e parë të paragrafit të parë të librit, atëherë do të duhet të themi “si renditet një bibliotekë”, përsaqë rregullin e kuptojmë si aspekt të rendit, ndërkohë që rendin si esencën e rregullit. Megjithatë, në ujëra të tilla do të shkonim duke qenë se Calasso nëpërmjet sipërmarrjes së rendimit të bibliotekës sjellë përfytyrimin e një aktiviteti që teksa mund të shkojë drejtë ngritjes së pyetjes se ç’është rendi?, thellësisht metafizike, përpiqet t’i përgjigjet në kushtet e kaosit që realiteti dhe aktiviteti në fjalë përfaqësojnë.

    Kur vite të shkuara dëgjoja se shumë lexues i vendosnin librat sipas rendit të shtëpive botuese, nëse kopertinat dhe shpinat e tyre ishin përgjithësisht njëlloj, mendoja se kur të kisha një bibliotekë aq të madhe e të pasur do të bëja të kundërtën. Autori me veprat përkatëse duhej të përcaktonte zonën e tij territoriale në raftin e bibliotekës pavarësisht botimeve. Kjo do të ishte një lehtësi, dhe më dukej asokohe, një korrektësi që i bëhej autorit. Sot që kam një bibliotekë të madhe dhe të pasur, një të madhe në dy qytete, sepse biblioteka është vazhdimësi, pavarësisht afërsisë së momentit me njërën gjymtyrë të saj apo me tjetrën, kam bërë të kundërtën e asaj që kisha menduar. Vëllimet, aty ku mundet, sipas gjetjve të rastit në libraritë e dorës së dytë kryesisht, janë të rreshtuar sipas botimit, që do të thotë, sipas ngjashmërisë estetike të cilën u ka caktuar botuesi. Sigurisht, nëse një seri apo collana klasikësh ka një prerje, ngjyre dhe stili, atëherë duket më natyrshëm të qëndrojnë bashkë. Ndoshta, në raftet e bibliotekës këto zona uniformiteti heterogjen krijojnë idenë e rendit mes vëllimeve të shumtë e të afërt, por jo të afërm, në raftet e tjerë. Nga një anë, a nuk duket sikur autori, kështu i shpërndarë nëpër trupin e madh prej druri merr trajta sa sociale, në afërsinë me të huajt që e kufizojnë, aq edhe strategjike në rastet kur kemi një numër të madh të veprave të njërit të parapëlqyer, e të shpërndarë gjithandej. Zgjerim territori, imponim autoriteti, bibliopolitikë, apo gjeopolitikë biblioteke?

    Calasso e konsideron ‘esenciale’ blerjen e “shumë librave që nuk lexohen menjëherë Çdo lexues që hyn në kategorinë e grumbulluesve, kur mundësitë e lejojnë, e kupton mirë se për çfarë po flitet. Ndjenja e çuditshme e marrjes në dorë të një libri të blerë kohë më parë, të palexuar, që ndoshta gjendet me vështirësi apo nuk gjendet fare, në momentin kur të duhet, në momentin e vetë librit në fjalë, për Calasson, është me rëndësi të veçantë. Jo vetëm që i jep të drejtë vetes për blerjen e shkuar por përjeton kënaqësinë e të menjëhershmes kur e merrë në dorë në çastin e duhur.

    E di mirë se çdo të thotë lexues grumbullues. Urbanet e Tiranës më kanë parë me qeska të mëdha në duar në tempraturat e larta të verës. Dhe vërtetë, një nga sikletet e përhershme të blerjes së librave në numër të madh përnjëherë është lëvizja e tyre kur nuk ke mjet transporti të përshtatshëm. Ashtu si dilet nga Panairi i Librit, edhe pse hyn me parimin “të shikojmë njëherë çfarë ka”, të jeni të sigurt që rruga për në shtëpi do të jetë shumë e gjatë nëse jeni në këmbë. Por edhe atë që thotë Calasso e di mirë. A nuk duket vërtetë sikur, i ndikuar nga disa impulse të heshtura, paraprihet gjithë jeta jote kur blen një libër me të cilin nuk të lidh puna, as planet e projektet, përveç një qejfi apo interesi të zbehtë për temën, dhe në çast mendon se ‘do t’i vijë dita’, dhe gati një dekadë më pas përfundon të studiosh atë disiplinë në universitet. Dhe libri është aty, ka pritur gati dhjetë vite dhe dita i erdhi. Kujtimi i blerjes dhe i gjithë rrjedhës së ngjarjeve t’a bënë edhe më magjepsës leximin e parë të tekstit, në momentin e kërkuar, pra, në kohën e vërtetë të librit.

    Në këtë pikë yshtemi të reflektojmë pak më thellë për esencën e bibliotëkës. Në qetësi, ndoshta në një kënd atmosferik që krijohet spontanisht nga ndriçimi i ulët dhe i ngrohtë, raftet dhe librat. Ç’është ky entitet që vjen në botë si jetësim i librit dhe raftit në një? Ç’është ky trup i zbrazët në vetvete e që kuptimin e merr nga librat? A krijon identitetin e vetë me organet që mban përmbrenda? Aspak. Librat janë shumëfishësi virtualitetesh të cilat përfaqësojnë shprehje krijimi në paparashikueshmërinë e efekteve të tyre. Qëllimet e autorit nuk shtrihen deri në përjashtimin e pasojave të papritura. Fuqia e tyre mbaron aty, tek ajo që dëshirojnë të gjurmojnë. Biblioteka është kështu një fenomen i çuditshëm që të sjell në mendje sovranin hobbsian në kopertinën origjinale të Leviatanit. Trup individual vetëm prej shumfishësisë së popullit që e përbën. Deri ku ngrihet populli në këtë individualitet apo deri ku zbret sovrani në padallueshmërinë e ndërgjegjes kolektive nuk është e qartë. Këtë paqartësi të potencialeve të lira përfaqëson ajo që mbajmë në shtëpi dhe e quajmë bibliotekë. Përqëndrim magjepsjeje dhe bukurie, rreziku dhe frike.

    Biblioteka është edhe diçka tjetër e që nuk mund të mos vihet në dukje nëse dëshirojmë që të kuptojmë rëndësinë e vazhdimësisë në kulturën tonë. Përbën vërtetë një interes të madh mënyra se si idetë përhapen dhe ndryshojnë në këtë qarkullim. Sa njerëz kemi njohur të cilët na kanë përmendur një autor kalimthi e që për ne është kthyer në tezë diplome pas njëfarë kohe ndërkohë që është harruar plotësisht nga përmendësi. Si hyn këta njërëz të cilët nuk e gjëjnë veten në librat e historisë por që duket sikur janë, pa kuptuar e pa dashur, krijues të saj nëpërmjet këtyre transmetimeve në dukje të pafajshme. Sa nga këta persona përmban në heshtje biblioteka jonë e që ndoshta do të ishte më e varfër nëse nuk do të ishte dhe kjo një nga mënyrat nëpërmjet të cilave idetë gjenerohen dhe rigjenerojnë jetën e tyre. Nëse do të ishte e mundur të ndërtohej një skemë lidhjesh për secilin libër që kemi në bibiliotekë me kryqëzimet e ndikimeve mes tyre apo me ata në mungesë, do të dilte në dritë diçka e përfytyrueshme si labirint. Fijet e lidhjeve prodhojnë plane të mbivendosura por jo përjashtuese të njëra tjetrës. Nuk kuptohet se ku një linjë ndikimi mbaron në njërin plan dhe ngjitet për tek tjetri nëse nuk shihet lëvizja në disa pozicione. Planet nuk janë hierarki por vëllim i prodhuar lirshëm mes veti në përputhje me historinë e teksteve dhe tashmë me atë të bibliotekës. Filli i Arjanës nuk shërben vetëm për të gjetur daljen nga labirinti por edhe për të ndërtuar një skemë të mundshme të tij. Megjithatë, biblioteka si labirint nuk është asnjëherë totale përsaqë lidhjet vazhdojnë të kryen edhe tani që shkruaj, si ndikim i këtij shkrimi. Një fill po lëshohet jashtë nëpër botë nga biblioteka ime. Një reflektim paksa më metafizik e vitalist do ta shprehte thelbin e bibliotekës si forma jete gjithmon të prirura drejt aktualizimit të gjendjeve të reja të të qenit. Biblioteka është legjion heterogjen. Parë nga këndvështrimi i saj biblioteka është shumëfishësia e jetëve që Jeta ende mund të jetë.

    Mendime të tilla për bibliotekën vijnë si pasojë e konsideratave edhe më të larta për vetë leximin. Të domosdoshëm dhe të vazhdueshëm si frymëmarrja.e quan Calasso. Kam dëgjuar në disa raste të thuhet se shtëpia e dikujt u kthye, nga një me bibliotekë, në bibliotekë me një shtëpi brenda. Përmbysje e banesës në bibliotekë. Apo transformim i fjetores në banesë? Fundja, kur thuhet se shtëpia pa bibliotekë është si trupi pa shpirt, pse të mos themi se një bibliotekë me një shtëpi është shpirtëzimi i trupit. Gjithsesi, në këtë linjë logjike, dhe në vazhdimësi të paralelizimit të leximit dhe frymëmarrjes, mund të themi se lexues i vërtetë, e ndoshta lexuesi i vërtetë është edhe ai radikali që përmbush metamorfozën e mësipërme në veten e vetë, është ai që leximin e ka jetë, dhe përditshmëritë, thjesht ndërprerje të leximit. Jeta e identifikuar me leximin dhe jo thjesht e paralelizuar me frymëmarrjen. Jeta si një lexim i vetëm, me ulje ngritjet e veta në cilësitë dhe zhgënjimet e librave, me pengesat dhe ndihmesat e mendjeve komplekse e të urta, me nuancat dhe përthyerjet, tonalitetet dhe rezonimet. Një lexim i vetëm, nga fillimi në fund, dhe në mes, ndërprerjet e rastit: të shkuarit në punë, të larit e enëve, të takuarit miqtë apo të afërmit, martesa, fëmijët, dokumentat e pensionit, deri ditën e fundit, që është edhe faqja e fundit.

    E nëse “çdo lexues i vërtetë ndjek një fill” për Calasson, atëherë një jetë-lexim, një fill që herë pas herë ndërpritet, por që në leximin e radhës rimerret në dorë e që e “ngatërron, mashtron, zgjidh, nyjëzon, zgjat”, është rikthim në udhën e duhur sepse filli gjithmonë do të orientojë në udhëkryqet e labirintit, i cili, si filli, apo prej fillit?, është gjithnjë vazhdim dhe fillim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË